Progres në teknologji apo në pabarazi?

/Klejda Rrapaj/

Arritjet teknologjike si fitorja më premtuese e njeriut mbi forcat e natyrës duhet t’i shërbenin po njeriut në lehtësimin e kushteve të jetesës dhe realizimin po ashtu të një jete sa më të dinjitetshme. Njerëzimi u ka dhënë përherë kuptim arritjeve në teknologji përmes logjikës objektive sipas së cilës shoqëria jonë të mund të vazhdojë ekzistencën e saj e pangërthyer nga lufta për mbijetesë. Të kuptuarit e arritjeve shkencore në të tillë mënyrë, pra si çlirim nga orvatjet për të siguruar jetesën, njëherazi do të thotë të mohosh kurthin në të cilën logjika kapitaliste ka ngërthyer çdo fitore të njeriut mbi forcat e natyrës.

Në këtë mënyrë përmirësimi i kushteve të jetesës si pasojë e zhvillimit të mjeteve teknologjike për prodhimin e të mirave, duhet të jetë një e mirë e aksesueshme nga e gjithë shoqëria dhe jo të mbetet e përqendruar në duart e disave, siç ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në kohën tonë. Ky interpretim i zhvillimit të mjeteve teknologjike zhbën iluzionin e ardhjes së një epoke teknologjike të ëndrrave për të gjithë, kur në të vërtetë kemi të bëjmë me thellimin akoma më të madh të hendekut ekonomik midis klasave shoqërore.

Në kontrast me ç’na bëjnë të besojmë, që zhvillimi teknologjik lidhet tërësisht me dijen shkencore dhe qëndron i izoluar diku larg nga marrëdhëniet shoqërore dhe ekonomike, në të vërtetë ai është ngushtësisht i lidhur me to dhe me ligjet që imponojnë një grusht i vogël njerëzish për gjithë pjesën tjetër të shoqërisë. Kësisoj lind nevoja e të kuptuarit të diktateve të të ashtuquajturit treg të lirë edhe mbi fushën e teknologjisë.

Fillimisht do të bëj një dallim midis koncepteve të shkencës dhe teknologjisë. Qëllimi i shkencës në vetvete është bërja e botës më shumë të lexueshme nga të gjithë, çmitizimi proceseve dhe futja nën sipërfaqen e gjërave për të nxjerrë të vërtetat brenda tyre. Teknologjia, nga ana tjetër, është e ndryshme pasi ajo lidhet me bërjen që diçka të funksionojë, paçka nëse kuptohen apo jo proceset. Lidhur me shkencën, devijimi i saj nga roli i vlefshmërisë universale është artikuluar më së miri nga shumë filozofë, duke filluar që nga Platoni i cili bënte thirrje që matematika të riafirmohej kundër organizimit të saj përzgjedhës dhe aristokratik, pikërisht se kthjelltësia e mendimit të kulluar u përket të gjithëve. Por zhvillimi i shkencave, ashtu si çdo aspekt tjetër i shoqërisë njerëzore, nuk mund të mos ndikohet dhe madje të ripilotohet nga  marrëdhëniet shoqërore. Filozofi Edmond Husserl  shkruan në veprën e tij “Kriza e shkencave evropiane dhe fenomenologjia transhendentale”: “Shkenca moderne është metodologjia e një realiteti të paradhënë historik, brenda universit në të cilin ajo lëviz.” Pra ai na thotë se struktura shoqërore-historike në të cilën vjen shkenca moderne (por jo vetëm ajo), përcakton edhe mënyrën se si do të përdoret ajo. Si gjithmonë, për të argumentuar vërtetësinë e teorisë duhet të hedhim sytë nga çfarë na thotë praktika lidhur me këtë çështje.  

Sot ngado të hedhim sytë bombardohemi me informacion dhe në informacionet që marrim mund të vëmë re se si shpesh na reklamohen metoda të reja shkencore, teknologji të reja të paimagjinueshme më parë të cilat e lehtësojnë jetën në mënyra po ashtu të paimagjinueshme. Arritjet teknologjike janë të panumërueshme, por çuditërisht nëpër fasoneri, fabrika, miniera dhe të tjera vende pune vazhdohet të punohet me kushte si të përpara 50 viteve, me rroga ende tepër të ulëta pavarësisht produktivitetit të lartë të makinerive, dhe akoma duke plotësuar 8-orëshin ose më shumë të punës pavarësisht se kudo na përplaset në fytyrë, madje dhe nga studimet, se si arritjet teknologjike të sotshme mund ta reduktojnë ndjeshëm kohën e punës për të gjithë. Për të kuptuar kontradiktën e fortë që ekziston midis avancimit teknologjik, rritjes së produktivitetit dhe stanjacionit të kushteve të jetesës dhe të punës, lind nevoja për ta trajtuar teknologjinë siç trajton një shkencëtar një problem: duke eliminuar sa më shumë faktorë të ndryshueshëm që është e mundur, në mënyrë që ta izolojmë fenomenin që po hulumtohet. Më pas këta faktorë të ndryshueshëm i shtojmë për të kuptuar si ndikojnë mbi fenomenin që po trajtojmë.

