Teleperformance-a ose panopticon-i bashkëkohor

/Alfred Bushi/

Prej disa kohësh kompania multinacionale Teleperformance me qendrën e saj në Shqipëri ka vendosur që ta transferojë punë në shtëpi me arsyetimin që të parandalojë  infektimin e punëtorëve në vendin e punës. Është e vërtetë që si pasojë e natyrës së punës – kompania në fjalë ofron një larmi shërbimesh online për konsumatorët  – punëtorët në qendrat e kontaktit janë ndër më të rrezikuarit nga përhapja e virusit. Kjo do të thotë se tashmë punëtorët duhet t’i shndërrojnë hapësirat e tyre private, të cilat në shumicën e rasteve janë hapësira modeste, në hapësira pune në shërbim të kompanisë. Sikur të mos mjaftonte kjo, Teleperformance-a ka marrë vendimin që në shtëpitë e punëtorëve, për shkak të pamundësisë për të pasur aty supervizorët e saj me trup e me shpirt, të instalojë kamera që mbikëqyrin punëtorët gjatë punës e, mbase ku i dihet, edhe pas orarit të punës.  

Pyetja nëse ky veprim është bërë për të parandaluar përhapjen e virusit, për të ulur kostot e kompanisë, apo për të rritur produktivitetin e saj, mbetet për t’u parë. Sidoqoftë mund t’i bëjmë disa hipoteza dhe konsiderata paraprake të karakterit të përgjithshëm rreth këtij vendimi të pazakontë.

Rritje e kontrollit për të shtuar të ardhurat

Nga të dhënat e nxjerra nga pasqyra financiare e Teleperformance-s rezulton se kompania në gjysmën e parë të 2020-s ka pësuar një rritje të të ardhurave krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2019 (shih tabelën më poshtë!). Në mes të një prej krizave shëndetësore dhe ekonomike më të mëdha që ka kaluar globi, ndërsa me mijëra sipërmarrje kanë pësuar humbje dhe kanë falimentuar, kompania në fjalë njeh rritje, sado minimale. Në fakt është e rëndësishme të theksojmë se i gjithë sektori i shërbimeve ka njohur një rritje të jashtëzakonshme të të ardhurave për shkak të pandemisë. Mjafton të përmendim një emër të vetëm: Amazon, kompania e njeriut më të pasur të botës. Sipas drejtorit të Teleperformance-s Daniel Julien, pavarësisht krizës rritja do të vazhdojë edhe në pjesën e mbetur të vitit dhe rritja e përgjithshme gjatë 2020 sipas parashikimeve të tij pritet të jetë rreth 7% – rritje e konsiderueshme duke parë krizën e përgjithshme të ekonomisë botërore.

Burimi : https://finance.yahoo.com/news/teleperformance-first-half-2020-results-154500695.html

Me ç’duket kriza pandemiko-ekonomike, në vend që t’i ulte të ardhurat ose e shumta t’i mbante ato në të njëjtat vlera, ka ndikuar pozitivisht për sa i përket sektorit të shërbimeve. Në këto kushte Teleperformance-a kërkon ta shfrytëzojë sa më shumë të jetë e mundur këtë krizë të rëndë shëndetësore, pasigurinë dhe nevojën për disa lloje shërbimesh që ajo sjell, për të shtuar të ardhurat e veta. Për ta bërë këtë asaj i duhet  edhe të mendojë si të ushtrojë presion dhe kontroll akoma edhe  të madh mbi punëtorët e saj. Një prej këtyre masave është zhvendosja e punës në shtëpi dhe instalimi i dispozitivëve të kontrollit të punëtorëve brenda hapësirave private ku ata jetojnë. Rritja e të ardhurave të kompanisë në kushtet ku punëtorët punojnë nga shtëpia (që do të thotë dhe ulje të kostove te saj)  i ka shtyrë drejtuesit e saj që t’i shtrëngojnë masat e kontrollit për të nxitur edhe më shumë produktivitetin e punëtorëve. Nga të dhënat që kemi pa u instaluar ende mekanizmat e mbikëqyrjes, performanca e punëtorëve ka rezultuar të jetë më e lartë se më parë. Teleperformance-s ka deklaruar se filialet e kompanisë në shumë vende të botës e kanë transferuar punën në shtëpi që në mes të qershorit dhe rritja e të ardhurave vjen pikërisht si pasojë e uljes së kostove dhe rritjes së produktivitetit të punëtorëve.   

