Sistemi arsimor në Kili: histori dështimi dhe suksesi
/Shkodran Ramadani/
“Ky është akti im i dashurisë për ju. Përfundoi. Nuk e keni asnjë cent borxh nga tash e tutje.”
Këto janë fjalët e Papa Fritas-it, artistit kilian, që përkthyer në shqip i bie “Patate e Skuqur”. Papa Fritas-i vitin e kaluar vodhi letrat e borxhit që studentët kishin ndaj universiteteve private në Kili dhe, më pas, në një demonstrim artistik, me cigaren e tij u vuri flakën letrave të këtij borxhi. Ky borxh kapte shumën e 500 milionë dollarëve. Njëkohësisht ky ishte akti më radikal i fushatës trevjeçare të studentëve dhe nxënësve në kërkesat e tyre për arsim publik falas. Fushata kishte filluar në vitin 2011 dhe shpesh shoqërohej me përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve. Lëvizja fitoi mbështetje nga të katër anët e vendit, sakaq studentët dhe nxënësit refuzonin të vijonin mësimin në universitete dhe shkolla. Pak ditë pas aktit të djegies së borxhit, studentët arritën fitoren e tyre më të madhe: presidentja Michelle Bachelet shpalos pakon miliardadollarëshe të reformës në arsim. Propozimet e saj përfshinin ndërprerjen e subvencioneve për universitetet dhe shkollat private si dhe bërjen e arsimit të drejtë elementare për të gjithë. Fondet për financimin e këtij programi që pritet të hyjë në fuqi nga viti i ardhshëm do të sigurohen nga rritja e taksave mbi korporatat.
Por të kthehemi edhe njëherë te çështja e borxhit të studentëve. Prej nga ky borxh? Në letër, ekonomia e Kilit duket shumë solide. Kili ka GDP-në e tretë më të fuqishme në Amerikën Latine. Mirëpo Kili ka gjithashtu edhe pabarazinë më të lartë nga 34 anëtarët e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Pabarazia askund nuk është më e lartë sesa në shkollat dhe universitetet e Kilit. Prej arsimit të mesëm e deri tek ai universitar, sistemi arsimor i Kilit është më i shtrenjti në botë. Për rrjedhojë, studentët e kanë shumë të vështirë të mbarojnë studimet, madje edhe ata që ia dalin t’i mbarojnë, e kanë të vështirë t’i paguajnë borxhet. Arsyeja për këto vështirësi gjendet te fakti që shkollat publike në Kili, bazuar në një raport të vitit 2011 nga të gjitha vendet tjera të OECD-së, pranojnë më së paku të hyra buxhetore nga ana e shtetit. Në një studim të vitit 2014 të OECD-së vërehet se 76% e shpenzimeve universitare në Kili mbulohen nga studentët dhe familjet e tyre. Kjo përqindje është shumë më e lartë sesa mesatarja e vendeve tjera të OECD-së (31%), (Education at a Glance: OECD Indicators, Chile: 2014).
Si shpjegohet fakti që Kili ka, së pari, kaq shumë universitete private dhe pse, së dyti, kushtojnë kaq shumë? Në ndihmë mund të na vijë një makrovështrim i doktrinës neoliberale dhe një mikrohistori e implementimit të saj në Kili. Siç e dimë, politikat neoliberale mundësojnë zgjerimin e aktivitetit privat përmes derregullimit të tregut dhe privatizimit të sektorit publik. Derregullimi i referohet tkurrjes së shtrëngesave shtetërore mbi tregun dhe qarkullimin e kapitalit. Prej viteve ’70 të shekullit të kaluar e tutje, në nivel global ka ndodhur një bartje masive e pasurisë publike në sektorin privat dhe paralelisht me këtë ka ndodhur një bartje e autoritetit politik nga shteti tek agjentët privatë (Hamilton, 2003: f. 17). Kësaj i shtohet edhe importimi i logjikës së tregut në ndërmarrjet e mbetura publike në mënyrë që ato të jenë në gjendje të konkurrojnë me sektorin privat (Price, D., Pollock, A. & Shaoul, J. 1999: f. 354).
