Viktorianët e Shekullit XXI

/Jason Tebbe/

Vetë fjala viktorian orvatet të kujtojë idetë e dala mode: gratë e kufizuara në korse, rol strikt i gjinive dhe një puritanizëm rreth çështjeve seksuale. Në një botë ku sundon konsumerizi dhe vetëshprehja e pafre, këto nocione të shekullit XIX të vetëpërmbajtjes dhe vetëmohimit duken pashmangshmërisht të vjetëruara.

Por etosi Viktorian nuk ka vdekur assesi.

Ai jeton, e manifeston veten në zakonet e klasës së mesme të lartë bashkëkohore. Ndërkohë që shumë zakone kanë shkuar së bashku me jelekët, besimi se borgjezia ka përparësi morale mbi klasat e tjera ende qëndron.

Sot, palestrat e fitnesit, ushqimi artizanal, procesi i aplikimit në kolegj kanë zëvendësuar shëtitjet e të dielave, leksionet e mbrëmjes dhe sallonet e javës. Por të mos gabohemi, këto zakone i shërbejnë një qëllimi të njëjtë: transformimit të privilegjeve klasore në virtyt individual, rrjedhimisht duke mbështetur mbizotërimin shoqëror.

Historiani Peter Gay përdorte termin “viktorian” për të përshkruar gjerësisht kulturën e klasave të edukuara të mesme të lartë të Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë. Sigurisht, ata kishin besime shumë më të komplikuara rreth seksit, gjinisë dhe familjes nga ç’i përfytyrojmë ne.

Viktorianët mund të kenë imponuar një kod morali strikt, por ata flisnin për seksin gjatë gjithë kohës, thuajse në mënyrë obsesive. Sikurse na zbulon Gay, çiftet e pasura shpesh i shkruanin letra dashurie njëri-tjetrit me më shumë vrull se makinat me avull.

Pavarësisht stereotipave të serta të etërve autoritarë, kjo epokë ka shoqëruar nocionin bashkëkohor të prindërimit. Një burrë i vërtetë jo vetëm që duhet të sigurojë më të mirën për familjen e tij, por duhet të interesohet edhe në mirëqenien emocionale të fëmijëve të tij.

Ndonëse klasa e mesme e lartë e shek. XIX nuk ishte aq puritane dhe e ashpër sa ç’mund të imagjinohet, ajo u është përmbajtur kodeve strikte të sjelljes. Këto kode normative pasqyrojnë strukturën klasore të ndryshueshme të asaj periudhe dhe dëshirën e borgjezisë së lartë për të mbrojtur epërsinë e saj morale ndaj fisnikërisë, duke e përdorur virtytin për të sfiduar vendin e aristokracisë së vjetër në qendër të jetës politike, shoqërore dhe politike. Ndërsa bijtë e zotërinjve dilnin për gjueti dhe shijonin dreka, bijtë e bankierëve dhe juristëve punonin, krijonin familje dhe vetedukoheshin.

Në Gjermani fjala më e përshtatshme është Bildung, e papërkthyeshme në shumë gjuhë dhe që nënkupton edukimin në formën e kultivimit personal dhe përmirësimit. Kjo ide, e shfaqur në gjuhë të ndryshme në vende të ndryshme, e bashkonte klasën në rritje përtej kufijve të vendeve ku gjendej. Vetëpërmirësimi i diferenconte ata nga njëpërqindëshi dekadent.

Për shembull, të dëgjuarit muzikë u bë përvojë edukuese — më shumë sesa argëtim. Muzika klasike e dhomës e shek. XVIII funksiononte si fonogramë për suaretë aristokrate. Në sallat e koncerteve, fisnikëria do të krekosej në lozhat e rezervuara, duke pasur vetëm gjysmën e vëmendjes te interpretuesit.

Por kur klasa kapitaliste në ngjitje ndiqte koncertet, ajo nuk llafosej sipas modës së qejfit: ata rrinin urtë dhe kërkonin të mbahej qetësi, në mënyrë që të përqendroheshin te muzika.

Viktorianët gjermanë shpikën termin Sitzfleisch — copë mishi që qëndron ulur — për të përshkruar kontrollin e muskujve që kërkohej për qëndrimin pa bërë zë gjatë një interpretimi në koncert. Edhe kollët e teshtimat duhet të mbaheshin, në të kundërt ato do të prishnin përqendrimin dhe vetëpërmirësimin e dikujt.

