Mijëra protestojnë kundër shtypjes dhe racizmit

/Kimberly Ann/

Të premten rrugët e Nju Jorkut u mbushën me mijëra  protestues të pajisur me maska mbrojtëse, të cilët kërkonim   drejtësi për vrasjet e  George Floyd-it, Breonna Taylor-it,  Sean Reed-it  dhe Tony McDade-it, si dhe për vrasjen e Ahmaud Arbery-t nga supremacistët e bardhë. Ata u konfrontuan me policinë e Nju Jorkut, e cila u përgjigj me dhunë dhe shtypje brutale, duke përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës, shkopinjve të gomës dhe qindra arrestime të paligjshme. 

Megjithëse protestat  në Nju Jork kundër brutalitetit policor kanë fituar vëmendje të gjerë nëpër media dhe nga politikanë të ndryshëm, shkalla reale e arrestimeve dhe dhunës së ushtruar nuk është shfaqur si duhet. Qytetarët e Nju Jorkut po kërkojnë drejtësi dhe nuk kanë ndër mend të zmbrapsen. Më poshtë po paraqesim një skicë të ngjarjeve të ndodhura gjatë protestave në Nju Jork.

Protestuesit mobilizohen në Manhatanin e poshtëm

Protesta e së premtes filloi në sheshin Foley, ku rreth 1000 protestues u mblodhën duke kënduar, me lule dhe pankarta nëpër duar, mbajtur fjalime që dënonin jo vetëm vrasjen e George Floyd-it, por edhe rastet e panumërta të sjelljeve raciste  të dhunshme nga departamenti i policisë ndër vite. Shumë prej fjalimeve e lidhën përshkallëzimin e brutalitetit policor me vrasjen e Eric Garner-it në vitin 2014, duke shprehur qartë atë që komuniteti afro-amerikan e di prej kohësh: sistemi i policisë raciste nuk është i “infektuar” nga disa policë të këqij të pakët në numër, por forca policore nuk e ka respektuar kurrë jetën e njerëzve të këtij komuniteti.

Një pjesë e protestuesve të mbledhur gjatë paradites tentuan të bllokonin rrugët rreth sheshit, por menjëherë u sulmuan dhe u arrestuan. Teksa protesta rritej në përmasa, thirrjet që denonconin vrasjen e George Floyd-it jehonin në të gjithë sheshin dhe njerëzit mbushën rrugët duke bllokuar trafikun. Më pas turma marshoi drejt një gjykate dhe qendre dënimi aty pranë, ku u përballën me policinë. Protestuesit u arrestuan nga policë të veshur civilë, të cilët kishin marshuar gjithë kohës bashkë me ta. Të detyruar të shpërndaheshin nga barrikadat e policisë dhe dhuna e njësive antiprotestë, marshuesit u ndanë në grupe të ndryshme në të gjithë Manhatanin e poshtëm dhe urën e Bruklinit. 

Teksa mijëra kërkojnë drejtësi, policia përdor sprej lotsjellës!

Më shumë se 2000 njerëz mbushën për rreth 3 orë sheshin përpara stadiumit  “Barcalys Center” dhe zonës përqark. Aty gjetën rreshta të tërë me policë të njësive antiprotestë – shumë prej tyre pa maska mbrojtëse – duke pritur pas barrikadave përpara metrosë. Brohoritjet “DUART LART, MOS QËLLONI!”, “THONI EMRIN E TIJ!”, “SI GERMËZOHET RACIST? NYPD!” jehonin në të gjithë sheshin. Protestuesit mbanin në duar lule dhe pankarta me fytyrat Breonna Taylor-it,  George Floyd-it,  Ahmaud Arbery-t,  Sean Reed-it dhe Tony McDade-it. Pasi policët filluan të shtynin protestuesit, ata u përgjigjën duke hedhur shishe me ujë. Pas kësaj, policia përdori gaz lotsjellës drejt tyre. Fishekzjarrët filluan të shpërthenin nëpër rrugë, ndërsa protestuesit përpiqeshin të mbroheshin nga policët që ishin sulur brenda turmës për të kryer arrestime. Të mos ngatërrohemi: sipas urdhrave të kryetarit Bill de Blasio, policia e Nju Jorkut ishte në shesh me gjithë forcat e saj me qëllim të vetëm shtypjen e protestës. Zemërimit të qytetarëve policia iu përgjigj me 10-fishin e dhunës. Ne duhet të kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë të arrestuarve, përfshirë Samantha Shader-in, e cila akuzohet për shkelje federale pasi dyshohet të ketë goditur një furgon policie me lëndë plasëse. Më vonë atë natë u shfaqën autobusët për të transportuar të arrestuarit nëpër burgje. Po teksa policët plasnin protestuesit  nëpër autobusë, nëpërmjet një akti vendimtar solidariteti, shoferët refuzuan t’i transportonin, duke u shprehur se refuzonin të bëheshin bashkëpunëtorë me policinë në shtypjen e protestuesve dhe vrasjet raciste. Turma që dëshmoi ngjarjen mori flakë, duke brohoritur për shoferët dhe solidaritetin e tyre. Më vonë sindikata e tyre nxori një deklaratë nëpërmjet së cilës bënte me dije se të gjithë anëtarët e saj do të refuzonin të transportonin të arrestuarit drejt burgjeve.