Fillimisht pra izolojmë fenomenin që po studiojmë: teknologjinë. Siç e kemi përmendur, karakteri i saj është thellësisht praktik, për t’i bërë gjërat të funksionojnë, dhe filozofia pas saj është e thjeshtë pasi kaherë ka ardhur në jetë si nevojë e njeriut për të mbizotëruar mbi forcat e natyrës dhe për ta bërë jetesën më të thjeshtë.

 Por me sa duket, në realitetin tonë ky funksion ka devijuar. Praktika na tregon se si mjetet teknologjike na vihen në dispozicion në shumicën e rasteve kur i shërbejnë logjikës së asaj që David Harvey e quan në një studim të tijin shoqëria e spektaklit. Me shoqëri spektakli Harvey i referohej transformimit të shoqërisë në një konsumator cyborg*, i cili pret me epsh të rejat më të modës, më të sofistikuara që do të nxjerri tregu dita-ditës. Në këtë mënyrë konsumatori transformohet në spektatorin pasiv që veç pret risitë e fundit teknologjike që do të ofrojë tregu. Këtë tendencë të shoqërisë së sotme Harvey e etiketon si fetishizim i teknologjisë. Pra një faktor i ndryshueshëm i cili kontribuon në devijimin e rolit të teknologjisë mund të themi që është tendenca e fetishizimit të tij. Vazhdon Harvey: “Ky fetishizim i teknologjisë sjell në jetë një institucionalizim të të gjithë sektorit të novacioneve në shkencë dhe teknologji duke i kthyer këto të fundit në biznese të mirëfillta.”

Nga ana tjetër, meqenëse njeriu është transformuar tashmë në spektator pasiv, ky institucionalizim i teknologjisë është gjithmonë nën presionin e nxjerrjes të sa më shumë mallrave të reja për konsum, pra kemi të bëjmë me novacion për hir të novacionit. Kjo tendencë përbën një tjetër faktor ndikues në transformimin e teknologjisë. Lidhur me novacionet teknologjike kemi edhe shembuj nga e kaluara ku një prej zhvillimeve më marramendëse të teknologjisë ka ndodhur gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Asokohe e gjithë shkenca dhe teknologjia ishte e përqendruar në zhvillimin e sa më shumë metodave të reja në armatimet ushtarake duke sjellë një zhvillim me hapa galopantë të teknologjisë. Për t’u rikthyer në ditët e sotme, studiuesit ekonomikë e krahasojnë shumë shpesh novacionin teknologjik të asaj periudhe me të sotmin, duke dalë në përfundim se në kohërat që jetojmë novacioni teknologjik është me ritme shumë të ulëta krahasuar me ato të asaj kohe, duke e quajtur periudhën në të cilën jetojmë pesimizëm novativ, dhe kështu shprehen edhe për një stanjacion në zhvillimin ekonomik. Ekonomistë të tjerë shprehen se zhvillimi teknologjik është fajtor për stanjacionin ekonomik pasi punëtorët e sotëm nuk mbajnë dot të njëjtin hap me zhvillimet ekonomike dhe duke nisur atë që quhet “garë me makineritë”. Ky konceptim e trajton teknologjinë si shkaktarin e varfërisë dhe papunësisë së shoqërisë së sotme, saqë ashiqare teknologjia mund të duket si Atlasi i mitologjisë greke që Zeusi –ekonomistët – po i hedhin përsipër barrën e gjithë mjerimit të popullsisë. Këto deklarata jo vetëm që riafirmojnë rolin e institucionalizimit të teknologjisë, por na tregojnë gjithashtu për një konceptim të gabuar mbi burimin e fitimeve në kapitalizëm. Marksi e ka argumentuar këtë konceptim të makinerive si burim të fitimeve në veprën e tij “Kapitali”, duke thënë qartazi se makineritë nuk prodhojnë mbivlerë, pasi kjo e fundit vjen vetëm si rrjedhojë e punës së papaguar të punëtorëve.

Duke argumentuar se nga vjen fitimi i kapitalistëve, njëherazi do të zhvillojmë edhe qasjen e duhur ndaj problemit, i cili vjen si rrjedhojë e marrëdhënieve ekonomike të sistemit tonë dhe është faktori vendimtar në transformimin e shkencës dhe teknologjisë por jo vetëm.

