Askush s’ka pse të jetë i lig

/Slavoj Žižek/

Që prej nisjes së pandemisë shumëkush e ka kuptuar se diçka nuk po shkon me sistemin ekonomik: politikat neoliberale i lanë njerëzit e varfër të dergjeshin nëpër spitale, ndërsa të pasurit e globit e shtuan pasurinë e tyre me 225 miliardë dollarë në tre muaj.

Sot ideologjia sunduese përpiqet ta heqë vëmendjen nga problemi i vërtetë, ai i sistemit ekonomik kapitalist. Përpjekjet për t’i dhënë një shpjegim të saktë janë të pakta. Njerëzit u janë drejtuar teorive qesharake të konspiracionit, duke na i shfaqur zotëruesit e mëdhenj të kapitalit si të çmendur që “pinë gjak fëmijësh”.

Prandaj në këtë përkthim të kësaj analize të hershme të filozofit slloven Slavoj Žižek, përpiqemi të kuptojmë pse Bill Gates-i, George Soros-i e të tjerët si këta janë funksione të strukturës së kapitalizmit të vonë. Ai i quan në mënyrë ironike “komunistë liberalë” sepse, ndryshe nga kapitalistët tradicionalë që kanë qëllim vetëm fitimin, këta kujdesen edhe për imazhin e tyre nëpërmjet bamirësisë dhe lëmoshës.

Ariela Zeneli

***

Që nga viti 2001, Davosi dhe Porto Alegroja kanë qenë qytetet binjake të globalizmit: Davosi, një qytet në Zvicër ku mblidhen elita e menaxherëve, qeveritarëve dhe njerëz të botës së medias për Forumin Ekonomik Botëror, nën mbrojtjen e plotë të policisë, për të na bindur ne (dhe veten) që globalizmi është ilaçi më i mirë; Porto Alegroja, vendi brazilian ku takohet kundërelita e lëvizjes antiglobaliste për të na bindur që kapitalizmi global nuk është një zgjidhje e pashmangshme ose, siç thonë ata, “një tjetër botë është e mundur”. Duket qartë se mbledhjet e Porto Alegros e kanë humbur disi ndikimin e tyre sepse vitet e fundit pak po ndihen. Ku shkuan yjet e ndritshëm të Porto Alegros?

Disa prej tyre janë larguar drejt Davosit. Qëndrimi i takimeve në Davos vendoset nga grupi i sipërmarrësve të mëdhenj, që me ironi e quajnë veten “komunistë liberalë” dhe nuk pranojnë asnjë dallim midis Davosit dhe Porto Alegros: Pretendimi i tyre është që ta kemi tortën globale kapitaliste (të lulëzojë sipërmarrja e lirë) dhe ta hamë atë (duke pranuar kauzat antikapitaliste të përgjegjësisë sociale, shqetësimit për mjedisin etj.) Nuk kemi nevojë për Porto Alegro: ne mund ta shndërrojmë Davosin në një Porto Davos.

Cilët janë “komunistët liberalë”?  Të dyshuarit e zakonshëm: Bill Gates, George Soros, CEO i Google, Intel, eBay ose edhe filozofë oborri si Thomas Friedman. Konservatorët e vërtetë sot nuk i përkasin vetëm të djathtës së vjetër, që besojnë tek autoriteti, rendi dhe patriotizmi, por edhe të majtës së vjetër me parimin e luftës kundër kapitalizmit: të dyja këto palë luftojnë ndër betejat e tyre imagjinare pa pyetur për realitetet e reja. Shënjuesi i realitetit të ri të komunistëve liberalë është inteligjenca. Të jesh “i zgjuar” do të thotë të jesh dinamik, kundër burokracisë së centralizuar, të besosh te dialogu dhe bashkëpunimi kundra autoriteteve qeverisëse, të jesh kundra rrymës, të besosh te veprimet spontane përballë hierarkisë fikse.

