1 Maji jeton!

/Organizata Politike/ Sot ka dy Shqipëri, asnjëra virtuale, të dyja reale sa më s’ka, njëra shprehëse e realitetit të dhimbjes e shfrytëzimit, tjetra e privilegjeve. Në njërën anë zvarritet Shqipëria e të papunëve dhe të papunësueshmëve, të përjashtuarve të periferive urbane dhe skutave rurale, që marrin rrugën e kriminalitetit dhe mërgimit masiv pas braktisjes në mëshirë të fatit. Përkundër kolovitet Shqipëria e panaireve të kotësisë që përmes reklamave të rrejshme qeveritare përpiqet të zbukurojë realitetin distopik. Këtej lëngon Shqipëria e mijëra punëtorëve të ndërtimit, fasonerive, minierave dhe call center-ave që shfrytëzohen e keqpaguhen në bunkerët e errët të prodhimit prej gjakut, pa kushte, pa të drejta dhe pa mundësinë e organizimit sindikal. Andej kotet Shqipëria e klasës politike që e ka asgjësuar nga e folura publike fjalën “punëtor”, duke e vënë shtetin në shërbim të klikave biznesore, të cilat arrijnë të korrin fitime të mëdha me kosto fare të ulëta pa prodhuar kurrfarë të mire shoqërore. Ngado shtrihet Shqipëria e pasurive të shumta natyrore e shoqërore e cila përballet me Shqipërinë e grisjes së lumenjve, kafshimit të relieveve, zbrazjes së nëntokës dhe përçudnimit të fuqisë ndërtuese të popullit të saj nga qeveritë e djeshme dhe të sotme, për konçensione dylekëshe, dhe nga korporata të papërgjegjshme gjer në pragun e katastrofës shoqërore. Sot ka dy Shqipëri. Shqipëria e oligarkëve, që jeton prej punës së të tjerëve, dhe Shqipëria e popullit të thjeshtë që jeton e do të jetojë vetëm prej punës vetjake. Ne zgjedhim Shqipërinë e të panumërtve, të popullit dhe punëtorëve, si e vetmja mundësi për të ndërtuar një atdhe të përbashkët, pa shfrytëzim, dhunë, poshtërim e diskriminim, të hapur e solidar me popujt e të gjithë botës. 1 Maji jeton!
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.