Paraziti, një dritare në neoliberalizmin e Koresë së Jugut

/Max Balhorn/

Filmi “Paraziti” i Bong Joon Ho-së është përshëndetur për shpërfaqen e ndarjeve klasore të cilat përçajnë  shoqërinë e Koresë së Jugut. Por portretizimi i jetës së klasës punëtore demonstron gjithashtu një sëmundje më të thellë të kapitalizmit — mënyrën se si përpjekja e vazhdueshme për të siguruar një vend pune minon dinjitetin tonë thelbësor njerëzor. Filmi “Paraziti” i Bong Joon Ho-së, i cili mbërriti në kinematë amerikane muajin e shkuar pas shfaqjes së tij të parë në Korenë e Jugut në maj, ka qenë një goditje e fuqishme për kritikët dhe audiencat po ashtu. Pas Palmës së Artë të fituar në premierën e Kanës, ai shiti mbi dhjetë milionë bileta vetëm në Korenë e Jugut, duke e bërë atë filmin e katërt për nga shitja e biletave në Korenë e Jugut për vitin 2019. Duke grumbulluar mbi 120 milionë dollarë në mbarë botën, “Paraziti” është filmi i shtatë i regjisorit Bong Joon Ho dhe deri tani më i suksesshmi. Duke ardhur nga një regjisor filmat e të cilit shpesh paraqesin karaktere të margjinalizuara që luftojnë shtypjen (shih “Qentë që lehin nuk të hanë”, “The Host” dhe më i fundit “Snowpiercer“), “Paraziti” është përshëndetur si një kritikë e qartë dhe e drejtpërdrejtë e pabarazisë pasurore në shoqërinë koreano-jugore.

Filmi (detaje të tij më poshtë!) shihet gjerësisht si një alegori për pabarazinë e skajshme klasore dhe frustrimin e përhapur me mungesën e mobilitetit social në një nga vendet më të pasura të Azisë. Duke shkruar për revistën Jacobin, Eileen Jones-i e çmoi “Parazitin” për shkuarjen përtej parathënieve të thjeshta alegorike, duke pretenduar se “kristalizon përvojën e të qenit një familje e nënklasuar shtin në dorë mundësinë për ‘t’ia dalë’ dhe e portretizon atë në mënyrë që të të lëndojë”.

Te New York Times, Brian X. Chen-i e përshkruan filmin si një përplasje ndërmjet “të pasurit dhe të mospasurit” dhe i interpreton manipulimet e kryera nga familja Kim në film si një hakmarrje për shkak të “zemërimit dhe frustrimit” në një shoqëri të projektuar që vetëm të të pasurit të kenë sukses. Scott Mendelson-i e cilësoi filmin si një “komentar i vrazhdë shoqëror” mbi jetën e të pasurve, i mbështetur nga puna e një nënklase të pavënshme re, e cila “mezi ia del të rrojë në një qytetërim të cilit ajo i mundëson themelet”.

Ndeshja mes familjeve Kim dhe Park te “Paraziti” është në të vërtetë një metaforë qartësisht e dukshme për antagonizmin klasor në shoqërinë e Koresë së Jugut. Por përqendrimi vetëm në pasurinë materiale rrezikon të neglizhojë një kritikë delikate dhe përfundimisht më shkatërruese në filmin e Bong Joon Ho-së. “Paraziti” gjithashtu tregon zhveshjen e njerëzve të klasës punëtore nga dinjiteti, respekti për veten, pozita shoqërore, ndërkohë që puna jonë dhe jetët tona janë bërë të pasigurta si kurrë më parë nga ashpërsia e dinamikave të kapitalizmit neoliberal.

Mezi të të dalë rroga

E nisim me historinë. Te “Paraziti”, një familje klasë punëtore e rrënuar nga Seuli e quajtur Kim, infiltrohet në botën e të pasurve nëpërmjet një sërë djallëzish. Kur djalit të tyre Ki-woo-së i ofrohet një punë fitimprurëse nga shoku i tij për t’i dhënë mësim vajzës së një familjeje pasanikësh në Seul — Parkëve — ai pranon. Sidoqoftë, Ki-woo-ja përballet me një ngatërresë të vogël si mosvazhdimi i studimeve unversitare, pasi familja e tij nuk mund t’i paguante shkollimin. Duke parashikuar që Parkët do të pranojnë vetëm një student, ai shkon me një dokument regjistrimi të falsifikuar nga motra e tij e talentuar.