Milton Friedman-i, një nga ideologët më në zë të neoliberalizmit, argumentonte se arsimimi privat është më efikas se ai publik (Economics and the Public Interest, 1955). Propozimi i tij do të nxiste idenë e konkurrencës ndërshkollore: shkollat private duhet të garojnë me shkollat publike. Nga shkollat private pritet që të ofrohet një numër më i lartë alternativash për prindërit e fëmijëve, shfrytëzim më efikas i fondeve dhe të shërbejnë si stimul për përmirësimin e shkollave publike (Chubb & Moe, 1990: f. 47). Friedman-i këtë propozim e dha për vendin prej nga ai vinte – SHBA-të – por ky vend nuk do të ishte i pari që do ta zbatonte këtë program.
Eksperimenti i parë neoliberal ndodhi pikërisht në Kili, dhe kjo u bë në mënyrë të dhunshme. Më 1973, në atë që njihet si “11 shtatori i vogël”, presidenti i Kilit Salvador Allende do të rrëzohej nëpërmjet një grusht-shteti të orkestruar nga CIA dhe të zbatuar nga Junta Ushtarake e Kilit. Nga ajo që dihet deri tash, duket se prapa këtij akti qëndrojnë politikat e Allende-s, që ishte i majtë me bindje. Gjatë mandatit të tij trevjeçar në krye të shtetit kilian, Salvador Allende ndoqi një politikë e cila u quajt “La vía chilena al socialismo” (“Mënyra kiliane drejt socializmit”). Ky program parashihte shtetëzimin e ndërmarrjeve të mëdha industriale, si për shembull industrinë e bakrit, kurse sistemet e shëndetësisë dhe arsimit do të mbeteshin nën pronësinë e publikut. Nga shumë iniciativa të ndërmarra në të mirën e publikut, vlen të përmendet ajo e nëntorit të vitit 1970, ku për fëmijët e mapuçëve (grup indigjen në Kili), qeveria e Allendes ndau tremijë bursa shkollimi. Ky grup ishte i diskriminuar historikisht nga qeveritë paraardhëse në Kili dhe vendimi për shpërndarjen e bursave për ta ishte shumë i mirëseardhur. Për këtë grup, kjo iniciativë do të zbuste sadopak gjendjen e rëndë të arsimit.
Pas rrëzimit të Allendes, në krye të Kilit erdhi diktatori neoliberal Augusto José Ramón Pinochet Ugarte. Ndër vendimet e para që mori ishte “çlirimi” i tregut të punës nga shtrëngesat dhe rregullatorët institucionalë, si për shembull nga sindikatat e punëtorëve. Më pas Pinochet-i shtypi me dhunë të gjitha organizatat e majta politike dhe çmontoi të gjitha programet e barazisë (Harvey, A brief history of neoliberalism, 2005: f. 8).
Milton Friedman-it më në fund i erdhi mundësia që me këshillat e tij të ndihmonte Pinochet-in. Friedman-i e këshilloi Pinochet-in që ta transformonte shpejt ekonominë: të ulte taksat për ndërmarrjet e mëdha, të privatizonte sa më shumë sektorin publik, të ulte shpenzimet publike dhe të derregullonte tregun. Njëra nga shtyllat e neoliberalizmit, komodifikimi, vërshoi gjithë sferën publike. Komodifikimi bazohet në ekzistencën e të drejtës së pronës mbi proceset, gjërat dhe marrëdhëniet shoqërore, duke vendosur çmim mbi secilën nga to. Logjika e tregut pohohet të jetë etikë për gjithë aktivitetin njerëzor (Harvey, 2005). Në këtë frymë, i gjithë sektori publik u fut në spiralen e privatizimit. Kilianët do të shihnin se si shkollat e tyre publike zëvendësoheshin nga shkollat private. Ky ishte transformimi më i madh kapitalist i provuar ndokund ndonjëherë (Klein, The Shock Doctrine: The Rise of Disaster Capitalism, 2008: f. 7). Në mungesë të kundërshtarëve, Pinochet-i dhe De Castro-ja (ministër i Financave), në rrugën e tyre drejt utopisë kapitaliste, vazhduan me çrrënjosjen e shtetit të mirëqenies. Në vitin 1975, ata ulën shpenzimet publike për 27%. Shkurtimi vazhdoi deri më 1980-n. Shëndetësia dhe arsimi e pësuan më së keqi. Edhe gazeta “The Economist”, që është duartrokitëse e tregut të lirë, e quajti procesin në Kili “një orgji vetëgjymtimi”. Gjendja e krijuar në Kili ishte në nivelin e Kilit të para Luftës së Dytë Botërore (Klein, 2008).