Marksi shprehej se fitimi buron nga mbivlera që prodhojnë punëtorët gjatë procesit të prodhimit. Ekonomistët shpesh herë e mohojnë tërësisht konceptin e mbivlerës. Konceptet e tyre si “pesimizmi novativ” apo “gara kundër makinave” kërkojnë të ushtrohet presion mbi shkencën për të prodhuar metoda të reja teknologjike, si burim fitimi. Marksi e shpjegon lehtë të kundërtën kur argumenton se malli në formën e tij përfundimtare sillet nga “puna e vdekur” dhe “puna e gjallë”. Me punë të vdekur ai i referohet punës së shkuar e cila është trupëzuar në vlerën e makinerive të prodhuara prej saj, ndërsa puna e gjallë është puna që i shton vlerën makinerive dhe, si e nënpaguar, prodhon edhe mbivlerën dhe fitimin e kapitalistëve. Kapitalisti paguan për lëndën e parë, mjetet teknologjike dhe vlerën e këmbimit të sendeve të jetesës që i duhen punëtorit të riprodhojë fuqinë e tij punëtore. Po kapaciteti për punë i punëtorit nuk është vetëm vlera që ka fuqia e tij punëtore, por edhe vlera që kjo punë u shton mallrave. Diferenca midis këtyre të dyjave – kur vlera e të mirave materiale që i duhen punëtorit për t’u riprodhuar është më e vogël se vlera që shton puna e tij – përcakton mbivlerën, nga ku buron edhe fitimi i kapitalistit.

Po shpesh ekonomistët argumentojnë se si është e mundur atëherë që kur një kompani arrin të marrë në zotërim teknologji të reja nxjerr edhe fitime më të larta. Kjo është lehtë e shpjegueshme duke vënë në dukje se nëse një kompani fut në përdorim makineri të reja, ajo arrin të shkurtojë kohën e prodhimit duke rritur produktivitetin dhe duke ulur kostot. Pra në të njëjtën njësi kohe, puna e punëtorit shton më shumë vlerë. Nga ana tjetër, duke u rritur produktiviteti do të ulet koha për të cilën punëtori prodhon për të mbajtur veten, dhe rrjedhimisht do të rritet koha e punës së papaguar që ai i jep kapitalistit për të gjeneruar fitime.

Kjo periudhë gjatë së cilës një kompani e caktuar ka avantazh në krahasim me kompanitë e tjera, do të mbarojë pasi forcat e konkurrencës do të bëjnë që këto mjete teknologjike të vihen në zotërim edhe nga kompanitë e tjera.

Në këtë mënyrë merr kuptim pohimi se shkenca dhe zhvillimi teknologjik nuk mund të qëndrojnë të paprekura nga marrëdhëniet ekonomike dhe shoqërore, por çdo transformim i tyre i atribuohet akumulimit të mbivlerës që prodhon fuqia punëtore për klasën që i ka pra në zotërim këto mjete teknologjike të prodhimit.

Të kuptuarit e zhvillimit të teknologjik nga një këndvështrim i tillë materialist hedh dritë mbi qëllimin e vërtetë të gjërave të ndërtuara nga njeriu. Në këtë mënyrë ne arrijmë të kuptojmë prapaskenën pas shfaqjes teatrale që na serviret, duke zbuluar të vërtetën pas ambienteve të punës me kushte dhe metoda të vjetruara; të vërtetën pas ambientit të shkollës ku çdo ditë e më shumë duket sikur degët e studimeve i barazojnë me sa vlerë kanë ato në treg; të vërtetën pas pseudo-modernizmit që na sjellin pushtetarët tanë duke përqendruar lloj e soj moderniteti pa vlerë nëpër qendra qytetesh dhe duke i lënë rrugët e lagjet 20 minuta larg qendrës akoma në kushte mesjetare; të vërtetën pas përdorimit të teknologjisë për çdolloj arsyeje mediokre si garat e pakuptimta të prodhimit të celularëve ku çdo celular i fundit nuk ka asnjë ndryshim përmbajtësor nga ai që doli para tij, ama asnjëherë për përmirësimin e kushteve të atyre që i prodhojnë ato. Nën direktivat e sistemit dinamika teknologjike dhe çdo aspekt tjetër i shoqërisë marrin forma instrumentale dhe fetishiste të marrëdhënieve të kontrollit midis fuqisë punëtore dhe pronarëve të tyre. Për t’i zhbërë këto iluzione zgjidhja gjendet vetëm te transformimi i marrëdhënieve politiko-shoqërore.

Shënime:

*Cyborg-u është një person hipotetik gjysmë njeri e gjysmë robot, aftësitë e të cilit janë më të zhvilluara se të një njeriu të thjeshtë për shkak të ndërhyrjeve mekanike në trupin e tij.

Imazhi: Christina Animashaun

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.