Pesë arsyetime mbi dhunën ndaj gruas

/Klodi Leka/

Njeriu që abuzon seksualisht me një tjetër njeri dhe e mban atë peng përmes shantazhit është krijesë pa arsye e pa ndjeshmëri, e poshtër, e pështirë, e pajustifikueshme. Britmat e mijëra gocave e grave kundër dhunës verbale, mentale e seksuale janë të drejta, edhe në ato raste kur ato shfaqen me tone agresive. Askush nuk ka të drejtë t’i tregojë viktimës si të dëshmojë revoltën e saj, sidomos në kushte të tilla, kur kronikat e zeza televizive i përngjajnë një varri masiv grash.

Megjithatë, përqendrimi tek ideja e fajit individual të abuzuesit dhe më tej kanalizimi i mllefit ndaj një mase abstrakte burrash është retorikë ngujuese, antintelektuale dhe ekzibicioniste. Kjo logjikë i shërben edhe pushtetit, siç ishte rasti i një kokete konformiste që na dhunoi veshët me britmat për kastrim koqesh, pa e vënë aspak në pikëpyetje rolin e saj si kryetare e një shoqate gruaje apo pjesëtare e partisë në pushtet. Kushdo mund të çirret për çuarje në litar – batakçinjtë më fort se të gjithë – por çështja është të shqyrtohet situata, thellë e në thelb.

1. Rënia e komunitetit

Për mua, makabriteti i kësaj situate e arrin kulmin në çastin kur komuniteti, i vetëdijshëm për historinë e abuzimit të një 65-vjeçari mbi një 15-vjeçare jo vetëm shfaqet indiferent ndaj këtij veprimi, por e linçon vajzën dhe sheh në të mundësinë për abuzim kolektiv. Kjo gjë nuk mund të kapërdihet lehtë dhe as të shfryhet me parulla abstrakte e nihiliste. Çështja është të bëjmë pyetje, të kuptojmë. Kush e ndërtoi këtë farë komuniteti, cila politikë, cila kulturë, cila strukturë sociale, cili soj qyteti? Ky rast, ai i një komuniteti që tall e lakmon hiret e një fëmije në lulëzim e sipër, nuk është gjë tjetër veçse fundi i çdo komuniteti. Të izoluar në katërmurëshin e tyre, pa fqinjësi, pa agora dhe doke që e rregullojnë të jetuarin në bashkësi, pa asnjë ndjenjë përkatësie dhe me shpirtin e bashkësisë te reduktuar tek administratori i paguar i pallatit, çka quhej komunitet është shpërfytyruar në habitat lufte dhe egërsie, ku njeriu përditë e më tepër shfaqet i mjerë e i ligështuar.

2. Nuk është vetëm patriarkalizmi

Rrasja e fajit patriarkalizmit për çdo abuzim të mundshëm seksual më shumë se arsyetim çmontues është një akt snobimi pa kurrfarë kuptimi. Edhe në shoqëritë patriarkale, një rast i tillë do të dënohej me gjithë fuqinë vepruese të bashkësisë, madje edhe më ashpër se ligjet e shtetit laik. Megjithatë, as të mohohet prania e tij nuk është e mundur. Mendësia konservatore vijon të mbijetojë në rrethet tona sociale, paçka se fare zbehtazi. Mirëpo, ajo që po e rrënon trurin e njeriut bashkëkohor nuk është dëshira burrërore për zotërim alla pater familias, se një traditë dhe autoritet i tillë ka vdekur prej shumë kohësh, sesa kultura e hiperseksualizuar kapitaliste, ku qytetari është reduktuar në kafshë utilitare pa një moralitet ku të besojë përveç parasë, e cila tashmë është vlera qendrore e çdo marrëdhënieje sociale. Ky hiperkapitalizëm, të cilin e ndesh rëndom në muzikë, kinema, ekrane dhe në industrinë e reklamave, ka krijuar një kulturë dominimi, dhune, kriminaliteti dhe antihumanizmi të pashembullt edhe për patriarkatin mesjetar. Mjafton të hetosh dy-tri këngë, rep apo pop, për të kuptuar se empatia, estetika, erosi, ndjenja e së mirës e së bukurës, përcaktuese për atë që quhet njeri, është çështje e këmbimit monetar, e tregut të gjësë së gjallë.

