Universiteti si terren i dijes dhe rezistencës

/Arlind Qori/

Intervistë dhënë Gresa Hasës për revistën Kosovo 2.0, e botuar më 13.11.2019

Arlind, prej pesë vitesh, së bashku me Lëvizjen Për Universitetin, ju keni qenë ndër zërat më të fortë opozitarë të Ligjit të Arsimit të Lartë në Shqipëri. Protestat studentore kanë ardhur veçse duke u masivizuar deri në mbërritjen e pikës kulmore që ishte dhjetori i shkuar, kur mijëra studentë u ngritën në Tiranë e qindra të tjerë iu bashkuan atyre në gjashtë qytete të tjera të vendit, duke kërkuar ulje të tarifave universitare, heqje të gjobave të padrejta ndaj studentëve, dyfishim të buxhetit për arsimin e lartë dhe më kryesorja, abrogimin e ligjit. Tashmë, një vit më pas, si e gjykoni situatën në universitet nga perspektiva e pedagogut dhe aktivistit? Çfarë ka ndryshuar dhe çfarë ka mbetur në vend numëro?

Në kuptimin praktik të fjalës, në jetën universitare nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë. Ligji i arsimit të lartë mbetet në fuqi dhe, bashkë me të, edhe aradha e problemeve si komercializimi i universiteteve publike, konsiderimi i pedagogëve si shitës njohurish të përcipta dhe i studentëve klientë, papërballueshmëria ekonomike e studimeve, sundimi çifligar i drejtuesve universitarë, përdorimi i pushtetit të notës për të abuzuar me studentët etj.

Po në një këndvështrim tjetër, gjithçka ka ndryshuar. Sepse ka ndryshuar fryma. Protestat e dhjetorit dhe vazhdimi i rezistencës gjatë janarit të këtij viti u kanë mësuar studentëve leksionin më të madh historik: bashkimi në lëvizje i atyre që e pësojnë ka potencial shpërthyes. Studentët janë vetëdijesuar se jo vetëm mund të transformojnë jetën universitare, por edhe të fusin në krizë gjithë sistemin politik dhe ngulfatjen ideologjike në Shqipëri. Mjafton të flasësh me njerëzit në rrugë të cilët edhe sot, thuajse një vit pas protestave masive studentore, janë në pritje të një nisjeje të re të lëvizjes studentore. Për ta, studentët janë katalizatori i munguar i historisë, ndërlidhësi i energjive të pashtershme shoqërore të cilat deri më tash shuhen në izolimin individual.

Kryeministri Rama ndryshoi gjysmën e kabinetit qeveritar vitin e shkuar nën justifikimin e këtij veprimi si një reagim të menjëhershëm ndaj presionit të protestave studentore. Ndër të tjera, ai zëvendësoi Ministren e Arsimit duke shkarkuar Lindita Nikollën e duke ia deleguar postin Besa Shahinit. Megjithatë, u duk se ndryshimet ishin veçse formale, jo përmbajtësore pasi abrogimi i Ligjit Për Arsimin e Lartë nuk u mor parasysh për asnjë çast dhe ministrja aktuale vijon të ruajë të njëjtin qëndrim si paraardhësja e saj për të gjitha çështjet që ju keni parashtruar ndër vite. Si e përktheni këtë reagim të qeverisë shqiptare?

Edi Rama është i gatshëm të ndryshojë gjithçka në dukje për të mos ndryshuar asgjë në përmbajtje. Është një rreng i vjetër politik, të cilin ai e zotëron më mirë se paraardhësit e tij. Nga ana tjetër, unë dyshoj se në Shqipëri nuk ka ministra. Në fakt ka vetëm kryeministër. Ministri i një fushe të caktuar nuk është personi që koncepton politikat përkatëse, por thjesht zbatuesi i verbër i urdhrave të kryeministrit. Në këtë kuptim, në vend të ministrave ne kemi njerëz të cilët kanë dhënë  me koncesion firmën e tyre.

Rasti i hartimit të ligjit të arsimit të lartë është domethënës. Ky ligj, i sponsorizuar nga disa pronarë universitetesh private, nisi të hartohej nga një grusht njerëzish pranë kryeministrit, të emëruar nga ky i fundit. Gjatë gjithë këtij procesi, Ministria e Arsimit ishte më tepër vëzhguese e një procesi që po ecte pavarësisht asaj. Ministrja e asokohshme e Arsimit dukej sikur as e kishte lexuar siç duhej dhe as e kishte kuptuar logjikën e ligjit në fjalë. E njëjta gjë ndodh edhe me ministren aktuale. Ndiqeni kur flet për ligjin e arsimit të lartë! Do t’ju vijë keq se sa pak e njeh atë, a thua se bëhet fjalë për ligjin e peshkimit të Mbretërisë së Holandës.

