Maradona, një zë për të heshturit e kësaj bote

/Dave Zirin/

Po aq sa për gjenialitetin në fushën e blertë, Maradona do të kujtohet për gatishmërinë e tij për të luftuar pushtetin dhe për të qenë një zë për të heshturit e kësaj bote.

Bota sot vajton ikjen e Diego Armando Maradonës, perëndisë së futbollit dhe revolucionarit nga Argjentina, i cili u shndërrua në frymëzim për çdolloj proze e poezie. Përshkrimi më i mirë i aftësive të Diegos gjendet në librin “Futbolli në diell dhe hije” të Eduardo Galeano-s:

“Askush nuk mund të parashikojë truqet djallëzore që ky shpikës surprizash thërret nga bota e ëndrrave, për hir të gëzimit të thjeshtë të çoroditjes të kompjuterit që analizon ndeshjen, truqe të cilat as ai vetë nuk i përsërit. Ai nuk është i shpejtë; ngjason më një dem këmbëshkurtër, por topi nuk i shqitet nga këmbët dhe duket sikur ka sy në të gjithë trupin. Akrobacitë e tij ndriçojnë gjithë fushën. Në futbollin e ngurtë të kohëve tona, ku përçmohet humbja dhe ndalohet gjithçka që e bën lojën të gëzueshme, ai ishte ndër të paktët që tregoi se fantazia mund të jetë eficiente.”

Që Maradona vdiq nga një atak kardiak në moshën 60-vjeçare duket e pritshme për shumë arsye. E tija ishte një jetë e varësive dhe e teprimit; nga kokaina dhe luhatjet e mëdha të peshës, të cilat ishin padyshim një barrë e vështirë për t’u përballuar. Megjithatë, në të njëjtën kohë ai jetoi një jetë plot pasion dhe të mbushur me rebelim; gjithnjë kundër imperializmit, gjithnjë pro të drejtës për vetëvendosje për vendet e Amerikës Latine dhe Jugut global, gjithnjë duke folur në emër të fëmijëve që rriteshin në të njëjtat kushte varfërie ekstreme siç u rrit ai vetë në lagjet e Buenos Airesit. Ai ishte i pesti nga tetë fëmijë që jetonin pa ujë dhe elektricitet dhe kurrë nuk e harroi diçka të tillë. Ndoshta zemra e tij ishte tepër e madhe për kraharorin njerëzor. 

Gjatë gjithë jetës Maradona kishte qëndrime jo të lehta politike. Si katolik u takua me papë Gjon Palin e Dytë dhe më pas deklaroi për shtypin: “Isha në Vatikan dhe më zunë sytë tavane prej floriri. E dëgjova Papën të thoshte se Kisha shqetësohej për mirëqenien e fëmijëve të varfër. Epo shisni tavanin atëherë, amigo, bëni diçka!”

Ai u përpoq të themelonte një sindikatë për lojtarët profesionistë të futbollit në vitin 1995. “Ideja e sindikatës lindi si shprehi e dëshirës sime për t’u solidarizuar me lojtarët e shumtë të cilët kanë nevojë për mbështetjen e lojtarëve më të famshëm… Nuk kemi ndërmend të luftojmë askënd, për aq kohë sa askush nuk përpiqet të na shpallë luftë.”

Maradona gjithnjë u rreshtua krah të shtypurve, veçanërisht me popullin e Palestinës. Sa herë i jepej mundësia, përpiqej ta sillte betejën e tyre në vëmendje; në vitin 2018 shprehej: “Me zemër jam palestinez.” Ai ishte kritik i zëshëm i dhunës së ushtruar nga shteti i Izraelit, madje ekzistonte mundësia që të trajnonte kombëtaren e Palestinës në Kupën Aziatike të 2015. Maradona kishte tatuazhe të Fidel Castro-s dhe Ernesto Guevara-s – këtë të fundit e quante heroin e tij. Ai ia njihte meritat sistemit shëndetësor të Kubës pasi aty u kurua nga problemet me mbidozën dhe peshën. Gjatë kohës kur udhëheqësi i Venezuelës Hugo Chavez po merrte masa radikale drejt një rishpërndarjeje të barabartë të pasurisë dhe edukimit të popullsisë, Maradona e mbështeste plotësisht. Për të, lufta e Irakut ishte e padrejtë dhe Bushi një kriminel lufte, gjë që e shprehte dhe në bluzat që vishte. “Urrej gjithçka ka të bëjë me qeverinë e Amerikës. E urrej me gjithë forcën time.”

Deklarata të tilla e shndërruan në hero për miliona njerëz që jetojnë nën çizmen e kësaj qeverie. 

Me siguri, shumë vetë do të shkruajnë për bëmat e Maradonës në fushën e blertë; paraqitja e tij legjendare në Kupën e Botës; goli me “dorën e zotit” ndaj Anglisë, aftësia e tij për të vrapuar në gjithë fushën me “topin të ngjitur pas këmbëve”. Të tjerë do të shkruajnë për vuajtjet, dhimbjen dhe djajtë e tij. Megjithatë, le të ndalojmë një moment dhe të rrokim gotat për Diegon si mik, bashkëluftëtar dhe mbrojtës i vendosur i të gjithë atyre që rreken të mbijetojnë në një botë të përkufizuar nga pabarazi të egra. Shumë po shkruajnë se Maradona tani pushon në “duart e zotit”. Unë preferoj të besoj se po përpiqet fortë për të organizuar engjëjt.

Diego Maradona: ¡Presente!

E përktheu Frenklin Elini

Marrë nga gazeta The Nation

Imazhi: Fabrizio Birimbelli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.