Nënnjerëzit

/Alfred Bushi/

Domenico Losurdo-ja, autori i një prej veprave kritike më interesante mbi historinë e liberalizmit “Controstoria del liberalismo”, shkruan se për të kuptuar siç duhet Rajhun e Tretë është e rëndësishme të njohim traditën koloniale  të Shteteve të Bashkuara. Gjermania naziste, sipas tij, nuk është tjetër përveç se orvatja për të realizuar në Evropë atë që Shtetet e Bashkuara kanë arritur gjatë historisë së tyre koloniale në Far West ndaj popullsive vendëse të lëkurëkuqve. Përpos  kolonializmit, rëndësi po aq të madhe ka edhe të kuptuarit e raportit mes racave brenda kësaj shoqërie. Është gjithashtu e pamundur – për ta vazhduar më tej logjikën krahasimore në këtë periudhë revoltash kundër racizmit dhe shtypjes  –  që ta kuptojmë natyrën e racizmit sot në Shtetet e Bashkuara pa kuptuar historinë koloniale dhe historinë e skllavërisë; me pak fjalë pa kuptuar kundërhistorinë e liberalizmit në këtë vend.

Për të dhënë më mirë idenë e raportit që ekziston mes skllavërisë dhe kolonializmit të Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë naziste Losurdo-ja merr shembull një term kyç të doktrinës së racizmit – untermensch (nënnjeri),  i cili në Gjermaninë naziste përshkruante ato qenie që vetëm në dukje janë njerëzore, ndërsa çdo pjesë tjetër e tyre është shtazarake dhe u përket qenieve të ulëta. Për sa i përket origjinës, ky term është  thjesht përkthim i fjalës underman, e futur në ligjërimin politik amerikan nga supremacisti i bardhë Lothrop Stoddard për të përshkuar racën e ulët të zezakëve. Aq e ulët dhe e parëndësishme është jeta e këtyre nënnjerëzve, sa për ta ka vetëm dy alternativa: nënshtrimi ose vdekja. Ky ishte fati që në Shtetet e Bashkuara u rezervohej rëndom zezakëve, lëkurëzinjve, vagabondëve apo të burgosurve në shtëpitë e punës. Njëlloj si zezakët – nënnjerëz – konsideroheshin hebrenjtë dhe popujt e tjerë lindorë për nazistët.

Të bësh historinë e liberalizmit në Shtetet e Bashkuara (si doktrinë politike drejtuese e këtij vendi), mbase edhe më gjerë, është e njëjta gjë si të bësh historinë e kontradiktave të liberalizmit. Çdo akt në dukje emancipues në historinë e këtij vendi sjell me vete një akt çemancipues; çdo përfshirje është sakaq përjashtim. Bashkësia e njerëzve të lirë e të bardhë në fillim përcaktohej nga hapësira, që do të thotë se në raportin metropol/koloni vetëm metropoli e kishte privilegjin e të qenit një hapësirë e lirë dhe e civilizuar, ndërsa kolonitë nuk e kishin këtë privilegj. Kështu, nëpërmjet kryengritjes së kolonëve rebelë, kolonitë arritën ta fitonin lirinë, statusin e një populli e vendi të lirë, duke u shkëputur politikisht nga perandoria që i kishte mbajtur prej vitesh nën nënshtrim dhe jashtë hapësirës së shenjtë të civilizimit e lirisë. Mirëpo me pavarësinë, bashkësia e të lirëve tani e tutje nuk përcaktohej më nga hapësira, por nga etnia dhe raca. Me Naturalization Act-in e vitit 1790, vetëm të bardhët mund të konsideroheshin qytetarë të SHBA. Ja pra një vend që lufton për lirinë dhe civilizimin nuk bën dot pa skllavërinë e barbarinë. E kur themi zezakët po themi si të lirët ashtu edhe skllevërit mes tyre. Madje edhe në ato shtete ku skllavëria u hoq ligjërisht, zezakët e lirë trajtoheshin në të njëjtën mënyrë si skllevërit, në mos më keq,  duke rënë pre e tiranisë së ligjeve dhe intolerancës së zakoneve. Pothuajse në të gjitha shtetet ku skllavëria është hequr –  shkruan Tocqueville-i – zezaku ka të drejtën e votës, por nëse shkon të votojë ai rrezikon të vritet. Ndërkohë mes të bardhëve skllavëria zhduket plotësisht pasi –  në sytë e shoqërisë së mirë të Nju Jorkut – ajo është kundër parimeve të lirisë që ky vend me kaq gëzim ka përqafuar. Rrjedhimisht edhe më të varfrit mes të bardhëve do të jenë pjesë e hapësirës së shenjtë (ekskluzive) të racës së të lirëve. Në këtë kuptim, emancipimi i të bardhëve të varfër tregon thjesht anën tjetër të çemancipimit të zezakëve, gjendja e të cilëve sa vjen dhe përkeqësohet.