Furgoni i policisë digjet mes barrikadave

Pasi protesta para Barclays Center-it u shpërnda nga policia, grupe protestuesish u ndanë nëpër vendndodhje të ndryshme. Rreth 200 njerëz u mblodhën përpara Fort Greene Park-ut, ku u gjendën përsëri përballë qindra policëve, të cilët pa arsye përdorën gaz lotsjellës. Demonstruesit filluan të brohorasin: “George Floyd” dhe më shakatoren por të mirëpriturën “NYPD, Suck My Dick!”. Tensioni u përshkallëzua dhe protestuesit filluan të gjuanin drejt turmës së policëve  me gurë, tullumbace të mbushura me bojë dhe shishe qelqi e plastike. Policia u detyrua të tërhiqej, ndërsa makinat e tyre u lëshuan mes protestuesve që kishin bllokuar rrugët. Pasi policia u largua, protestuesit i vunë flakën një makine policie të braktisur dhe filluan të ngrinin barrikadat nëpër rrugë. Ndërkohë në hyrje të parkut, një tjetër grup protestuesish po përballej me policinë, duke mos i lejuar të futeshin në zonën e Greene Park-ut.

Protestuesit rrethojnë komisariatet e policisë

Komisariatet në të gjithë Bruklinin u rrethuan nga protestuesit, të cilët kërkonin drejtësi për të vrarët në duart e policisë. Sheshi përpara komisariatit 88 ishte aq i tejmbushur, saqë oficeri Dermot Shea aktivizoi “mobilizimim e nivelit të tretë”, i cili vendos në gatishmëri të gjitha njësitë speciale. Protestuesit i vunë flakën një furgoni policie dhe penguan rrugën e patrullave të tjera. Në komisariatin e 79, disa protestues arritën të futeshin brenda, por u arrestuan. Përplasjet u bënë të dhunshme dhe policët përdorën forcë brutale dhe shkopinj gome për të goditur protestuesit. Më vonë askush nuk u lejua të afrohej në komisariate për të mbështetur dhe ndihmuar të arrestuarit. Përgjatë qytetit të gjitha komisariatet u rrethuan nga protestues, të cilët kërkonin drejtësi jo vetëm për George Floyd-in, por për të gjitha viktimat e sistemit racist policor.

Drejtësi për George Floyd-in dhe të gjitha viktimat e dhunës shtetërore

Vrasja e George Floyd-it ishte një moment shpërthimi i fuçisë së barutit, i ndezur nga tensioni në rritje mes popullit dhe një sistemi racist i cili vret pa pasur frikë nga ndëshkimi. Ndjenja e ngutshmërisë për drejtësi është e prekshme. Megjithëse protestat filluan në Mineapolis, turma gjithnjë e më të mëdha janë mbledhur në të gjitha qytetet kryesore të Amerikës, duke u solidarizuar kundër dhunës policore. Çdo qytet në Amerikë ka kujtimet e tij mbi anëtarët e komunitetit të vrarë nga dhuna policore. “Nuk mund të marr frymë” ishte parulla e zgjedhur nga “Black Lives Matter” kur Eric Garner-i u vra nga NYPD gjashtë vite më parë. Gjashtë vite më vonë, ne brohorasim të njëjtën thirrje nëpër rrugë, kësaj here për George Floyd-in, një tjetër afro-amerikan i vrarë nga institucionet raciste; dhe jo vetëm për të, por për gjithë viktimat e brutalitetit policor. Nuk ka asnjë shpresë për vetëkontroll nga kjo organizatë e korruptuar. Komuniteti e provoi të gjunjëzohej dhe asgjë e mirë nuk ndodhi. Ndërsa sot ne pushtojmë rrugët!

E përktheu Frenklin Elini

Marrë nga LeftVoice

Imazhi: Gabriela Bhaskar/The New York Times

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.