Më gjerësisht, refuzimi i qeverisë për të ndryshuar, qoftë edhe pjesërisht, ligjin e arsimit të lartë vjen për dy arsye. E para ka të bëjë me bazën politike të qeverisë në arsim, e cila përbëhet nga pronarët e universiteteve private dhe drejtuesit e universiteteve publike. Të parët nuk do ta pranonin kurrë ndalimin e financimit të universiteteve të tyre me fonde publike, kurse të dytët do të refuzonin fuqizimin e studentëve brenda universiteteve publike pasi diçka e tillë do të rrezikonte sundimin e tyre. Së dyti, prej vitesh ligji i arsimit të lartë është karikuar simbolikisht. Për qeverinë, ai shërben si model i çdo reforme të mundshme. Për kundërshtarët e tij, ai është gjeneza e çdo akti të mëpasshëm korruptim në të gjitha fushat. Kësisoj, rënia e ligjit të arsimit të lartë do të sillte medoemos rënien e qeverisë.

Protestat, gjithsesi, ia dolën që të garantonin përgjysmimin e tarifave universitare për studentët Bachelor. Përse nuk është kjo e mjaftueshme për ju?

Në fakt, qeveria premtoi ulje gjithëpërfshirëse të tarifave të nivelit bachelor vetëm për vitin akademik që lamë pas. Në këtë vit, nga ulja e tarifave përjashtohen studentët që kanë notë mesatare nën 6, si dhe ata që, për arsye të ndryshme, kanë qoftë edhe një provim të mbartur, pavarësisht se sa të lartë e kanë mesataren. Po ashtu, ulja e tarifave bachelor është shkallëzuar në raport me mesataren. Ky shkallëzim mbart një dimension pandershmërie. Pikësëpari, zakonisht studentë me mesatare të ulët janë ata që vijnë nga familje të varfra dhe kanë nevojë të punojnë shumë për të përballuar kostot në rritje të jetesës dhe arsimimit. Ne do të duhej t’ua lehtësonim atyre barrën e studimit, t’u çlironim më shumë kohë për të studiuar dhe t’i motivonim. Së dyti, në degë të ndryshme është çimentuar praktika e lehtësisë apo vështirësisë relative të marrjes një note të lartë. Për shembull, në degët inxhinierike apo të shkencave të natyrës në Shqipëri është më e vështirë të merren nota të larta, çka i diskriminon studentët e këtyre degëve në uljen e tarifave. Së treti, shkallëzimi i uljes së tarifës në raport me mesataren – ku sa më e lartë të jetë ajo, aq më pak paguan – po krijon një klimë trysnie drejt pedagogëve për t’i rritur artificialisht notat.

Ç’është më e rënda, tarifat e niveleve të tjera të studimit (master dhe doktoratë) nuk janë prekur pothuajse fare. Ato janë skandalozisht të larta, duke arritur edhe në mbi 1000 euro për vit akademik. Qeveritë e njëpasnjëshme i kanë konsideruar studimet pas-bachelor si luks dhe jo si pjesë organike të formimit të një profesionisti dhe qytetari të ardhshëm. Ato paguhen me çmim të pasubvencionuar nga shteti. Në përgjithësi, po t’i krahasojmë tarifat universitare me nivelin e pagës minimale dhe mesatare, Shqipëria është një nga vendet evropiane ku studimet kushtojnë më shtrenjtë.

Sidoqoftë, përpjekja e universitarëve nuk ishte vetëm për tarifat. Ata kërkonin një universitet të ri, të bashkëqeverisur nga studentët dhe pedagogët, autonom nga qeveria dhe logjika e parasë, që krijon impulse punësimi profesional për të diplomuarit dhe, në tërësi, është nismëtar i ideve dhe praktikave që mund ta transformojnë shoqërinë. Afërmendsh, asnjëra nga masat e marra nga qeveria nuk ka kontribuuar në këto qëllime.

