Bëhuni gati, një përmbysje më e madhe po afron

/Pankaj Mishra/

(Pjesa 1 nga 2)

Pandemia e Covid-19 reflekton një krizë sistemore të ngjashme me tronditjet madhore të shek. XX.

Teksa zinxhirët globalë të furnizimit këputen, kompanitë ajrore ndërpresin fluturimet, kufij të rinj lindin brenda shteteve-kombe, bursat tranden nga frika dhe recesioni rri pezull mbi ekonomitë – nga Kina në Gjermani, nga Australia në SHBA, nuk mund të vihet më në dyshim se po jetojmë në kohë të pazakonta.

Çka vihet në dyshim, megjithatë, është aftësia jonë për t’i kuptuar ato duke përdorur një fjalor që rrjedh nga dekadat kur globalizimi ngjante si një dukuri e natyrës, si ajri dhe era. Kjo pasi koronavirusi shënjon një tjetërsim rrënjësor, nga ata që ndodhin një herë çdo njëqind vjet dhe që bën copë e thërrime supozimet e mëparshme.

Në fakt, një shkundje e tillë ndodhi thuajse tamam një shekull më parë dhe e ndryshoi botën në mënyrë kaq dramatike, saqë për ta kuptuar ishin të nevojshme revolucionet në arte, shkenca dhe filozofi, për të mos folur për ekonominë.

Vitet e para të shek. XX, njësoj si sot, ishin fytyra e tregjeve të lira të mallrave, kapitalit dhe krahut të punës. Kjo ishte koha për të cilën John Maynard Keynes përdori shprehjen që mbahet mend se “banori i Londrës mund të porosiste në telefon, teksa pinte çajin në shtrat, produktet e ndryshme nga e gjithë bota”.

Ky krijues, e njëkohësisht konsumator, i kapitalizmit global mund të “investonte pasurinë e tij në resurse natyrore dhe sipërmarrje të reja në çdo cep të botës.” Ai gjithashtu mund “të siguronte pa humbur kohë, nëse dëshironte, mënyra të lira dhe të rehatshme transporti në secilin vend apo zonë klimatike pa pasaportë apo formalitete të tjera.”

Një botë kaq e ndërthurur ekonomikisht dukej për shumëkënd si garancia e përsosur kundër luftës – një version bashkëkohor i një optimizmi të tillë ishte teoria e “Shigjetave të Arta” të Thomas Friedman-it, sipas së cilës dy vende që kishin hapur restorante McDonald’s-i nuk mund të hynin në luftë me njëra-tjetrën.

Lufta e Parë Botërore nuk solli vetëm fundin e globalizmit të pandalshëm. Ajo nxori zbuluar në mënyrë mizore një inteligjencie e cila kish besuar te progresi i pandalshëm dhe tani ishte e shtrënguar të pranonte se – sipas fjalëve që Henry James i shkroi një miku në gusht të 1914-s, “batica që na mori me vete po drejtohej gjatë gjithë kohës drejt kësaj Niagare gjigande”.

Ashtu si me krizën tonë, tronditjet madhore të shek. XX – Lufta e Parë Botërore e ndjekur nga Depresioni i Madh – vështirë se perceptoheshin sepse shkaqet madhore të tyre ishin vënë në lëvizje dekada më herët dhe ishin injoruar gjerësisht nga politikanët dhe analistët.

Demokracia, qoftë si një ideal emotiv barazie apo si përfaqësim institucional i bazuar te zgjerimi i të  drejtës së votës për burrat, ishte bërë gradualisht parimi qendror i botës moderne, sidomos ndërkohë që zhvillimi industrial gjeneronte pabarazi të reja.

Nga frustrimi i vazhdueshëm, aspirata për demokraci nxiti rritjen e lëvizjeve politike nga e majta dhe nga ekstremi i djathtë të cilat i kundërviheshin elitës sunduese.

Elementët e rinj turbullues i gjetën mbështetësit më të përkushtuar te popullsia e shfrytëzuar e qyteteve në rritje. Populluar kryesisht nga njerëz të saposhpërngulur nga fshati, të çrrënjosur nga jetesa tradicionale dhe të detyruar të jetojnë në mjerimin urban, në fund të shek. XIX qytetet e mëdha të botës kishin filluar të ktheheshin në tenxhere presioni nga pakënaqësia.

Problemi i përshtatjes së aspiratave gjithnjë në rritje për barazi me ekonomitë që gjeneronin pabarazi po thellohej veçanërisht në shtete-kombe si Gjermania, Italia dhe Japonia, të cilat po përpiqeshin të arrinin vendet perëndimore të zhvilluara ekonomikisht.

Me një seri tronditjesh në ekonomi që filluan nga fundi i shek. XIX dhe arritën majën me Depresionin e Madh, ngjitja e ekstremit të djathtë në pushtet dhe përshkallëzimi i konfliktit mes shteteve u bënë të pandalshme.

Në udhëkryqin ku ndodhemi, të gjithë përbërësit e kiameteve të mëparshme janë të pranishëm, në një shkallë ogurzeze të paprecedentë.

Prej dekadash tashmë, çindustrializimi, zhvendosja e vendeve të punës jashtë shtetit dhe automatizimi i procesit të punës kanë mohuar sigurinë dhe dinjitetin e punëtorëve, duke i kthyer të përvuajturit në pre të demagogjisë edhe në vendet e zhvilluara perëndimore. Ndërkohë, paralizimi i modernizimit ekonomik ose pezullimi i procesit të urbanizimit për fuqitë në rritje si India dhe Rusia kanë krijuar, thuajse si prej një recete të gatshme, bazën politike për figurat dhe lëvizjet e të djathtës ekstreme.

Kriza financiare e 2008-s, që shkaktoi dëme më të mëdha dhe të shtrira në kohë sesa Depresioni i Madh, mund ta ketë diskredituar elitën e globalizmit që premtoi mirëqenie për të gjithë, duke u hapur rrugën demagogëve si Donald Trump-i. Megjithatë, pak mësime u nxorën nga kolapsi i tregjeve globale teksa batica i drejtohej me nxitim Niagarës. Prandaj kriza e kohëve tona është sa intelektuale dhe politike, ekonomike e mjedisore.

Një shenjë e paaftësisë për të kuptuar është se kurat për sëmundjet e shumta kanë ngelur të njëjtat në politikën dhe gazetarinë mainstream: më shumë “reforma” ekonomike, kryesisht kah tregjet e lira globale, parulla të zhvarrosura nga koha e Luftës së Ftohtë për epërsinë e “demokracisë liberale” mbi “autoritarizmin” dhe aspirata për një rikthim në “mbrothësinë” e “elitës globale”.

Shpresat për një rikthim te status quo-ja politike dhe ideologjike e para 2008-s janë shpesh të tharmuara me një shqetësim të lartë, edhe pse të padobishëm, për ndryshimet klimatike. Papërshtatshmëria e tyre do të bëhet e qartë në muajt në vijim kur shtet e prekura, po aq sa individët, do të priren drejt vetizolimit, duke sakrifikuar kështu shumë parime të shenjta për shkak të urgjencës ekzistenciale për mbijetesë. Koronavirusi, shkatërrimtar në vetvete, mund të jetë vetëm i pari ndër tronditjet që do të vijnë.

E përktheu Redi Muçi

Marrë nga Bloomberg

Imazhi: Topical Press Agency/Hulton Archive

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.