Bill Gates-i është imazhi i çka i quan “kapitalizëm pa fërkim”, shoqëri pasindustriale dhe fund i punës. Programet po fitojnë mbi pajisjet kompjuterike dhe të rinjtë me aftësi kompjuterike po fitojnë mbi menaxherët e kollarisur. Në kompanitë e sotme ka shumë pak disiplinë; hakerët dominojnë skenën dhe punojnë me orë të tëra duke shijuar pije falas në mjedise të gjelbra. Çka duhet theksuar është që Bill Gates-i është një ish-huligan subversiv margjinal, ish-haker, që ia ka dalë mbanë dhe ka veshur kostumin e një kryetari të respektueshëm.

Komunistët liberalë janë sipërmarrës më të mëdhenj që nxisin frymën e konkurrencës ose, thënë ndryshe, dudumë kundërkulturorë që kanë ardhur në krye të korporatave të mëdha. Dogma e sotme është një version i ri postmodern i dorës së padukshme të Adam Smithit: tregu dhe përgjegjësitë shoqërore nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën, por mund të bashkohen për përfitime të ndërsjellta. Sipas Friedman-in, askush nuk ka pse të jetë i lig kur hap një biznes këto kohë; bashkëpunimi me punëtorët, bisedat me klientët, mbrojtja e mjedisit dhe transparenca e marrëveshjeve janë çelësi i suksesit. Së fundmi, Olivier Malnuit-i përmblodhi 10 urdhëresat e komunistëve liberalë në revistën franceze “Technikart”:

1. Duhet të japësh gjithçka falas (qasje falas, pa të drejta autori); kërko para për shërbimet shtesë dhe do të pasurohesh!

2. Duhet të ndryshosh botën, jo vetëm të shesësh produkte.

3. Duhet të ndash me të tjerët, i vetëdijshëm për përgjegjësinë shoqërore.

4. Duhet të jesh kreativ: i fokusuar te dizajni, teknologjitë e reja dhe novacioni.

5. Duhet të thuash gjithçka: pa sekrete, përqafo dhe praktiko kultin e transparencës dhe rrjedhën e lirë të informacionit; i gjithë njerëzimi duhet të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë.

6. Nuk duhet të punoshgjatë: puna jote nuk duhet të jetë fikse prej orës 09:00- 17:00, por duhet të angazhohesh në një komunikim dinamik e fleksibël.

7. Duhet të rikthehesh në shkollë: këshillohet një edukim i vazhdueshëm.

8. Duhet të sillesh një enzimë: jo vetëm të punosh për tregun, por edhe të nxisësh forma të reja bashkëpunimi shoqëror.

9. Duhet të vdesësh i varfër: pasurinë tënde duhet ta shpërndash tek ata që kanë nevojë, pasi ke më shumë nga ç’mund të shpenzosh.

10. Duhet të jesh shteti: kompanitë duhet të jenë në partneritet me shtetin.

Komunistët liberalë janë pragmatikë; ata e urrejnë qasjen doktrinare. Ata shprehen se sot nuk ka shfrytëzim të klasës punëtore, por probleme që duhen zgjidhur si: uria në Afrikë, gjendja e vështirë e grave myslimane dhe dhuna fundamentaliste fetare. Kur ka një krizë humanitare në Afrikë (komunistët liberalë e duan krizën në Afrikë sepse nxjerr më të mirën prej tyre), në vend që të përdorim retorikë antiimperialiste, ne duhet të bashkohemi dhe të punojmë për të zgjidhur problemet, të angazhojmë njerëzit, qeveritë dhe bizneset në një linjë të përbashkët. Ne duhet të fillojmë t’i vëmë gjërat në lëvizje, në vend që të presim vetëm nga shteti; thënë ndryshe, t’i qasemi krizës për ta zgjidhur atë.

Komunistëve liberalë u pëlqen të theksojnë se vendimi i disa korporatave të mëdha ndërkombëtare për të injoruar rregullat e aparteidit brenda kompanive të tyre është po aq i rëndësishëm sa lufta e drejtpërdrejtë politike kundër aparteidit në Afrikën e Jugut. Heqja e aparteidit brenda kompanisë, pagimi i zezakëve dhe të bardhëve me të njëjtën rrogë, është shembulli i përsosur i mbivendosjes midis luftës për liri politike dhe interesave të biznesit, pasi të njëjtat kompani tani mund të lulëzojnë në Afrikën e Jugut e pas aparteidit.

