/Arlind Qori/
Varfëria në Shqipëri nuk është e padukshme se sado që të fshihet kthinave periferike ajo derdhet mes nesh. Ajo nuk është as krejt e dukshme, se pakkujt i bie të kthejë kokën e ta shohë të varfrin në totalitetin e vet, si pjesë më shumë sesa përbërëse e saj, si pjesë kushtetimore e saj. Varfëria është e tejdukshme si rezultat i mënyrës se si shikimi ynë i shkon tejpërtej të varfrit pa u ndalur askund veçse pak në sipërfaqen e pashmangshme, me ankthin për t’i hedhur sytë më tutje, pas tij, aty ku qyteti vazhdon me “normalitetin” e vet.
Të varfrit janë shumë, megjithëse zor se mund të reduktohen në shifër statistikore. Sa më shumë që janë, aq më pak peshojnë. Ata janë hem veç, hem skota të përhumburish në kërkim të riprodhimit të të përditshmes. Vetëdija e tyre ngërthen fatalizmin më vetëbllokues me voluntarizmin më shkurajues. Ata, si objekt i gjykimit të fatlumëve, janë produkt i një fataliteti shoqëror që e konsideron varfërinë të pashmangshme, se “të varfër ka pasur dhe do të ketë gjithmonë.” Ata janë produkt i vullnetit të zotit, dhe kur “zoti e ka shkrujt, zoti të dhashtë!”. Ata si subjekte që gjykojnë veten e përthyejnë dëshpërueshëm këtë fatalitet për ta konsideruar varfërinë mallkim, si peshë që duhet mbajtur në kurriz pafundësisht.
Kur fataliteti nuk mjafton, ia beh një hipervoluntarizëm që damkën dhe fajin e varfërisë ia vesh krejtësisht të varfrit. Në një botë të zbukuruar ideologjikisht ku “kush do dhe përpiqet ia arrin”, i varfri meriton të jetë i tillë. Ai është paraziti që kërkon të mbahet me lëmoshën shoqërore, i paafti që s’lëviz vendit, leshkoja që s’di si bëhen pare, i ndrojturi që s’i vjen turp që ka turp. Tash barra mbi krye futet brenda si fshikulluese morale. Ai është përgjegjës, ai është fajtor, ai mundet, sigurisht vetëm dhe pa të tjerët si klasë, dhe nëse mbramësisht nuk mundet, epo dikush duhet të humbë në lojën “e ndershme” të konkurrencës.
Po të varfrit nuk janë vetëm kaq. Ata janë, për më të ngeshmit ndër ne, piktoreskë. Ata, ndryshe nga ne qeniet vulgare materialiste që duam shtëpi dhe makinë, kënaqen me natyrën, flenë më fëshfërimat e gjetheve, rrëkëllejnë në gurmaze gjysmën e qytetit. Ata janë bohemët që ne ëndërrojmë të jemi, por s’e bëjmë veç në mënyrë të planifikuar, aq pak sa për lezet, dhe e dimë se në fund të ditës kemi ku të gjejmë strehë e ushqim. Për të qenë të tejdukshëm, ata duhet të jenë të ndryshëm nga ne, të zgjedhin si me magji fatin e tyre, dhe të përmbyten nga fantazitë tona. Ata nuk janë skamja, por tepria jonë e dëshiruar dhe e paguxuar.
E kur s’janë të tillë, ata mbledhin mbi vete rrëfenjat tona plot mister. Ata nuk janë tamam të varfër. Ata janë më të pasur nga ne, mashtrues që do t’u hedhin hi syve qytetarëve që paguajnë taksat dhe entuziazmohen me sukseset represive të forcave të rendit. Ata janë pjesë e një rrjeti ilegal; ata lypin për të qenë të pasur; ata shfrytëzojnë të tjerë si vetja në rrjete mafioze; ata rregullojnë dokumentet për të përfituar pa të drejtë ndihmën ekonomike; ata s’mund të ekzistojnë e të rriten realisht në shoqërinë tonë që mendon si “të kryejë detyrat e shtëpisë dhe të kapë trenin e integrimit”.
Ata nuk janë thelbi i çrrënjosur shoqëror, por shumësia e simptomave estetike të bezdisshme. Ata janë maloku që ulërin me gishta në vesh, jevgu që pështyn në tokë, katundari që s’respekton rregullat e qarkullimit rrugor etj. Gjithçka për të mos i parë, megjithëse s’i shmangim dot. Gjithçka për t’i bërë të tejdukshëm. Gjithçka për të mos kuptuar se ata janë joklasa shembullore që mbajnë mbi krye krejt shtresëzimin nano-mikro-medio-makro-borgjez, ajo mizëri qeniesh që përcaktohen nga ajo që nuk kanë, nga skamja, kjo larmi e parrënjë shoqërore që mund të fitojë unitet dhe fuqi veç si kundërshti totale, si papajtueshmëri me rendin e sotëm shoqëror. Ndoshta kemi lexuar ndonjë libër historie, e njohim mllefin e tyre dhe kemi mësuar t’u druhemi. Aq sa për t’i bërë të tejdukshëm duke i copëtuar në simptoma, duke mos e kthyer syrin nga vetja, e ca më shumë akoma nga ky terren social-ekonomik që përcakton vendin tonë të privilegjuar, poshtëurën e tyre, syrin tonë qesëndisës e shpërfillës, dhe syrin e tyre momentalisht të përhumbur. Derisa ai sy të na kthehet!
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.