Para Pinochet-it, shkollimi konsiderohej si e drejtë e patjetërsueshme e gjithsecilit, por me ardhjen e privatizimit, kjo e drejtë u cungua. Reformat e arsimimit të bazuara në treg të lirë në vitet ’80 përmbanin bartjen e përgjegjësive menaxhuese nga shteti te komunat, si dhe hyrjen në fuqi të programit me kuponë (studentët marrin kuponë dhe zgjedhin njërin nga universitetet publike apo private). Më pas erdhi rritja e çmimeve për shkollim dhe kjo u përballua me shumë vështirësi nga kilianët. Duke qenë në nevojë për të holla, studentët ishin të pambrojtur dhe shndërroheshin në pre të lehtë për sipëmarrësit e mëdhenj të tregut. Në anën tjetër, rritja e çmimeve nuk u përcoll me rritje të cilësisë në arsim, edhe pse Kili hartonte programe neoliberale për ngritjen e cilësisë. Performanca e studentëve të Kilit në krahasim me shumicën e vendeve në OECD-së është shumë më e ulët, por vitet e fundit është shënuar progres. Megjithatë, arritjet e studentëve kilianë në vitin 2009 në matematikë dhe shkencë ishin më të dobëtat nga të gjitha vendet e OECD-së (OECD Reviews of Evaluation and Assessment in Education, 2013: f. 169). Studentët kilianë performojnë më mirë se studentët nga shtetet tjera në Amerikën Latine, por dallimi në mes të nxënësve më të mirë dhe më të dobët në Kili është më i larti dhe kjo, sipas raportit të OECD-së, është e lidhur me statusin socio-ekonomik të studentëve: ata që kanë kushte më të mira financiare ndjekin shkolla më të mira (kryesisht private), kurse ata me kushte më të këqija ndjekin shkolla më të këqija (kryesisht publike). Zgjedhja e shkollave ka çuar në krijimin e pabarazive sociale dhe akademike gjithnjë në rritje (Gauri, School Choice in Chile, 2008). Pabarazia ka edhe karakter gjeografik sepse zonat rurale, ku fluksi i kapitalit është më i ulët, qëndrojnë shumë më keq se ato urbanet. Ndërkohë që një numër gjithnjë e më i madh nxënësish po braktisin shkollën e mesme. Në total, nga të dhënat e vitit 2008 numri i fëmijëve që nuk vijonin mësimin ishte 120 mijë (MINEDUC, “Calidad para todos, Ministerio de Educación: Cuenta Pública 2006-2010”, 2010: f. 20). Ky fakt demonstron mungesën e përgjigjeve adekuate të shtetit për nevojat e kilianëve.