Tetë prej studentëve/eve aktivistë/e të Lëvizjes Për Universitetin janë dënuar (LINK) me nga dy muaj burg secili/a për shkak të një proteste (2016) të ndërmarrë brenda mjedisit të fakultetit ku ju jeni i punësuar si pedagog prej më shumë se një dekade tashmë. Afërmendsh, dënimi i studentëve është kritikuar ashpër nga zërat intelektualë brenda e jashtë vendit, sikurse nga pjesa dërrmuese e shoqërisë. Mendoni vallë se pushteti ndihet vërtet i kërcënuar nga trupa studentore dhe pedagogjike e cila të vetmet “armë lufte” ka mendjen (kritike) dhe librat?

Aksioni me vezë ndaj Edi Ramës në oborrin e Fakultetit të Shkencave Sociale ka qenë ndoshta momenti kur shoqëria ktheu përfundimisht sytë nga universiteti. Vajzat dhe djemtë që tentuan t’i njollosin këmishën Ramës u rrahën paq brenda oborrit të fakultetit nga truproja, policë e gangsterë që shoqëronin Ramën. Aty në oborr disa studentë dhe kalimtarë të rastit u solidarizuan me ta. Por për turp, asnjëri nga pedagogët e pranishëm atë moment në fakultet nuk u doli në mbrojtje, edhe pse dihej që ndërhyrja e policisë në mjediset universitare është e paligjshme nëse nuk kërkohet me shkrim nga dekani. Strukturat drejtuese të fakultetit dhe universitetit heshtën, ndonëse atë ditë jo vetëm u  dhunuan studentët, por edhe u poshtërua universiteti.

Gjithsesi, dhuna e asaj dite dhe përndjekja e mëpasshme ligjore janë të papërfillshme në raport me dhunën strukturore që politikat qeveritare po ushtrojnë mbi universitetin. Nuk ka dhunë më të madhe se t’i detyrosh pedagogët të heqin dorë nga e vërteta kritike dhe të kthehen në reklamues të institucionit të tyre apo të falin nota për të rritur numrin e studentëve të rekrutuar, se t’i ngarkosh studentët me tarifa të larta dhe të mos kenë zë në mbarëvajtjen e universitetit, apo se t’i varfërosh universitetet publike sepse qeveria mendon si të financojë pronarët “e gjorë” të universiteteve private.

Për sa i përket qeverisë, nuk mendoj se ajo ua ka frikën studentëve dhe pedagogëve si të tillë, por potencialit që ata kanë për t’i ndezur shoqërisë zjarrin e shpresës. Një libër apo ide kritike, sado e saktë dhe e madhe qoftë, nuk do të ndryshonte asgjë nëse nuk do të arrinte të ndërtonte një urë komunikimi dhe, më pas, bashkëveprimi me botën shoqërore jashtë saj. Ky do të ishte roli i studentëve dhe pedagogëve si intelektualë organikë të atyre pjesëve të shoqërisë të cilat deri më sot kanë qenë të padukshme e të pazëshme. 

Ju personalisht a jeni ndjerë i rrezikuar në mjedisin e punës për shkak të angazhimit politik? A mendoni se një pjesë e kolegëve tuaj refuzojnë t’i përkrahin publikisht studentët apo të ngrenë zërin për shqetësime të ndryshme që hasin në universitet, prej drojës apo frikës se mund të ndëshkohen, fundja, nëse ushtrojnë në mënyrë aktive një të drejtë kushtetuese?

Në fakt, nuk jam ndjerë asnjëherë i rrezikuar për shkak të angazhimit tim publik. Jo edhe aq për shkak të ndonjë trimërie të rrallë që fle brenda meje, porse kur bëhesh pjesë e një lëvizjeje shoqërore masive nis të jetosh në një dimension tjetër, të kuptosh se përkushtimi ndaj një ideje emancipuese është më përmbushës se çdo aksident në jetën personale. Nuk mjafton vetëm të jetosh, por edhe të shtrosh pyetjen se cila jetë ia vlen të jetohet. Dhe përgjigjen e kësaj të fundit nuk e gjen dot në izolim, as e kupton dot mirëfilli nëpër libra. Ajo vjen vetëm praktikisht, nga angazhimi me shumë të tjerë, nga frymëzimi që merr kur sheh se ç’potenciale të parrëfyeshme nisin të aktualizohen mes vajzave dhe djemve fare të rinj në moshë, por me mendje të fortë e guxim të madh.

