Ideja skandaloze e Edi Ramës

/Redi Muçi/

Ideja e importimit të fuqisë punëtore nuk lidhet vetëm me emergjencën e krijuar për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti. Ai është një propozim i vjetër (1) në fakt, ku për shkak të emigracionit të lartë, vendi vuan edhe nga mungesa e fuqisë punëtore. Por pse kjo qasje që shitet si “një strategji e ngjashme me vendet e tjera të BE” është në fakt një thellim i politikave neoliberale të Edi Ramës?

Të drejtat e punëtorëve në BE – si e drejta e organizimit sindikal, niveli i pagës minimale, kontrata kolektive e shumë të tjera – edhe pse kanë marrë një goditje nga vala neoliberale e dekadave të fundit, prapëseprapë qëndrojnë shumë herë më lart se në vendet në zhvillim si Shqipëria; madje edhe më lart se në SHBA. Dëshmi për këtë është fakti se një ndër problemet kryesore me të cilat haset procesi i Brexit-it (dalja e Britanisë nga BE) është pikërisht zhdukja e standardeve të punës që imponon BE.

Por këtu nuk duhet harruar se vetë BE, me politikat neoliberale që ka aplikuar sidomos pas krizës financiare të 2008-s, ka shkaktuar rebelimin dhe refuzimin e klasës së vet punëtore. Brexit-i është pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj; Franca dje u zgjua nga greva e përgjithshme më e madhe që është parë në dekada dhe që ka paralizuar ekonominë e vendit.(2) Politikat e konkurrencës mes punëtorëve vendas dhe krahut të lirë të emigrantëve kanë rizgjuar sërish makthet e vjetra të nazi-fashizmit nëpër Evropë. Për këto modele e ka fjalën Edi Rama?

Megjithatë, standardet në të drejtat e punëtorëve kanë bërë që një pjesë e mirë e fuqisë punëtore nga vendet ku ato janë më të ulëta – siç janë vendet e Evropës Lindore, Afrikës, por edhe të Ballkanit – të emigrojnë drejt BE. Për një vend si Shqipëria, ku të drejtat në vendin e punës janë zero, ku kryeministri krenohet se nuk ka sindikata, ku oligarku Samir Mane ndëshkon në mënyrë të jashtëligjshme drejtuesit e sindikatës së parë të pavarur në Shqipëri (SMBB), të flasësh për strategji që do të sjellë fuqi punëtore nga jashtë vendit është qesharake, edhe pse skandaloze.

Për më tepër lind pyetja: në ç’kushte do të punojnë këta punëtorë që do të vijnë nga jashtë, me ç’paga dhe me ç’kontrata? Nëse qeveria ka në plan të ruajë këtë standard që ka në marrëdhënie me klasën punëtore në Shqipëri, atëherë pa diskutim jemi duke folur për shfrytëzimin e krahut të punës nga vende të Botës së Tretë, që janë shumë më keq se Shqipëria dhe që çuditërisht do ta pranojnë ofertën e Edi Ramës përkundrejt vendeve të Evropës. Nëse pastaj po flasim për ndonjë skemë koncensionare PPP-je, ku do të thirren kompani italiane, të cilave do t’u paguhen vlera të majme duke ua rritur borxhin publik shpatullave të shqiptarëve, atëherë këtu ndër mend më vijnë dy emra: Casamonti dhe Boeri – miqtë e vjetër të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorët në betonizimin e paskrupullt të Tiranës.

Dhe meqenëse po flasim për fuqi punëtore, vetëm në Tiranë po zhvillohen aktualisht 227 projekte ndërtimesh të reja dhe vetëm në vitin 2018 në Tiranë janë dhënë 388 leje ndërtimi, duke e rritur me 80% hapësirën e dhënë për ndërtim krahasuar me një vit më parë.(3) Në situatën emergjente në të cilën ndodhet vendi, a nuk mund të pezullohet vrulli i ndërtimeve me qëllim fitimin e oligarkëve të ndërtimit, për ta orientuar fuqinë punëtore të vendit në rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti?

Përtej kësaj, në Shqipëri kemi punëtorë të kualifikuar që detyrohen të emigrojnë në Katar për të gjetur punë – të vetëdijshëm se aty i presin kushte çnjerëzore pune dhe konfiskim i pasaportave nga pronari për të mos u larguar; vetëm e vetëm se paga është më e lartë. Në Shqipëri kemi pafund inxhinierë ndërtimi të diplomuar që punojnë si kamerierë apo operatorë në call center. Sa e sa punëtorë dhe inxhinierë ndërtimi kanë emigruar dhe sot punojnë anembanë globit?! A nuk i takon një qeverie – aq më tepër “socialiste” – që, duke rikonceptuar politikat vendore, të hartojë një projekt rindërtimi të vendit shoqëruar me rritjen e standardeve në punë?!

Një projekt i cili jo vetëm do të hapë vende të reja pune, por edhe do të ndryshojë rrjedhën e emigracionit duke rikthyer në vend punëtorët e krahut dhe punëtorët e mendjes që janë larguar jashtë tij. A nuk është pikërisht kjo koha për një ndryshim cilësor drejt standardeve në punën e punëtorit të ndërtimit, minatorit, inxhinierit, gazetarit, pedagogut – ashtu siç i kërkon BE?! Sigurisht një projekt i tillë as që mund të konceptohet nga neoliberali më i thekur që ka parë ndonjëherë Shqipëria, Edi Rama. Shqipëria ka nevojë për një alternativë të majtë që buron nga poshtë, që takson oligarkët për të vënë në zbatim projekte zhvillimore.

Shënime:

(1) – https://www.monitor.al/ikja-e-shqiptareve-qeveria-e-gjen-z…/
(2) – https://www.cnbc.com/…/france-strikes-for-a-second-day-over…
(3) – http://www.monitor.al/ne-ndjekje-te-parase-nga-po-financoh…/

Imazhi: Voice of America

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.