Komunistëve liberalë u pëlqen Maji 1968 sepse e konsiderojnë si shpërthimin e energjisë dhe kreativitetit të të rinjve. Ishte copëtim i rendit burokratik. Pasi u shuan iluzionet politike, ato ngjarje i dhanë hov jetës ekonomike dhe shoqërore. Kush kishte moshën e duhur ishte në rrugë duke protestuar dhe luftuar për revolucionarizimin e jetës: tanimë ata kanë ndryshuar vetë që të ndryshojnë botën, të revolucionojnë prej vërteti jetën tonë. A nuk thoshte edhe Marksi që kryengritjet shoqërore janë të parëndësishme krahasuar me shpikjen e motorit me avull?! A s’do të thoshte edhe Marksi sot se ç’janë protestat kundër kapitalizmit global në krahasim me internetin?!

Pavarësisht të gjithave, komunistët liberalë janë qytetarë të vërtetë të botës, njerëz që shqetësohen për situatën ku ndodhemi. Ata shqetësohen për populizmin fundamentalist dhe korporatat e papërgjegjshme kapitaliste. Ata shohin “shkaqet e thella” të problemeve të sotme si: varfëria masive dhe mungesa e shpresës ushqejnë terrorin fundamentalist. Qëllimi i tyre nuk është të fitojnë para, por të ndryshojnë botën (dhe, për pasojë, të fitojnë edhe më shumë para). Bill Gates-i është sot bamirësi më i madh i historisë së njerëzimit, i cili e shfaq dashurinë për njerëzimin duke dhuruar miliona dollarë për arsimim, për të luftuar urinë, malarien etj. Përpara se të dhurojnë shuma kaq të mëdha, ata duhet t’i gjejnë ato (ose, siç do të shpreheshin komunistët liberalë, duhet t’i prodhojnë ato.) Në këtë kuptim, për t’i ndihmuar njerëzit, duhet të kesh mjetet e nevojshme dhe përvoja – domethënë të kuptosh dështimin e plotë të qasjeve shtetiste dhe kolektiviste – na mëson se sipërmarrja private përbën mënyrën më efektive të zgjidhjes së këtyre problemeve. Duke rregulluar dhe tejtaksuar bizneset e tyre, shteti po pengon realizimin e qëllimit zyrtar të veprimtarisë së vet (përmirësimin e jetës së shumicës dhe ndihmën ndaj më nevojtarëve).

Komunistët liberalë nuk duan të jenë thjesht makina fitimi, por kërkojnë që jeta e tyre të ketë më shumë kuptim. Ata janë kundër parimeve të vjetra fetare dhe pro spiritualitetit dhe meditimit jorrëfyesor (të gjithë e dinë se budizmi e lë në hije neurologjinë dhe se fuqia e meditimit mund të matet shkencërisht.) Motoja e tyre kryesore është përgjegjësia shoqërore dhe mirënjohja: ata janë të parët që pranojnë se shoqëria ka qenë “bujare” me ta dhe i ka lejuar të zhvillojnë talentin dhe të pasurohen, ndaj tani kanë radhën që t’i kthejnë diçka shoqërisë. Pikërisht ky përfitim e bën të vlefshëm suksesin në biznes.

Por ky nuk është një fenomen krejt i ri. Mjafton të kujtojmë Andrew Carnegie-n, i cili rekrutoi një duzinë me ushtarë për të shtypur punëtorët e organizuar në fabrikën e tij të çelikut dhe më pas e shpërndau pasurinë e tij për zhvillimin e kauzave arsimore e kulturore, duke u përpjekur të dëshmojë se një njeri prej çeliku mund të ketë një zemër ari. Në të njëjtën mënyrë, komunistët e sotëm liberalë japin me njërën dorë dhe marrin me tjetrën. 

