Tirana, universiteti dhe kjo shoqëri e kalbur do të gjallojnë përsëri…

/Enriko Peçuli/

“Zonjë, zonjë, shtyhuni pak nga mesi ju lutem! Hë none, lëviz içik se ke gjithë at’ ven aty! Pa të shohim, ti aty, lekë-abone, lekë-abone?” – është refreni i përditshëm që dëgjon çdo hallexhi i mbërthyer brenda autobusit urban. Brenda këtij qyteti mbytës e injorues për hallexhiun, kokëpalarët e papunë, atë agjentin e shitjeve që me lekë borxh ka blerë një xhaketë njëqind e tridhjetë-mijëlekëshe, që ashtu me nxitim,nga frika se do e humbasë edhe atë punë, është përpjekur të zhdukë njollat e ngjitura prej ndryshkut,të marra nga një angari e vogël brenda shtëpisë me qira, thellë në “Astir”.

Kjo lloj barsolete është një nga shenjat dalluese të kryeqytetit. Kësi situatash i has kudo nëpër hapësira publike, nga brenda kabinës së urbanit, kafenetë pa kurrfarë dallimi nga njëra-tjetra, trotuaret shumëfunksionëshe dhe dhomat e konvikteve. Këtë refren ka Tirana, shqetësime tragji-komike të cilat i prekin të gjithë. Të pasurit vuajnë nga të varfrit dhe të varfrit përleshen me njëri-tjetrin për një vend në “urbanin e qendrës”. Po studenti – i ardhur nga periferia, i rrahur dhe i mësuar me një ambient tjetër, jo kaq të zhurmshëm, jo kaq tjetërsues – ku qëndron në gjithë këtë mesele?

Kur kam ardhur në kryeqytet para dy vitesh kisha një entuziazëm të pashpjegueshëm për t’u përballur me gjithë këtë kallaballëk, zhulin, thirrjet çjerrëse për të kapur furgonin e Durrësit. Doja të zbuloja origjinat e thashethemeve dhe legjendave urbane që qarkullonin në këtë qytet, në pamje të parë i madh dhe plot jetë. Aty në Bllok doja të kaloja njëherë dhe të përpija me sy jetën që bënin pinjollët e pasunarëve. Dukej se aty nuk mbeteshe ndonjëherë në kotësi, se kishte kaq shumë gjëra për të bërë. Dolëm nga periferia dhe pamë botë me sy, Tiranën. Kështu mendoja atëherë. Sot,as për shaka nuk tingëllon e konsumueshme, as për shaka.

Në këto dy vite kam njohur një mori karakteresh, kryesisht në auditorë dhe ambiente të tjera universitare. Brezat e studentëve kanë veçantitë e tyre, ku në vite ka pasur të rinj që, si i thonë, “e kanë ngrënë me dhëmbë” malin e thepisur të jetës studentore, siç ka shumë syresh që kanë ngecur nëpër kreshta e monopate që nuk i kanë çuar asgjëkund. Studentët e këtij brezi, përfshirë edhe mua, bëjnë pjesë te ky grupi i dytë, ata të humburit. Nuk e përdor këtë metaforë për të treguar dëshpërim. Përkundrazi, shpresa aty  gjendet. Se, fundja, nuk kemi më asgjë për të humbur.

Në takimin e parë me universitetin, veshi të vritet me konceptin e “të zgjedhurit”. Vendosesh gjithherë në pozita për të zgjedhur diçka:

1. Të duhet të zgjedhësh jetesën. Në konvikt, ku pagesa mujore është diku te pesë mijë lekë të reja, dhomat janë të ngushta, të dala boje dhe suvaje. Dushet janë me orar dhe mundësia që të sëmuresh nga ndonjë virus që ende nuk ia di emrin është goxha e lartë. Mundësia e dytë është shtëpia me qira. Pronarët e shtëpive me qira dhe agjencitë që merren me këtë punë spekulojnë me çmimet mujore në mënyrë aq marramendëse, sa do t’i kishte zili agjenti më i zellshëm i Wall Street-it. Çmimet këtu rriten në mënyrë të paparashikueshme dhe e vetmja mënyrë që të përballosh qiranë e rëndë, është ta ndash ambientin me shumë vetë; dhe sigurisht të gjesh punë.

