Mësime nga Greqia e lashtë
/Ganesh Sitaraman/ [1]
Para disa vitesh, teksa po hulumtoja për një libër mbi mënyrën se si pabarazia ekonomike kërcënon demokracinë, një koleg i imi më pyeti nëse Amerika rrezikonte vërtet kthimin në oligarki. Sistemi ynë politik – tha ai, është demokraci. Nëse nuk duam të udhëhiqemi nga elitat e pasura, mjafton të mos i votojmë.
Sistemi, me fjalë të tjera, nuk mund të ”manipulohet” që të punojë për të pasurit dhe të pushtetshmit, nëse njerëzit nuk duan të pranojnë një qeveri të të pasurve dhe të fortëve. Nëse publiku i gjerë kundërshton sundimin ekonomik të elitave, si është e mundur atëherë që të pasurit kanë kaq shumë kontroll mbi qeverinë? Pyetja ishte e drejtë dhe, megjithëse kisha shpjegimet e mia, më mungonte një përgjigje sistematike. Përgjigjet i gjeta në dy libra të kohëve të fundit. Oligarkia ekziston, me një fjalë, prej institucioneve.
Matthew Simonton-i [me anë të librit të tij interesant dhe shterues “Oligarkia klasike greke”] na kthen pas në botën antike, ku është përdorur për herë të parë termi oligarki. Një ndër kërcënimet kryesore të oligarkisë vinte prej faktit se oligarkët mund të përçaheshin, ndonjëri prej rrethit të tyre do të ndryshonte krah, merrte drejtimin e popullit dhe rrëzonte oligarkinë. Për ta shmangur diçka të tillë, elitat antike greke formuan institucione dhe praktika për të siguruar forcuar radhët. Ndër gjërave të tjera, ata miratuan ligje mbi luksin, duke parandaluar shfaqjet ekstravagante të pasurisë së tyre, çka mund të nxiste xhelozinë, si dhe përdorën votimin e fshehtë dhe praktikat e ndërtimit të konsensusit për të siguruar që vendimet e marra të mos sillnin konflikte të mëdha brenda radhëve të tyre.
Siç pritet nga një studiues të klasikëve, Simonton-i merret deri në detaje me këto praktika specifike antike. Por ideja e tij kryesore është se, për të qëndruar në pushtet, elitat kanë nevojë për solidaritet. Uniteti mund të vijë nga marrëdhëniet personale, besimi, praktikat e votimit ose — siç ka shumë të ngjarë në epokën e sotme meritokratike — homogjeniteti në kulturë dhe vlera që buron nga qarkullimi në të njëjtat rrethe të kufizuara.
Ndërkohë që klasa në pushtet duhet të mbetet e bashkuar, populli duhet të përçahet për të mos i rrëzuar dot shtypësit e tij. Kësisoj, oligarkët në Greqinë antike kombinuan shtrëngimin dhe kooptimin për të kufizuar demokracinë. U jepnin shpërblime informatorëve dhe pikasnin qytetarë të bindur ndaj tyre për të zënë postet qeverisëse.
Këta bashkëpunëtorë e legjitimuan regjimin dhe u ofruan oligarkëve mbulim nga popull. Përveç kësaj, oligarkët kontrollonin hapësirat publike dhe mjetet e jetesës për të parandaluar organizimin e popullit. Ata do t’i dëbonin njerëzit nga sheshet e qytetit: ndryshe nga popullsia e përqendruar në qytet, një popullsi e shpërhapur në fshat do të ishte e paaftë për të protestuar dhe për të përmbysur qeverinë.
Gjithashtu u përpoqën t’i mbanin njerëzit e zakonshëm të varur nga oligarkët individualë për mbijetesën e tyre ekonomike, ngjashëm me mënyrën se si bosët mafiozë të filmave kanë marrëdhënie paternaliste në lagjet e tyre. Kur lexon shpjegimin e Simonton-it, është e vështirë të mos mendosh se si fragmentimi i platformave tona mediatike është një shëmbëlltyrë moderne e ndarjes së sferës publike, ose e mënyrës si punonjësit dhe punëtorët ndonjëherë ndihen të frikësuar për të ngritur zërin.
Diskutimi më interesant është se si oligarkët e antikitetit përdorën informacion për të ruajtur regjimin e tyre. Ata ndërthurën sekretin në qeverisje me mesazhe të përzgjedhura drejtuar audiencave të synuara, jo ndryshe nga konsulentët tanë modernë të thashethemnajës dhe komunikimit. Ata e projektuan pushtetin përmes ritualeve dhe kortezheve.
Në të njëjtën kohë, kërkuan të shkatërronin veprat monumentale që ishin simbole të suksesit demokratik. Në vend të projekteve të punëve publike, të dedikuara në emër të popullit, e bazuan pushtetin e tyre tek ajo që mund ta konsiderojmë filantropi. Oligarkët financonin krijimin e një ndërtese të re ose zbukurimin e një hapësire publike. Rezultati: njerëzit do të vlerësonin shpenzimet e elitës dhe klasa e sipërme do të fitonte përjetësimin e emrave të vet. Në fund të fundit, kush mund të jetë kundër oligarkëve që tregojnë të tillë bujari?!
