Tensionet ideologjike të kapitalizmit

Universalizmi përkundër racizmit dhe seksizmit

/Immanuel Wallerstein/

…Ka dy mënyra për të shpjeguar origjinën e universalizmit si ideologji e sistemit historik aktual. E para është ta shohim universalizmin si kulmimin e një tradite intelektuale të vjetër. Tjetra është ta konsiderojmë një ideologji që i shkon veçanërisht për shtat një ekonomie-botë kapitaliste. Këto dy mënyra shpjegimi nuk janë medoemos kontradiktore me njëra-tjetrën. Argumenti se është rezultat apo kulmim i një tradite të gjatë ka të bëjë pikërisht me tri fetë monoteiste. Sipas tij, hapi moral vendimtar u hodh kur njerëzit (ose disa njerëz) reshtën së besuari në një zot fisnor dhe njohën karakterin unik te zotit dhe, për pasojë, karakterin unik të njerëzimit. Afërmendsh, vazhdon argumentimi, tri fetë monoteiste e ndoqën vetëm pjesërisht logjikën e pozicionit të tyre. Judaizmi siguroi një pozicion special për popullin e zgjedhur të zotit dhe nguronte të inkurajonte anëtarësimin nëpërmjet adoptimit. Krishterimi dhe islami i hoqën barrierat e hyrjes në grupin e të zgjedhurve dhe në të vërtetë shkuan në drejtim tjetër duke ushtruar proselitizmin. Po si krishterimi edhe islami kërkuan një akt pohues besnikërie (nëpërmjet të cilit ish-jobesimtari i rritur shënonte konvertimin formal) për t’u futur plotësisht në mbretërinë e zotit. Pretendohet se mendimi iluminist modern thjesht e çoi një hap më tutje këtë logjikë monoteiste, duke i nxjerrë barazinë morale dhe të drejtat e njeriut nga vetë natyra njerëzore, karakteristikë me të cilën kemi lindur të gjithë dhe për shkak të së cilës të drejtat tona bëhen tagra dhe jo privilegje të fituara.

Kjo nuk është një histori jokorrekte idesh. Ka disa dokumente të rëndësishme politiko-morale të fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë që e pasqyrojnë këtë ideologji të iluminizmit, dokumente që u përhapën gjerësisht për shkak të kryengritjeve politike madhore (Revolucioni Francez, shkolonizimi i Amerikave e kështu me radhë). Po këtë histori ideologjike mund ta shtyjmë më tutje. Ka mjaft fshirje de facto në këto dokumente ideologjike të shekullit të tetëmbëdhjetë – rastet më të shquara janë ato të popujve jo-të bardhë dhe grave. Mirëpo me kalimin e kohës, këto dhe të tjera fshirje janë korrigjuar duke i përfshirë në mënyrë eksplicite këto grupe në rubrikën e doktrinës universaliste. Sot edhe lëvizjet shoqërore raison d’etre-ja e të cilave është zbatimi i politikave raciste e seksiste priren ta pranojnë formalisht ideologjinë e universalizmit, duke e bërë disi të sikletshme pohimin e hapët të besimeve dhe mendimeve që sipas tyre duhet të përbëjnë prioritete politike qeverisëse. Kësisoj nuk është e vështirë që prej historisë së ideve të rrjedhë një lloj kurbe në rritje të vazhdueshme e pranimit të ideologjisë universaliste dhe, bazuar në këtë kurbë, të pretendohet ekzistenca e një lloj procesi historik botëror të pashmangshëm.

Sidoqoftë, tejet i fortë duket edhe pretendimi se përderisa universalizmi është ndjekur seriozisht si doktrinë politike në botën moderne, origjinat e tij duhen kërkuar në kuadrin e veçantë socio-ekonomik të kësaj bote. Ekonomia-botë kapitaliste është një sistem i ndërtuar mbi akumulimin e pandalshëm të kapitalit. Një prej mekanizmave kryesorë që e bën të mundur është shndërrimi në mall i gjithçkaje. Këto mallra qarkullojnë në një treg botëror në trajtën e të mirave, kapitalit dhe fuqisë punëtore. Hamendësisht, sa më i lirshme rrjedhja, aq më e lartë shkalla e shndërrimit në mall. Për pasojë gjithçka që e kufizon rrjedhën është hipotetikisht kundërtreguese.

