Sistemi shëndetësor i Kubës: Një revolucion politik, social dhe ekonomik

/Sarah Farouq/

Një grup mjekësh nga Kuba i kanë ardhur në ndihmë këto ditë Italisë. Mjekët kubanë njihen në të gjithë botën për përgatitjen e tyre. Ata ndërhynë në Haitin e shkatërruar nga tërmeti dhe më pas nga kolera. Ata punuan në Sierra Leone, ku vendi u godit nga virusi Ebola. Ndërsa tashmë janë të gatshëm të japin ndihmën e tyre edhe në luftën ndaj koronavirusit në Itali. Po ashtu, mjekët nga Kuba do të përdorin edhe një antiviral, “Alfa 2B”, i cili nuk gjendet në spitale. Sipas shumë ekspertëve, përfshirë edhe ata italianë, ky ilaç është më efektivi deri tani në trajtimin e Covid-19. Ai është përdorur me sukses gjatë kësaj periudhe edhe në Kinë dhe në Korenë e Jugut.

Më poshtë është një shkrim që na tregon se si është sistemi shëndetësor në Kubë.

***

Nëpër lajme dhe media, Kuba është mbajtur si një vend shumë ambicioz për realitetin politik në të cilin jetojmë. Realiteti politik në SHBA është ai i një sistemi të kujdesit shëndetësor të bazuar  te tregu i lirë, ku qeveria nuk është përgjegjëse për mirëqenien e popullit të saj. Po a është ky i vetmi realitet i mundshëm? Rasti i Kubës thotë ndryshe. Sundimi komunist i Kubës nuk nënkupton  medoemos që Kuba është një shembull i qeverisjes së  keqe. Përkundrazi, brenda këtij sistemi politik, sistemi i kujdesit shëndetësor universal të Kubës ka lulëzuar dhe sot mbahet si një nga sistemet me cilësinë më të lartë në botë. Por si është e mundur që një vend nën një regjim komunist të arrijë një sukses kaq të lartë mjekësor?

Revolucioni politik – nga ku nisi e gjitha

Revolucioni socialist Kuban i vitit 1959 nuk i dha jetë vetëm krijimit të një republike socialiste, por edhe një sistemi të kujdesit shëndetësor kombëtar. Kjo republikë operon në mënyrë të ngjashme me një diktaturë, në të cilën familja e Kastros (Fidel Castro) dhe Partia Komuniste kontrollon qeverinë dhe njerëzit kanë pak zë në administrimin dhe funksionimin e qeverisë. Revolucioni politik solli edhe ndryshime shoqërore. Marrëveshja sociale e revolucionit zhvlerësoi rëndësinë e pagave për të arritur barazi ekonomike dhe për të financuar  programe sociale në shërbim të shoqërisë. Kjo do t’i ngjante një kontrate sociale, ku shtetasit do të hiqnin dorë nga disa të drejta për t’u mbrojtur nga shteti. Disa vite pas revolucionit, qeveria krijoi një program të quajtur “El Servicio Médico Rural” (Shërbimi Mjekësor Rural) për të përmirësuar mbulimin dhe shërbimin mjekësor në zonat rurale. U punësuan rreth 750 mjekë dhe studentë të mjekësisë për të punuar në këto zona, kryesisht malore dhe bregdetare. Këto shërbime synuan përmirësimin e shërbimeve mjekësore dhe  parandalimin e sëmundjeve.

Ndryshimi real i sistemit shëndetësor nuk erdhi deri rreth një dekadë pas Revolucionit Kuban. Gjatë viteve 1970, avokatët e kujdesit shëndetësor universal si Dr. Cristina Luna, Drejtore Kombëtare e Kujdesit Ambulator të Kubës, ndikuan për reformimin e sistemit shëndetësor dhe krijimin e një qasjeje të re. Deklarata Alma-Atës e vitit 1978 krijoi poliklinika familjare shumëfunksionale, të cilat fokusoheshin në ofrimin e shërbimeve ndaj komuniteteve në të gjithë Kubën. Deri  në vitin 1990 ky program kishte arritur të përfshinte rreth 95% të popullsisë kubane. Qeveria e Kubës ka financuar shërbime sociale, përfshirë këtu kujdesin shëndetësor, duke marrë nga mbivlera e pagave të punëtorëve, çka mund të jetë problematike për shkak të  mungesës së pagave të larta të punëtorëve. Po sa i suksesshëm ka qenë ky program në përmirësimin dhe ruajtjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor në Kubë?