I habitur nga naiviteti i të pasurve, Ki-woo-ja thur një seri komplotesh të tipit “Mision i Pamundur” për të marrë të gjithë familjen e tij të punojnë për Parkët. Motra e Ki-woo-së, Ki-jeong-u, bëhet mësuese e “terapisë së artit” për djalin arrakat dhe disi nazeqar të Parkëve. Babai i Ki-woo-së, Ki-taek, punësohet si shoferi i tyre personal. Mamaja e Ki-woo-së, Chung-sook-u, e vendos veten si kujdestarja e re e shtëpisë, pasi nxjerr jashtë loje kujdestaren e mëparshme që kishte kohë që shërbente aty. Duke i mbajtur të fshehta lidhjet e tyre familjare, profesionet e tyre të reja i nxjerrin Kimët nga varfëria, çka deri pak javë më parë dukej e pashmangshme. Në një treg pa punë të qëndrueshme dhe të mirëpaguara, ku punëtorët shpesh i drejtohen vetëpunësimit ose punës së rastësishme e të pambrojtur, Kimëve duket se u ka rënë bingoja.

Kimët mishërojnë gjendjen e rëndë të klasës punëtore të Koresë së Jugut. Ata jetojnë të rrasur së bashku në një apartament të pistë gjysmë-bodrum në Seul, ku çdo natë u nënshtrohen të pirëve që urinojnë në rrugë, pranë dritares së tyre të kuzhinës. Jeta e tyre qëndron në kontrast të thiktë me Parkët e pasur, të cilët gëzojnë privilegjin e rrallë të zotërimit të një shtëpie luksoze, të mbyllur me një oborr të gjerë dhe të peizazhit përballë (praktikisht i padëgjuar në qytetet e dendura të Koresë së Jugut).

Simbolika te “Paraziti” nuk mbaron këtu. Kimët mbijetojnë me pica të lira. Madje edhe kur kanë para, ata festojnë duke ngrënë në një restorant bufe për shoferët e taksive — një mënyrë e lirë për të konsumuar një vakt të dendur me kalori. Kjo simbolikë nuk u shpëton ndjekësve të kinemasë në Seul, sot një nga dhjetë qytetet më të shtrenjta në botë, me produktet ushqimore më të shtrenjta në Azi. Në të kundërt, Parkët e furnizojnë frigoriferin e tyre me ujë të gazuar dhe i ushqejnë qentë e tyre me ushqim organik të cilësisë së parë dhe gaforre japoneze.

Dietat e atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë janë vërtet një indeks domethënës i pabarazisë në kryeqytetin e Koresë së Jugut. Sipas një studimi të vitit 2018, ku u anketuan 1,023 banorë, mbi 20 për qind e seulasve me të ardhura të ulëta nuk marrin përbërësit e përshtatshëm nga dietat e tyre — një numër katër herë më i lartë se mesatarja kombëtare. Për më tepër, 10 për qind e banorëve me të ardhura të ulëta vuajnë nga pasiguria ushqimore, çka do të thotë se atyre u mungon qasja e sigurt në atë ushqim që u nevojitej për një jetë të shëndetshme dhe aktive. Po t’i shtosh kësaj edhe sasinë më të vogël të produkteve të freskëta, kjo sjell një situatë në të cilën të varfrit e Seulit vuajnë nga norma më të larta të tensionit të gjakut, diabetit, mbipesha dhe sëmundjet e zemrës.

Pa plan

Në një skenë në gjysmë të filmit, ndërsa babai i familjes Kim, Ki-taek, që e dërgon me makinë në një takim zotin Park, përpiqet ta shfaqë veten e tij si veteran të fushës duke sajuar një histori për dashurinë e tij të fortë për zanatin. Zoti Park tund kokën dhe përgjigjet: “Unë i respektoj njerëzit që punojnë në të njëjtën fushë për një kohë të gjatë”. Temat e ngjashme të angazhimit profesional, të “të pasurit një plan“ dhe të mbështetjes te vetja përsëriten gjatë gjithë filmit.

Ndërsa Ki-wooja është gati për në një intervistë pune me dokumente të falsifikuara në dorë, ai i thotë të atit: “Unë nuk e konsideroj këtë një krim. Unë do ta ndjek këtë universitet tek e fundit. Mendojeni se vetëm jam duke marrë dokumentet pak më herët.”  Babai i tij përgjigjet: “Pra, kështu ti paske një plan!” Kur fqinji i sipërm ndryshon fjalëkalimin e Wi-Fi-it, Chung-sooku pyet të shoqin: “Telefonat tanë janë jashtë përdorimit. Tani Wi-Fi është fikur. Pra, cili është plani yt?”