Këtë që unë dhe disa pak shokë e kolegë të mi kemi vite që e përjetojmë, vërej se vitin e fundit po mishërohet edhe në shumë kolegë. Në dhjetor, pa ua kërkuar kush, shumica e pedagogëve të fakultetit ku punoj firmosën një deklaratë ku, pasi solidarizoheshin me studentët, i kërkonin qeverisë rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë. Ditët në vijim iu bashkuan protestës studentore, u angazhuan në asambletë e fakulteteve, nisën themelimin e një sindikate, u hodhën në grevë, si dhe iu rezistuan kanosjeve të tërthorta të qeverisë dhe të drejtpërdrejta të drejtuesve universitarë. Ishin të njëjtët njerëz që më parë nuk kishin guximin apo besimin se mund të arrihej diçka dhe që tanimë kishin gjetur brenda vetes fuqinë për të qenë pjesë e një lëvizjeje të madhe.

Prandaj, frika është gjithmonë situacionale. Ajo lind e rritet kur organizimi dhe lëvizja shuhen. Kur rrota e historisë nis të lëvizet sërish, njerëzit habiten me guximin dhe fuqinë që ka fjetur brenda tyre.

Dënimi i korrupsionit, plagjiaturës, shitjes së librave në të zezë e ndër të tjera, të pacertifikuar nga një redaksi shkencore dhe gjuhësore, e kanë pasuruar qëndresën studentore ndër vite duke lënë të kuptohet një dëshirë dhe vullnet për ta rimarrë universitetin e shndërruar atë në institucionin fisnik ku dija mbrohet dhe zhvillohet. Abuzime të këtilla nuk prekin vetëm studentët por edhe ata pedagogë të ndershëm që punën e kryejnë drejtë e me dashuri. Si ju prekin ju si pedagog abuzimet gjithçfarësh të kolegëve tuaj? Po përtej dyerve të universitetit, ç’efekt kanë këto abuzime?

Pedagogu nuk është thjesht një i punësuar. Ai është mbushës i një figure konceptuale me histori të gjatë. Kjo është kryesisht histori e sakrificës, deri edhe në vetëmohim, për të vërtetën, frymën kritike dhe ndërtimin e një praktike pedagogjike që ka për synim pasurimin e dijes duke e përcjellë dhe bashkëndërtuar atë. Kësisoj, çdo pedagog që abuzon me detyrën e tij nuk është vetëm duke shkelur ligjin, por edhe duke cenuar këtë figurë konceptuale shumë më të hershme dhe të madhe se ai vetë. Prandaj, çdo shkelje e etikës pedagogjike – madje edhe Kodit Penal në disa raste – është si një çizme jo vetëm mbi kurrizin e studentëve, por edhe të pedagogëve të tjerë që e kryejnë punën e tyre me ndershmëri.

Po këta të fundit nuk mund të lajnë duart duke menduar: “Unë punën time e bëj mirë. Të merret kush të dojë me abuzuesit!” Një abuzues nuk nxin vetëm fytyrën që universiteti i kthen shoqërisë, por është shkaktari i tëhuajësimit të studentëve në raport me universitetin. Një student i abuzuar që sheh se si pedagogu i tij i ndershëm nuk ngre zërin ndaj kolegëve të tij të korruptuar humbet respektin edhe për të parin, edhe për universitetin në tërësi. Kush ka mundësi ta ndryshojë praktikën universitare dhe hiqet mënjanë është po aq përgjegjës sa shkatërrimtarët e saj.

Ajo se ç’ka ra në sy veçanërisht gjatë protestave të dhjetorit, ishte fryma feministe e këtyre të fundit. Megjithëse jo vetëm dhjetorin e shkuar por gati në të gjitha protestat studentore të viteve të fundit, vajzat kanë qenë pararojë e tyre duke shfaqur një guxim që meriton të trajtohet veçmazi. Ato njëkohësisht kanë artikuluar nga një perspektivë gjinore e radikale pozitën e tyre në shoqëri, duke u përqendruar tek ajo se si aksesi ose mungesa e këtij aksesi në shkollën e lartë përkthehet për to. Mund të themi se për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë, një kauzë shoqërore ecën e pandarë me nevojën tonë (edhe) për një revolucion gjinor. Si e ndihmon aktivizmin tuaj veprimtaria feministe brenda lëvizjes dhe jashtë saj, në masivitetin studentor brenda e jashtë fakulteteve?