Kërkesa për “Bildung” zaptonte edhe jetën e përditshme. Gratë e reja të pasura, të cilat nuk mund të shpresonin për karrierë përtej të qenit grua dhe nënë, mësonin të paktën një gjuhë të huaj dhe merrnin mësime pianoje dhe kantoje. Burrat zakonisht i shpenzonin mbrëmjet duke marrë pjesë në leksione apo në shoqata qytetare.

Që ky përkushtim të sillte rezultate, këta viktorianë të pasuruar duhet ta shpalosnin atë duke bërë diferencën si nga shumë të pasurit, ashtu edhe nga të varfrit.

Ata shpenzonin shuma të mëdha për dekorin e shtëpive për të dëshmuar njëherazi kamjen, shijen dhe modestinë. Ata e dinin që ia kishin arritur kur mund të kishin një sallon — një dhomë në shtëpi të rezervuar për argëtimin e të ftuarve, në të cilën banuesit nuk hynin asnjëherë vetëm. Ndërsa të dielave, e gjithë familja do të dilte shëtitje në park.

Në fakt, në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara mbështesnin ndërtimin e sa më shumë parqeve publike. Por, në linjë me vlerat e tyre, këto hapësira nuk kishin për qëllim të funksiononin si të përbashkëta që mund të gëzoheshin nga të gjithë, por si skena për të treguar “më të mirën e së dielës”.

Parku Qendror i Nju Jorkut për shembull, i ndaloi publikut të shkelte barin apo të zhvillonte aktivitete sportive. Fëmijët duhet të siguronin një fletë lavdërimi për sjellje të mirë, përpara se të lejoheshin në këndet e lojërave. Po ashtu, të dielave ishte e ndaluar shitja e birrave.

Parku nuk ishte për të ngeshmit e klasës punëtore, por për disiplinën. Atje, punëtorët mësuan të vlerësonin mënyrën e duhur të shfrytëzimit të parkut: shëtitjen. Parku i vjetër shihej si  tempull masiv i nocionit viktorian të natyrës si vend përmirësimi.

Ndërkohë që sot nuk qëllon të shohim shpesh burra me kapele të larta dhe gra me zhumpone që nxjerrin në paradë fëmijët të dielave, parqet vazhdojnë të jenë hapësira për të shfaqur virtytin dhe disiplinën: kultura bashkëkohore e fitnesit mishëron përsosshmërisht etosin e përmirësimit dhe disiplinën.

Viktorianët njiheshin gjerësisht për kundërshtinë ndaj aktiviteteve sportive — të cilat ishin për proletarët — ata shtonin peshën si shënjues klase dhe respektueshmërie. Fitnesi dhe sporti filluan të depërtojnë në jetën e klasës së mesme në shek. XX dhe sot kanë të njëjtin funksion si shëtitjet.

Trendet aktuale si joga e nxehtë, pedalimi, krosfiti, të gjitha këto demonstrojnë një përkushtim ndaj vetëmohimit dhe vetëdisiplinës, vlera tejet të çmuara nga viktorianët. Vrapuesit e maratonës janë kthyer në shënjuesit e fundit: garuesit postojnë foto në mediat sociale që t’i provojnë çdokujt se i kanë torturuar virtuozisht trupat e tyre.

Këto zakone depërtojnë në aktivitetet ditore gjithashtu. Trader Joe’s dhe Whole Food [1] janë dëng me njerëz me rroba stërvitjeje ku nuk depërton djersa. Këto rroba i shënjojnë ata që i mbajnë veshur si njerëz që kujdesen për trupin e tyre, edhe kur nuk janë duke u stërvitur. Tutat e jogës dhe atletet e vrapimit shfaqin virtyt po aq qartësisht sa fustanet korse të shek. XIX.

Të jesh në formë tani shënjon klasën, duke përmbajtur njëkohësisht fitnesin dhe kulturën e ushqimit. Qëkurse kaloritë janë bërë të lira, obeziteti ka ndryshuar nga të qenit shenjë e kamjes në shenjë dështimi moral. Sot të vuash nga shëndeti është njollë e lakmisë së të varfërve, sikurse shiheshin fiksimet te seksi në klasën punëtore në shek. XIX.