Më vonë, pasi banesa e Kimëve është përmbytur dhe ata përfundojnë duke fjetur në një gjimnaz, Ki-taek-u i thotë të birit: “Ki-woo, e di ti se cili plan nuk dështon kurrë? Asnjë plan. E di pse? Nëse bën një plan, jeta nuk funksionon kurrë në atë mënyrë”.

Për banorët e moshuar të Seulit, kjo skenë ka të ngjarë të jetë rikujtuese e përmbytjeve të përsëritura në lagjen Mangwon aty pranë, në vitet 1980, një zonë me të ardhura të ulëta ngjitur me deponinë e plehrave. Bashkia i shpërfilli me vetëdije digat që mbajnë lumin Han, duke shkaktuar përmbytje shkatërruese që u morën jetën njerëzve të varfër dhe të moshuar që jetonin atje. Banorët e Mangwonit ngritën padi kundër administratës së qytetit dhe fituan kompensim, duke formuar Avokatët për një Shoqëri Demokratike, organizatën e parë të juristëve për të drejtat e njeriut dhe demokraci në Korenë e Jugut.

Nëpërmjet “Parazitit”, pasiguria e lagjes së Kimëve është në kontrast të mprehtë me sigurinë dhe mbrojtjen e blerë nga pasuria e akumuluar e Parkëve. Përpara se të nisnin punë te familja pasanike, Kim Ki-taeku dhe familja e tij kishin provuar një mori punësh për të fituar ç’të mundnin. Filmi hapet me Kimët të ulur në kuzhinën e tyre, duke palosur kuti picash për një restorant aty pranë — një punë e sajuar, sa për të fituar disa dollarë. Ki-taek-u përmend gjithashtu se më parë kishte punuar në një dyqan tajlandez pulash të skuqura “king castella”, si dhe punën si një shofer daeri.

Shoferët daeri dërgojnë njerëzit e dehur në shtëpi në veturat e tyre natën vonë, një formë e zakonshme e punës të kontraktuar pjesërisht, e kryer nga të nënpunësuarit në qytetet e Koresë së Jugut (pak a shumë si shoferët me Uber në Perëndim — shënim i përkthyesit). Ata janë të detyruar të qëndrojnë në telefon gjatë gjithë ditës, shpesh duke pritur në rrugë pa pasur mundësi për të pushuar, të shmangin motin e keq apo edhe të përdorin tualetin. Shumica e drejtuesve me orar të plotë fitojnë më pak se 1.750 dollarë në muaj (shifër shumë e ulët për jetesën në Korenë e Jugut — shënim i përkthyesit) dhe raportojnë se vuajnë nga një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë problemet muskuloro-skeletore, lodhjen dhe stresin.

Drejtuesit e këtyre automjeteve në qytetin e Daegut formuan sindikatën e tyre që në fillim të vitit 2005, por iu mohuan të drejtat e sindikatës në nivelin kombëtar nga qeveritë e mëparshme e Lee Myung-bak-ut dhe të saporrëzuarit Park Geun-hye, duke përmendur statusin e tyre si punonjës të kontraktuar. Me gjithë premtimet e hershme nga administrata aktuale e Moon Jae-in-it, shoferëve daeri përsëri iu mohua leja për t’u regjistruar si një sindikatë kombëtare nga Ministria e Punës në vitin 2017.

Sidoqoftë, kjo mund të ndryshojë. Në një mori vendimesh gjyqësore në nëntor 2019, duke iu përgjigjur presionit në rritje të sjellë nga punëtorët e organizuar, shoferët daeri, krahas shoferëve të shpërndarjes së ushqimit dhe seteve të golfit, u njohën si “punëtorë” në vend të “punonjësve të kontraktuar”, sipas kushtetutës së Koresë së Jugut — me mundësimin e hapjes së rrugës së të drejtës për të formuar një sindikatë. Për shoferët daeri që kanë luftuar për të drejtat e organizimit sindikal për më shumë se një dekadë, mundësia për të rënë dakord në mënyrë kolektive mbi kontratat mund t’i japë fund pagave të urisë. Pa këto të drejta, në të vërtetë do të ishte një sfidë e madhe për shoferet daeri  “të punonin në të njëjtën fushë për një kohë të gjatë”, siç dëshironte zoti Park.

Çmenduria Castella

Në një kthesë dramatike në mes të filmit, kujdestarja e larguar e shtëpisë, Moon-gwang-u, kthehet ndërsa familja Park është larg për fundjavën dhe i lutet Chung-sook-ut ta lejojë në shtëpi. Duke u shfaqur e çrregullt, e pabindur dhe si e çmendur, ajo rend në një dhomë të fshehtë në bodrum, ku audienca mëson se burri i saj, Geun-sae-ja, ka katër vjet që u fshihet fajdexhinjve. Pasi u arratisën nga banesat e bodrumit të tyre drejt pasurive përrallore të Parkëve, Kimët zbulojnë se një familje tjetër e klasës punëtore ka qenë duke jetuar edhe më mjerueshëm në bodrumin poshtë tyre.

