Gjendja e jashtëzakonshme si instrument i vazhdimit të sundimit klasor

/Alfred Bushi/

Si është e mundur që, ndonëse jemi në një gjendje të jashtëzakonshme, në shumë fabrika, miniera e të tjera vende nuk ka ndaluar ende puna? Teorikisht vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme do duhej të vlente për çdo sferë apo sektor të prodhimit, përveç atyre që mundësojnë plotësimin e nevojave të përditshme të domosdoshme për popullsinë. Mirëpo më pas kupton se nga vetë përkufizimi “gjendja e jashtëzakonshme” është pezullimi i rendit juridik normal; një gjendje jo uniforme e cila bazohet te përjashtimi – përjashtimi që vendos sovrani . Është pra ky i fundit, jo ligji (i cili për nga natyra është universal) që vendos mbi gjendjen e jashtëzakonshme dhe që në rastin tonë vendos se cilat sfera të jetës shoqërore duhen pezulluar përkohësisht dhe cilat duhet të vazhdojnë të funksionojnë. Nëse kjo gjendje në fillesë ka qenë instrument për të dalë nga gjendjet e vështira në të cilat gjendej shteti, sot ajo është kthyer në një instrument për të ruajtur dhe thelluar sundimin klasor.

Në Greqinë e lashtë, sipas dëshmive të filozofëve të kohës, sfera politike ishte e ndarë nga ajo ekonomike. Politika për ta ishte hapësirë e lirisë, ndërsa ekonomia ishte hapësirë e domosdoshmërisë, e prodhimit dhe riprodhimit të jetës. Për t’u marrë me çështjet e polisit, duhej dalë medoemos nga sfera ekonomike sepse në këtë sferë nuk qeverisej sipas virtyteve të lirisë e të drejtës, por me dorën e hekurt të pronarit të sipërmarrjes apo të kryetarit të familjes – despotit. Edhe shoqëritë e demokracive përfaqësuese liberale bazohen në këtë ndarje. J. Locke-u e themelon shoqërinë politike mbi po të njëjtën kontradiktë, mbi skllavërinë e kolonive, punëtorëve e shërbëtorëve dhe mbi liritë politike të borgjezisë dhe klasave të tjera sunduese. Liritë, të drejtat, jeta, mirëqenia e liberalëve, ashtu si në shoqëritë skllavopronare të antikitetit, bazohen mbi skllavërinë e klasës punëtore. Epoka jonë nuk ka ndryshuar shumë për sa i përket kësaj ndarjeje. Ende sot këto dy sfera mbeten sa të ndara aq dhe të bashkuara, të domosdoshme për njëra-tjetrën dhe në ndërveprim. Sfera e punës është një sferë tërësisht e depolitizuar, e zhveshur nga çdo liri apo e drejtë politike. Liria për t’u organizuar sindikalisht, për t’u mbrojtur nga padrejtësitë e pronarit apo shtetit, është tërësisht inekzistente. Për sa i përket pagës, punëtori – në vend se të vlerësohet sipas produktit të punës, kohës së punës, mundin dhe vlerës që i shton produktit – i nënshtrohet vetëm vullnetit të pronarit. Ky i fundit vendos edhe për orarin e punës, orët shtesë, pagesën e orëve shtesë, ditëve pushim etj. Brenda sferës së punës jeta e punëtorit është si jeta e skllavit në shoqëritë skllavopronare.