2. Këtu përballemi me një zgjedhje tjetër, ku mundësitë nuk janë të larmishme për një student të sapodalë nga gjimnazi, pa ndonjë eksperiencë kushedi në punë. Kështu që mbetemi vetëm në dy mundësi, dy vende pune të cilat punësojnë studentë në masë. Call center-at, ku mjafton të zotërosh një gjuhë të huaj dhe punësohesh, dhe të punësohesh si kamerier me një pagë më të ulët se paga minimale (24 mijë lekë të reja). Vështirësia këtu rritet shumëfish për vajzat, të cilat shfrytëzohen jo vetëm si fuqi punëtore, por edhe si objekt seksual. Kjo dallohet në rritjen e numrit të vajzave të punësuara në kafenetë më popullore, të cilave, përveç aftësisë për të shërbyer, u kërkohet edhe një pamje sa më tërheqëse. “Forca vajza, vishni përparëset e pastra, buzëqeshjen e rreme dhe mos harroni që klienti ka gjithmonë të drejtë!”

3. Në këtë katrahurë të madhe, nuk ka sesi të mos përfshihet edhe e shumëpërhapura figurë e universitetit privat. Besoj se keni dëgjuar për reformën në arsimin e lartë, e miratuar këtu e tri vite më parë. Reforma e shumëkontestuar asokohe po e kthen universitetin publik në ndërmarrje të vetëfinancuar, e futur në një konkurrencë të egër me universitetet private, të cilat, ndryshe nga publiku, nuk kanë asnjë kriter pranimi për studentët, veç xhepit të mbushur mirë. Një luftë kjo për të kapur sa më shumë studentë, me tarifa që parashikohet të rriten, pa marrë parasysh të ardhurat minimale të shumicës së popullsisë. Në qoftë se universiteti publik e ruan ende një farë serioziteti, me dhjetëra pedagogë që punojnë fortë për ta rritur cilësinë akademike të ambientit ku punojnë, ai privat nuk ka kurrfarë pretendimi për të qenë përmbajtësisht cilësor. Mjafton reklama e mirë dhe imazhi i një universiteti me parametra perëndimorë.

Në terma tregu, universiteti privat e ka fituar a priori konkurrencën, se nuk është asgjë më shumë se një ndërmarrje kryekëput kapitaliste, e cila i zotëron të gjitha mjetet komerciale dhe financiare për t’i bërë ballë këtij tregu, pa përmendur mbështetjen e pakushtëzuar të qeverisë. Një nga zgjedhjet e para që një student duhet të bëjë është ajo midis privatëve dhe universitetit publik, që rrezikon të kthehet gjithashtu në një tezgë diplomash, ku këto të fundit shiten me çmim disi më të lirë. Ka shumë studentë që mendojnë se të pasurit një diplomë është plus, aty në rrugën e madhe të tregut të punës, dhe pak rëndësi ka mënyra se si fitohet ajo. Për ta lënë mënjanë mendësinë e tregut, aty në terrenin e ashpër të jetës universitare, ka vetëm një gjë të patjetërsueshme, dhe ajo është dija. Me të nuk mund të spekulosh, nuk mund ta shesësh dhe ta luash majë gishtave për përfitime të pushtetit. Dhe pikërisht këtë po përpiqen të bëjnë me universitetin publik: ta zhveshin plotësisht edhe nga rrafshi i dijes për ta kthyer në një tezgë më shumë diplomash.

Deri tani kemi folur për shumicën e studentëve, atë të varfër. Në sistemin ku jetojmë na thonë shpesh se edhe varfëria është një zgjedhje, jo medoemos e jotja. Ky fakt i fundit shërben për të na bindur se ne të rinjtë kemi mundësinë ta kthejmë këtë fat përmbys, me punë sigurisht. Unë kam mundësinë ta tejkaloj fatin e përcaktuar nga prindërit e mi, t’i bëj ata krenarë duke mos u bërë si vetë ata. Në fillimet e mia si student e kërkoja këtë rrugë me ngulm. Mësova shpejt po them. Në fakultet mjafton të mësoje përmendësh, të recitoje në seminare dhe regjistri mbushej me numra. Te sporteli i informacionit gjithmonë gjen edhe ndonjë biletë për te Cinco Cavalli apo këto klubet e tjera me emra të çuditshëm. Kjo është mënyra më e mirë për t’i ndjekur me përpikmëri aktivitetet e partisë, përveç takimeve studentore nëpër salla luksoze, ku kryeministri të tall modelin e flokëve apo të rreh njëherë gropën që ke në gjoks. Aty është momenti të qeshësh me të madhe, se në të kundërt të bëjnë rezil te grupi i WhatsApp-it.

