Universitetet nën zgjedhë

/Arlind Qori/

Zgjedhjet universitare janë edhe më të shëmtuara se simotrat e tyre politike. Shëmtia e tyre nuk shfaqet në rrëmbimin e kutive apo karshillëkun e halabakëve që çohen në qendra votimi, as në shitjen e votës për një thes miell, por në ekzistencën e një rrjete të imët klienteliste, ku ndërthuren ndikimet partiake, tarafet dhe marrëdhëniet personale. Të gjitha këto mbi themelet komercializuese që ka hedhur ligji i arsimit të lartë prej vitit 2015.

Një prej pasojave më të dëmshme të këtij ligji është konceptimi i studentëve si klientë në dyqanin e diplomave, duke i zhveshur nga çfarëdo fuqie e ndikimi kuptimplotë në jetën universitare. Pa studentët – ose, më saktë, vetëm me ata pak studentë që u vardisen partive politike duke ngritur në monument poshtërimin e figurës së studentit – zgjedhja e drejtuesve të rëndësishëm universitarë kufizohet në një trupë pedagogësh: e ngushtë, e tulatur, e kapur, e mikluar, e atomizuar dhe egocentrike. Kjo trupë do të zgjedhë ata që vitet e ardhshme do të duhej të ishin në krye të rezistencës ndaj tallazeve me të cilat logjika komercializuese ka nisur ta godasë jetën universitare. Po, mjerisht, ata kanë qenë, janë dhe pritet të jenë hallka e ndërmjetme e një zinxhiri klientelist që nis me qeverinë/partitë politike dhe përfundon me pedagogun që shet libra me detyrim në klasë, përparon pa meritë në shkallaren e titujve dhe i siguron vetes, në kurriz të studentëve dhe shoqërisë, rehatinë e përhershme.

Me këtë ligj të arsimit të lartë çdo proces zgjedhor në universitete do të ishte në funksion të legjimitimit të status quo-së kalbëzuese, por koha dhe situata në të cilën do të mbahen ato i bën më të shëmtuara se kurrë më parë. Hipokrizia e mëhershme e bërjes së zgjedhjeve sikur studentët kishin ndofarë rëndësie është zëvendësuar nga aktualizimi cinik i një të vërtete poshtëruese: “Ju, studentët, nuk keni ndonjë peshë. Kështu që ç’punë ju prishet sikur zgjedhjet të mbahen më 30 korrik, kur ju jeni larg universiteteve, në ndonjë bar të bregdetit ku, nën përvëlimin e diellit dhe kapriçot e parelinjve, duhet të nxirrni të ardhurat për përballimin e vitit të ardhshëm akademik?!”

Si rrallëherë më parë në këto zgjedhje mbisundon logjika e një kandidati të vetëm, sidomos për drejtuesit në nivel fakulteti dhe departamenti. Për shembull, në Universitetin e Tiranës do të ketë zgjedhje me më shumë se një kandidat vetëm në dy nga gjashtë fakultetet përbërëse të tij, çka e thekson kotësinë e gjithë procesit.  

Në Universitetin e Tiranës situata është më katastrofike se kudo. Prej thuajse katër vitesh në të janë ravijëzuar dy klane çifligarësh – të udhëhequr nga famëkëqijtë Dhori Kule e Mynyr Koni – të ndara edhe sipas partive politike. Lufta e tyre për pushtet, pa pikë parimësie dhe vizioni qoftë edhe për të ardhmen e afërt të universitetit, ka bllokuar edhe funksionimin bazik të universitetit më të madh në Shqipëri. Pas tyre janë togje dekanësh, senatorësh, shefash departamenti, pedagogësh, por edhe pashdaranësh të forumeve rinore partiake, të cilët në mendjet e tyre të vogla po zhvillojnë betejën epike se kush do të firmosë një tender, një vend pune apo një komision zgjedhor. Aq problematike është bërë kjo situatë saqë në Universitetin e Tiranës zgjedhjet do të zhvillohen në një mjegullnajë ligjore – ku nuk merret vesh statusi ligjor i organeve që do ta administrojnë procesin zgjedhor. Me gjasë ato do t’u ngjajnë zgjedhjeve të fundit lokale, ku palët në vend se të garonin me njëra-tjetrën, ndesheshin mbi ligjshmërinë e procesit. Duke marrë parasysh se si klanet brenda UT janë të lidhura me partitë rivale, ekziston mundësia që fituesi i garës për rektor të mos dekretohet nga Presidenti i Republikës dhe, për pasojë, të mos kushtetohen as drejtuesit e fakulteteve e departamenteve; duke e futur në kolaps administrativ Universitetin e Tiranës, shi në kohën e një pandemie që rrezikon të rimbyllë auditorët dhe kur pritet që shumësia e maturantëve të zgjedhë se në cilin universitet publik ose privat të vazhdojë studimet (e çoroditura).