Jeta e punëtorit sot përkon me jetën e lakuriqtë (jeta e thjeshtë biologjike, pa asnjë dimension politik), e cila nuk është e denjë të konsiderohet politikisht. Jeta e lakuriqtë është jeta brenda sferës së fajit – siç thoshte Walter Benjamin-i, sfera mbi të cilën ushtrohet më e tmerrshmja e më frytdhënësja e dhunave: shfrytëzimi ekonomik. Kështu, sa më skllavëruese të jetë puna, aq më pak liri ka brenda saj, aq më pak të drejta e kushte dinjitoze ka punëtori dhe aq më shumë ky i fundit përkon me gjendjen e kafshës. Punëtori është therori i cili do të lajë të gjitha fajet e shoqërisë. Ai do të na shpëtojë, siç na ka shpëtuar deri më tani. Mbi supet e tij mbahet në këmbë e tërë jeta. Mbi skllavërinë e tij ngrihet sot pseudo qenia politike e vetëkyçur salloneve luksoze e cila kërkon t’i shpëtojë vdekjes. Jeta e lakuriqtë është jetë e shenjtë, jetë e cenueshme nga çdo dhunë. Njeriu i shenjtë – në antikiteti, por edhe sot – është ai që nuk mund të vritet nga askush me dashje, por nëse dikush apo diçka e vret atëherë nuk kemi të bëjmë me vrasje. Jeta e punëtorëve sot fatkeqësisht është e tillë, më shumë se e çdo klase tjetër. Nëse ndodh që në vendin e punës të vdesë ndonjë punëtor, atëherë faji nuk bie mbi askënd sepse jeta e tij përfaqëson jetën e kujt duhet të shlyejë fajet e tërë shoqërisë. Punëtorët janë Jezusët bashkëkohorë. Mbi ta mund të bjerë çdo dhunë, edhe vdekja, sepse ata janë të padenjë për t’u trajtuar politikisht, thjesht qenie biologjike dhe, për rrjedhojë, kurdoherë fajtorë.

Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme vetëm për një pjesë të shoqërisë, kuptojmë se kjo gjendje është kthyer tashmë në një paradigmë të pazëvendësueshme të shoqërisë bashkëkohore. Kjo gjendje, e cila i përjashton gjithnjë punëtorët, është kontradiktore në vetvete sepse nuk bën tjetër veçse vazhdon gjendjen normale në të cilën ka punuar dhe jetuar gjithnjë punëtoria. Gjendja e jashtëzakonshme nuk ndërhyn në sferën e punës sepse kjo sferë përveçse është sferë e akumulimit të kapitalit dhe si e tillë s’bën të prekët, trajtohet edhe si sferë e qenieve inferiore, skllevërve që nuk janë të denjë për të pasur asnjë të drejtë politike. Për të dalë nga kjo gjendje shfrytëzimi e përjashtimi, duhet që shoqëria, e vetmja sovrane, ta kthejë gjendjen e jashtëzakonshme në një gjendje të dobishme për të. Deri më tani kjo gjendje i ka shërbyer gjithnjë luftës së klasave dhe sundimit të pak vetëve në kurriz të të shumtëve. Sot kjo gjendje duhet t’i kthehet kuptimit të saj origjinar. Gjendja e jashtëzakonshme duhet të na ndihmojë të dalim nga kjo gjendje e vështirë duke pezulluar rendin normal të gjërave për të gjithë, jo duke përjashtuar disa për të favorizuar disa të tjerë. Kjo gjendje duhet t’u kthejë dinjitetin politik punëtorëve dhe të gjitha shtresave të shfrytëzuara sepse do t’i emancipojë nga jeta e lakuriqtë, e shenjtë, e njëtrajtshme në të cilën kërkon ta mbajë me çdo kusht klasa sunduese. Populli a shoqëria do të jetë vërtet sovrane kur ta kthejë gjendjen e jashtëzakonshme në të mirë të shoqërisë. Nëpërmjet formave të ndryshme të organizimit, populli duhet ta pezullojë dhe kontradiktën thelbësore të demokracisë liberale. Punëtorët duhet ta politizojnë sferën e punës nëpërmjet organizimit sindikal. Po ashtu edhe shtresat e tjera shoqërore duhet të organizohen që t’i japim fund një herë e përgjithmonë përjashtimit dhe shfrytëzimit të gjithanshëm të klasës sunduese. Gjendja e jashtëzakonshme mund të kthehet në anën e të përjashtuarve nëse jemi të organizuar dhe të gatshëm për të luftuar. Të mos harrojmë se qeveria e parë e punëtorëve u themelua në një gjendje të jashtëzakonshme, e po ashtu edhe Revolucioni i Tetorit ndodhi në një gjendje të tillë.

Imazhi: Click Orlando

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.