Mjaft me tallje! E vërteta është se çdonjëra nga këto zgjedhje kushtëzohet nga faktorë të tjerë, më të fortë se një 20-vjeçar i ardhur nga periferia, pa kurrfarë busulle për drejtimet që të ofron dinamika e kryeqytetit. Një pjesë e mirë e të rinjve sot vijnë nga familje patriarkale. Vajzave u duhet të rropaten për t’i përballuar të gjitha: presionin e babait se, nëse nuk merr nota të mira, do e kthejë në periferi për ta fejuar a mbyllur në shtëpi. Për të mos përmendur më tepër trajtimin shtypës, vetëm si një objekt seksual. Po ashtu, shumë nga djemtë vijnë me ëndrrën se kjo eksperiencë do t’i katapultojë diku lart, larg kufijve të këtij vendi që i gllabëron fëmijët e vet. Dhe tendenca për t’u larguar nga vendi është rritur mjaft edhe te studentët, të cilët nuk i besojnë më forcës akademike që do t’u hapë një vend në shoqëri. Nëse më parë largoheshin në masë të rinjtë që nuk e kishin mundësinë e shkollimit, sot edhe kjo e fundit shihet si mundësi për të ikur në një të ardhme jo të largët. Për t’i ushqyer këto shpresa ndikon edhe ambienti brenda universitetit, i cili ofron vazhdimisht bileta largimi për studime apo specializime në vendet më të zhvilluara si Gjermania apo Kanadaja. Këto të fundit ndikojnë edhe në përzgjedhjen e degëve për studentët aspirantë, të cilët i bëjnë kalkulimet sipas mundësive që ofron tregu i punës në Gjermani, Belgjikë apo Austri. Kështu, ka degë të cilat janë pothuajse të braktisuradhe çdo vit mbyllen disa të tilla për shkak se nuk plotësojnë numrin e studentëve. Në një periudhë jo më larg se dhjetëvjeçare, universitetet do të “xhirojnë bosh” në nxjerrjen e kuadrove të rinj. Nuk do të ketë më gjeografë dhe inxhinierë të zotë, ndërkohë që qindra sociologë, infermierë, psikologë apo edhe zanatçinj do të kërkojnë punë në tregje të huaja. Siç thotë im atë shpesh: “Ik dhe ti djalo, si shokët! Le të vuaj unë, pa mos u kthe më. Shiko veten tënde!”

Unë jam dakord me faktin se duhet t’i tejkalojmë zgjedhjet e prindërve tanë, dëshirat e tyre për ne. “Sizifë janë ata” – thotë një shok. Dhe atë gur sakrificash e vuajtjesh e rrokullisin ende për ne, bijtë e tyre pa të ardhme. Këto rreshta nuk janë vetëm për mua e të rinjtë si unë. Janë një thirrje edhe për nënat tona kokulura, për baballarët tanë vetullngrysur. Nuk kanë asnjë rrugëdalje përveçse të na degdisin diku larg tyre, për të mos i parë më në sy poshtërimet që kanë jetuar për shkak të këtij realiteti që i hëngri ata të parët. Ky duhet të jetë himni i këtij brezi të ri studentësh: ta shkelim figurën atërore, atë të pushtetit dhe rojtarit të së ardhmes tonë pa të ardhme! Sytë te dija, jo te diploma! Shpresën te varfëria e ndershme, jo tek oportunizmi i parasë! ORGANIZIM dhe jo përçarje!

Unë, baba, nuk do bëhem si ti. Do i urrej gjithmonë përpjekjet e tua për ta ruajtur kryengritjen nën lëkurë.  Unë do të zhgërryhem në ferrin e këtij qyteti të ndytë, që fëmijët i kthen në shëmbëlltyra të përbindshme të tij, për të dalë fitimtar në fund, me ëndrrat e palosura brenda një libri të harruar. Do më urresh baba, por nuk do vuash më. Do të dal nga lëkura jote dhe do ta shqyej bishën këmishëbardhë që ta ktheu shpresën në frikë, guximin në pendesë. Tirana, universiteti dhe kjo shoqëri e kalbur do të gjallojnë përsëri.

Imazhi: Reporter.al/Ivana Dervishi

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.