Revolucioni Social: Përqendrimi te komuniteti dhe parandalimi i sëmundjeve

Kuba ka qenë në gjendje të ruajë cilësinë e lartë të shërbimit të kujdesit shëndetësor duke u përqendruar te komuniteti dhe parandalimi i sëmundjeve. Kujdesi shëndetësor në Kubë ka një aspekt shoqëror, veçanërisht te komuniteti dhe familja. Në vitin 1984 Kuba e zhvendosi fokusin tek integrimi i  shërbimit mjekësor në lagje, në vend të një sistemi të shkëputur nga komuniteti. Kujdesi shëndetësor është i organizuar në nivel lokal me rreth 7.59 mjekë për 1000 banorë (më i larti në botë) dhe doktorët jetojnë në të njëjtën zonë ose lagje ku punojnë. Ky sistem nuk e ka bërë  të lehtë vetëm për pacientët që të jenë afër klinikave, por edhe ka zhvilluar një marrëdhënie të re midis pacientit dhe doktorit. Për ta krahasuar, mjekët në SHBA shpesh i përkasin një klase tjetër ekonomike dhe ata nuk ndajnë me pacientin gjëra të përbashkëta, përfshirë këtu lagjen ku jetojnë. Modeli kuban përpiqet ta mbajë kujdesin shëndetësor të orientuar drejt familjes, prandaj studentëve të mjekësisë u kërkohet ta kryejnë praktikën pranë vendbanimeve të tyre. Fakti që klinikat janë të bazuara te familja dhe fokusohen te komuniteti nuk do të thotë që cilësia e tyre është e ulët. Përkundrazi, mjekët e kujdesit të parë shëndetësor përpiqen të rrisin cilësinë e shërbimit, duke mbajtur statistika për shëndetin e familjeve dhe u kontrolluar vazhdimisht nga zyrtarët e shëndetit publik për cilësinë e shërbimit.

Parandalimi i sëmundjeve

Sistemi shëndetësor në Kubë ndjek gjithashtu një qasje strukturore proaktive. Kjo qasje përqendrohet në ofrimin e shërbimeve mjekësore parandaluese, mbulimin në mbarë vendin dhe cilësinë e trajtimit mjekësor. Aspekti parandalues i kujdesit shëndetësor e ka lejuar Kubën të ngjitet në majën e vendeve kur bëhet fjalë për vaksinimin dhe jetëgjatësinë. Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore të vitit 2016, jetëgjatësia në Kubë është rreth 79 vjeç, ndërkohë që në SHBA është 78. Përveç kësaj, më 1985 Kuba shpiku vaksinën e parë dhe të vetme kundër Meningjitit B. Kuba ka arritur gjithashtu të ndalojë transmetimin e virusit HIV dhe sifilizit nga nënë te fëmija. Sidoqoftë, me një kontroll të plotë qeveritar, si stimulohet mjekësia drejt inovacionit, pa ndonjë konkurrencë në treg? Kjo është pyetja që i mundon shumë ekonomistët e tregut të lirë.

Revolucioni Ekonomik: Risi dhe pionier në mjekësi

Pritshmëria e zakonshme kur bëhet fjalë për format e kujdesit shëndetësor të kontrolluar nga shteti, është që vendi nuk ka gjasa të sjellë novacion dhe përparime në fushën mjekësore. Megjithatë, kujdesi shëndetësor në Kubë jo vetëm ka paraqitur risi të konsiderueshme në botë, por gjithashtu ka financuar ekonominë kombëtare. Kuba ka inkurajuar shumë studentë të zgjedhin fushën mjekësore, duke u siguruar atyre mundësi në kërkim shkencor dhe praktika mjekësore. Ky sistem ka krijuar një forcë punëtore të madhe e cila është përpjekur të përmirësojë shërbimin mjekësor. Kohët e fundit qeveria është fokusuar edhe te bioteknologjia, duke investuar tel industria e bioteknologjisë dhe infrastruktura prodhuese e saj. Ky investim përqendrohet te ndarja e njohurive dhe bashkëpunimi ndërdisiplinor. Prandaj qeveria ka subvencionuar drejtpërdrejt për shëndetësinë që të sjellë më shumë inovacion dhe zhvillim teknologjik, pa pasur nevojë për konkurrencën e tregut të lirë.