Gjithçka që u ndalon të mirave, kapitalit dhe fuqisë punëtore të shndërrohen në mall të tregtueshëm shërben për t’i kufizuar këto rrjedha. Gjithçka që përdor si kriter të vlerësimit të të mirave, kapitalit apo fuqisë punëtore diç tjetër nga vlera e tyre e tregut, dhe paskëtaj u jep këtyre vlerësimeve të tjera përparësi, e bën sendin të patregtueshëm ose, së paku, më pak të tregtueshëm. Kësisoj, sipas një logjike të paqortueshme, pretendohet se partikularizmat e çdo lloji janë të papërputhshme me logjikën e një sistemi kapitalist ose përbëjnë, të paktën, një pengesë në funksionimin e tij optimal. Për pasojë brenda një sistemi kapitalist është i domosdoshëm pohimi dhe zbatimi i një logjike universaliste si një element thelbësor i akumulimit të pandalshëm të kapitalit. Kësisoj flitet për marrëdhëniet shoqërore kapitaliste si ‘tretës universal’, që punon për të reduktuar gjithçka në një trajtë homogjene malli, që shënohet nga një masë e vetme paraje.

Pretendohet se kjo sjell dy pasoja. Lejon eficiencën më të lartë të mundshme në prodhimin e të mirave. Sidomos, po t’i referohemi fuqisë punëtore, nëse zbatohet parimi ‘karrierë e hapur për talentet’ (një prej parullave të lindura nga Revolucioni Francez), me gjasë do të vendosim personat më kompetentë në rolet më të përshtatshme për ta në ndarjen botërore të punës. Në të vërtetë kemi ndërtuar mekanizma të tërë institucionalë – sistemin shkollor shtetëror, shërbimin civil, rregullat antinepotizëm – me qëllim vendosjen e asaj që sot e quajmë sistem ‘meritokratik’.

Thuhet gjithashtu se meritokracia është jo vetëm më eficiente ekonomikisht, por edhe më stabilizuese politikisht. Argumentohet se aty ku ka pabarazi në shpërndarjen e të mirave në kapitalizmin historik (si në sistemet e mëparshme historike), mllefi i kujt merr më pak të mira ndaj atyre që marrin më shumë është më i dobët sepse justifikimi bazohet te merita dhe jo te tradita. Domethënë mendohet se për shumicën e njerëzve privilegji i fituar nga merita është disi më i pranueshëm, moralisht dhe politikisht, sesa privilegji i fituar me trashëgimi.

Kjo është një sociologji politike e dyshimtë. E vërteta qëndron krejt ndryshe. Privilegji i fituar me trashëgimi ka qenë i pranuar prej kohësh, së paku në mënyrë margjinale, nga të shtypurit për shkak të besimeve mistike dhe fantastike në një rend të përjetshëm, në të cilin besimi u jep së paku ngushëllimin e sigurisë, kurse privilegji i fituar për shkak se dikush është me gjasë më i zgjuar dhe me siguri më i arsimuar se një tjetër është tejet më i vështirë për t’u kapërdirë, hiq ata pak vetë që janë duke u ngjitur shkallëve. Askush që nuk është jupi[1] (yuppie) nuk i do apo admiron jupit. Të paktën princat mund të dukeshin si figura atërore dashamirëse. Jupi s’është tjetër veçse një sivëlla i mbiprivilegjuar. Politikisht sistemi meritokratik është nga më pak të stabilizuarit. Pikërisht për shkak të kësaj brishtësie politike hyjnë në lojë racizmi dhe seksizmi.  

Kurba hamendësisht rritëse e ideologjisë universaliste është teorizuar prej kohësh si e shoqëruar nga një kurbë rënëse e shkallës së pabarazive me burim racën apo gjininë – edhe ideologjikisht, edhe faktikisht. Sidoqoftë nuk ka ndodhur kështu praktikisht. Mund të ndërtojmë argumentin e kundërt, sipas të cilit kurbat e pabarazive racore dhe gjinore janë rritur në botën moderne ose, së paku, nuk janë ulur – me siguri faktikisht, mundësisht edhe në ideologji. Për ta kuptuar pse, duhet të shohim se ç’pohojnë në të vërtetë ideologjitë e racizmit dhe seksizmit.

Racizmi nuk është thjesht çështje e të pasurit një qëndrim përçmues apo të frikësuar ndaj dikujt që vjen nga një grup tjetër, që përkufizohet sipas kritereve gjenetike (si p.sh. ngjyra e lëkurës) apo shoqërore (përkatësia fetare, modelet kulturore, preferencat gjuhësore e kështu me radhë). Normalisht që racizmi përfshin edhe përçmimin dhe frikën, por është mjaft më shumë se kaq. Përçmimi dhe frika janë tipare dytësore në raport me çka e përkufizon praktikën e racizmit në ekonominë-botë kapitaliste. Në të vërtetë mund të argumentohet edhe se përçmimi dhe frika nga tjetri (ksenofobia) është një aspekt i racizmit që mbart një kontradiktë.

