Fëmijët e pasur nuk janë më të zgjuar se ne

/Nick French/

Pabarazia amerikane harliset mbi mitin se të pasurit i meritojnë milionat që kanë sepse janë më të aftë, më të zgjuar dhe më punëtorë. Skandali i pranimeve në universitete tregon që kjo është një gënjeshtër.

Gjatë dy ditëve të fundit (shkurt 2019), lajmet gëlojnë nga një skandal i gjerë i pranimeve në universitete. Një hetim i FBI-së, i quajtur komercialisht si Operacioni Varsity Blues, zbuloi se prindërit (përfshirë aktoret Felicity Huffman dhe Lori Loughlin) kishin paguar 25 milionë dollarë një konsulent për të garantuar në mënyrë të paligjshme pranimin e fëmijëve të tyre në universitete elitare.

William “Rick” Singer-i, themelues i një kompanie këshillimi për universitetet, u mori prindërve dhjetëra-qindra-mijëra dollarë për rezultatet e provimit të studentëve të mjekësisë. Singer-i mblodhi gjithashtu miliona dollarë si pagesa për të korruptuar trajnerë dhe administratorë universitetesh që  t’i regjistronin fiktivisht studentët si atletë të rekrutuar. Dokumente të pabotuara tregojnë se në këtë skandal janë përfshirë zyrtarë nga tetë universitete elitare, duke përfshirë universitete si Georgetwon, South California, Stanford, Yale dhe Wake Forest

Shumë opinionistë nuk u vonuan të theksojnë se ky ishte thjesht një rast i veçantë, i pacipë dhe i paligjshëm i prindërve të pasur që shfrytëzojnë pasurinë për t’u dhënë fëmijëve të tyre mundësinë të regjistrohen në universitet. Ka shumë mjete ligjore me anë të të cilave të pasurit u japin fëmijëve të tyre një mundësi për t’u regjistruar në shkollat më të mira, që nga kurset përgatitore për provimet hyrëse deri te dhurimi i shumave të konsiderueshme. 

Megjithatë, përqendrohemi te kjo pikë, e cila qartazi rrezikon t’i thellojë edhe më problemet me kolegjet dhe universitetet elitare të SHBA. Edhe duke lënë mënjanë mënyrat se si të pasurit me vetëdije blejnë avantazhe për pranimet e fëmijëve të tyre në universitetet prestigjioze, këto të fundit riprodhojnë pabarazi më të gjerë sociale dhe ekonomike. Duke vepruar kështu, ato i japin legjitimitet një sistemi të padrejtë. 

Manipulimi i sistemit

Disa nga detajet e skandalit Varsity Blues janë qesharake: për shembull, në trupa atletësh u vendosën fytyra studentësh me anë të photoshop-it. (Përfshirja e Aunt Becky-t nga “Full House” mjafton në vetvete për ta bërë qesharake.) Por të pasurit përdorin rregullisht skema më pak qesharake për të çuar fëmijët në shkollat më të mira pa shkelur ligjin.

Për shembull, mund të dhurosh ligjërisht për një universitet në këmbim të “rishikimit” të aplikimit të fëmijës. Në Harvard, për shembull, fëmijëve të donatorëve u jepet një dorë në procesin e aplikimit. Dhëndri presidencial Jared Kushner, babai i të cilit i dhuroi 2,5 milionë dollarë Harvard-it, përfitoi nga sistemi në një mënyrë veçanërisht shokuese. 

Për më tepër, thjesht fakti që prindërit janë diplomuar në shkollën ku aplikon shpesh rrit mundësinë e fitimit të së drejtës së studimeve aty: aplikimeve “trashëgimore” u jepet përparësi në një numër shkollash, duke përfshirë Harvard-in, Columbia-n, Stanford-in etj.

Ekziston gjithashtu industria e madhe e përgatitjes për provime, që tërheq prindër të gatshëm të paguajnë për të rritur rezultatet e fëmijës në SAT dhe ACT – provime pranimi për në universitet në SHBA. Ka edhe këshilltarë të shumëpaguar të pranimeve në universitet, të cilët udhëzojnë studentët e priviligjuar gjatë procesit të pranimeve, nga fillimi në fund; dhe njerëz që shkruajnë ese aplikimi për fëmijën tuaj – për disa mijëra dollarë.