Sot mjediset universitare, me 1001 problemet e tyre, janë prapëseprapë më e mira që ofron shoqëria e sotme shqiptare. Një dimension i kësaj është prania e lartë e vajzave në jetën universitare, çka u reflektua edhe në pjesëmarrjen e tyre në protestë. Si kurrë më parë në historinë e Shqipërisë – si dhe rrallëherë edhe në historinë e vendeve më të përparuara demokratikisht – në një lëvizje masive shoqërore vajzat ishin shumicë në prani, forcë madhore në ide dhe zëri më i lartë në artikulim. Në këtë aspekt, protesta studentore ishte radikalisht feministe edhe pa pasur nevojën të artikulonte drejtpërdrejt elementë të kauzës gjinore. Ajo ishte modeli konkret i mënyrës se si duhet të ristrukturohen marrëdhëniet shoqërore në punë, familje e kudo.

Sot shkollimi është një prej shtigjeve më të rëndësishme të emancipimit gjinor. Sidomos vajzat që jetojnë në periferi, aty ku logjika patriarkale është më e fortë, kanë nevojë të afrohen në universitet. Ndeshja me ide e koncepte të reja, shumëdimensionaliteti i hapësirës universitare dhe vorbulla e jetës shoqërore janë acidi më i efektshëm për mendësinë dhe praktikat e shtypjes gjinore. Mirëpo ajo që deri diku ndodh vetiu brenda universiteteve duhet ngritur në koncept. Pra duhet artikuluar intelektualisht në mënyrë që të kuptohen veçoritë dhe kufijtë e saj. Vetëm kësisoj do të mund të kuptojmë pse lufta për barazi gjinore zhvillohet në mënyrë të pabarabartë në sektorë të ndryshëm të shoqërisë dhe si mund të tejkalohen këto pabarazi.

Ju jeni gjithashtu aktivist i Organizatës Politike ku kauza punëtore zë përqindjen më madhore të aktivizmit. Nga ana tjetër, një pjesë e mirë e aktivistëve të OP-së dhe LPU-së janë punëtorë dhe/ose vijnë nga familje punëtorësh duke përfaqësuar shtresat më të margjinalizuara shoqërore. Si lidhet çështja universitare me punëtorët dhe shoqërinë mbarë?A ekziston një ndarje mes tyre apo nuk do duhet që vatrën e dijes ta shohim të shkëputur nga veprimtaria punëtore? Si i kontribuon çështja e arsimit të lartë, punëtorëve? Çfarë i bashkon studentët dhe punëtorët me njëri-tjetrin?

Është e vërtetë që shumica dërrmuese e aktivistëve të Organizatës dhe Lëvizjes ku bëj pjesë janë studentë punëtorë, ose vijnë prej familjesh punëtore e të varfra. Kjo bën që lufta e tyre të mos jetë vetëm për parime abstrakte, por reale deri në kockë. Në jetën e tyre të përditshme lind sinteza më e mirë midis kauzës studentore dhe asaj punëtore.

Pikëprerjet midis këtyre dy kauzave janë të disallojta. Historikisht shkolla, sidomos studimet universitare, ka qenë ashensori kryesor social i familjes punëtore. Prindërit mund të rropateshin në punë fizike, por shpresonin se të paktët fëmijët e tyre do të kishin një mundësi më shumë nëse studionin. Kësisoj, sa më shumë të rrëzohen kufijtë mes të varfërve/punëtorëve dhe universitetit, aq më i lartë është mobiliteti social.

Nga ana tjetër, sot një pjesë gjithnjë e më e madhe studentësh janë të dënuar të punojnë gjatë periudhës së studimit. Rrjedhimisht kushtet e punës i shohin të lidhura ngushtë me kushtet e studimit. Gjithsesi pas përfundimit të studimeve, shumica syresh gjenden në një pozitë të pashpresë: punë në profesion ka për shumë pak vetë, çka i detyron ose të emigrojnë, ose të pranojnë të kryejnë një punë dukshëm të nënkualifikuar për një kohë në dukje të pambarimtë. Në këtë sens, ata janë punëtorë me diplomë universitare, çka i motivon edhe më shumë që ta transformojnë këtë model zhvillimor mbytës, i cili bazohet në tejshfrytëzimin e punës së krahut dhe ka pak vend për angazhimin e punës konjitive.

