/Nick French/
Në muajt e fundit Bernie Sanders-i është përballur me një fushatë baltosjeje që synon t’ua bëjë njerëzve socializmin gogol.
Pas një debati televiziv muajin e shkuar, ish-funksionari i Partisë Demokratike dhe prezantuesi i kanalit MSNBC Chris Matthews e zgjeroi spektrin e dhunës revolucionare, duke paralajmëruar se Sanders-i do të mbështeste ekzekutime në Central Park – Parku Qendror i Nju Jorkut. (Matthews dha dorëheqjen më pas.) Donald Trump-i deklaroi gjatë fjalës së tij në Kongres: “Amerikanët janë të bashkuar me popullin venezuelas në luftën e tyre të drejtë për liri! Socializmi i shkatërron kombet. Por mbani mend gjithmonë se liria bashkon shpirtin.”
Më 6 mars New York Times-i u përfshi në aksionin e persekutimit me një histori që pretendonte se Sanders-i ishte vegël e Moskës në vitet ’80 kur promovoi iniciativa të binjakëzimit me qytete sovjetike gjatë mandatit të tij si kryebashkiak i Burlington-it në Vermont. Pavarësisht qëllimeve fisnike të Sanders-it, shkruante Times-i “sovjetikët e shfrytëzuan agjendën antiluftë të Sanders-it për qëllimet e tyre propagandistike”. Implikimi ishte që socializmi e bëri Sanders-in të mbështeste dhe të ndihmonte qeveri autoritariste – akuzë të cilën media e nxiti ndërkohë që qarkullonin vërejtje për lavdërimet që Sanders-i i bëri programit të shkrim-këndimit të Kubës.
Ideja që socializmi është i barasvlefshëm me tiraninë është e vjetër. Kjo ide besohet nga fakti se shumë qeveri të shekullit XX që pretendonin mantelin e socializmit, ishin në fakt regjime shtypëse. Sidoqoftë, tradita e socializmit demokratik të cilit i përkasin Bernie Sanders-i, Martin Luther King-u dhe Eugene Debs-i nuk ka të bëjë fare me autoritarizmin. Socializmi demokratik ka të bëjë me zgjerimin e lirisë dhe demokracisë – të na çlirojë nga tirania që përshkon jetën e përditshme në kapitalizëm.
Robëria kapitaliste
Kapitalizmi është një sistem ekonomik me një bashkësi të veçantë marrëdhëniesh pronësore. Një grup i vogël njerëzish (kapitalistët) zotërojnë ato që Marksi i quajti “mjetet e prodhimit” – tokën, ndërtesat, makinat dhe lëndët e para të nevojshme për të prodhuar gjëra të dobishme. Shumica dërrmuese (punëtorët) nuk zotërojnë gjë – ata ua shesin fuqinë e tyre punëtore kapitalistëve për një pagë dhe kapitalisti i udhëzon ata të prodhojnë mallra të caktuara, të cilat më pas shiten në treg. Pas dhënies së pagave dhe blerjes së gjithçkaje nevojitet për të vazhduar prodhimin, kapitalistët mbajnë një pjesë të ardhurave si fitime.
Në pamje të parë, marrëdhëniet mes punëtorëve dhe kapitalistëve janë të lira dhe të barabarta. Punëtorët e shesin vullnetarisht fuqinë e tyre punëtore te punëmarrësit dhe mund të bëjnë pazar për paga më të larta apo të refuzojnë ofertën e pronarit. Por mjafton një reflektim i përciptë për të kuptuar se shumica e punëtorëve nuk janë vërtet të lirë të kundërshtojnë punëdhënësin e tyre: shumica e njerëzve duhet të punojnë për të siguruar nevojat e jetesës. Në të kundërt, ata mbesin pa ushqim, strehim, veshje, mjekim dhe të tjera gjëra të nevojshme për një jetë të dinjitetshme.