Në të gjitha sistemet e mëparshme historike ksenofobia ka pasur një pasojë sjellore parësore: dëbimi i ‘barbarit’ nga vendndodhja fizike e bashkësisë, shoqërisë apo grupit – ku vdekja ishte rasti i skajshëm i dëbimit. Kurdoherë që e dëbojmë fizikisht tjetrin, fitojmë ‘pastërtinë’ e mjedisit që po kërkojmë, por nga ana tjetër humbasim medoemos diçka. Humbasim fuqinë punëtore të personit të dëbuar dhe, për pasojë, kontributin e tij në krijimin e një teprice që mund ta përvetësonim rregullisht. Kjo përfaqëson një humbje për çdo sistem historik, por është veçanërisht serioze në rastin e një sistemi, e tërë struktura dhe logjika e të cilit ndërtohen rreth akumulimit të pandalshëm të kapitalit.

Sistemi kapitalist në ekspansion (gjë që ndodh gjysmën e kohës) ka nevojë për të gjithë fuqinë punëtore të mundshme, përderisa kjo punë prodhon të mirat nëpërmjet të cilave prodhohet, realizohet dhe akumulohet më shumë kapital. Dëbimi nga sistemi është i pakuptimtë. Po nëse duhet maksimizuar akumulimi i kapitalit, është i domosdoshëm njëkohësisht minimizimi i kostove të prodhimit (rrjedhimisht i kostove të fuqisë punëtore) dhe minimizimi i kostove të ndërprerjes politike (rrjedhimisht minimizimi, jo eliminimi se nuk mund të eliminohen, i protestave të forcës punëtore). Racizmi është formula magjike që i pajton këta objektiva.

E hedhim vështrimin drejt një prej diskutimeve më të hershme dhe të famshme rreth racizmit si ideologji. Kur evropianët mbërritën në Botën e Re, takuan njerëz të cilët i masakruan – ose drejtpërdrejt nëpërmjet shpatës, ose tërthorazi prej sëmundjeve. Një frat spanjoll, Bartolomé Las Casas-i, mori anën e tyre, duke argumentuar se indianët kishin shpirt që duhej shpëtuar. Ndjekim implikimet e argumentit të Las Casas-it, i cili fitoi pranimin formal të kishës dhe, më pas, të shteteve: Meqenëse indianët kishin shpirt, ata ishin qenie njerëzore dhe mbi ta zbatoheshin rregullat e ligjit natyror. Kësisoj nuk ishte e lejueshme moralisht t’i vrisje ata (t’i dëboje nga domeni). Ishte e detyrueshme të kërkoje të shpëtoje shpirtrat e tyre (duke i konvertuar në vlerën universaliste të krishterimit). Përderisa do të ishin të gjallë dhe hamendësisht rrugës së konvertimit, ata do të integroheshin në forcën punëtore – sigurisht sipas nivelit të aftësive, që donte të thoshte në fund të hierarkisë së zanateve dhe shpërblimeve.   

Praktikisht racizmi ka marrë trajtën e asaj që mund të quhet ‘etnizim’ i forcës punëtore, me anë të të cilit nënkuptoj se gjatë gjithë kohës ka ekzistuar një hierarki zanato-shpërblyese që ka pasur prirjen të jetë në korrelacion me disa kritere të ashtuquajtura shoqërore. Po ndërsa modeli i etnizimit ka qenë konstant, detajet kanë ndryshuar nga vendi në vend dhe koha në kohë, sipas faktit se cila pjesë e gjenetikës njerëzore dhe pellgjeve shoqërore është vendosur në një kohë dhe vend të caktuar dhe cilat kanë qenë nevojat hierarkike të ekonomisë në atë kohë dhe vend.

Prandaj racizmi ka kombinuar gjithnjë pretendimet e bazuara te vazhdimësia e të shkuarës (gjenetike dhe/ose shoqërore) me një fleksibilitet të orientuar kah e tashmja në përkufizimin e kufijve të saktë të këtyre entiteteve të sendëzuara që i quajmë raca apo grupime ento-kombëtaro-fetare. Fleksibiliteti i pretendimit të një lidhjeje me kufijtë e të shkuarës, i kombinuar me rivizatimin konstant të këtyre kufijve në të tashmen, merr trajtën e krijimit dhe rikrijimit konstant të grupeve ose bashkësive racore dhe/ose ento-kombëtaro-fetare. Ato kanë qenë gjithnjë këtu dhe janë renditur gjithmonë në mënyrë hierarkike, por nuk kanë qenë ngaherë ekzaktësisht të njëjta. Disa grupe mund të jenë të lëvizshme në sistemin rendor; disa grupe mund të zhduken ose të kombinohen me të tjera; ndërsa disa të tjera ndahen dhe lindin grupe të reja. Po gjithmonë ka syresh që janë ‘negër’. Nëse nuk ka zezakë ose ata janë fare të pakët për të luajtur ndonjë rol, mund të shpiken ‘negrit e bardhë’.

