/Stela Muçi/
Duke marrë shkas nga reforma e fundit e propozuar për privatizimin e arsimit të lartë në Shqipëri dhe duke qenë e vetëdijshme se ajo nuk është aspak në përputhje me të drejtat dhe interesat e studentit, fillova të kërkoj më shumë mbi prejardhjen e saj. Cilat kanë qenë efektet që ka pasur në vendet në zhvillim ku është aplikuar një reformë e tillë, si dhe pasojat që po shfaqen në sistemin francez të arsimit të lartë?
«Privatizimi i arsimit, sfida më e re e të drejtave të njeriut për vendet në zhvillim» – kjo ishte tema e një konference të mbajtur pak kohë më parë në Universitetin e Drejtësisë Sciences PO të Parisit.
Projekti studionte impaktin që ka pasur privatizimi i arsimit në atë që konceptohet si ‘e drejta për t’u arsimuar’, si dhe ndikimin e saj në vendet në zhvillim.
Në studim ishin marrë në konsideratë 10 vende të ‘botës së tretë’ ku arsimi privat konkurron gjithmonë e me tepër me publikun. Edhe pse në këto vende shteti nuk është zhveshur ende ligjërisht nga përgjegjësia për të financuar arsimin e lartë, vërehej se financimi që i shkon universitetit publik është krejt i pamjaftueshëm. Si rezultat i këtyre politikave, prindër e studentë janë gjithmonë e më të prirë të kërkojnë cilësinë e mësimdhënies nëpër shkollat e universitetet private, të konsoliduara tashmë në treg, por me një tarifë të papërballueshme për pjesën më të madhe të shoqërisë.
Ndërkohë që studimi dilte në konkluzionin se arsimi publik duhet të jetë prioritet në mënyrë të veçantë për vendet në zhvillim, qeveritë përkatëse duket se janë jo vetëm indiferente ndaj mbylljes së fakulteteve publike, por mbi të gjitha në përkrahje të aktorëve të arsimit privat duke e kthyer arsimin në biznes fitimprurës.
Një rast tepër interesant që u përmend gjatë konferencës ishte ai i Nepalit, vend në zhvillim dhe tranzicion politik në të cilin politikat e privatizimit aplikohen që prej vitit 1951, vit që përkon me rënien e dinastisë së Rana-s dhe lindjen e demokracisë kapitaliste. Të studiosh në një shkollë private në Nepal kushton tetë herë më shtrenjtë se në një shkollë publike, ndërkohë që mungesa e financimit nga shteti ka sjellë rënien e drastike të cilësisë te këto të fundit. Kjo do të thotë se arsimi cilësor mund t’i ofrohet vetëm një shtrese të caktuar shoqërore. Pra avantazhi ndodhet në anën e të privilegjuarve duke thelluar edhe më tepër pabarazinë sociale.
Jo vetëm kushtet ekonomike, por edhe vendosja gjeografike bëhet shkak për shtimin e pabarazive. Arsimi privat, si çdo biznes tjetër, ka tendencën të zhvillohet në zona ekonomikisht të favorshme, kryesisht zonat urbane. Si rezultat, ai bëhet edhe më i paarritshëm dhe i paaksesueshëm për pjesën tjetër të popullsisë, kryesisht atë të zonave rurale e zonave në vështirësi ekonomike ku mungesa e mundësisë për t’u arsimuar do të thellojë edhe më tepër prapambetjen e tyre.
Ç’është më interesante, duket se me zhvillimin e arsimit privat është thelluar edhe pabarazia gjinore. Studimi vë në dukje se kryesisht në familjet e mëdha, prindërit, duke mos qenë të aftë të mbulojnë shpenzimet e edukimit për të gjithë fëmijët, gjenden përballë zgjedhjes se te cili fëmijë do investojnë, duke marrë në konsideratë riskun e punësimit pas diplomimit dhe mundësinë e shlyerjes së borxhit studentor. Padyshim që nisur edhe nga diskriminimi gjinor në vendin e punës që ekziston në këto shoqëri, përzgjedhja avantazhon meshkujt.
Në konferencë nuk ngeli pa u shtruar pyetja se çfarë impakti do të ketë ky studim dhe sa do arrijë t’i influencojë shtetet e prekura nga ky fenomen? Përgjigjet e grupit të punës si dhe të përfaqësuesit të OKB-së ishin të vakëta duke i lënë një përgjegjësi të madhe shoqërisë civile për të reaguar sa më parë, si dhe krerëve të qeverive të cilët janë shprehur zyrtarisht se sistemi arsimor duhet të rishikohet me sy kritik. Theksi u vu megjithatë te mobilizimet studentore nëpër protesta masive si e vetmja alternativë emergjente në ngadalësimin e pasojave të politikave neoliberale në arsim.