Po prit, a nuk munden punëtorët të gjejnë një punëdhënës më të mirë? Teorikisht, po. Shumë punëtorë, sidoqoftë, nuk kanë kohë dhe aftësi të kërkojnë punë më të mirë – t’i japësh kohë vetes për të gjetur punë më të mirë, ndër të tjera, do të thotë pamundësi të paguash qiranë apo të ushqesh familjen. Edhe në qoftë se punëtorët kanë fleksibilitet në kërkimin e një pune më të mirë, shanset janë të vogla. Kapitalistët konkurrojnë me njëri-tjetrin për maksimizim të fitimeve, kështu që çdo ndërmarrje synon të marrë sa më shumë punë nga punëtorët me kosto financiare sa më të vogël. Vetëm në rastet kur punëtori zotëron aftësi të rralla apo veçanërisht të vlerësuara do të ketë fatin të marrë oferta. Punëdhënësit, nga ana tjetër, përfitojnë nga papunësia e madhe ose nga numri i madh i të punësuarve me kohë të pjesshme, të gatshëm të pranojnë çfarëdolloj pune (ata që Marksi i quante “ushtria rezervë e të papunëve”).
Më fatlumët për të kapur një vend pune e gjejnë veten të nënshtruar ndaj tiranisë në vendin e punës. Sipas Micah Uetricht-it dhe Barry Eidlin-it:
“Punëdhënësit mund të kufizojnë çfarë njerëzit mund dhe nuk mund të thonë në punë, apo kur dhe ku mblidhen. Ata mund të ndërhyjnë në jetët e tyre private, duke monituruar veprimtarinë e tyre private dhe mbajtur shënime për aktivitetin e tyre privat, apo duke u kufizuar pushimin, përfshirë ku dhe kur mund të përdorin banjën. Me pak përjashtime, punëdhënësit nuk kanë detyrim të garantojnë t’i trajtojnë me drejtësi ata që punësojnë. Ata munden të punësojnë, të heqin nga puna dhe të disiplinojnë punëtorët sipas dëshirës.”
Frika nga uria i detyron punëtorët të kërkojnë punësim; sapo punësohen, e kalojnë shumicën e kohës nën urdhrat e pronarit. Prandaj radikalët prej kohësh e përshkruajnë gjendjen e rëndë të punëtorëve si skllavëri me mëditje.
Kapitalistët përfshihen gjerësisht edhe në jetët e atyre që nuk punojnë për ta. Pronarët e bizneseve dhe investitorët, në mënyrë të njëanshme, vendosin nëse do ta vazhdojnë prodhimin apo do t’i zhvendosin fabrikën ose zyrat e punës – dhe na detyrojnë të durojmë pasojat. Kompanitë farmaceutike refuzojnë të prodhojnë antibiotikë dhe antiviruse shumë të nevojshme. Investitorët e pasurive të paluajtshme dëbojnë dhe zhvendosin banorët e klasës punëtore nga lagjet e tyre për të ndërtuar banesa luksoze.
Ndryshimet klimatike janë shembulli më dramatik i vendimmarrjes së kapitalistëve për fatin e gjithëve ne: një pjesë e vogël e kompanive të karburanteve po na fusin në krizë. Në vend që të nxisë demokracinë, kapitalizmi është një sistem ku një grusht miliarderësh dhe drejtorësh lejohen të rrezikojnë planetin në mënyrë që të sigurojnë përfitime të majme nga investimet e tyre.
Mitet e lirisë dhe demokracisë kapitaliste
Kapitalizmi mbart medoemos një mungesë kontrolli demokratik dhe mungesë lirie për pjesën dërrmuese të njerëzve. Po atëherë, si ia dalin politikanët dhe ekspertët ta barazojnë kapitalizmin me lirinë dhe demokracinë?