Ky lloj sistemi – racizëm konstant në formë dhe vrer , por disi fleksibël në linja kufitare – kryen tejet mirë tri gjëra. Lejon të zgjerohet ose zvogëlohet numri i atyre që në një zonë të caktuar hapësinoro-kohore kanë rolet ekonomike më pak të paguara, sipas nevojave aktuale. Bën të lindin dhe të rikrijohen vazhdimisht bashkësi shoqërore që i shoqërizojnë fëmijët për të marrë rolet e përshtatshme (ndonëse, sigurisht, i shoqërizojnë edhe në trajta rezistence). Dhe ndërton një bazë jomeritokratike për të justifikuar pabarazinë. Kjo pikë e fundit duhet nënvizuar. Pikërisht për shkak se racizmi është antiuniversalist në doktrinë, ai ndihmon në mirëmbajtjen e kapitalizmit si sistem. Për një segment madhor të forcës punëtore ai mundëson një shpërblim tejet më të ulët nga sa mund të justifikohej bazuar te merita.  

Po nëse kapitalizmi si sistem shkakton racizmin, a ka nevojë të shkaktojë edhe seksizmin? Po, sepse të dyja janë të lidhura ngushtë. Etnizimi i forcës punëtore ekziston për të lejuar paga tejet të ulëta për segmente të tëra të forcës punëtore. Këto paga të ulëta janë të mundshme vetëm sepse rrogëtarët vendosen në struktura shtëpiake, ku të ardhurat nga paga sigurojnë vetëm një pjesë relativisht të vogël të të ardhurave totale të familjes. Këto familje kërkojnë shtënie ekstensive pune në të ashtuquajturat veprimtari mbijetese apo tregtime me pakicë – pjesërisht nga meshkujt e rritur, por në pjesën më të madhe nga femrat e rritura, plus të rinjtë dhe të moshuarit e të dyja sekseve.

Në një sistem të tillë, kjo shtënie pune në punën pa pagë ‘kompenson’ nivelin e ulët të të ardhurave nga paga dhe, për pasojë, përfaqëson një subvencion indirekt për punëdhënësit e punëtorëve me pagë të këtyre familjeve. Seksizmi nuk na lejon të mendojmë për këtë. Seksizmi nuk është thjesht imponimi i roleve të ndryshme, madje edhe të nënvlerësuara, të punës ndaj grave, ashtu sikundër racizmi nuk është thjesht ksenofobi. Racizmi nënkupton t’i mbash njerëzit brenda sistemit të punës, jo dëbimin e tyre; edhe seksizmi ka të njëjtin qëllim. Gratë – dhe të rinjtë e të moshuarit – shtyhen të punojnë për të krijuar mbivlerë për pronarët e kapitalit, që nuk i paguajnë aspak, duke proklamuar se puna e tyre në të vërtetë është jopunë. Ne shpikim ‘shtëpiaken’ dhe pohojmë se ajo nuk po ‘punon’, por thjesht ‘po kujdeset për shtëpinë’. Kësisoj, kur qeveria llogarit përqindjen e të ashtuquajturës forcë pune aktive, që janë të punësuarit, ‘shtëpiaket’ nuk janë as në numëruesin dhe as në emëruesin e thyesës. Seksizmi shoqërohet nga moshizmi (diskriminimi sipas moshës – Shën. përkth.) Siç pretendojmë se puna e shtëpiakes nuk krijon mbivlerë, po ashtu pretendojmë se shtënia e punës së shumëfishtë të të rinjve dhe të moshuarve pa pagë nuk e krijon atë.

Asnjëra prej këtyre nuk pasqyron realitetin konkret. Po të gjitha i përkasin një ideologjie tejet të fuqishme, brenda të cilës përputhen të gjitha. Kombinimi universalizëm-meritokraci, që shërben si bazë prej të cilës kuadrot apo shtresa e mesme mund të legjitimojnë sistemin dhe racizëm-seksizëm që shërben për të strukturuar shumicën e forcës punëtore, funksionon më së miri. Po vetëm deri në një farë pike, për një arsye të thjeshtë: dy modelet ideologjike të ekonomisë-botë kapitaliste janë në kontradiktë të hapët me njëra-tjetrën. Ky kombinim delikat rrezikon ngaherë të dalë jashtë kontrollit, ndërsa grupe të ndryshme nisin ta shtyjnë shumë larg si logjikën e universalizmit, ashtu edhe atë të seksizëm-racizmit.

