/Ascanio Celestini/
Hyrje
Mundësitë e të rinjve ditëve të sotme janë të shumta dhe vendet e punës po ashtu. Aq sa në larminë e punëve dhe vendeve të punës kanë luksin të përzgjedhin call center-in më të mirë. Shumica e tyre gënjejnë veten dhe e shohin vetëm si sistemim të përkohshëm. Por pamundësia për të gjetur një punë tjetër ne profilin e studimeve të tyre i ka bërë të përhershëm në “punën e përkohshme”. Celestini monologun e mëposhtëm u pasqyron italianëve realitetin e të rinjve shqiptarë. Atë realitet që e gjithë rinia e ka përjetuar dhe po e përjeton. Celestini është shfaqur në këtë monolog në vitin 2008 kur në Shqipëri vetëm sa ishin hapur call center-at e parë dhe kryesisht merreshin me sondazhe. Prej atëherë janë shtuar shumë dhe kanë evoluar, normalisht duke evoluar edhe metodat e shfrytëzimit. Përveç sondazheve, tashmë ekzistojnë edhe shitjet nëpërmjet telefonit të çfarëdolloj produkti të çuditshëm: nga ushqimet për mace te lodrat e seksit. Ka evoluar shfrytëzimi, por jo pagesa; kushtet por jo të drejtat e punës. Janë shtuar orët e punës, por jo pagesa për orët shtesë. Kontratat janë më të gjata, më të sofistikuara dhe gjithmonë në favor të punëdhënësit, por nuk mendohet të ketë një organizim sindikal. Sepse do vihej në diskutim vendi i punës për kë do të guxonte, dhe në këtë mënyrë do të luftonte mbishfrytëzimin, por do të humbte nënpagimin…
***
Nënës sime i them se fjala “kravatë” është një fjalë që rrjedh nga frëngjishtja dhe do të thotë kroat. Këtë kravatë me shumë mundësi e vinin kavalierët në antikitet, në të shkuarën atje në Kroaci. I them që në njëfarë mënyre është një fjalë e delokalizuar, ka kaluar të paktën 3-4 shtete e tashmë është gati e globalizuar. I them nënës sime që në fjalorin italian të disa viteve më parë, pas kravatës ishte një fjalë që dukej si e huaj sepse kishte një “X”në mes. Ishte fjala “kraksizëm” (cracxismo). Por nuk ishte e huaj, ishte fjalë krejt italiane sepse rridhte nga emri i një politikani, Betino Kraksi i cili, pasi pati probleme me drejtësinë, ia mbathi dhe u fsheh diku në Afrikë. Dhe duket sikur me ikjen e tij iku edhe fjala e tij nga fjalori sepse u bë e panevojshme dhe nuk u përdor më. Madje e hoqën edhe nga fjalori. I them nënës sime po ashtu se nëse dikush blen një fjalor sot, pas fjalës “kravatë” nuk është më “kraksizmi”. Ka fjalë të tjera si për shembull “krijim”, që të paktën është shumë më e qëndrueshme se “kraksizmi”. Nuk besoj se “krijimi” do të ketë probleme me drejtësinë dhe do të ikë të fshihet në Afrikë. Nënës i them që në fjalorin italian ka shumë fjalë, shumë-shumë fjalë nga më të ndryshmet. Dhe nëna ime me shumë kureshtje më pyet: Sa? I përgjigjem se në fjalorin tim ka 127 mijë, por ky është fjalori im dhe kështu është shkruar në kopertinë, gjithsesi realisht në Itali përdoren shumë më shumë fjalë. Nëna më pyet: “Po sa gjuhë ka në botë?” Unë i përgjigjem që në botë ka shumë gjuhë, por në fjalor nuk shkruhet se sa. Besoj se duhet të jenë diku te 6-7 mijë me përafërsi. Pastaj ndahen në dialekte në zhargone, në gjuhë shkencore, në gjuhë të vdekura.
Nëna më thotë që në mes të të gjitha gjuhëve që ekzistojnë në botë, dhe në mes qindra mijëra fjalëve që janë në të gjitha këto gjuhë , ti pikërisht fjalët italiane duhet të mësosh? I them që mua më duhet t’i mësoj këto fjalë. Sepse punoj në call center. Punoj në call center dhe punoj “Outbound”, që do të thotë se telefonoj. Telefonoj dhe bëj pyetje, sondazhe mbi tregun dhe disa herë, nëse i telefonon dikujt në Milano, ai ndoshta edhe bezdiset në atë moment, edhe pse jo të gjithë bezdisen, por ndokush po, ndoshta mund të jetë “legist” (anëtar i partisë Liga e Veriut në Itali, parti me prirje te djathta lokaliste dhe etno-nacionaliste). Nëse i flas ashtu siç di, ai më thotë: “Çfarë je ti, meridional (italian i jugut)? Me ty nuk flas.” – dhe e mbyll telefonin. Në disa raste ndodh edhe me ata të jugut. Për shembull dikush nga Palermo e kupton që nuk jam siçilian dhe më thotë : “Çfarë je ti? Je ndonjë legist, je i veriut që më merr të më çash dërrasat kur jam në shtëpi?” – dhe e mbyll. Kurse mua më duhet të flas me ta sepse unë punoj nëpërmjet telefonatave. Kështu që mundohem të flas italishte të mirë dhe kur nuk mundem të flas një italishte të besueshme, futem në internet dhe shoh për shembull se si është koha në Milano. Shoh që ka diell, që temperatura është e lartë dhe milanezit në telefon i them – pa shiko sot është një ditë shumë e bukur këtu në Milano! – për ta bindur. Ose atij të Palermos, pasi shoh në internet që deti është i trazuar, i them që sa keq që deti është i trazuar se do të kishte qenë ditë shumë e bukur për të shkuar në plazh. Në këtë mënyrë ata bëhen më të sjellshëm dhe unë pak më i besueshëm.