Idetë e mësipërme bazohen në ca mite themeltare. Një ndër to – punëtorët janë gjithmonë të lirë ta lënë punën për një më të mirë – përbën një lloj lirie që, siç e përmenda më sipër, nuk vlen një lek. Mbrojtësit e kapitalizmit këmbëngulin shpesh se punëtorët që duan punë më të mira mund ta përmirësojnë situatën e tyre duke mësuar aftësi të reja. Por ky qëndrim gjithashtu e injoron realitetin. Ndërkohë që amerikanët kanë vite që ushqejnë idenë se SHBA është toka e mundësive të barabarta dhe e mobilitetit të pashoq shoqëror, përkatësia racore dhe klasore vendos se kush do ta mbarojë shkollën e mesme apo mund të studiojë në një universitet të rëndësishëm. Se ç’punë do të bësh lidhet gjerësisht me punën që kanë/kishin prindërit e tu.
Pretendimi se “kapitalistët mund të shijojnë fuqi të pamasë ekonomike, por kjo nuk vlen për fuqinë e tyre politike” është një tjetër mit. “Një njeri, një votë” u jep gjithëve peshë të barabartë në formimin e shoqërisë përmes zgjedhjeve demokratike. Po t’i kushtosh vetëm pak vëmendje politikës bashkëkohore, do të kuptosh se kjo është e pavërtetë. Në vend se të jetë një arbitër i paanshëm i ideve apo interesave konkurruese, demokracia liberale mbështet sistematikisht klasën e të pasurve përkundrejt klasës punëtore.
Tre janë arsyet kryesore përse ndodh kështu. E para – shumica e zyrtarëve dhe burokratëve të rëndësishëm vijnë nga radhët e klasës sunduese, duke e pasur kësisoj më të lehtë të përshtaten me botëkuptimin e asaj klase dhe të promovojnë interesat e saj. Një tjetër arsye – kapitalistët mund ta përdorin pasurinë e tyre për të ushtruar trysni financiare të madhe mbi shtetin. Ata punësojnë ushtri lobistësh për të influencuar ligjvënësit, përdorin pronësinë mbi mediat për të formësuar narrativën publike dhe blejnë mbështetje përmes fushatash të stërmëdha donacionesh. Nëse je i/e pasur mjaftueshëm, mund ta përdorësh pasurinë për të blerë pozicione në administratën publike (ose të paktën të futesh në garë).
Akoma edhe më keq, kur forcat e klasës punëtore e kapërcejnë disavantazhin e tyre financiar dhe zgjedhin politikanë simpatizues, pronarët dhe investitorët mund të përdorin grevën e kapitalit – duke mbajtur peng investimet dhe bllokuar ekonominë – për të minuar mbështetjen për politikat dhe qeveritë pro-punëtore. Edhe kërcënimi më i vogël i një greve të kapitalit mund të ndryshojë masat përparimtare, siç veproi Amazon-i vjet kur detyroi Këshillin e Qytetit të Seattle-it për të shfuqizuar një taksë që synonte të mbështeste të pastrehët.
Socializëm demokratik do të thotë liri
Socialistët demokratikë duan të zgjerojnë lirinë individuale dhe të ndërtojnë një shoqëri ku secili merr pjesë në vendimet kryesore që ndikojnë jetët e tyre.
Kjo do të thotë, së pari, të luftosh për të dekomodifikuar (hequr nga funksioni i mallit – shën. red.) nevojat bazike si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe strehimi. Liria e vërtetë duhet të jetë diçka më shumë se një zgjedhje mes punës apo shkatërrimit dhe vdekjes. Socialistët dëshirojnë t’u heqin nga duart kompanive fitimprurëse sigurimin shëndetësor dhe të sigurohen që ai të ofrohet nga shteti, falas për të gjithë – prandaj luftojmë për programe si Medicare for All, strehim social universal dhe arsim të lartë falas. Këto programe jo vetëm që i ndihmojnë njerëzit të jetojnë jetë më dinjitoze, por edhe do t’u mundësonin atyre të zgjedhin se çfarë pune do të donin të bënin, si dhe t’i fuqizonin ata për të ngritur krye para pronarëve të këqij ose thjesht ta linin punën.