Po, mbi të gjitha, shkollimi universitar i pajis studentët me një shtysë universaliteti që vjen si rezultat i raportit intim me të vërtetën. E vërteta shoqërore nuk mund të jetë thjesht konstatuese, por edhe transformuese. Ajo kërkon të ndryshojë koordinatat e kuptimit, të rrokë marrëdhëniet e saj me botën, të vetëdijesohet për kufijtë dhe fuqitë e saj, si dhe për rrjedhojë të ndihmojë në transformimin e marrëdhënieve politiko-shoqërore. Kësisoj, studenti del nga universiteti me një ide, sado të vagullt, se si mund dhe duhet të jetë një botë e re: pa shfrytëzim, poshtërim e tëhuajësim. Bota nuk mund të bëhet e tillë pa u identifikuar me ata nga duart dhe mendjet e të cilëve ngrihet çdo e mirë që gëzojmë dhe mbi supet e të cilëve rëndon gjithë pesha e padrejtësive: punëtorët.

Arlind, cili do të ishte universiteti ideal për ju si pedagog?

Unë do të doja të futesha në klasë dhe të mos shihja asnjë student të pamotivuar nga drobitja e punës së një turni më herët, nga kequshqyerja dhe pamundësia për të blerë libra, apo nga ideja se, sado të arsimohemi, nesër të gjithë do të përfundojmë të papunë ose punëtorë call center-i. Do të doja të ecja në mjedise universitare ku studentët dhe pedagogët janë bashkëndërtues të dijes, pa autoritarizëm e kapriço; ku administratorët e jetës universitare do ta konsideronin mbajtjen e një pozite si barrë të përkohshme dhe jo si plaçkë që duhet fituar me çdo kusht. Po, mbi gjithçka, do të doja një universitet që përpara shoqërisë nuk vendoste gardhe, por përthithte problemet dhe idetë që vijnë prej saj, si dhe e shtrinte ndikimin e vet në gjithë shoqërinë. Unë nuk mendoj se ky është një ideal, në kuptimin e një ideje abstrakte të tjetërbotshme. Kjo është një ide, fara e së cilës është hedhur që sot, përndryshe nuk do të mund të flisnim seriozisht për të. Por është një ide e cila nuk mund të realizohet brendapërbrenda universitetit pa transformuar edhe marrëdhëniet politiko-shoqërore aktuale. Nuk ka përpjekje për universitetin që të mos jetë njëkohësisht edhe përpjekje për shoqërinë.

Ç’marrëdhënie keni me studentët brenda auditorit? Lëndët që ju jepni nuk janë të thjeshta. Pse mendoni se shumë të rinj pasi lënë bankat e shkollës së mesme, zgjedhin të studiojnë Shkenca Politike ose Filozofi? Ç’i shtyn të rinjtë në Shqipëri të zgjedhin degë të tilla që qartazi në kushtet e tanishme, nuk i ndihmojnë fort nga një perspektivë praktike punësimi?

Unë përpiqem që studentët të shohin tek unë një njeri që e do punën që bën. Pjesë themelore e kësaj pune është që të përcjell te ta jo vetëm njohuritë e mia, por mbi të gjitha frymën kritike të studimit të një teksti apo fenomeni. Të mësoj bashkë me ta se në klasë nuk jemi vetëm ne të gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë, por shumë të tjerë që na kanë paraprirë ndër shekuj dhe sa e sa të tjerë që anekënd botës po i hyjnë një rruge të ngjashme me tonën. Po pavarësisht dëshirës së mirë, mendoj se nuk ia arrij plotësisht. Sa për shkak të mënyrës nganjëherë të pakuptueshme apo jo edhe aq interesante me të cilën komunikoj, aq edhe për shkak të shumë problemeve me të cilat studentët përballen në jetën e përditshme – brenda dhe jashtë universitetit – vërej shumë shikime të zbrazëta në klasë. Çka më motivon të vazhdoj të luftoj me veten dhe për universitetin që mund të ndërtojmë, por nuk e kemi akoma.  