Në imagjinaren kolektive po përvijohet imazhi i një detashmenti policësh me vulën e Ministrisë së Arsimit që shkon të përzërë nga zyra rektorin aktual, i cili, me vulën e Presidentit të Republikës, mbrohet nga repartet e anëtarëve të forumeve rinore opozitare. Kjo do të shënonte ditën e vdekjes simbolike të Universitetit të Tiranës, që do të tregonte shumë për mënyrën se si ka jetuar ai dekadat e fundit. “Thànatos bìou kategorìa” – thoshin grekët e qëmotit.

Paralelisht me këtë situatë ku dramatiken dhe qesharaken i ndan një fije, po zhvillohet fushata e kandidatëve për rektor të Universitetit të Tiranës. Nuk habit fakti që kandidatët nuk preferojnë të debatojnë me njëri-tjetrin përpara audiencës së interesuar të pedagogëve dhe studentëve. Diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Habia nis, deri diku, kur vëren se të tre kandidatët bëjnë sikur në Universitetin e Tiranës i ka zbritur një anije kozmike, që i ka pajisur vetëm me planimetrinë e godinave. Kandidatët nuk e kuptojnë ose bëjnë sikur nuk e kuptojnë se prej ligjit të arsimit të lartë jeta universitare është e prishur nga themelet e saj. Ata sillen si bojaxhinj që duan të zbukurojnë muret, pa guxuar të prekin thelbin e problemeve.

T’u premtosh pedagogëve votues rritje rrogash, përfitime financiare nga projektet apo lehtësim të përparimit akademik, duke pretenduar njëkohësisht se do të ulësh tarifat për studentët, është të bësh qiqra në hell. Si mund të rriten rrogat e pedagogëve kur fondet qeveritare për arsimin e lartë do të ulen si pasojë e përfitimit të universiteteve private nga buxheti i shtetit, për të mos përmendur problemet financiare që do të thellohen si rezultat i krizës shëndetësoro-ekonomike?! Si mund të premtohet ulja e tarifave të studimit kur ato varen kryekëput nga niveli i financimit shtetëror?! Si nuk kuptohet se, sipas logjikës perverse të ligjit të arsimit të lartë, rritja e pagës së pedagogëve mund të arrihet vetëm përmes rritjes së tarifave të studentëve dhe ulja e këtyre të fundit do të kërkonte shkurtimin e pagave të pedagogëve?! Si bëhet i padituri ndaj faktit që interesat afatgjata të Universitetit të Tiranës dhe dobia shoqërore e jetës universitare bien ndesh me interesat e ngushta të një pjese të trupës pedagogjike, e uritur vetëm për para, tituj e rehati, siç ndodh për shembull me pedagogët “e gjithëditur” që akaparojnë 7-8 lëndë në vit, nga më të ndryshmet nga njëra-tjetra, vetëm e vetëm për të siguruar një dorë të mirë parash në fund të vitit akademik?!

Ndonëse ligji i arsimit të lartë është kontestuar nga shumësia studentore gjatë protestave të dhjetorit 2018, asambletë e së paku dy fakulteteve të UT gjatë asaj periudhe dhe sa e sa pedagogë e këshilla fakultetesh (pjesërisht edhe nga senati i Universitetit të Tiranës) në vitin 2015, asnjëri prej kandidatëve nuk ka shkruar në platformë gjysmë fjale kritike ndaj efekteve të tij, lere më të premtonte se pas zgjedhjes do të udhëhiqte oponencën e institucionalizuar ndaj tij. Njëra nga kandidatet, Kozeta Sevrani thur ditirambe për ligjin. Kandidati i dytë, Artan Hoxha, ka qenë pjesë e komisionit të turpshëm qeveritar që ka hartuar ligjin e arsimit të lartë. Ndërkohë që kandidatja e tretë, Mimoza Hafizi, ndonëse më vonë është shprehur në mënyrë kritike për kapitullin 12 (atë të financimit) të këtij ligji, e ka votuar atë si deputete e PS në vitin 2015.

Ky memecllëk ndaj problemeve strukturore mbulohet prej premtimeve e miklimeve të pafundme ndaj pedagogëve, një pjesë e të cilëve në takimet me kandidatët nuk harrojnë të tregojnë ngushtësinë e këndvështrimit të tyre. Ata – që në gjuhën e Konventës Kombëtare gjatë Revolucionit Francez do të quheshin këneta – janë përcaktuesit e këtyre zgjedhjeve. Mendojnë me bark, nuhasin raportet e forcës dhe në fund shkojnë andej nga fryn era. Në mos janë era e pavetëdijshme që i shtyn velat universitare drejt theqafjes prej dritëshkurtësisë dhe paaftësisë për ta ngritur interesin vetjak në nivelin e një aspirate kolektive të drejtë.

Zgjedhjet e 30 korrikut do të shënojnë aktin e radhës të luftës ndaj universitarizmit, duke rehatuar në kolltukë mëkëmbësit e një procesi në fund të të cilit universiteteve publike do t’u mbeten vetëm godinat, edhe ato të dhënshme me koncesion. Që kjo të mos ndodhë, nevojitet një re-bellium, mospranimi se lufta ka mbaruar dhe ribërja e saj prej të mposhturve të derisotshëm: studentët.

Imazhi: Jacob Lawrence

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.