E dimë se çfarë ndodh kur racizëm-seksizmi shkon shumë larg. Racistët mund të orvaten ta dëbojnë tërësisht grupin e diskriminuar – rrufeshëm, si në rastin e masakrimit nazist të hebrenjve; më pak rrufeshëm si në rastin e aparteidit tërësor. Të çuara në ekstrem, këto doktrina janë të paarsyeshme dhe, si të tilla, kundërshtohen. Kundërshtohen, natyrisht, nga viktimat, por edhe nga forcat ekonomike madhore që nuk kanë gjë me racizmin, por me faktin se anashkalohet objektivi i tyre parësor – një forcë punëtore e entizuar dhe produktive.

Mund të imagjinojmë se ç’ndodh kur universalizmi shkon shumë larg. Disa njerëz mund të kërkojnë të jetësojnë një shpërndarje vërtet barazimtare të roleve të punës dhe shpërblimeve nga puna, në të cilat raca (apo ekuivalentet e saj) dhe gjinia nuk luajnë ndonjë rol. Ndryshe nga racizmi i çuar në ekstrem, nuk ka një mënyrë të rrufeshme për ta çuar universalizmin në ekstrem, pasi duhen eliminuar jo thjesht barrierat ligjore dhe institucionale ndaj universalizmit, por edhe modelet e përbrendësuara të etnizimit – çka, në rastin më të mirë, kërkon doemos një brez. Kësisoj është e lehtë t’i rezistosh universalizmit të çuar në ekstrem. Në emër të vetë universalizmit mund të denoncohet i ashtuquajturi racizëm i përkundërt sa herë që hidhen hapa për të çmontuar aparatin e institucionalizuar të racizmit dhe seksizmit.

Kemi përpara syve një sistem që operon përmes një lidhjeje të tendosur midis dozës së duhur të universalizmit dhe racizëm-seksizmit. Ngaherë ka përpjekje për të çuar ‘shumë larg’ njërën apo tjetrën anë të ekuacionit. Rezultati është një lloj zig-zagu. Kjo mund të vazhdojë pambarimisht, ama ka një problem. Me kalimin e kohës, zigat dhe zaget bëhen më të mëdha, jo më të vogla. Shtysa drejt universalizmit po bëhet më e fortë. Po ashtu shtysa drejt racizmit dhe seksizmit. Trofetë rriten – për dy arsye.

Nga njëra anë ekziston impakti informues i akumulimit të përvojës historike nga të gjithë pjesëmarrësit. Nga ana tjetër ka prirje të vazhdueshme të vetë sistemit. Pasi zig-zagu i universalizmit dhe racizëm-seksizmit nuk është i vetmi zig-zag i sistemit. Ka edhe një zig-zag të ekspansionit dhe kontraktimit ekonomik, me të cilin ndërlidhet pjesërisht zig-zagu ideologjik i universalizmit dhe racizëm-seksizmit. Edhe zig-zagu ekonomik po bëhet më i thiktë. Se pse ndodh kështu është tjetër histori. Megjithatë, ndërsa kontradiktat e përgjithshme të sistemit-botë modern e shtrëngojnë sistemin drejt një krize strukturore të gjatë, lokusi më akut ideologjiko-institucional i kërkimit të një sistemi pasardhës vendoset faktikisht në tensionin në rritje, zigat dhe zaget në rritje, midis universalizmit dhe racizëm-seksizmit. Nuk është fjala se cila prej gjysmave të antinomisë do të fitojë disi, përderisa ato janë lidhura intimisht dhe konceptualisht me njëra-tjetrën. Fjala është nëse dhe si do të shpikim një sistem të ri që nuk do të përdorë as ideologjinë e universalizmit, as ideologjinë e racizëm-seksizmit. Kjo është detyra jonë dhe nuk është aspak e lehtë.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga libri i Etienne Balibar-it dhe Immanuel Wallerstein-it: “Race, Nation, Class: Ambiguous Identities”, Verso (2005), f. 30-36.

Imazhi: Charles White


[1] Në vitet 1980 quheshin kështu anëtarët e suksesshëm të klasës së mesme profesionale, pozita ekonomike e të cilëve u rrit ndjeshëm gjatë reformave neoliberale të asaj kohe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.