Megjithatë, me kalimin e viteve dhe me ashpërsimin e kontradiktave shoqërore, zezakët nisën të organizoheshin duke zhvilluar herë pas herë kryengritje të cilat fatkeqësisht gati gjithnjë përfunduan me disfatë; përveç revolucionit të Santo-Domingo- Haitit, i cili solli krijimin e shtetit të parë të lirë nga skllavëria në kontinentin amerikan. Po edhe në këtë rast shteti i ri fqinj u pa me shqetësim nga Shtetet e Bashkuara, pikërisht sepse përbënte një ngjarje frymëzuese dhe shprese për lirinë e të gjithë zezakët e saj, qofshin ata të skllavëruar apo të lirë. Shkruan Losurdo-ja duke cituar  The Times-in: “Një shtet i zezakëve në arkipelagun perëndimor është kryekëput i papërputhshëm me sistemin e kolonializmit evropian në tërësi.” Një sistem kolonial i bazuar te skllavëria, shfrytëzimi i burimeve natyrore, por i justifikuar me superioritetin racor dhe mençurinë sipërore të evropianëve dhe të bardhëve në tërësi. Fatkeqësisht Shtetet e Bashkuara, pa harruar Francën, jo vetëm refuzuan ta njohin vendin e lindur nga revolucioni i zezakëve, por bënë çmos për ta izoluar, dobësuar dhe përmbysur atë. Çdo tentativë e zezakëve për të fituar lirinë përfundon në gjakderdhje e masakra masive. 

Ende sot kërkesa e zezakëve për drejtësi dhe për të qenë realisht të lirë përkthehet në masakra dhe shtypje. Për sa kohë bashkësia e të lirëve (të bardhë) do të vazhdojë ende të përcaktohet edhe nga raca, ngjyra e lëkurës, alternativat për pjesën dërrmuese të zezakëve do të vazhdojnë të mbeten të njëjta: nënshtrim ose vdekje. Sado të emancipohet shoqëria amerikane, një pjesë e mirë e saj do të vazhdojë të jetë e përjashtuar. Kjo është logjika e kapitalizmit, është logjika e përfshirjes së një pjesë të vogël dhe e përjashtimit të vazhdueshëm të shumicës, pa të cilën sistemi nuk funksionon. Fatkeqësia është se shumica e të përjashtuarve është edhe me ngjyrë të zezë. Kontradikta është karakteristika kryesore e liberalizmit: një pjesë është e lirë, e civilizuar, e pasur, sipërore në gjithçka, por kjo nuk do të ishte e mundur pa skllevërit, të pashkolluarit, të vobektit – nënnjerëzit që mbajnë mbi supet e tyre shoqërinë e lirë dhe krenare. Kështu një “qenie inferiore”, një untermensch, ende sot nuk mund të guxojë t’i kthejë fjalën një qenieje sipërore siç është i bardhi, sado çomange qoftë ky i fundit.

Revoltat e këtyre ditëve nuk janë tjetër përveçse tentativat e herëpashershme për të zhbërë këto kontradikta shoqërore. Ato nuk mund të kuptohen jashtë traditës skllavopronare të SHBA, jashtë historisë së kolonializmit të saj. Një histori kjo e karakterizuar nga shfarosja, shpronësimi, skllavërimi dhe shfrytëzimi i tjetrit më të dobët. Zezakët kanë shekuj që nuk po arrijnë dot ta heqin rrobën e skllavit dhe të nënshtruarit të përjetshëm nga i bardhi që e mendon veten superior për shkak të ngjyrës së lëkurës, pasurisë, pushtetit apo çfarëdolloj tipari tjetër që zakoni ose kultura sunduese e përcaktojnë si dallim thelbësor. Mbase po afrohen ditët kur do t’i jepet fund një herë e përgjithmonë kësaj skllavërie shekullore, kësaj tentative fashiste për t’iu imponuar zezakëve dy alternativa poshtëruese: nënshtrimin ose vdekjen.

Imazhi: The Independent

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.