Simonton-i merret shumë me idetë që burojnë nga shkenca shoqërore dhe i zbaton ato më së miri për të kuptuar praktikat antike. Por ndonëse mendon se oligarkitë antike përbëheshin gjithmonë nga të pasurit, një kufizim i punës së tij është fokusimi kryesisht në mënyrën se si oligarkët përjetësuan pushtetin e tyre politike, jo pushtetin ekonomik.
Për të kuptuar diçka të tillë, mund t’i kthehemi një vepre klasike të kohës sonë, librit “Oligarkia” të Jeffrey Winters-it. Winters-i argumenton se çelësi i oligarkisë gjendet në faktin se një grup elitash kanë burime të mjaftueshme materiale për të shpenzuar në sigurimin e statusit dhe interesave të tyre. Ai e quan këtë “mbrojtje pasurie” dhe e ndan në dy kategori. “Mbrojtja e pronës” përfshin ruajtjen e pronës ekzistuese — në kohët e vjetra kjo nënkuptonte ndërtimin e kështjellave dhe mureve, sot ajo përfshin sundimin e ligjit. ”Mbrojtja e të ardhurave” ka të bëjë me sigurimin e fitimeve; në ditët e sotme do të thotë t’i bësh avokatinë taksave të ulëta.
Ajo që na pengon për të kuptuar se si funksionon oligarkia – thotë Winters-i – është se ne normalisht nuk i shohim sferat e politikës dhe të ekonomisë si një e tërë. Në thelbin e saj, oligarkia nënkupton përqendrimin e fuqisë ekonomike dhe përdorimin e saj për qëllime politike. Demokracia është e goditshme nga oligarkia sepse demokratët përqendrohen aq shumë në garantimin e barazisë politike, saqë nuk e shohin kërcënimin e tërthortë që rrjedh prej pabarazisë ekonomike.
Winters-i argumenton se ekzistojnë katër modele oligarkish, ku secila syresh e siguron mbrojtjen e pasurisë përmes institucioneve të ndryshme. Këto oligarki kategorizohen bazuar në atë nëse sundimi i oligarkëve është personal ose kolektiv dhe nëse oligarkët përdorin [ose jo] shtrëngimin. Oligarkitë luftarake, të bazuara te zotërit e luftës, janë individuale dhe të armatosura. Oligarkitë sunduese si mafia janë kolektive dhe të armatosura. Në kategorinë e oligarkëve të paarmatosur, oligarkitë sulltanore (si ajo e Suhartos në Indonezi) drejtohen përmes lidhjeve personale. Në oligarkitë civile, qeverisja është kolektive dhe ushtrohet përmes ligjeve dhe jo me armë.
Sipas kësaj tipologjie, Winters-i deklaron se Amerika është tanimë një oligarki civile. Për të përdorur gjuhën e fushatave të fundit politike, oligarkët [tanë] përpiqen të manipulojnë sistemin për të mbrojtur pasurinë e tyre. Ata përqendrohen në uljen e taksave dhe reduktimin e rregullave që mbrojnë punëtorët dhe qytetarët nga keqbërjet e korporatave.
Ata ndërtojnë një sistem ligjor të anshëm në mënyrë që sjellja e tyre ilegale të ndëshkohet rrallë. Çka e mbështesin në një sistem lobues dhe financimi fushatash që i jep ndikim të padrejtë mbi politikat publike. Në një oligarki civile, këto veprime nuk mbështeten në grykën e pushkës, as varen nga fjala e një njeriu, por bazohen në sundimin e ligjit.
Nëse oligarkia funksionon sepse liderët e saj institucionalizojnë fuqinë e tyre përmes ligjit, medias dhe ritualeve politike, çfarë mbetet për t’u bërë më? Si mund të fitojë ndonjëherë demokracia? Winters-i vëren se pushteti politik varet nga pushteti ekonomik. Çka sugjeron si zgjidhje krijimin e një shoqërie më të barabartë ekonomikisht.
Problemi është, natyrisht, se nëse oligarkët mbeten në pushtet, nuk ka arsye përse ata do të miratonin politika që do të reduktonin pasurinë e tyre dhe do ta bënin shoqërinë më të barabartë. Për sa kohë që mund ta përçajnë popullin, ata nuk do të kenëshumë frikë nga rebelimet dhe protestat sporadike.
Në fakt, disa studiues kanë sugjeruar se barazia ekonomike e shekullit XX ishte e paprecedent për shkak se dy luftërat botërore dhe një Depresion i Madh rrafshuan në masë të konsiderueshme pasurinë e skajshmërisht të pasurve. Sipas këtij këndvështrimi, nuk mund t’ia dalim pa ndodhjen e një katastrofe gjigande globale.
Simonton-i jep një zgjidhje tjetër. Ai argumenton se demokracia e mposhti oligarkinë në Greqinë antike për shkak të ”shpërbërjes oligarkike”. Si të gjitha institucionet e tjera, institucionet oligarkike kalben dhe shkatërrohen. Me shpërbërjen e solidaritetit dhe praktikave të oligarkëve, çel mundësia e demokracisë si kthim i qeverisjes te populli.
Në këtë moment, populli duhet të bashkohet për aq kohë sa të bëjnë të mundur që nëpërmjet protestave të fitojë pushtetin. Trazirat e shumta që karakterizojnë politikën e sotme tregojnë se ky moment kapjeje për brirësh e sistemit politik është më i afërt se në të kaluarën.
Çështja është nëse do të lindë demokracia nga shpërbërja oligarkike apo oligarkët thjesht do të forcojnë kontrollin mbi levat e qeverisë.