Në Anglinë e shekullit XIX ekzistonte një institucion famëkeq i quajtur “shtëpi e punës” në të cilin grumbulloheshin njerëz të shtresave më nevojtare të shoqërisë. Në shumicën e rasteve bëhej fjalë për fundërrinë e vegjëlisë, ata të cilët nuk arrinin të paguanin borxhet ose kishin damkën e njerëzve përtacë që nuk e donin punën apo njerëz të kapur duke kryer ndonjë krim kundër pronës private. Në këto shtëpi pune fitimet ishin gjithmonë të mëdha sepse kostot, meqenëse kishim të bënim me kampe pune që kishin trajtën e burgjeve riedukuese, ishin vërtet të ulëta. Mirëpo kapitalit të kohës, të etur për fitime gjithnjë e më të mëdha, më të shpejta e më të lehta, nuk i mjaftonte kjo dhe me ndihmën e idesë djallëzore të një juristi të tmerrshëm anglez me emrin Bentham arriti të fusë brenda këtyre shtëpive të punës dispozitivin e pantopticon-it. Pantopticon-i ishte një instrument i qendërzuar mbikëqyrës i menduar për të kontrolluar në mënyrë më efikase të burgosurit. Një “sy” i madh vihej në qendër të një hapësire nga ku kontrolloheshin lëvizjet e të gjithë pjesëtarëve të asaj hapësire. Tipari thelbësor i këtij dispozitivi, i cili i jepte edhe efikasitetin e shumëdëshiruar, ishte se të gjithë ndjeheshin të vëzhguar e të mbikëqyrur, por askush nuk arrinte të shikonte mbikëqyrësin apo të dinte me siguri nëse po vëzhgohej apo jo. Pasiguria apo frika se mbikëqyrësi po i vëzhgonte i shoqëronte të burgosurit në çdo moment të ditës. Kështu, për shkak të efikasitetit të tij u vendos që shtëpitë e punës të viheshin në një ndërtesë “panoptike”, e cila i mundësonte drejtorit të ushtronte një kontroll të fshehtë dhe tërësor, pra të vëzhgonte në çfarëdolloj momenti çdo aspekt të sjelljes së të burgosurve të cilët nuk e dinin që po vëzhgoheshin. Shkruan Bentham-i:

“Cili sipërmarrës tjetër do të ketë mbi punëtorët e tij një pushtet të ngjashëm me atë që sipërmarrësi mi do të ketë mbi të tijtë?! Cili padron tjetër mund t’i mbajë punëtorët e tij, nëse janë dembelë, në një gjendje urie, pa pasur frikë se mund të largohen diku tjetër?! Cili padron tjetër ka njerëz që nuk mund të dehen kurrë, përpos se me vendim të tij?! E cili punëtor tjetër, duke mos pasur mundësinë e rritjes së pagës nëpërmjet bashkimit me punëtorët e tjerë, është i detyruar të pranojë çfarëdolloj cikërrime që padroni, bazuar në interesat e tij, e sheh të përshtatshme t’i japë?! […] Cili padron a sipërmarrës tjetër është në gjendje të mbajë nën kontroll, në dukje gjithmonë, në realitet kurdo që atij i duket e nevojshme, çdo shikim dhe lëvizje të çdo punëtori?!”

Në Anglinë e kohës, kontributi i dhënë nga shtëpitë e punës në zhvillimin e vendit – ato duhet të funksiononin si “shtëpi ndërmarrje” (industry-houses) – ishte i jashtëzakonshëm. Duke parë fitimet e mëdha të këtij instituti, tashmë të fuqizuar me mekanizmat e rritjes së produktivitetit siç ishte panopticon-i, autoritetet e kohës vendosën që këto shtëpi të përhapeshin nëpër të gjithë territorin kombëtar.

Situata në rastin tonë, pra kthimi i shtëpive në shtëpi pune, pavarësisht periudhave kohore dhe dallimeve të mëdha, duket mjaftueshëm e ngjashme për të na shqetësuar. Është e qartë që kemi të bëjmë me një tentativë nga ana e kompanisë për të shtuar fitimet e saj (të dhënat e mësipërme e dëshmojnë) dhe për ta bërë këtë ajo ka nevojë për zhvendosjen e punës në shtëpi dhe në të njëjtën kohë për vendosjen e dispozitivëve të kontrollit siç janë kamerat mbikëqyrëse.  

Të mos harrojmë se ka mënyra alternative për ta bërë të sigurt punën. Një prej tyre mund të ishte gjetja e hapësirave të madhe dhe distancimi i punëtorëve nga njëri-tjetri. Po sigurisht kjo ka kosto të cilën kompania nuk do që ta marrë përsipër. Kështu puna në shtëpi, e gërshetuar me kontrollin e fshehtë nëpërmjet kamerave, shndërrohet në një mekanizëm efikas për shfrytëzimin maksimal të punëtorëve. Punëtori, siç na thotë Bentham-i, nuk e di nëse po vëzhgohet apo jo, dhe pikërisht kjo mëdyshje e bën të jetë i përqendruar maksimalisht në punën që bën. Ndryshe nga puna në salla të mëdha apo në fabrika, ku përgjegjësi mund të largohet për një çast apo mund të “korruptohet” miqësisht nga punëtorët, në rastin e shtëpive të punës nuk mund të ndodhë. Kamerave nuk iu shmangësh dot. Një rrezik tjetër që mund të vijë nga instalimi i kamerave është fakti se kompania me panopticon-in e saj ka mundësi t’i japë vetes të drejtën që për çdo veprim apo mosveprim të dyshimtë të punëtorit të kërkojë ndëshkimin e tij financiarisht, për shembull duke i hequr orë pune apo forma të tjera penalizimi.