Për t’iu kthyer pjesës tjetër të pyetjeve, jam i mendimit se vetëm një pjesë e studentëve i zgjedhin vërtet degë të tilla. Për shkak të një procesi rekrutimi në universitet, që i ngjan lotarisë, shumë studentë degdisen në degë që nuk i frymëzojnë vetëm nga frika e të mbeturit pa shkollë. Imagjinoni sa e vështirë është për ta dhe, për rrjedhojë, edhe për pjesën tjetër të klasës që të angazhohen siç duhet në studime apo diskutime të lëvruara! E si të mos mjaftonin këto probleme, hera-herës u duhet të përballen me pedagogë që u kërkojnë para apo u shesin librin me kërcënim note, me drejtues universitarë që nuk duan t’ia dinë për asgjë përpos zëvendësimit të një makine të shtrenjtë me një tjetër akoma edhe më luksoze etj.

Nga ana tjetër, demotivuese për studentët e disiplinave shoqërore është edhe ideja se me këtë shkollim nuk gjen punë. Duket se ne i jemi dorëzuar idesë se në vendin tonë mund të ketë vend pune vetëm për muratorë, punëtorë masonerie dhe noterë. Në fakt, nëse marrim fuqinë për të ndërtuar një model të ri zhvillimor, që sheh me përparësi punën e shumanshme konjitive, atëherë do të kishte vende pune të bollshme edhe për politologë, “filozofë” apo sociologë.  

Ç’rol mbart dija si shkencë në shoqëri në një vend si Shqipëria sot, veçanërisht kur marrëdhënia e ndërtuar me të është reduktuar në dikotominë “dije” – “mundësi punësimi” në vend të “dije” – “mundësi çlirimi social/intelektual”?

Fatkeqësisht në Shqipëri dija nuk shërben as si mundësi punësimi. Ne nuk kemi përparësitë e vendeve të zhvilluara që kanë nevojë për të shfrytëzuar një forcë punëtore të kualifikuar intelektualisht. Diçka e tillë e instrumentalizon arsyen, e ngushton funksionin e dijes, por së paku u ofron një pjese të punonjësve kushte më të mira pune. Në Shqipëri është ngritur një model zhvillimi ekonomik të cilit i nevojiten kryesisht punëtorë krahu, ndërkohë që puna e mirëfilltë konjitive është e kufizuar në pjesën më të madhe në administratën publike. Kjo bën që në vendin tonë të zhvillohet një garë e ethshme për kredenciale dijeje, domethënë për diploma, certifikata, vula etj., të cilat supozohet se u japin të diplomuarve një status të privilegjuar në raport me të tjerët. Nëse fusim në këtë mes raportin patron-klient mbi bazën e të cilit ndërtohet administrata publike, do të kuptojmë pse në Shqipërinë e sotme ka kaq shumë kërkesë për diploma, por kaq pak dëshirë për dije.

Mirëpo dredhia e arsyes bën që mes të këqijave të lindë vetiu diçka e mirë. Paradoksalisht, një sistem i tillë krijon pikërisht te më të pashpresët dëshirën për të ditur më shumë, për ta parë dijen si mundësi emancipimi shoqëror. Mes studentëve që nuk kanë shpresë se nëpërmjet shkollimit do të arrijnë ndonjë status më të lartë sesa ai i punonjësit të call center-it spikat një pjesë e cila dëshpërimin social e kthen në forcë intelektuale. “Përderisa dijen nuk do të kemi mundësi ta instrumentalizojmë për të gjetur një punë të mirë, mund të ndërtojmë me të një raport intim, ta konsiderojmë si qëllim në vetvete, të kuptojmë se si ajo mund të na ndihmojë për të depërtuar në zemër të fenomeneve dhe, mbi të gjitha, të na shërbejë për t’i transformuar bashkërisht institucionet mbytëse politiko-shoqërore.” Është ky takëm studentësh të cilët ishin zemra e protestave të dhjetorit të shkuar.

Nëse ata do t’i riorganizojnë forcat, do të tërheqin me vete mijëra shoqet dhe shokët e tyre, së bashku mund të hapin shtegun e daljes nga tuneli ku ka hyrë Shqipëria. Një përpjekje e tillë kolektive, duke rithemeluar jetën universitare dhe sjellë ndryshimet e duhura në strukturimin e marrëdhënieve politiko-shoqërore, do t’i bënte të mundura të dyja: edhe shumimin e punonjësve të ardhshëm konjitivë (të ashtuquajturit profesionistë), edhe farkëtimin e mendjeve kritike për të cilat të dish do të thotë të vetëdijesohesh për potencialin çlirimtar të së vërtetës.