Geun-sa-ja shpjegon se situata katastrofike është e gjitha për fajin e tij. Ai kishte marrë hua nga një fajdexhi i egër për të hapur një dyqan ëmbëlsirash “king castella” — një çmenduri pas ëmbëlsirash që filloi në Tajvan dhe shpërtheu në të gjithë Korenë e Jugut në vitin 2017. Për shkak të kostove të ulëta të fillimit, dyqanet e king castella-s ishin relativisht të lira për t’u hapur dhe një sërë koreano-jugorësh shpenzuan kursimet e një jete për t’u pasuruar kësisoj. Tregu së shpejti u mbingop dhe flluskat e king castella-s shpërthyen, duke lënë qindra, në mos po mijëra, njerëz me borxhe masive dhe pa asnjë mundësi për t’i shlyer ato.

Këto lloj tregimesh janë të zakonshme në Korenë e Jugut, ku mungesa e punësimit të qëndrueshëm, me kohë të plotë dhe të drejta sociale, i shtyn familjet të hapin biznese me shpresën që të dërgojnë fëmijët e tyre në universitet dhe të dalin në pension me disa kursime. Në vitin 2017, 25.4 përqind i koreano-jugorëve ishin të vetëpunësuar, shpesh herë në ndërmarrje që funksionojnë si restorante të pulave të skuqura dhe dyqane lagjesh — dukshëm më e lartë se mesatarja 15.3 për qind në vendet e OECD-së të marra së bashku.

Me mbi 8,000 dyqane pulash falimentojnë çdo vit, për shumicën e punëtorëve që tashmë përpiqen të shtyjnë muajin, dështimi i biznesit familjar shpesh i zhyt më thellë në borxhe dhe dëshpërim. Ky dëshpërim, një përvojë e njohur për mijëra ndjekës kinemaje të Koresë së Jugut, është sfondi në të cilin shpaloset jeta e dy familjeve që banojnë në bodrumin e përshkruar te “Paraziti”. Në rastin ekstrem të Geun-sae-së, dëshpërimi e shtiu mirëfilli nën dhé.

Të fituarit “respekt”

Kur babai i familjes Kim, Ki-taek-u, përfundon duke u fshehur në bodrumin e fshehtë të shtëpisë së Parkëve, ai vëzhgon ritualin falënderues çmendurak të Geun-sae-së ndaj zotit Park. Geun-sae-ja qëndron para një reviste financiare me faqe të grisura që paraqet zotin Park si “CEO-n e Vitit” dhe e falënderon atë për ”ushqimin dhe strehimin tim” — ndjekur nga një thirrje për ”respekt!”. Duke parë këtë, Ki-taek-u pyet i hutuar: “Ju e bëni këtë çdo ditë?”. Geun-sae-ja më pas zbulon se duke shtypur çelësin e dritës në bodrum, ai i dërgon mesazhe ditore familjes së zotit Park duke përdorur kodin Mors. Në pamundësi për të tërhequr paralelet midis gjendjes katastrofike të Geun-sae-së dhe të vetes, Ki-taek e pyet: “Si mund të jetosh në një vend si ky? Çfarë do të bësh për të ndryshuar? A ke një plan?”.

Skena e të shprehurit falënderime dhe mirënjohje të pamerituara për “dashamirësinë” e të pasurve shfaqen në të gjithë filmin. Pasi e gjithë familja Kim përfundon e punësuar nga Parkët, Ki-taek-u sugjeron që ata “të bëjnë një lutje mirënjohjeje për zotërinë e madhërishëm Park” për të ardhurat që ai i siguron familjes.

Karakteret e klasës punëtore te “Paraziti” përgjithësojnë logjikën e kapitalizmit të vonë — që i shtyn njerëzit si Kimët ta konsiderojnë varfërinë pasojë të dështimeve të tyre morale, jo rezultat i një sistemi të ndërtuar mbi shfrytëzimin dhe pasigurinë e përhershme. Te “Paraziti”, kjo logjikë rezulton në një “respekt” të pamerituar të treguar ndaj të pasurve në mesin e të varfërve që banojnë në bodrum — duke i penguar ata të identifikohen me njëri-tjetrin dhe të gjejnë forcë në solidaritet.

