Individualizëm dhe shoqërizim

/Antonio Gramsci/

Klasa borgjeze e ka çliruar veten nga skllavëria feudale duke mbrojtur të drejtat e individit dhe të iniciativës. Klasa punëtore lufton për çlirimin e saj duke mbrojtur të drejtat e kolektivitetit dhe të punës kolektive, si dhe duke u kundërvënë lirisë individuale dhe iniciativës individuale organizimin e iniciativave, organizimin e lirive.

Logjikisht parimi i organizimit është sipëror ndaj parimit të lirisë së kulluar e të thjeshtë. Këtu kemi pjekurinë përkundrejt fëmijërisë; mirëpo historikisht pjekuria ka nevojë për fëmijërinë për t’u zhvilluar dhe shoqërizimi ka medoemos si kusht paraprak periudhën individualiste, gjatë së cilës individët përvetësojnë aftësitë e nevojshme për të prodhuar në mënyrë të pavarur nga çdo presion i botës së jashtme, duke mësuar mbi kurrizin e tyre se si nuk ekziston asgjë më reale dhe më konkrete sesa detyra e punëtorit, dhe se si dëshira për mujshi, konkurrencë brutale dhe të pafre duhet të zëvendësohet, për të mirën e të gjithëve, nga organizimi, metoda, e cila i cakton secilit një detyrë specifike dhe u siguron të gjithëve lirinë dhe mjetet e jetesës.

Me kalimin e diktaturës së prodhimit nga klasa feudale te klasa borgjeze ndodh edhe një ndryshim në regjimin e pronës private. Kjo e fundit ishte e patjetërsueshme dhe kalohej vetëm në vijë të drejtpërdrejtë, nga ati te biri, dhe ishte e kushtëzuar nga marrëdhënie antiekonomike, të cilat i mbyllnin rrugën akumulimit shumë të shpejtë të saj, duke e bërë kësisoj të domosdoshme shfrytëzimin e padrejtë të shumicës, me përjashtimin absolut të çdo konkurrence të krahut të punës,  të arritur nëpërmjet bujkrobërisë dhe esnafeve të zejtarëve.

Borgjezia zhduku privilegjin feudal të kastës dhe i shndërroi mjetet e prodhimit, tokën, makineritë dhe krahun e punës në mallra të tregtueshme. I siguroi vetes pronësinë mbi mjetet natyrore dhe mekanike, lirinë për të prodhuar, si dhe i siguroi krahut të punës lirinë e konkurrencës, të cilën ai mund ta kishte përdorur për të përmirësuar gjendjen e tij.

Prona, e kthyer në një mall të tregtueshëm, nisi të qarkullonte, duke kaluar nga më pak të aftët te më të aftët. Teknika u zhvillua nën cytjen e konkurrencës; bazat e shoqërisë u ngritën mbi individualizmin, i cili ithtarin e tij filozofik më të rëndësishëm kishte Herbert Spencer-in, ndërsa në rrafshin ekonomik ithtarët e tij ishin liberalët ekonomikë të shkollës angleze.

Liria e konkurrencës erdhi gjithnjë duke u rritur si pasojë e përsosjeve të njëpasnjëshme të teknikës industriale dhe bujqësore. Klasa borgjeze u copëtua në shtresa dhe grupe të cilat hynë në luftë me njëri-tjetrin për mbisundim politik; ata përfaqësojnë stade pak a shumë të zhvilluara të prodhimit; disa, të sigurt për rezultatet e konkurrencës, duan të kenë lirinë për të zhdukur kundërshtarët e tyre; të tjerët, të pafuqishëm dhe të pasigurt për të nesërmen, duan ruajtjen e ligjeve shtrënguese të lirive politike dhe ekonomike, duan të jenë të mbrojtur, duan një siguri minimale për të mos falimentuar, për të mos u eliminuar nga fusha e konkurrencës.

Kështu është zhvilluar kapitalizmi. Në disa vende ai ka pasur zhvillim të fuqishëm e në disa jo – kjo në varësi të kombeve, kushteve natyrore dhe historike të vendeve të ndryshme. Atje ku kapitalizmi është më i hershëm dhe prodhimi ka arritur maksimumin e tij, në rrafshin politik kemi reduktimin në minimum të funksioneve të shtetit; liri të gjerë të mbledhjes, shtypit, propagandës; individët janë të sigurt përballë pushteteve; si dhe kemi përhapjen e idealeve të paqes dhe vëllazërisë mes kombeve.