Por problemi lidhur me privatizimin e arsimit shkon përtej vendeve të varfra. Origjinën ky fenomen e ka te tregtarizimi i universitetit në vendet e zhvilluara, të cilat shihen si modele për t’u ndjekur. Në Francë, për shembull, kjo reformë u pagëzua me emrin ‘reforma për autonominë e universiteteve’ dhe u justifikua me pretekstin se do të kontribuonte në lirinë e vendimmarrjes së universiteteve duke përmirësuar strategjitë e tyre të menaxhimit financiar dhe kërkimit/inovacionit.
Sipas ligjit të miratuar nga parlamenti francez në vitin 2007, i njohur si «Ligji për lirinë dhe përgjegjësitë e universiteteve», administrimi buxhetor e financiar i tyre si dhe administrimi i burimeve njerëzore kalon nga duart e shtetit në ato të vetë universitetit si institucion, që do të thotë se që nga ky moment shteti zhvishet nga çdo përgjegjësi për të financuar arsimin e lartë dhe se ky i fundit për të mbijetuar është i detyruar tashmë të futet në garën për sigurimin e të ardhurave nga aktorë privatë ose partnerë publik/privat. Nëse sot studimet e ciklit master në Francë kushtojnë nga 1000 deri në 3000 euro çdo vit (në varësi të të ardhurave të familjes), nëpër universitet angleze tarifa e studimit shkon rreth 10.000 euro në vit. Pra e ardhmja është e qartë dhe e parashikueshme.
Po cili është objektivi i kësaj autonomie financiare që po i jepet si privilegj universitetit?
Autonomia buxhetore që i jep ky ligj universiteteve i bën ata plotësisht të varur nga investitorët privatë. Duke hequr dorë nga financimi i arsimit publik, qeveria i shtyn universitet të gjejnë të tjera burime financimi – pra detyra e tyre do të jetë të joshin bizneset për të investuar në institucionet e tyre, si për shembull në rastin kur një nga bankat më të fuqishme të vendit, BNP Paribas, mori kontrollin e universitetit Marne la Vallée (Paris 12). Nuk duhet harruar, megjithatë, se këtu bëhet fjalë për investim e jo donacion ose dhuratë. Një biznes i cili investon pret një kthim fitimi mbi vlerën e investuar. Por qeveria franceze ka menduar edhe për këtë. Ligji për autonominë e universitetit citon se do të jenë pikërisht këto biznese të cilat do të vendosin mbi mënyrën e menaxhimit dhe produktin që do t’i ofrohet studentit; pagesën vjetore që ai i detyrohet shkollës si dhe përzgjedhjen se kujt studenti i takon e drejta për të studiuar në universitetin përkatës.
Përtej kësaj, universitetit i duhet të adaptojë praktikat dhe stazhet shkollore të detyrueshme gjatë ciklit universitar me biznesin që e financon. Pra studentët do të praktikohen në një vend të caktuar pune të një biznesi të caktuar duke kushtëzuar kështu më tej edhe punësimin e tyre në të ardhmen. Shkurt, si pasojë e këtij ‘formacioni’, studenti do të jetë i ‘punësueshëm’ vetëm në bizneset të cilët kanë financuar degën ku ai ka ‘studiuar’.
Duke stimuluar konkurrencën midis universiteteve e duke e kthyer arsimin në tregun më të ri fitimprurës, ligji për autonomi lejon shkatërrimin definitiv të njohjes së diplomave në Kodin Francez të Punës dhe marrjen e statusit të ‘nëpunësit civil’, i cili bazohet në vitet e eksperiencës në punë. Nga kjo reformë do të pasojë logjikisht legjitimimi i kontratave ‘të rastësishme’ të hartuara sipas interesave të punëdhënësit, për t’i siguruar këtij të fundit një krah pune të kualifikuar, të shfrytëzueshëm e të paguar me thërrmija.
Tetëdhjetekatër universitete franceze mendohen si të rrezikuara për mbijetesë nga kjo reformë. Universitet që ndodhen në zona ekonomike jo të favorshme do ta kenë të vështirë të gjejnë biznese për t’i financuar, kështu që mbylljes së uzinave do t’i pasojë mbyllja e universiteteve që do t’i privojë të ardhmen mijëra të rinjve. Shembulli më i mirë është universiteti Versailles Saint-Quentin-en-Yvelines, i cili vetëm katër vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit për autonominë e universiteteve rrezikoi të mbyllet për shkak të kufizimit të të ardhurave.
Duke studiuar këto dy raste të zbatimit të reformave neoliberale në Nepal dhe Francë, që synojnë tregtarizimin e universitetit dhe kthimin e tij në biznes fitimprurës, reforma këto shumë të ngjashme me atë të propozuar nga qeveria Rama-Meta, më duket sikur shoh Shqipërinë sot dhe Shqipërinë nesër. Në vend që fenomeni i privatizimit të luftohet, ai po legjitimohet për të mos u konsideruar më si problem, por si reformë që predikon prosperitetin dhe modernizimin e sistemit arsimor. Megjithatë, përpjekja vazhdon. Studentë në mbarë Evropën e botën po luftojnë për të drejtën e tyre për dije pa çmim, pa kosto e pa kredi për të shlyer.
Botuar në numrin e pestë të gazetës “Universitari”