Që të dyja linjat e mendimit pohojnë se klasat më të ulëta nuk mund të kenë kontroll mbi veten, kështu që ato meritojnë pikërisht çfarë kanë dhe asgjë më shumë. Nuk është nevoja atëherë për paga më të larta apo rimbursimin e shërbimit mjekësor. Tekefundit, të varfrit do t’i harxhojnë paratë për cigare dhe çizburger.

Si atëherë, edhe tani, këto diferenca të supozuara shëndeti etiketojnë me neveri njerëzit e klasës punëtore. Te “Rruga për në Wigan Pier” George Orwell shqyrton edukimin e tij të vonë viktorian duke shkruar se ai ishte mësuar të besonte “se kishte diçka të shpifur në trupin e një punëtori”. Në kohën e Orwell-it dallimin e bënte sapuni, jo fitnesi; ai ishte familjarizuar me idenë se “klasat e ulëta mbajnë erë”.

Në ditët e sotme viktorianët modernë nuk skandalizohen më nga të qenit i palarë, por skandalizohen po të shohin dikë që blen shumë për të ngrënë.

Ndërkohë që borgjezia e shek. XIX i shihte kilet e tepërta jo si shqetësim që duhej rrënjosur por si mirëqenie, pasardhësit e tyre shpirtërorë janë të fiksuar me të ngrënit e ushqimeve të duhura. Në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, ushqimi organik është kthyer nga dukuri e dorës së dytë në nevojë absolute.

Merrni në konsideratë lëvizjen – e cila përbëhet nga ata që kanë vendosur ta eliminojnë glutenin nga dieta, jo nga ata që vuajnë nga sëmundje të veçanta dhe duhet ta eliminojnë grurin një herë e përgjithmonë. Tashmë ushqimet pa gluten gjenden pothuajse në të gjitha raftet e supermarketeve lokale.

Kjo disiplinë ushqimi është një formë e vetëmohimit të virtytshëm që do t’i bënte viktorianët krenarë. Ah sikur të ishin gjallë gjyshërit e mi, për të kuptuar se mbjellja e patateve dhe kastravecëve në kopsht nuk i bënte “katundarë”, por njerëz të sërës së lartë.

Një dinamikë e ngjashme moleps jetën familjare sot. Sikurse paraardhësit, klasat e mesme të larta të ditëve të sotme i kushtojnë një rëndësi të posaçme familjes. Megjithëse autoritarizmi i shek. XIX ka marrë fund, kjo periudhë e ka parë fillimisht fëmijërinë si një periudhë të veçantë jetësore. Prindërit vepronin sipas rrethanave duke vendosur fidanishte ndanë shtëpive për fëmijët e tyre.

Praktikat e prindërimit bëhen çdo vit e më të vështira. Një libër i botuar këto kohë — “Vetëm gëzim dhe jo argëtim” — tingëllon si muzikë për veshët viktorianë. Çfarë mund të ketë më mendjelehtë dhe jo edukativ sesa argëtimi?!

Mamatë medoemos duhet të vazhdojnë t’i ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri për një periudhë sa më të zgjatur, në mënyrë që t’u mundësojnë atyre ushqim organik dhe t’i mbajnë larg ekraneve. Moszbatimet e këtyre praktikave sjellin dështim. Kjo gjë paraqet ndoshta lidhjen më të qartë mes vlerave viktoriane dhe të tashmes: të dyja e kufizojnë gruan dhe përforcojnë hierarkinë gjinore.

Vështirë të merret si rastësi që këto pritshmëri të reja kërkojnë kohë dhe para. Një mama punëtore që punon në sektorin e shërbimeve e ka shumë më të vështirë të përgatisë qumështin e gjirit në punë sesa një grua që punon në zyrë (pa përmendur pabarazinë në marrjen e lejes së prindërimit mes jakëbardhëve dhe jakëbluve).

Imperativët moralistë që tanimë lidhen me dhënien gji bëjnë që gratë e klasës punëtore —të cilat kanë më pak gjasë t’i ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri — të gjykohen për dështimin moral. Në të vërtetë, betejat publike ndaj kufizimeve të qumështit të gjirit rrallëherë shtrihen në kërkesa për akses më të madh në laktacion për gratë e klasës punëtore.