Nuk duhet menduar se këto parime janë rrënjosur për arsye sentimentale. Ato janë garancia e nevojshme për veprimtarinë individuale në një regjim të konkurrencës së lirë. Individi në punët e tij ka nevojë për një administratë dhe sistem gjyqësor të shpejtë, prandaj është e nevojshme që shteti të tërhiqet nga një pjesë e madhe e atributeve të tij në të dobi të autonomive lokale që e përshpejtojnë makinën burokratike dhe lehtësojnë kontrollet. Individi ka nevojë të mbështetet në veprimtarinë e tij në të ardhmen për të gjitha kontratat, edhe atë të punës; duhet natyrisht të ekzistojë një liri më e gjerë, një siguri më e madhe kundër heqjes arbitrare dhe të pakufizuar të lirisë personale; të thjeshtohet kodi penal dhe të ulet rëndësia e krimeve dhe ndëshkimeve. Konkurrenca mes shtresave, duke ruajtur mundësinë e rikthimit në pushtet të shtresave të prapambetura dhe parazitare, kërkon që të garantohet një liri më e madhe e shtypit, mbledhjes e propagandimit, nëpërmjet të cilave mund të edukohet opinioni publik dhe të sprapset çdo sulm nga e shkuara.

Liria ekonomike tregoi sakaq se ishte një doktrinë klasore: megjithëse qarkullonin, mjetet e prodhimit qëndronin në pronësi të një pakice shoqërore; edhe kapitalizmi është privilegj i të paktëve, të cilët priren të bëhen gjithnjë e më pak, duke e përqendruar pasurinë në monopole për t’iu shmangur kësisoj konkurrencës. Shumica e të varfërve shohin atëherë tek organizimi një mjet rezistence dhe mbrojtjeje të interesave të veta. Liritë, të konceptuara vetëm për individin kapitalist, tani duhet të tejshtrihen në të gjithë shoqërinë. Konkurrenca zgjerohet: përpos mes individësh dhe shtresash, ajo është edhe konkurrencë klasash. Organizatat e punëtorëve i edukojnë individët në mënyrë të atillë që uni i tyre dhe aftësitë e tyre prodhuese ta arrijnë zhvillimin më të madh nëpërmjet solidaritetit me njëri-tjetrit. Brenda klasës punëtore organizimi zëvendëson medoemos individualizmin, duke marrë prej këtij të fundit atë që ai ka të përjetshme dhe racionale: ndjenjën e përgjegjësisë, shpirtin e iniciativës, respektin ndaj të tjerëve, bindjen që liria e të gjithëve është e vetmja garanci për liritë vetjake, që respektimi i kontratave është kusht i domosdoshëm për bashkësinë civile, që nënkëmbëzat, mashtrimet dhe iluzionet përfundojnë duke dëmtuar edhe ata që i kanë vënë në jetë ato. Mirëpo organizata qëllim kryesor të saj ka edukimin drejt paanësisë: ndershmëria, puna, iniciativa shndërrohen në qëllim në vetvete për të, duke sjellë individëve vetëm kënaqësi intelektuale dhe gëzim moral, jo privilegje materiale. Pasuria që gjithsecili mund të prodhojë në një masë më të madhe se nevojat e jetës së përditshme i përket kolektivitetit, pra është pronë shoqërore: për të cytur aftësitë dhe iniciativat nuk është më e nevojshme tregtueshmëria e mjeteve të punës pasi puna është shndërruar në detyrë morale, veprimtaria është gëzim e jo betejë e përgjakshme.

Kësisoj te punëtoria individualizmi borgjez prodhon medoemos prirjen drejt shoqërizimit. Individit-kapitalist i kundërvihet individi-organizatë, dyqanxhiut bashkimet e prodhuesve dhe tregtarëve: sindikata shndërrohet në individ kolektiv që ripërtërin konkurrencën e lirë, e detyron këtë të fundit t’u nënshtrohet formave të reja të lirisë dhe veprimtarisë. Shumica e individëve organizohet, zhvillon ligjet e veta të shoqërisë së re, krijon kompetenca të reja, mëson përgjegjësinë, paanësinë, iniciativën, pa pasur qëllime të drejtpërdrejta përfitimi personal. Kështu përhapen kushtet ideale dhe morale për ardhjen e shoqërizimit, për organizimin e shoqërisë; dhe rrënjoset ai mjedis moral i cili e sheh regjimin e ri jo si triumf të përtacëve dhe të papërgjegjshmëve, por progres historik të sigurt, realizim të një jete sipërore në raport me të gjitha jetët e të shkuarës.

E përktheu Alfred Bushi

Artikull i pafirmosur, i botuar më 9 mars 1918 në gazetën Il Grido del Popolo.

Imazhi: Museo della Memoria Carceraria

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.