/Liri Kuçi/
Qyshkur studenti nis studimet universitare, në po të njëjtin moment ngjiz dhe projekton ëndrrën e tij për të punuar në profesionin që u shkon përshtat studimeve të tij. Gjithë jeta e tij studentore programohet mbi bazën e kësaj ëndrre. Pavarësisht realitetit dëshpërues përreth, ai e ushqen këtë shpresë çdo ditë, duke u stërmunduar përballë burokracive të tepruara e vështirësive të shumta në ambientin universitar. Ideja se duke pasur një mesatare të lakmueshme e mundësisht të rrumbullakosshme në 10, duke besuar në “meritokraci” dhe “konkurset e ndershme të punësimit” të shumëpropaganduara, se ky student do arrijë më në fund t’i bëjë vend vetes në një punë dinjitoze, pra kjo ide mbetet po aq e vagullt sa ç’edhe lindi si e tillë. Kjo për shkak se ajo çka ndodh në të vërtetë, është se atij nuk i duhet të mendojë se cilin libër i duhet të nisë rishtazi gjatë rrugës për në bibliotekë, por i duhet të mendojë se me ç’të ardhura do e mbyllë muajin që është vetëm në dhjetëditëshin e tij e të parë. Këtu, paskëtaj, nis tjerrja e asaj “ëndrre” shpresëplotë, por krahëprerë të projektimit të një të ardhmeje më të mirë për çdokënd që e sheh veten student dhe jo vetëm të tillë. Tashmë është bërë e zakontë që për t’ia arritur qëllimit të mbijetesës dhe vazhdimit të studimeve, studenti të gjendet i shtrënguar të punojë, ndaj edhe duhet të mësyjë dyerve të call-center-ave, duke mos harruar se ky është vetëm një hap kalimtar, i cili gjithsesi nuk mund t’i garantojë asgjë të sigurt. Njëherazi, studenti e gjen veten jo vetëm në pozitat në të cilat i takon të jetë, pra vetëm si student ku detyra e tij e vetme duhet të jetë leximi e studimi intensiv, por edhe në atë të të qenit i detyruar të jetë edhe punëtor me të drejta të cunguara, i keqpaguar dhe i shfrytëzuar gjetiu, pa mendim kritik e pa jetë studentore.
Meqenëse sot me demek duhet të gëzosh një status të mirënjohur nga shoqëria e institucioni të cilit i drejtohesh për një post pune sado modest qoftë, statusi i studentit është i pamjaftueshëm për ta fituar. Ndërsa sa i përket lehtësive për të gjetur një vend pune, së fundmi tregu i larmishëm është pasuruar edhe me agjenci pune private, të cilat funksionojnë kundrejt një pagese të kripur në rastin më të mirë, ose dorëzimin e gjysmës së rrogës në rast se arrin të fitosh vendin në fjalë. Si për ironi të fatit po këtij studenti, të cilit i vihet laku në fyt nga qiramarrësi, kur nuk është në konviktet bukosëse me kushte mjerane, tani i duhet të mendojë edhe se si të mundësojë një tufë të hollash për ta lënë në sportelin ku sapo aplikoi në mënyrë që të sigurojë së pari një vend pune me çfarëdo lloj pagese, ku ndër të tjera, rroga e tij e parë do të ndahet midis tij dhe agjencisë ku aplikoi. Në të tillë mënyrë studenti sërish del më shumë i humbur se sa i fituar.
Duke peshuar mundësitë dhe alternativat aspak të favorshme për të zgjedhur, studenti duhet të vendosë përpara se t’i mbarojnë edhe qindarkat e fundit në xhep, me të cilat nuk di ç’të bëjë më parë: të ushqehet për t’i mbijetuar realitetit të cilit do të duhet t’i rikthehet sërishmi nesër nga e para, të paguajë autobusin që e çon nga konviktet për në cepin tjetër të qytetit ku nata e zuri duke kërkuar punë apo të blejë librat me çmime gjithsesi të larta që u shiten nga pedagogët si pa të keq meqenëse këta të fundit çoç i kanë zët fotokopjet që bëhen lart e poshtë. Zgjidhja pa zgjidhje është ose të vendosë sërish në vështirësi prindërit të cilët mjerisht mundohen të dalin nga pellgu i borxheve ku zhyten pashmangshmërisht për të shlyer tarifën e përvitshme universitare të palogjikshme shumëshifrore, ose ta ndërpresë fare vitin akademik edhe pse të shlyer monetarisht, por të papërballueshëm fizikisht për shkak të punës në rast se do ketë arritur ta gjejë. Punë në të cilën mund të mos bëhen as kompromise oraresh që të vazhdojë të frekuentojë normalisht orët mësimore, pa llogaritur këtu abuzimin që i bëhet punëtorit që në rastin tonë është edhe student, ku edhe pagesën mujore nuk e ka të sigurt kur pronarit nuk i përmbushen pritshmëritë rezultative me premisa të pangopshme.
Kështu, studenti përveçse humbi mundësinë të ndjekë rregullisht orët e leksioneve apo të seminareve, konsumi i tij fizik nga kushtet jashtë çdo kornize logjike normale të punës nuk i lejon as të lexojë ndonjë faqe mbrëmjeve ku i duhet të luftojë me kequshqyerjen, gjumin dhe dëshirën për t’u ndjerë STUDENT.
E ky student-punëtor i lartpërshkruar, nuk është në numrin njëjës. Shokë/shoqe të tij janë dhe e ndiejnë veten shumë, qindra, po edhe mijëra studentë të vendit tonë të cilët gjenden dëshpërimisht të zënë në çarkun e dhimbshëm të skamjes e pamundësisë për të qenë thjesht dhe vetëm STUDENTË. Ndaj ky shkrim duhet lexuar e menduar në shumës. Studentë-punëtorë pa të drejta, të shtypur dhe aspak studentë. Ja ky është brezi i përçudnuar i së tashmes që gjymtohet për të ardhmen e shëndetshme kombëtare!
Botuar në numrin e dytë të gazetës “Universitari”