Kushtetutshmëria e të drejtës për arsim

/Arlind Qori/

Kushtetutat mund të konsiderohen si formë e jetës politiko-shoqërore të një vendi. Nëse formën e konsiderojmë thjesht formalitet, është e kollajtë të vihen në dukje dallime të thella midis formës kushtetuese dhe realitetit material të strukturimit shoqëror. Aq sa mes shkencëtarëve politikë krahasimi i vendeve apo sistemeve të ndryshme politike bazuar vetëm te kushtetutat e tyre konsiderohet si përtaci ekstreme dhe mënyra më e sigurt për ta marrë seriozisht karakterin demokratiko-popullor të Koresë së Veriut.

Sidoqoftë, në një kuptim më dialektik të marrëdhënies midis formës dhe përmbajtjes, kushtetutat mund të mendohen si formalizuese të një raporti forcash shoqërore, së paku në kohën kur janë hartuar. Ato janë shprehje e kushtetimit si hedhje themelesh, ku mes themeltarëve interesat dhe forcat e ndryshme e të përkundërta gjejnë një ekuilibër të përkohshëm. Prandaj mund t’i japim të drejtë Niçes kur thotë se e drejta lind vetëm midis forcave të barabarta.

Për shembull, si asnjë kushtetutë tjetër vendi kapitalist, ajo italiane nis me parimin themelor: “Italia është një republikë demokratike, e themeluar mbi punën.”[1] Origjinën e këtij formulimi e gjejmë në ekuilibrin e forcave antifashiste italiane fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Në njërën anë ishin komunistët dhe socialistët, të cilët këmbëngulnin që Italia të shpallej shtet i punëtorëve dhe fshatarëve, kurse në anën tjetër demokristianët të cilët, me mbështetjen ushtarake amerikane dhe atë ideologjike të Kishës Katolike, kërkonin që republika e re italiane të përfytyrohej si vazhdimësi e shtetit të vjetër liberal të kohës përpara fashizmit. Meqenëse e majta ishte hegjemone ideologjikisht dhe mjaft e fuqishme politikisht – aq sa u desh tërheqja e veshit nga Moska që të mos tentohej revolucioni shoqëror – si përfundim u arrit kompromisi i “republikës demokratike të themeluar mbi punën.”

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nga ana tjetër, mund të merret si shembull i një shablloni të marrë nga një përzierje parimesh liberale dhe sociale (të moderuara), për të cilën zor se mund të thuash se pasqyron drejtpërdrejt raportin e forcave shoqërore të kohës kur është hartuar. Kujtojmë këtu se përpara vitit 1998, kur kushtetuta u miratua me një referendum të cilin opozita e asokohshme e bojkotoi, vendi qeverisej nëpërmjet Dispozitave Kryesore Kushtetuese, të sanksionuara shpejt e shpejt me konsensus në vitin 1991.

Këto Dispozita mendohej se do të shërbenin si urë kalimtare midis dy sistemeve dhe pasqyronin një ekuilibër interesant forcash politike dhe shoqërore: në njërën anë burokracinë politike të PPSH që e merrte mbështetjen kryesore nga fshatarësia, ndërsa në tjetrën PD që asokohe ishte përfaqësuesja e klasës punëtore industriale dhe e intelektualëve. Karakterin tranzitor e shpreh edhe fakti se në të flitet për shumëllojshmërinë e pronës dhe vendosen kufij më të troçtë ndaj iniciativës private. Më konkretisht, ndryshe nga kushtetuta në fuqi që pohon se sistemi ekonomik në Shqipëri mbështetet në pronën private dhe publike, ajo e 1991 fliste për shumëllojshmërinë e pronave. Çka do të thotë se nuk mjaftohej me ndarjen publike (që administrohet nga shteti) dhe private (që bazohet tek individi apo korporata), por linte vend edhe për pronën shoqërore si bashkim punonjësish që kërkojnë mbështetje nga shteti. Po ashtu, kushtetuta e sotme i vendos kufij të përgjithshëm lirisë së veprimtarisë ekonomike, duke folur vetëm për arsye të rëndësishme publike, kurse ajo e 1991 veçonte parimin se iniciativa ekonomike … “nuk duhet të cenojë sigurinë, lirinë dhe dinjitetin e njeriut” [2].

