Takimi me një revolucionar

/Jeffrey Haas/

Jeta e tij lëvizte shumë më shpejt se imja dhe digjej shumë më shndritshëm.

E para herë kur dëgjova Fred Hampton-in të fliste ishte gushti i vitit 1969. Ai ishte kryetari i Partisë së Panterave të Zeza në Ilionis dhe gjendesha në “Kishën e popullit”, në zemër të komunitetit afro-amerikan në Çikagon perëndimore. Para dy vitesh kisha mbaruar studimet për t’u bërë avokat, ndërsa vetëm dy ditë më parë kolegu im kishte ndihmuar në lirimin nga burgu të Fredit. Kisha ishte e mbushur me stola druri dhe ambienti ishte i ngrohtë. Kolegu im Flint Taylor-i dhe unë gjetëm një hapësirë të lirë diku nga pjesa e pasme e kishës. Pas disa minutash gjithçka ra në heshtje. Fredi u shfaq pas pak dhe u nis drejt platformës. Të gjithë u ngritën në këmbë dhe filluan të duartrokasin. Muret dridheshin nën presionin e 300 zërave kumbues të cilët brohorisnin: “LIRONI FRED HAMPTON-in!” Ndryshe nga eventet e tjera të Panterave, Fredi nuk ishte i rrethuar nga të tjerë të veshur me xhaketa lëkure dhe bereta të zeza. Ai qëndronte i vetëm. Fredi ishte 20 vjeç, me lëkurë rinore dhe një buzëqeshje disi prej çunaku. Në burg kishte rritur pak mjekrën dhe flokët i kishte lënë sipas stilit afro. Ai mbante mikrofonin në dorë teksa shikonte turmën.

“Jam i lirë,” filloi të thoshte me zë të lartë, për ta përsëritur edhe një herë më pas të njëjtën thirrje. Njerëzit brohorisnin me aprovim.

Zëri i tij u bë më i butë. “Shkova në burg, atje në Menard duke menduar se ne jemi pararoja. Por në burg rashë në gjunjë dhe i vura veshin e mësova nga populli. Atje tej dëgjova ritmin e muzikës së popullit.” U dëgjuar një e rënë daulleje, dhe të gjithë filluan të duartrokisnin sipas ritmit. Fredi filloi të këndonte një himn, përzierje midis një predikuesi baptist dhe një bande muzikore soul. “Jam i dehur nga populli.” Ishte e pamundur të mos i bashkoheshe dhe shpejt e gjeta veten duke duartrokitur dhe përplasur këmbët bashkë me të tjerët.

Kur mbaroi refreni, Fredi përsëriti sloganin më të njohur të Panterave, “Pushtetin popullit!”, por duke shtuar variantin e tij: “Pushtetin e bardhë të bardhëve, pushteti mulat mulatëve, pushtetin e verdhë të verdhëve, pushteti e zi zezakëve, pushtetin X atyre që kanë mbetur jashtë dhe pushtetin panteras partisë pararojë. Pas një sërë aprovimesh nga salla, Fredi tha:

“Nëse mendoni për mua, qoftë edhe ndonjëherë, dhe nuk kryeni veprime revolucionare, atëherë mos mendoni më! Nuk dua ta gjej veten në mendjen e njerëzve të cilët nuk luftojnë për popullin. Nëse të kërkohet të ndërmarrësh një angazhim në moshën 20-vjeçare dhe i shmangesh diçkaje të tillë, vetëm sepse je tepër i ri për të vdekur dhe do  të jetosh më shumë, atëherë që tani je i vdekur. Na duhet të kuptojmë që duhet paguar një çmim për paqen. Nëse guxon të luftosh, atëherë guxon edhe të fitosh! E nëse nuk guxon të luftosh, atëherë ta marrë djalli, as nuk e meriton. Më lejoni t’ju uroj paqe të gjithëve ju që jeni në gjendje të luftoni për të.”

Më pas Fredi u kërkoi të pranishmëve të çoheshin në këmbë. Të gjithë u çuan. Ai u kërkoi të ngrinin dorën e djathtë dhe të përsërisnin pas tij: “Unë jam”; ” revolucionar”. Unë e konsideroja veten avokat për lëvizjen, por jo medoemos pjesëtar të saj. Fjala revolucionar më ngeci në fyt. Fredi përsëriti: “Unë jam” – dhe të gjithë iu bashkuan. Kësaj here thirrja një “revolucionar” ishte më e fuqishme. Diku nga hera e tretë apo e katërt thirrjes iu bashkova edhe unë me hezitim, ndërsa pas herës së shtatë po thërrisja me plot zë dhe entuziazëm “Unë jam… revolucionar!”. Një gjendje të tillë do e provoja shpesh duke dëgjuar Fredin. Arrija të ndjeja se si rritej ndjeshëm përkushtimi i tij ndaj kauzës. Fredi po fliste me zë më të qetë:

“Unë besoj se nuk kam lindur për të vdekur në një aksident me makinë, duke rrëshqitur mbi një copë akulli ose nga sëmundjet e zemrës. Unë besoj se do të vdes duke bërë pikërisht atë për të cilën kam lindur. Besoj se do të vdes në mesin e popullit, i dehur nga populli. Besoj se do të mund të vdes si një revolucionar, pjesë e betejës internacionale të proletariatit. Dhe shpresoj që gjithsecili prej jush të mund të vdesë në të njëjtën mënyrë.

Beteja po vjen! Përse nuk jetoni për popullin?! Përse nuk luftoni për popullin?! Përse nuk vdisni për popullin?!”

Fredi mbaroi së foluri. Të gjithë u çuan në këmbë duke duartrokitur, të pavetëdijshëm mbi vërtetësinë e kësaj profecie. Kisha u lëkund përsëri nga thirrjet “Lironi Fred Hampton-in!” dhe përplasjet e këmbëve […]

Ishte ftohtë në dhomën e vogël pa dritare të marrjes në pyetje në stacionin policor në Wood Street. Hodha sytë përgjatë tavolinës së drurit drejt një gruaje trupmadhe me flokët afro e cila po dridhej dhe dëneste. Dallohej që ishte shtatzënë.

“Fredi kurrë nuk u zgjua” – tha ajo. “Ai po flinte teksa mua më nxorën nga dhoma.”

“Më pas?” – e pyeta.

“Dy derra u kthyen pas në dhomë. Njëri prej tyre tha ende qenka gjallë, ndoshta mund të mbijetojë.  Më pas u dëgjuan dy të shtëna dhe derri tha që tani vdiq njëherë e mirë.”

E fejuara e Fredit më shikonte me sy të fryrë dhe të trishtë: “Çfarë mund të bësh?”

Nuk mund të ktheja asnjë përgjigje. Fredi kishte vdekur dhe nuk mund ta ktheja përsëri në jetë.

E përktheu Frenklin Elini

Shkëputur nga libri i autorit “The Assassination of Fred Hampton: How the FBI and the Chicago Police Murdered a Black Panther”, Chicago Review Press, 2009.

Imazhi: Reddit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.