Prej vitit 2015 ju keni përftuar titullin doktor i shkencave në lëmin e Shkencës Politike dhe jeni tashmë i angazhuar në procesin e kërkimit shkencor kryesisht nëpërmjet artikujve akademikë dhe konferencave shkencore. Cilat janë sfidat e kërkuesve të rinj sot në Shqipëri? 

Problemet janë të shumta. Pikësëpari, mbështetja infrastrukturore për kërkim të mirëfilltë shkencor është e mangët. Kërkimi i thellë shkencor kërkon financim për pajisje, ekspedita e të tjera lehtësira që buxheti i universiteteve nuk arrin t’i mbulojë. Po ashtu, zvarritjet burokratike apo favorizimet krijojnë një klimë mbytëse për kërkimin shkencor.

Sidoqoftë, problemi më i madh me kërkimin shkencor ose lëvrimin e mendimit të thelluar kritik ka të bëjë me konsiderimin e punës pedagogjiko-studimore si punë të zakonshme, ku njeriu bën ç’i kërkohet formalisht, merr rrogën dhe vazhdon jetën. Në fakt  raporti me dijen, të vërtetën dhe mendimin kritik duhet të shihen edhe si qëllime në vetvete. Pedagogu mund të jetë edhe rrogëtar, por nuk mund të jetë vetëm rrogëtar. Nëse pedagogu nuk shtyhet nga kureshtja, nuk entuziazmohet nga zbulimi, nuk gjen kënaqësi nga leximi i thelluar dhe nuk përmbushet duke e përcjellë te studentët interesimin për dijen, atëherë nuk e meriton statusin që ka. Unë mendoj se të jesh pedagog është privilegj që pakkush e ka. Shoqëria – sidomos punëtorët më produktivë të saj – sakrifikon shumë nga vetja që t’u garantojë një pjese të anëtarëve të saj (pedagogëve) kushte më të mira pune, sidomos në aspektin e autonomisë në punë. Këtë detyrim ndaj shoqërisë ne duhet ta kthejmë edhe nëpërmjet një kërkimi shkencor dhe mendimi teorik që rritet vit pas viti. 

Nga ana tjetër, mënyra se si është i organizuar sot pushteti brenda universiteteve publike bën që të ketë shumë pak shtysë për thellim të kërkimit shkencor. Një universitet i riorganizuar, në të cilin vullneti i studentëve do të kishte më shumë peshë, do ta shtynte vendimmarrjen drejt hartimit të mekanizmave që nxisin kërkimin e mirëfilltë shkencor dhe i vënë pedagogët përpara përgjegjësisë për fenomene tërësisht tëhuajësuese si plagjiatura, abuzimi me titujt shkencorë apo edhe thjesht letargjia akademike.

E fundit, por jo për nga rëndësia: duhet të presim protesta të reja nga studentët me fillimin e vitit të ri akademik?

Po të isha kryetar partie, do të mund ta parashikoja me saktësi. Fundja ata, me një të rënë të bilbilit, kanë mundësi të mobilizojnë strukturat partiake dhe të sjellin pak mijëra veta në shesh. Po bash për këtë arsye, protestat e tyre janë të vdekura në nerv, me njerëz që shikojnë orën se kur duhet të largohen, pa kurrfarë imagjinate dhe fuqie transformuese.

Protestat studentore janë të gjalla, krijuese deri në marramendje, të pakomandueshme dhe tronditëse për qeverinë dhe sistemin politik. Prandaj janë të paparashikueshme. Ajo që unë mund të them është vetëm se kushtet objektive të studimit dhe të jetesës së studentëve janë njëlloj si vjet, në mos më keq. Pakënaqësia e tyre është po aq e lartë. Po janë ata që do të na tregojnë nëse sot brenda tyre zë më shumë vend dëshpërimi apo shpresa. Detyra jonë si aktivistë është thjesht të bëjmë gati infrastrukturën organizative që, kur studentët të rivërshojnë në rrugë, të ekzistojë minimumi i kushteve që energjia protestuese të mos shpërhapet, por të rrëzojë përfundimisht ngrehinën e shëmtuar të politikave qeveritare në arsim dhe të nisë ndërtimin e një universiteti të ri.   Ky proces mund të rifillojë nesër, pas një muaji apo pas një viti. Askush nuk mund ta thotë kur. Ama mendja ta do që kur të rifillojë, nuk do të lërë gur pa lëvizur.  

Imazhi: Lëvizja Për Universitetin

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.