Do të ishte interesante të përfytyrohej se si do ta shprehnin të drejtën për arsim Dispozitat e 1991, sikur të mos konsideroheshin tranzitore, në kushtet ku, siç u cek më lart, mishëronin raportin e forcave midis një partie si ajo Demokratike, që ishte bërë zëri i klasës punëtore industriale kundër burokracisë së kalbur socialiste dhe një partie Pune (Socialiste) që për inerci ideologjike vazhdonte të riprodhonte ligjërim socialist.

Kthehemi te kushtetuta aktuale e miratuar më 1998. Në të ka një kre të veçantë ku parashtrohen liritë dhe të drejtat ekonomike, sociale e kulturore.[3] Neni flet edhe për arsimin, ku në pikën 5 shprehet qartë fakti se deri në arsimin e mesëm të përgjithshëm shteti ka detyrën t’ua garantojë falas qytetarëve të vet. Kurse në pikën 4 thuhet se arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohen vetëm në bazë të aftësisë. Kjo e fundit të dojë të thotë se, kur nuk ka mundësi ta sigurojë falas arsimin universitar, institucionet shtetërore kanë për detyrë të vendosin tarifa të ulëta ose t’i shpërndajnë ato proporcionalisht apo, më mirë akoma, të sigurojnë një sistem të gjerë bursash në mënyrë që askush të mos detyrohet t’i braktisë studimet universitare për arsye ekonomike.

Mirëpo punët me kushtetutën tonë nuk shkojnë në mënyrë koherente. Dy nene më poshtë, në atë 59, kushtetuta shpreh parimin se të drejta si ajo e arsimit zbërthehen konkretisht në objektiva socialë. Te këto të fundit përfshihen edhe mundësia e punësimit të plotë, kujdesit shëndetësor sa më të mirë, strehimit etj. Pra arsimimi universitar është edhe e drejtë, edhe objektiv social. Nëse konsiderohet objektiv social[4], atëherë sigurimi i mundësisë së të gjithëve për arsimim universitar sipas aftësisë mbetet detyrë politike afatgjatë dhe abstrakte dhe jo një e drejtë konkrete. Aq e vërtetë është kjo, saqë neni i objektivave socialë duket si i vendosur thjesht për zbukurim ideologjik. Për rrjedhojë, përmbushja e këtyre objektivave nuk mund të kërkohet në gjykatë.[5]

Kjo dykuptimësi juridike shpreh, në fakt, gjurmën e thellë të një dimensioni politik antisocial në konceptimin e arsimit. Në kuptimin e parë, arsimimi i çdo niveli është e drejtë shoqërore universale – pra duhet garantuar financiarisht nga shteti dhe duhet t’i mbulojë të gjithë ata që nuk kanë mundësi. Mirëpo, po ashtu, është edhe thjesht objektiv social përmbushja e të cilit mund të shtyhet në kohë sa të duash dhe nuk mund të realizohet as individualisht, as kolektivisht duke iu drejtuar gjykatave.

Do të përbënte një kazus juridik interesant paraqitja në Gjykatën Kushtetuese e një kërkese për interpretim të raportit midis arsimimit universitar si e drejtë dhe si objektiv social. Pra kur mendohet se një student meritor nuk ka mundësi për të paguar? Bie fjala, a do t’i konsideronte Gjykata të paligjshme tarifat e çfarëdo niveli, duke u mbështetur në parimin se çdo lek i nxjerrë nga xhepi i studentit është një pengesë për të ndjekur studimet? Apo do të konsideronte të paligjshme vetëm ato tarifa që do të ishin përmbi një nivel të caktuar varfërie, si p.sh. në raport me pagën minimale, minimumin jetik apo ndihmën ekonomike? Apo do të mjaftohej me faktin se sot disa të varfër, ekstremisht të tillët, marrin bursë? Apo, akoma më keq, do të konsideronte si të pamundur për të paguar vetëm ata që janë aq thellësisht të varfër, saqë do t’iu mungonin paratë e mjaftueshme për të paguar tarifat në të gjitha rrethanat e mundshme – p.sh. nuk do të kishin shtëpi apo veshkë për të shitur që të paguanin shkollën?