Unë punoj në call center. Punoj “outbound”. Bëj telefonata dhe bëj pyetje të tipit: “Jeni dakord me ndërhyrjen ushtarake të Italisë në Liban? Po me ndërhyrjen ushtarake në Somali shumë vite më parë? Po me ndërhyrjen italiane në Afganistan? Në Irak? Në Ballkan? A do të ishit dakord me një ndërhyrje italiane në një luftë hipotetike në Iran? Sa shumë luftëra bën një vend si Italia që edhe deklarohet kundër luftës(!) Ose bëj edhe pyetje më të thjeshta të tipit: ”Jeni tifoz me Romën? Me Lacion? I majtë? I djathtë? E di çfarë është klitori? E njeh Moxhin?” Pyetje të tilla me një fjalë. Prandaj duhet të mundohem ta flas mirë italishten. Nëna ime më thotë që duke folur në këtë mënyrë italisht çdo ditë do të harrosh gjuhën tënde, që flet nëna jote, gjuhën tënde mëmë. Kurse unë i them se gjuhën time nuk e harroj, bile e kujtoj shumë mirë, saqë në fund të telefonatës kur jam duke e mbyllur, fjala e fundit që i them është: “Faleminderit” – dhe e mbyll. Sigurisht që ai nuk më kupton sepse për të “faleminderit” është një fjalë e huaj e çuditshme. Pastaj normalisht është fjala e fundit e një diskutimi të gjatë saqë nuk e besoj se ia vë veshin. Por unë e them prapëseprapë sepse jam njeri i sjellshëm dhe i edukuar dhe “faleminderit” në gjuhën time do të thotë “grazie” (Celestini i drejtohet publikut Italian).
Unë punoj për një call center italian dhe flas me shumë italianë çdo ditë, por nuk punoj në Itali, punoj nga një vend tjetër. Jam i globalizuar edhe unë ose i delokalizuar në një vend tjetër. Në vendin tim team leader-i ynë, me një fjalë shefi, sillet njëlloj siç sillen kaporalët* me ata që mbledhin domate. Ata që përzgjidhen në rrugë me furgon, ti po, ti jo, ti po, ti jo dhe pastaj i çojnë të mbledhin domate. Edhe ne në këtë mënyrë na përzgjedhin, vetëm se te ne kursehet benzina sepse neve na telefonojnë, Kaporali ynë telefonon dhe na thotë : “Je i lirë nesër pasdite? Nesër paradite?” ose “Je i lirë pas dy orësh?” – dhe ne shkojmë të punojmë. Kemi kontratë-projekt e cila është më keq se kontratat që keni ju në Itali. Në kuptimin që je i punësuar dhe nuk të japin asnjë grosh, veç duhet të presësh që të telefonojnë dhe pastaj kur shkojmë në punë, punojmë për dy, tre, katër, pesë ditë, një javë maksimumi. Unë paguhem diku nga 6 deri në 7 euro në ditë. Ju ndoshta do të thoni: Po mirë se ti me shumë mundësi jeton në një vend të varfër ku njerëzit vdesin për bukë dhe ndoshta ju mjaftojnë të tilla të ardhura për të jetuar.” Por për të bërë krahasimin nëpërmjet diskutimit të “mollëve dhe dardhave”, një kilogram mollë tek ne kushton pak më pak se një euro që është pak a shumë njëlloj sa ç’kushtojnë te ju në supermarket. Kur shkoj në shtëpi në darkë flas me nënën time që më thotë që nuk merr rrogë të mirëfilltë sepse bën një punë që nuk është punë e mirëfilltë. Më thotë: “Mos kujto se është punë e mirëfilltë të punosh në call center duke folur me njerëz që as nuk i njeh.” Mua më vjen të qesh sepse punë tjetër nuk kam ku gjej. Dhe i them që të paktën diçka e mësova sot nga puna ime, di që në Palermo deti ishte i trazuar, që në Milano ishte diell, por për të parë nëse në Tiranë po bie shi, nënës time i duhet vetëm të hedhë sytë nga dritarja.
Shënime:
*Kaporalë quhen pronarët e plantacioneve të domateve në Itali të cilët punësojnë në të zezë emigrantë të jashtëligjshëm duke i shfrytëzuar e trajtuar në mënyrë çnjerëzore.
Hyrja dhe përkthimi: Erald Vata
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).