Pritshmëritë e prindërimit intensiv vazhdojnë sidomos pas foshnjërisë. Fëmijët e vegjël nxiten për të marrë pjesë në klube sporti të kushtueshme, kurse prindërit të heqin dorë nga koha e lirë për t’i mbështetur. Këto aktivitete kërkojnë kohë dhe para, dy burime të cilat punëtorëve u mungojnë.

Ky shtim aktivitetesh të organizuara përfaqëson një formë përmirësimi: koha e lirë e një fëmije është tashmë tërësisht e përfshirë në Bildung. Aftësia e pjesëmarrjes për t’u siguruar këto mundësi fëmijëve portretizohet si një pasqyrim i moralit familjar, jo i gjendjes ekonomike. Ashtu sikurse gratë viktoriane mësonin piano dhe flisnin italisht — duke shpërfaqur kështu një finesë të padisponueshme për nivelet e tjera të shoqërisë — fëmijët modernë luajnë futboll, mësojnë mandarinçen dhe angazhohen vullnetarisht në aktivitete lokale bamirësie.

Por kulmi i kërkesës moderne për Bildung është padyshim procesi i aplikimit në universitete. Nuk ka shembull më të mirë nga shek. XIX për këtë ritual të ri qesharak, ndonëse Dickens-i do të ishte në gjendje ta satirizonte absurditetin e pandarë: Miliona vetë veprojnë a thua se një sistem i prirë fort nga privilegjet është në fakt një lloj meritokracie dhe se vlera e një personi mund të gjykohet nga prestigji i shkollës ku është pranuar.

Të gjithë amerikanët që shkojnë në universitet aplikojnë në disa shkolla. Por fëmijët e klasës së lartë parapërgatiten, praktikohen apo udhëtojnë gjatë pushimeve verore që të kenë materiale për esetë e pranimit, dhe zakonisht aplikojnë në shumë shkolla për të rritur kështu mundësinë e përzgjedhjes së një emri më të mirë. Prindërit — pavarësisht kapaciteteve intelektuale të fëmijëve — mundet pastaj të pandehin se ata janë më të mirë se fëmijët e universiteteve publike.

Klasa e mesme e lartë e ditëve të sotme i përmbahet trillimit të një shoqërie meritokratike, mu siç bënin edhe viktorianët. Kjo histori u lejon nga ngrenë pozicionin e tyre ekonomik mbi kurrizin e punëtorëve, të cilët janë familjarizuar me faktin se problemet e tyre të shëndetit dhe perspektiva e mjerë e karrierës përfaqësojnë mangësi individuale, jo dizfunksionim të sistemit.

Sigurisht, ushtrimet, të ngrënit e ushqimeve organike dhe nxitja e fëmijëve të shpenzojnë kohën e lirë në mënyrë të dobishme nuk janë në thelb gjërat ë këqija. Gjithsesi, ato bëhen shënjues të vlerave të borgjezisë kur mobilizohen të mbrojnë epërsinë morale të njërës klasë mbi një tjetër dhe të justifikojnë pabarazitë shoqërore. Kjo ka qenë maskaradë si në shek. XIX, ashtu edhe sot.

Ne duhet të kujdesemi për shëndetin, ushqimin dhe edukimin. Por në vend që t’i shohim si mënyra për të promovuar mbizotërimin klasor, duhet t’i përmirësojmë ato për këdo. Paramendoni sikur e gjithë ajo energji e harxhuar për të mbajtur fëmijët mediokër të klasës së lartë në shkolla prestigjioze të ishte e përqendruar në bërjen e arsimit të lartë të arritshëm dhe të përballueshëm anembanë vendit. Paramendoni nëse qasja në ushqim të shëndetshëm për të gjithë të ishte prioritet mbi arritjen e statusit me blerjen e produkteve më të shtrenjta. Paramendoni, me pak fjalë si do të dukej bota sikur të mbizotëronin vlerat socialiste dhe jo ato viktoriane.

 

 

[Marrë nga revista Jacobin]

Përktheu: Kristi Çunga

 

Shënime:

[1] Rrjete të njohura marketesh [shënim i përkthyesit].

 

Imazhi: Hypnotica Studios Infinite/Flickr

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.