Këtë eksperiment mendor nuk e bëjmë dot jo vetëm për shkak se Gjykata Kushtetuese është aktualisht jashtë funksionit, por edhe sepse në një rast të tillë dykuptimësie midis germave ajo do të duhej të interpretonte frymën e kushtetutës. Dhe për të interpretuar frymën nuk do të mjaftonin bindjet personale të gjykatësve, por mënyra se si ata peshojnë mendimin hegjemonik në shoqëri. Kësisoj, është raporti i forcave midis blloqeve shoqërore (të përbëra nga ndërthurje klasash ndanë dhe kundruall njëra-tjetrës) ai që, në instancë të fundit, do të përcaktonte nëse kushtetuta si “libër i hapur” e përfshin arsimin e lartë si të drejtë konkrete, realisht të pakushtëzuar nga asgjë tjetër përpos meritës; madje që edhe meritën do ta shihte si proces në ndërtim e sipër përmes arsimimit të barabartë në të gjitha nivelet shkollore.

Po çfarë ndodh gjetiu nëpër Evropë, sidomos në ato vende ku arsimimi universitar është falas? Nga vendet e BE vetëm Greqia e ka në kushtetutë parimin e arsimit falas në të gjitha nivelet. Kështu, kushtetuta demokratike e 1975, e hartuar pas mbarimit të diktaturës së kolonelëve, jo vetëm shpreh parimin e arsimimit falas në të gjitha nivelet, por edhe ndalon hapjen e universitete private.[6] Në vitet 2000 Demokracia e Re, më pas edhe PASOK-u, janë orvatur ta abrogojnë nenin e ndalimit të universiteteve private, së paku për ato jofitimprurëse, por janë zmbrapsur nga rezistenca e partive të tjera të majta dhe e lëvizjeve universitare. Fakti që e njëjta kushtetutë ka një preambulë teologjike dhe karakter të pjesshëm klerikal tregon edhe një herë faktin se kushtetutat shprehin raportin e forcave në shoqëri, ku e majta ka aq fuqi sa të mbrojë arsimin publik, kurse e djathta, deri edhe tërësisht reaksionare, ruan privilegjet e kishës.

Në terma të afërt me atë të Greqisë mund të shquajmë kushtetutën e Çekisë, Sllovakisë dhe Polonisë. Dy të parat flasin për arsimim të përgjithshëm falas dhe, në rast se shoqëria i ka mundësitë ekonomike, për arsimim universitar falas.[7] Ndërkaq, kushtetuta e Polonisë niset nga parimi se shkollimi publik i të gjitha niveleve duhet të jetë falas, ndonëse për shërbime të caktuara në universitetet publike mund të vendoset pagesë.[8] Në vendet e tjera të BE me arsimim universitar falas, kjo e fundit nuk është vendosur drejtpërdrejt në kushtetutë, por realizohet nëpërmjet ligjeve të veçanta. Sidoqoftë, aty nuk flitet për objektiva socialë, por për të drejtën e arsimimit bazuar vetëm tek aftësia.