Plani për të fituar

Krahas thjesht të qenit një film i jashtëzakonshëm, “Paraziti” rezonon me audiencën për shkak të dritës që hedh mbi padrejtësinë ekonomike, e evokuar vazhdimisht nga banesa e gjysmë-bodrumit të familjes Kim. Në një skenë të tensionuar, Parku më i ri komenton që shoferi i familjes, kujdestarja e shtëpisë dhe dy mësuesit mbajnë erë njësoj — për shkak të aromës së lagështirës që lë banesa e Kimëve mbi rrobat e tyre. Në një mori artikujsh, tweet-esh dhe postimesh në Facebook pas publikimit të filmit, “gjymsë-bodrumi” simbolizonte përvojat kolektive të klasave më pak të privilegjuara të Seulit, përvoja të cilat janë krejtësisht të huaja për ata që kanë lindur në pasuri dhe me plot mundësi.

Sidoqoftë, çka e bën kritikën e Bong Joon Hosë ndaj jetës në kapitalizëm kaq goditëse nuk është thjesht fakti që ai nxjerr në pah pabarazitë, por përshkrimi i demoralizimit të punëtorëve në neoliberalizëm. Të bllokuar në cikle të vazhdueshme të varfërisë, Kimët janë në kërkim të vazhdueshëm të një vendi pune, një sinjali falas Wi-Fi dhe një mënyre për t’i shpëtuar erës së “leckës së zier” që i shënjon ata si të varfër. Ata tentojnë vazhdimisht skema të reja për të shkruar vetë një histori jete të denjë për respekt.

Jeta e Parkëve, nga ana tjetër, tregon vazhdimësi dhe qëndrueshmëri. Ata jetojnë në një shtëpi historike të projektuar nga një arkitekt i famshëm — një pikë e vazhdueshme krenarie në bisedat me vizitorët. Ata gëzojnë luksin e të kaluarit të kohës së bashku në mbrëmje dhe shkojnë me pushime fundjavës për të festuar ditëlindjet.

Kimët, dhe miliona punëtorë të Koresë së Jugut, do të ishin më pak nën presion për të punuar punë të tilla të pasigurta nëse vendi kishte mbrojtje më të mirë të punës. Koreja e Jugut ka një lëvizje të fortë dhe krenare të punëtorëve, por asnjëherë nuk ka pasur një qeveri të majtë që të rishkruajë kodin e punës. Pavarësisht premtimeve në kohë fushate nga presidenti aktual Moon Jae-in, deri më tani ai ka bërë pak, dhe punëtorët vazhdojnë të bëjnë punë të shumta vetëm për t’ia dalë fundit të muajit.

Në këtë mënyrë, filmi i Bong Joon Ho-së satirizon me mjeshtëri kulturën neoliberale të vetëbesimit që përshkon shoqërinë e Koresë së Jugut, duke i nxitur punëtorët të marrin përgjegjësi të plotë ekonomike për veten e tyre, ndërsa në të njëjtën kohë i stigmatizon ata se nuk meritojnë respekt dhe njerëzillëk kur kapitalizmi ua kthen përmbys jetët. Pohimi i Ki-taekut se është më mirë të “mos keni plan” është një diagnozë e jetës në Korenë e Jugut pas ristrukturimit neoliberal: kur punëtorët atomizohen dhe izolohen, ata humbasin aftësinë për të planifikuar, të ndjehen të sigurt e të mbrojtur dhe të zbulojnë kuptimin dhe qëllimin në jetën e tyre. Në fund, shumë prej tyre dështojnë.

Filmi është pritur pozitivisht në Korenë e Jugut, ku një mori çështjesh sociale si gentrifikimi i shfrenuar, “rigjallërimi” urban në lagjet me të ardhura më të ulëta, ndotja e ajrit, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe banesave dhe pasiguria në punë kanë krijuar një ndjenjë tradhtie midis shumë të rinj. Në një studim të shtatorit 2019, vetëm 23 për qind e njëzet-e-ca-vjeçarëve me prejardhjeve nga klasa e mesme e më poshtë thanë se ishin optimistë që cilësia e tyre e jetës do të përmirësohet.

Në këtë kontekst, nuk është e habitshme që audienca e Koresë së Jugut të njohë hipokrizinë e një situate ku individëve u kërkohet të “kenë një plan”, po prapëseprapë nuk u tregohet rruga drejt stabilitetit. Fakti që “Paraziti” ka pasur kaq shumë popullaritet edhe në Perëndim tregon se kushtet e përshkruara në Seul nuk janë larg përvojës së njerëzve anembanë botës.

Marrë nga Jacobin.

E përktheu Kristi Çunga

Imazhi: Neon / CJ Entertainment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.