3. Shteti nuk funksionon

Përse heshtin viktimat? Sepse nuk kanë asnjë siguri se duke e denoncuar abuzuesin, ai do të dënohet. Përvojat e deritanishme tregojnë se policia përpiqet vazhdimisht të heshtë viktimat duke mos marrë në konsideratë rrëfimet e tyre. Gjykata nuk i dënon mjaftueshëm abuzuesit dhe pas do kohësh të kaluara në qeli ata dalin edhe më obsesivë, përndjekës e kontrollues. Shkolla nuk edukon një mut, burgu po ashtu. Shumica e grave të vrara nga (ish)-bashkëshortët kanë një urdhër mbrojtjeje krejt formal, i cili nuk shoqërohet me asnjë masë efektive sociale dhe policore. Kallëzimi penal ose publik, duke mos sjellë drejtësi, rrezikon ta flakë viktimën në vetmi; dhe vetmia, në qytezat e shkretuara të provincës ose në qytetin kozmopolit me kosto të larta jetese e punë me pagë minimale, përkthehet në varfëri. Për gratë e varfra, divorci dhe dalja në vete është luks i papërballueshëm.

4. Është ekonomia, budalla

Të qenit një shtet i pazhvilluar ekonomikisht, pa industri punësimi masiv, me paga të pamjaftueshme, pa kursime dhe perspektivë profesionale, pa të drejta sociale dhe ekonomike, ka rezultuar mallkim për gruan shqiptare. Atje ku nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka arsimim, nuk ka qytet, nuk ka respekt për individualitetin e tjetrit. Siç e thashë, në një shtet me ekonomi të rrënuar e oligarkike një grua nuk e ka luksin të divorcohet dhe të jetojë e veçuar pa e çarë kokën nëse do ta mbështesë familja. Nëse divorcohet dhe është e papunë, ajo do të kalojë nga njëri ferr në tjetrin, me një barrë të dyfishtë mbi supe. Nga familja në familje, ajo nuk do mund ta përjetojë lirinë e polisit, mundësitë e tij. Prandaj veç lufta për demokratizim të pushtetit politik e ekonomik, marrja e një zanati apo shkolle, të punuarit e të pasurit një rrogë për jetesë normale pa nevojën e një burri në shtrat si kusht për t’u ushqyer e pasur siguri vetjake, do ta çlirojë gruan nga dhuna e vetmia. Kushdo që refuzon ta këqyrë këtë perspektivë është një histerik i cekët që do të mbytet në lotët e tij.

5. Kultura e rezistencës

Përpos të qenit vend i vogël e i pazhvilluar ekonomikisht, gruaja vuan edhe disavantazhin e të mosjetuarit në një shoqëri me traditë demokratike. Ne nuk kemi letërsi, muzikë dhe kinema të mirëfilltë, nuk kemi shoqata aktive në mbrojtje të drejtave të gruas, nuk kemi zëra kritikë dhe intelektualë në mbrojtje të çështjes, nuk kemi asnjë parti politike përparimtare. Ajo pak teori feministe që lexohet është e ngujuar në qoshka të vogla e të vetëlazdruara. Arsimi, ashtu si librat, bëhet çdo ditë e më i kushtueshëm. Paraqitja publike e gruas është minimizuar te gratë e pasura që ekspozojnë luksin në emisione kuzhine, ndërsa politika e kuotave po rezulton e padobishme. Aktiviteti sindikal shtypet egërsisht që në pikënisje. E në këtë peizazh ngulfatjeje e mizerjeje, gratë, ashtu si burrat, fëmijët, pleqtë e të palindurit, do ta paguajnë shtrenjtë.

Sidoqoftë, nuk mund të themi se nuk ka shpresë. Prej kohësh po krijohen vatra aktivizmi, me protesta dhe aktivitete të cilat nesër mund të ndërtojnë kulturën e madhe të daljes së fuqishme në rrugë dhe të transformimeve strukturore.

Imazhi: Cheryl Braganza

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.