Për sa i përket mundësisë për të hapur universitete private nuk gjenden nene ndaluese si ai i kushtetutës së Greqisë. Po ia vlen të veçojmë kushtetutën e Gjermanisë që vendos disa kushte për to. Nuk bëhet fjalë vetëm për respektimin e kritereve të përgjithshme të cilësisë akademike, por edhe për kritere specifike. Kështu, shkollat private nuk mund të qëndrojnë poshtë shkollave publike në terma qëllimeve të arsimimit, infrastrukturës dhe përgatitjes së stafit pedagogjik. Nëse të drejtat ekonomike dhe statusi akademik i këtyre të fundit nuk respektohen – siç ndodh p.sh. në universitetet private në Shqipëri ku pedagogët nuk kanë liri akademike kur vjen puna tek interesat e pronarit – të tilla institucioneve arsimore u hiqet e drejta e ushtrimit të veprimtarisë. Madje në vendosjen e tarifave ato duhet të marrin në konsideratë që të mos i diskriminojnë nxënësit dhe studentët bazuar në të ardhurat e tyre familjare.[9]

***

E mbyllim duke iu kthyer Shqipërisë. Partitë politike nuk janë gjykatë kushtetuese pedante, por instrumente të realizimit të objektivave sociale. Ato duhet ta konsideronin detyrë që, përmes politikave arsimore dhe ekonomike, t’ua mundësonin realisht të gjithë meritorëve arsimimin universitar. Për shembull, një prej temave kryesore të luftës politike do të duhej të ishte mënyra se si partitë propozojnë masa për të ulur vit pas viti tarifat arsimore. Mbase nuk do t’ia arrinin tërësisht qëllimit, ama do ta njihnin dhe punonin deklarativisht për të. Pak a shumë si për uljen e papunësisë. Në debatin publik të gjitha pretendojnë se e kanë për qëllim/objektiv. Punë tjetër pastaj se sa e realizojnë.

Nuk duhet të habitemi që diçka e tillë nuk ndodh me arsimin. Dihet botërisht se partitë “tona” nuk u shërbejnë as qytetarëve si bashkësi abstrakte, as klasave të gjera popullore, por zotëruesve të kapitalit të madh ekonomik. Dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla derisa shumica dërrmuese e shoqërisë të vetëdijesohet se, në instancë të fundit, mbifuqia politike kushtetimore gjendet tek ata vetë.

Shënime:

[1] Shih: Kushtetuta e Republikës Italiane, neni 1.

[2] Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese (1991), neni 10: “Ekonomia e vendit bazohet në shumëllojshmërinë e pronave, iniciativën e lirë të të gjitha subjekteve ekonomike në rolin rregullues të shtetit. Iniciativa ekonomike e personave juridikë dhe fizikë nuk mund të zhvillohet në kundërshtim me interesin shoqëror dhe nuk duhet të cenojë sigurinë, lirinë dhe dinjitetin e njeriut.” Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (1998), neni 11: “1. Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike. 2. Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj. 3. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike.”

[3] Përmendja si të drejta e tyre është një hap larg konstitucionalizmit neoliberal, për të cilin të drejtat mund të jenë vetëm politike dhe civile. Madje të drejtat shoqërore, si p.sh. ajo e kujdesit shëndetësor, arsimit apo organizimit sindikal, konsiderohen si cenuese të të drejtave civile.

[4] “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon…arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave të pazënë me punë…” – Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (1998), neni 59, pika 1, germa ç.

[5] “Përmbushja e objektivave socialë nuk mund të kërkohet drejtpërdrejt në gjykatë. Ligji përcakton kushtet dhe masën në të cilat mund të kërkohet realizimi i këtyre objektivave.” Po aty, neni 59, pika 2.

[6] Kushetuta në e Greqisë, neni 16, pika 4: “Çdo grek ka të drejtën e arsimimit falas në shkollat shtetërore të të gjitha niveleve…”; pika 8: “…Ndalohet themelimi i shkollave private të nivelit universitar nga qytetarët privatë.”

[7] Shih: Kushtetuta e Republikës Çeke, neni 33, pika 2; Kushtetuta e Republikës së Sllovakisë, neni 42, pika 2.

[8] Kushtetuta e Republikës së Polonisë, neni 70, pika 2.

[9] Shih: Ligji bazë i Republikës Federale të Gjermanisë, neni 7, pika 4.

Imazhi: The Second City

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.