Në fund, argumenti që jep kompania për vendimin e vendosjes së kamerave në shtëpitë e punëtorëve është po aq dredharak e finok sa ç’ishte ai i Bentham-it. Sipas Teleperformance-s, ka punëtorë të papërgjegjshëm (lexo: përtacë) që përpiqen të shmangin punën. Ky është i njëjti argument që jepnin ideatorët e shtëpive famëkeqe të punës, brenda të cilave të parët përfundonin përtacët, ata që nuk donin të punonin, sipas arsyetimeve të autoriteteve dhe ideologjisë së kohës. Në fakt, e vërteta është se kompania thjesht po kërkon një pretekst për të vendosur këto kamera, pasi në punën që bëjnë është e ditur botërisht se punëtorët japin shumë më shumë nga ç’marrin.

Ashtu si në pantopticon-in e shtëpive të punës në Anglinë e periudhës më të egër të zhvillimit kapitalist, edhe në rastin e Teleperformance-s kemi një tentativë për të mbikëqyrur rreptësisht punëtorët nëpërmjet kamerave; tentativën për të rritur presionin mbi ta në mënyrë që të rrisin produktivitetin; tentativën për të riedukuar të ashtuquajturit përtacë; shkatërrimin e organizimit të përbashkët të tyre; shndërrimin e punëtorëve në qenie të izoluara prodhuese brenda shtëpive ndërmarrje.

Një akti antiligjor dhe një tentativë për të kontrolluar jetën e punëtorëve

Kompania përpos procesit të punës arrin, nëpërmjet instalimit të kamerave të mbikëqyrjes, të këtë një kontroll të plotë edhe mbi jetën jashtë punës të punëtorëve të saj. Shtëpitë e punëtorëve janë relativisht të vogla dhe mundësia për të kontrolluar jetën e tyre private është reale. Legjislacioni ynë e ndalon vendosjen e kamerave në ambientet shtëpiake. Deri tani punëtorët nuk kanë asnjë siguri nëse këto kamera do të fikën pas mbarimit të punës apo do të vazhdojnë të regjistrojnë. Nëse ekziston sado pak mundësi që të të ndodhë kjo e dyta, atëherë jemi përballë një shkeljeje flagrante të çdo të drejtë kushtetuese.

Pamundësia për t’u organizuar

Një prej pasojave më të  rrezikshme të punës në shtëpi është pamundësia e punëtorëve për t’u bashkuar ose organizuar. Siç thotë Bentham-i me krenari, pantopticon-i i tij ia bën të pamundur punëtorit të bashkohet me të tjerët për të kërkuar rritje page apo për t’u organizuar për ndonjë padrejtësi tjetër që lind gjatë punës. Punëtorët janë të veçuar nga njëri-tjetri dhe të kontrolluar, gjë që e bën të vështirë që ata të flasin me sho-shoqin për problemet që i prekin apo të takohen bashkërisht. Vendosja e kamerave do ta vështirësojë akoma më shumë këtë problem. Kjo largësi dhe pamundësi për t’u mbledhur, e cila urojmë të jetë e përkohshme, mund të ndikojë negativisht edhe në të ardhmen pasi mund t’i ftohë në njëfarë mënyre marrëdhëniet mes punëtorëve apo afrimitetin që puna e përbashkët në një sallë krijon natyrshëm.

Punëtorët e Teleperformance-s në Shqipëri prej më se një viti janë organizuar në sindikatën “Solidariteti” dhe kthimi i punës në shtëpi me siguri që është menduar edhe si mekanizëm për ta dobësuar sindikatën dhe organizimin e punëtorëve. Sindikata ka kohë që lufton për të drejtat e punëtorëve të këtij sektori dhe kjo i ka shqetësuar jo pak drejtuesit e Teleperformance-ës. Kriza e pandemisë u ka dhënë atyre një mundësi të artë për ta goditur sindikalizmin nëpërmjet panopticon-it.

Çfarë mund të bëhet?

Tentativa për të futur kamerat mbikëqyrëse në shtëpitë e punës dhe përpjekjet e kompanisë për ta shkatërruar organizimin sindikal mund  të kthehen në një mundësi për organizim dhe fitore të punëtorëve. Është shumë e rëndësishme që punëtorët me në krye sindikatën Solidariteti të bëjnë të pamundurën, të organizohen bashkërisht që kjo masë të mos implementohet, pra që punëtorët të mos firmosin për vendosjen e kamerave brenda shtëpive të tyre. Konventa e të drejtave të njeriut, kushtetuta dhe as ligji nuk e lejon diçka të tillë. Në gjykimin tim, sindikata duhet të përpiqet shumë, duke marrë në konsideratë rrethanat dhe duke dhënë alternativat e saj, që ta riktheje punë brenda sallave; sigurisht duke u siguruar punëtorëve distancat e nevojshme dhe hapësirën e përshtatshme të punës. Por kjo le të mbetet një luftë që mund të vijë pas fitores së betejës për mosvendosjen e kamerave të mbikëqyrjes, panopticon-it bashkëkohor, brenda “shtëpive të punës”.

Imazhi: Adam Simpson

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.