Së dyti, socialistët besojnë se firmat duhet të drejtohen kolektivisht dhe demokratikisht nga punëtorët. Njerëzit që prodhojnë të mirat materiale dhe shërbimet duhet të vendosin për kushtet e tyre dhe jo t’u diktohen nga pronarët. Kooperativat punëtore ekzistuese na japin një farë ideje se si mund të jetë demokracia në vendin e punës.
Së treti, socialistët demokratikë duan t’u heqin kapitalistëve kontrollin mbi vendimet sociale madhore dhe t’ua kalojnë punëtorëve, konsumatorëve dhe atyre te të cilët këto politika ndikojnë. Në plan afatshkurtër, kjo do të thotë thyerjen e hegjemonisë së kapitalistëve mbi shtetin përmes masave të rrepta për financimin e fushatës, ndalimin e mbizotërimit të mediave nga korporatat dhe heqjen e barrierave institucionale ndaj sundimit të popullit (siç janë Kolegji Zgjedhor dhe Senati në Shtetet e Bashkuara).
Kalimi drejt një shoqërie më demokratike do të kërkojë gjithashtu shtetëzimin e sektorit financiar, në mënyrë që përparësitë e investimeve të vendosen nga publiku dhe jo nga një grusht elitash. Do të thotë shtetëzimin e sistemeve të energjisë dhe transportit në mënyrë që të mund ta thyejmë shpejt varësinë nga hidrokarburet dhe të parandalojmë efektet më të këqija të ndryshimeve klimatike të krijuara nga kapitalistët. Përfundimisht, shumica e industrive duhet të vihen nën kontroll publik për të eliminuar mundësinë e kapitalistëve për të vendosur “veton” ndaj politikave pro-punëtore duke ndalur investimet.
Fushata e Bernie Sanders-it ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë aspekt. Ndërkohë që senatori i Vermontit nuk po bën thirrje për demokratizimin e plotë të ekonomisë apo transformime themelore të shtetit, shumë nga propozimet e Sanders-it do të zgjeronin lirinë dhe demokracinë në drejtimin që aspirojnë socialistët. Medicare for All do t’i çlironte punëtorët prej varësisë nga pronarët për kujdesin shëndetësor, duke i fuqizuar ata për të kërkuar më shumë në punë dhe për të shmangur kështu punët e këqija. Green New Deal-i i Sanders-it do të ndihmonte në çlirimin tonë nga industria e hidrokarbureve, duke na dhënë zgjidhjen më të mirë për mirëmbajtjen e planetit. Ndërsa Ligji për Demokracinë në Vendin e Punës i Sanders-it do të zgjeronte masivisht të fuqinë në hartimin e kontratave kolektive, duke u dhënë punëtorëve një peshë më të madhe në vendimmarrjen e punëdhënësve të tyre.
Duke dobësuar pushtetin e pronarëve dhe u dhënë punëtorëve më shumë kontroll mbi jetët e tyre, platforma e Sanders-it na mundëson të luftojmë për fitore edhe më të mëdha në të ardhmen – siç e thekson edhe parulla e fushatës së tij, “Jo unë, ne”, qëllimi nuk është thjesht zgjedhja e një presidenti, aq më pak të presësh çlirimin nga një udhëheqës dashamirës, por të vazhdohet organizimi për ndryshime demokratike pas ditës së zgjedhjeve. Ky është qëndrimi i socialistëve. Sepse qëllimi ynë përfundimtar është hedhja poshtë e tiranisë së kapitalistëve dhe ndërtimi i një shoqërie që maksimizon lirinë për të gjithë.
E përktheu Nebih Bushaj
Marrë nga revista Jacobin
Imazhi: The New York Times