Pakënaqësia e kilianëve me këtë sistem arsimimi ishte në rritje të vazhdueshme dhe shpërtheu në vitin 2011. Pas tri viteve presioni me protesta intensive e të dhunshme, sistemin e lëshuan këmbët, sakaq një sistem barazie ka filluar të zërë vend. Një hap i tillë është si rezultat i presionit studentor, por edhe hap pragmatik i marrë nga ana e shtetit sepse sistemet publike të arsimimit po dalin të jenë edhe më ekonomike, edhe më cilësore. Ka shumë vite që Finlanda, e cila ka arsimim 100% falas, është në krye të listës së vendeve me sistemet më të mira arsimimi (Programme for International Student Assessment, 2014). Finlanda shpenzon 30% më pak për kokë studenti se SHBA-të. Mësuesit finlandezë kalojnë më pak orë (katër) në shkollë se mësuesit amerikanë. 93% e finlandezëve janë me shkollim të lartë, 17.5% më shumë se përqindja e njerëzve me arsimim të lartë në SHBA, ku sistemi arsimor operon në logjikën e interesit privat. Njëherësh kjo është përqindja më e lartë në Bashkimin Evropian. “Barazia është fjala më e rëndësishme në arsimimin finlandez” – thotë Olli Luukainen, kryetari i Unionit të Mësuesve në Finlandë. Përndryshe, 96% e mësuesve në Finlandë janë pjesë e sindikatave dhe unioneve dhe kjo është një dëshmi më shumë për orientimin socialist të shoqërisë finlandeze. Në Finlandë të gjitha shkollat janë publike. Sistemi arsimor mirëmbahet dhe financohet 100% nga shteti. Personat që drejtojnë sistemin arsimor finlandez, nga zyrtarët më të lartë shtetërorë tek autoritetet lokale, janë arsimtarë dhe jo njerëz të biznesit. Shkollat finlandeze e kanë zmbrapsur me sukses hegjemoninë e “tregut të lirë” dhe në asnjë variant nuk pranojnë ta komodifikojnë këtë sektor. Prania e solidaritetit në rrjetin e shkollave finlandeze ka rezultuar edhe me largimin e logjikës së konkurrencës midis nxënësve, shkollave dhe regjioneve. Bazuar në studimet e OECD-së, dallimet midis nxënësve më të dobët dhe më të mirë në Finlandë janë më të voglat në botë. Shkolla janë ndërtuar edhe në zonat më rurale. Transporti (për ata që kanë nevojë, edhe strehimi) për të gjithë nxënësit e studentët është falas. Të gjithë nxënësve e studentëve u ofrohet pa pagesë ushqim, shëndetësi, këshillim me psiko-sociologë, libra e materiale të tjera të nevojshme për punë.
Wilkinson-i dhe Pickett-i, në librin e tyre “The spirit level: why equality is better for everyone” (f. 106), dëshmojnë se vendet që kanë politika më gjithëpërfshirëse dhe pabarazi më të ulët kanë sistem me cilësi më të lartë arsimimi:
Siç shihet, vendet që kanë pabarazi më të ulët, kryesisht skandinavet, kanë arsim më cilësor, kurse vendet që kanë pabarazi më të lartë, SHBA-të, Italia dhe Greqia kanë arsim të cilësisë më të dobët. Sakaq para disa ditëve, për të arsyetuar mosinvestimin e shtetit në shkollat publike, një ligjbërës amerikan tha se “nuk kemi nevojë për financim të shkollave sepse Sokrati e mësoi Platonin në gurë dhe se nuk patën nevojë për ndërhyrjen e polisit”.
Nuk do të ishte keq sikur qeveria e Shqipërisë të mësonte nga modeli i Kilit të Pinochet-it dhe ai i Finlandës. Njëri program kërkon përgjegjësi institucionale, tjetri synon të çlirohet nga ajo. Kili nën Pinochet-in, siç e pamë, të drejtën për arsim falas e shpërfilli dhunshëm, por në vitin 2015 prapë e ktheu në qendër të vëmendjes. Finlanda kur nuk ofronte arsim 100% falas, nuk shquhej për cilësi të lartë të arsimit, por reformat e viteve ’70 – që futën në fuqi arsimin 100% falas – e ngjitën atë në krye të listës së vendeve me arsimin më cilësor në botë. Ku shkon Shqipëria po e privatizoi arsimin? Si duket, askund, sepse ajo prapë do të kthehet aty ku është, në pikën zero. Sepse, siç edhe po vërehet empirikisht, dështimi i reformës neoliberale duket të jetë i paevitueshëm, pavarësisht vendit ku instalohet dhe, në anën tjetër, reforma që do ta kthejë arsimin në qendër të vëmendjes institucionale dikur do të jetë e pashmangshme. Një paradoks i çuditshëm po përshkon reformën e arsimit në Shqipëri: synohet të arrihet cilësia e Finlandës, por përmes modelit të Pinochet-it. Ajo çka qeveria Rama nuk e ka të qartë në këtë rast është se rruga determinon cakun: po ndoqe rrugën e Pinochet-it, përfundon në distopinë e arsimimit e jo në Finlandën e arsimit më cilësor në botë.
*Student pranë Universitetit të Prishtinës, Fakulteti Filozofik, Departamenti i Sociologjisë.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.