Në raftet e supermarketeve në SHBA ka marrë famë një nga parullat e përdorura për një çokollatë: A keni problem me aparatin tretës? Atëherë hani më shumë nga kjo çokollatë! Domethënë ha më shumë nga ajo që të përkeqëson aparatin tretës! Struktura e laksativit në trajtë çokollate mund të vërehet anembanë peizazhit të sotëm ideologjik; është çka e bën Soros-in të duket një figurë kaq të pakëndshme. Ai është mishërimi i shfrytëzimit të pamëshirshëm financiar, bashkuar me “shqetësimin” e tij  për pasojat katastrofike që po i vijnë njerëzimit nga ekonomia e shfrenuar e tregut. Rutina e përditshme e Soros-it është mishërim i gënjeshtrës: gjysmën e kohës ai e shpenzon për prodhimin e spekulimeve financiare dhe gjysmën tjetër për aktivitete humanitare (financimi i aktiviteteve kulturore në ish-vendet e bllokut komunist ) të cilat justifikojnë pasojat e spekulimeve të tij. Dyfytyrësia e Bill Gates-it është saktësisht e njëjta gjë me dy fytyrat e Soros-it: nga njëra anë një biznesmen mizor që shkatërron ose blen konkurrencën për të krijuar një sistem monopolist, nga ana tjetër filantropi më i madh që shprehet: “Çfarë na duhen kompjuterët kur njerëzit nuk kanë ç’të hanë?!”

Sipas etikës së komunistëve liberalë, etja e pacak për fitim drejtpeshohet nga bamirësia: bamirësia është pjesë e lojës, një maskë që fsheh shfrytëzimin e vazhdueshëm ekonomik. Vendet e zhvilluara i “ndihmojnë” vazhdimisht vendet e pazhvilluara (me ide, kredi etj.), duke shmangur kësisoj çështjen kyçe: fajin dhe përgjegjësinë e tyre për situatën e mjerueshme të Botës së Tretë. Për sa i përket ndarjes “i zgjuar” – “jo i zgjuar”, nocioni bazë është nënkontraktimi. Eksporto anën (medoemos) e errët të prodhimit – proces pune i disiplinuar, hierarkik, ndotje mjedisore – drejt vendeve “jo të zgjuara” të Botës së Tretë (apo vendndodhjeve të padukshme në Botën e Parë)! Ëndrra e mbrame e komunistëve liberalë është kalimi i të gjithë klasës punëtore drejt punishteve të Botës së Tretë. 

S’ka më vend për dyshim: sot komunistët liberalë janë armiku i çdo lëvizjeje përparimtare. Të gjithë armiqtë e tjerë – fundamentalistët fetarë, terroristët, burokracia e korruptuar dhe joproduktive – varen drejtpërsëdrejti nga kushtet e rrethanat lokale. Pikërisht pse përpiqen të zgjidhin këto keqfunksionime dytësore të sistemit global, komunistët liberalë janë mishërim i asaj që nuk shkon me sistemin. Mund të jetë e nevojshme që të bashkohemi në “aleancë” me komunistët liberalë që të luftojmë racizmin, seksizmin dhe ekstremizmin fetar, por është e rëndësishme të kujtojmë se me kë kemi të bëjmë. 

Në veprën “Frika nga masat” (1997) Etienne Balibar vendos përballë dy forma të ndryshme, por plotësuese të dhunës që prodhon sot kapitalizmi: dhunën objektive (strukturore) që është brendashkruar në kushtet shoqërore të kapitalizmit global (i cili krijon individë të përjashtuar nga shoqëria, të pastrehë dhe të papunë) dhe dhunën subjektive të fundamentalizmave fetarë dhe etnikë (racizmi). Komunistët liberalë mund të luftojnë dhunën subjektive, por ata janë agjentët kryesorë të dhunës strukturore, përhapja e së cilës prodhon kushtet e nevojshme të krijimit të dhunës subjektive. Soros-i që jep miliona dollarë për të financuar arsimin, shkatërron jetën e mijëra njerëzve të tjerë me spekulimet financiare që krijojnë kushtet e rritjes së intolerancës që vetë ai e denoncon.

E përktheu Ariela Zeneli

Marrë nga London Review of Books, 2006.

Imazhi: Thierry Chesnot/Getty Images

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.