Eksportimi i modelit kuban

Sistemi unik i kujdesit shëndetësor në Kubë është larg perfektes, por ai paraqet një model që bota duhet ta ndjekë. Me risitë e saj të fundit në mjekësinë parandaluese dhe teknologjinë kirurgjikale, Kuba po udhëheq botën në kujdesin shëndetësor. Po si mund ta ndjekim ne shembullin e saj? Ne duhet të kthejmë vëmendjen te rëndësia e komunitetit në ofrimin e mbështetjes kolektive. SHBA ka mundësi të ndërtojë një sistem shëndetësor shtetëror nëse do t’i çonte klinikat e kujdesit shëndetësor në komunitetet që preken më shumë nga sëmundja. Ky vend harxhon rreth 9,403 dollarë për person për kujdesin shëndetësor, ndërkohë që në Kubë kushton 813 dollarë. SHBA e ka industrializuar sistemin e kujdesit shëndetësor duke e shndërruar në një industri shumë miliardë dollarëshe, që synon fitimin dhe jo kujdesin shëndetësor. SHBA  duhet të investojë edhe në sigurimin e qasjes në arsim për studentët e mjekësisë dhe të stimulojë përfshirjen e tyre në kujdesin shëndetësor të komunitetit. Sistemi kuban mund të imitohet. SHBA është një nga të paktët vende të zhvilluara që ende nuk ka investuar për krijimin e një sistemi universal të kujdesit shëndetësor.

Ky model mund të përsosej nëse do të aplikohej në SHBA. Modeli i kujdesit shëndetësor kuban ka problemet e veta. I lidhur me paqëndrueshmërinë e sistemit politik dhe ekonomik, sistemi i kujdesit shëndetësor është prekur nga tregu i zi me hyrjen e drogës dhe ilaçeve si qetësues dhimbjesh. Një tjetër problem janë pagat e ulëta për personat që punojnë në sektorin e kujdesit shëndetësor. Ajo që ofron qeveria kubane është më shumë mundësi arsimore dhe ndihmë jashtë vendit. Sidoqoftë, është e rëndësishme të kujtojmë se sistemi i kujdesit shëndetësor në Kubë nuk mund të krahasohet me atë të Shteteve të Bashkuara për shkak të konteksteve të ndryshme politike. Megjithëse është një vend në zhvillim, që ka kryer një revolucion, Kuba ka mundur të krijojë një sistem të kujdesit shëndetësor që fokusohet te komuniteti, veçanërisht te zonat rurale, dhe që ul në mënyrë shkallën e vdekshmërisë. Në fund të fundit, ajo që duhet të merret nga ky sistem është fokusi te sigurimi i mundësive për studentët që të bëhen pjesë e fushës mjekësore, theksimi i parandalimit të sëmundjes në raport me trajtimin e saj dhe përqendrimi i sistemit të kujdesit shëndetësor rreth komunitetit për rritjen e aksesit në lagjet më të prekura.  

Për ta përmbledhur, sistemi i kujdesit shëndetësor në Kubë ka revolucionarizuar mënyrën se si ne e shohim shëndetin. Kuba ka shkatërruar barrierat sistemore që qëndronin mes pacientit dhe doktorit. Sistemi i kujdesit shëndetësor kuban i bazuar te komuniteti nuk ka sjellë rezultate pozitive vetëm në shëndetin e kubanëve, por edhe ka ndërtuar një strukturë që fokusohet në rolin e shoqërisë si kolektiv. Ky kolektivitet vazhdon të inspirojë edhe sot pjesën tjetër të botës. Kështu që mbase ka ardhur koha të heqim dorë nga modeli i kujdesit shëndetësor të tregut të lirë dhe t’i hedhim sytë nga sistemi shëndetësor universal, me në qendër familjen dhe komunitetin.

Hyrja dhe përkthimi: Ariela Zeneli

Marrë më 9 shkurt 2019 në Berkeley Political Review

Imazhi: REUTERS/Daniele Mascolo

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.