Rrënjët e pabarazisë

Sidoqoftë, nuk mjafton të merremi vetëm me përpjekjet e pështira të pasanikëve për të manipuluar sistemin. Sipas një studimi të vitit 2017, në shumë shkolla elitare numri i studentëve të pranuar nga familje që i përkasin 1-përqindëshit më të pasur është më i madh se numri i studentëve nga familje të 20-përqindëshit më të varfër. (Kjo vlen për disa nga shkollat e përfshira në skandalin e lartpërmendur si Yale, Stanford, Wake Forest, Georgetwon dhe USC.)

Në 80 shkollat më elitare të vendit (sipas renditjes nga Barron’s) shtresa e 1-përqindëshit më të pasur përfaqësohet më mirë në numra studentësh se shtresa e 40-përqindëshit më të varfër. 

Të pasurit, me përpjekjet e tyre për t’ia lehtësuar vetes procesin e aplikimit, nuk janë fajtorët e vetëm për pabarazinë në aplikimet universitare. Edhe duke lënë mënjanë përparësitë nga mashtrimet dhe përgatitjet për provime, shanset për të hyrë në një universitet prestigjioz – ose thjesht për të hyrë në universitet – janë shumë të varura nga përkatësia racore dhe klasore.

Ja disa nga faktorët që ndikojnë mundësinë e studentëve për të hyrë në shkollat më të mira:

  • Studentët e varfër dhe/ose me ngjyrë kanë më pak qasje në aktivitete ekstra-kurrikulare (në shkollë të mesme) të cilat kërkohen nga universitetet elitare gjatë aplikimit, përfshirë shumë sporte.
  • Vetë SAT-i bart paragjykime racore.
  • Vetë diplomimi në shkollë të mesme lidhet ngushtë me nivelin ekonomik të lagjes ku shkollohesh.
  • Sipas studimeve të fundit, varfëria ka tendencë të pengojë zhvillimin e trurit te fëmijët.

Edhe sikur të pasurit të mos përpiqeshin të manipulonin procesin e pranimeve, është e pritshme që pabarazitë racore dhe klasore të reflektohen në pranimet e universiteteve elitare.

Me hile

Më keq akoma, këto institucione riprodhojnë pabarazitë që hasim në shoqëri në një shkallë më të gjerë, ndërkohë që i japin besueshmëri mitit që shoqëria amerikane është në thelb e drejtë dhe meritokratike.  

Një numër i madh të diplomuarish nga shkollat më në zë kanë punë me rroga të larta, shpesh në fushën e financave. Kështu universitetet elitare riprodhojnë pabarazitë ekzistuese duke marrë në mënyrë shpërpjesëtimore studentë nga klasa e të privilegjuarve dhe duke ushqyer me ta tregun e punëve më të paguara pas diplomimit.

Në të njëjtën kohë, karakteri përzgjedhës i shkollave si Yale, Harvard dhe Stanford rrit besueshmërinë tek ideja që të diplomuarit e tyre përfaqësojnë “më të mirët dhe më të zgjuarit”. Proceset bizantine dhe “shkencore” të pranimit në shkolla – si të varur që janë nga rezultatet “neutrale” të GPA-së dhe SAT-it – bëjnë të duket sikur studentët e tyre pranohen plotësisht mbi bazë merite. Më vonë, pozicionet e larta të këtyre studentëve nëpër korporata do të duket sikur janë produkt i etikës së punës dhe inteligjencës së tyre sipërore. Rrjedhimisht, pozicioni i tyre në krye të piramidës socio-ekonomike duket të jetë legjitim.

Këto ide na bëjnë perde ndaj padrejtësive endemike të proceseve pranuese në universitete. E vërteta është se loja është bërë me hile për të favorizuar të fëmijëve të pasur që në djep. 

Më me rëndësi ndoshta, mitet e drejtësisë dhe meritokracisë errësojnë realitetin e vrazhdë të klasave në kapitalizëm: fuqia dhe pasuria e kapitalistëve dhe shërbëtorëve të tyre ultra të pasur nuk vjen nga meritat e tyre të veçanta, por nga mbisundimi dhe shfrytëzimi i klasës punëtore.

E përktheu Nebih Bushaj

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: Stanford University

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.