Rruga jonë drejt pushtetit

/Vivek Chibber/

Shekulli i njëzetë u dha socialistëve plot mësime. A do u kushtojmë vëmendje atyre?

Një shekull larg Revolucionit Rus, momenti në të cilin ndodhemi ka dekada që nuk përsëritet. Me diskreditimin e neoliberalizmit dhe partive tradicionale të socialdemokracisë, më në fund po shfaqen mundësi të reja për të majtën radikale.

Çdo krizë e gjen zgjidhjen e saj në një farë mënyre, edhe kjo e tashmja do e gjejë gjithashtu. Se ku do të përfundojmë varet në masë të madhe nga përgjigjja e të majtës. Nëse i luajmë kartat siç duhet, kjo çarje mund të jetë rasti për të filluar një cikël të ri organizmi – rigjallërimin e partive të majta atje ku është e mundur dhe ngritjen e të rejave nëse të parat janë të pareformueshme.

Por në vend se të shikojmë vetëm përpara, ky është gjithashtu rasti të hedhim sytë mbrapa te mësimet e të shkuarës. Revolucioni Rus mbetet eksperimenti më ambicioz i socializmit. Sukseset dhe dështimet e tij duhet të jenë pjesë e diskutimeve për mënyrën e rigjallërimit të së majtës. Po nuk është vetëm përvoja ruse. Ne duhet ta vendosim eksperimentin bolshevik në një kontekst më të gjerë të politikës socialiste në shekullin e njëzetë – bashkë me shembujt e KilitGjermanisë dhe Suedisë, mes të tjerash.

Dy elementë të gjerë janë trashëguar nga Revolucioni Rus – njëri organizativ dhe tjetri institucional. Me organizativ nënkuptoj çështjet që përmbajnë pjesët ndërtuese të veprimit kolektiv në kapitalizëm – sindikatat, partitë dhe të tjera të ngjashme me to. Me institucional nënkuptoj strukturat themelore që do të ndërtojnë një shoqëri paskapitaliste – sistemi politik, organizimi i ekonomisë, struktura e të drejtave. Dimensioni organizativ përmban mënyrën e ndërtimit të fuqisë brenda kapitalizmit, kurse ai institucional atë se çfarë do ndërtohet pas kapitalizmit.

 

Dimensioni organizativ

Struktura

E majta ka dy qasje kur vjen puna te organizimi leninist i partisë. Njëra e shikon modelin si katastrofë ose, së paku, si një përvojë negative. Akuza është se leninizmi ka përfunduar, gjithmonë e kudo, në autoritarizëm. Të tjerët janë kundërpërgjigjur duke thënë :“Në rregull, është e vërtetë, por jeni duke ngatërruar stalinizmin me leninizmin”. Me fjalë të tjera, me shfaqjen e Stalinit debati mbyllet.

Mbrojtësit e partisë leniniste kanë të drejtë kur thonë se në fillimet e saj ajo ishte jashtëzakonisht e hapur dhe dinamike. Por, në të njëjtën kohë, fakti është se përvoja e saj tërësore deri në vitet 1930 i afrohet shumë as të mëvonshmes, me trajtë jodemokratike. Pra ndonëse partia e Leninit ishte shumë demokratike, partia leniniste nuk ka qenë e tillë. Nuk mund t’ia hedhim fajin vetëm Stalinit, Zinovievit, apo kujtdo batakçiu tjetër po të doni. Një model partie me struktura të forta e ripërtëritëse duhej të kishte prodhuar një sërë përvojash më të larmishme, jo një histori të njëtrajtshme të kalcifikuar.

Nëse kjo është e vërtetë, është e lehtë dalësh në përfundimin, siç bëjnë shumica e progresistëve sot, se e majta e ardhshme duhet të heqë dorë nga modeli leninist i partisë. Por problemi me këtë qasje është se asnjë model tjetër nuk ka qenë kaq efektiv politikisht. Të gjitha alternativat e tjera që merren në konsideratë prej së majtës nga vitet ‘60 e tëhu – organizatat me shumë prirje, horizontalistët, anarkistët dhe grupet pranë tyre, lëvizja e lëvizjeve etj. – kanë qenë në gjendje të prodhojnë mobilizim për një farë kohe, por kanë pasur pak sukses në vazhdimësinë e lëvizjes, e aq më pak të kenë arritur fitore konkrete të qenësishme. Në të vërtetë, modeli i mbështetur te kuadrot ka qenë kaq i suksesshëm, saqë çdo parti e madhe mobilizuese e shekullit të njëzetë e ka riprodhuar në një masë të caktuar, madje edhe ato të spektrit të djathtë.

Duke pasur parasysh këtë përvojë historike, është e vështirë të imagjinosh një mënyrë që e majta të organizojë veten e saj si një forcë e vërtetë pa disa variante të strukturave që zhvilluan socialistët e hershëm – një parti e bazuar te kuadrot me një udhëheqje qendrore dhe koherencë të brendshme. Ndoshta kjo nuk do të rezultojë e vërtetë. Ndoshta do të shpikim forma organizimi që janë më të hapura, më të shpërhapura, e që në anën tjetër ia arrijnë t’i çojnë detyrat deri në fund. Megjithatë, mbështetur në përvojën tonë, nuk ka pse të mohojmë modelin tonë më të realizuar.

Çka duhet të bëjmë është të shikojmë pas në vitet e hershme të partisë – përpara 1918, ku çdokush bie dakord që ishte mjaft e hapur dhe demokratike – dhe ta shqyrtojmë atë nga afër. Ne duhet të kemi një njohje të mprehtë se si ata ia arritën të ruanin gjallërinë që e bëri atë parti organizatën më të suksesshme të kohës – ku kritika ndaj udhëheqjes njihej si e drejtë, pjesë e rëndësishme e të qenit anëtar i partisë. A kishte mekanizma institucionalë që krijuan kulturën e diskutimit dhe llogaridhënies, përtej zgjedhjeve dhe raporteve të shkurtra të zakonshme? Apo, tekefundit, ishte e varur nga një udhëheqje e përkushtuar ndaj këtyre vlerave?

Po të kishte mekanizma institucionalë të cilat siguronin zhvillimin demokratik, atëherë ne thjesht mund t’i kopjonim e t’i vinim në zbatim. Por nëse ishte çështje e rastisjes së kulturës së brendshme, atëherë kjo nënkupton se praktikat demokratike janë të varura prej një lloji angazhimi moral – çka do të jetë më e vështirë për t’u riprodhuar sepse udhëheqësit priren ta kufizojnë demokracinë, jo ta mbështesin atë. Prandaj pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme t’i studiojmë këto mësime dhe praktika për të parë se nga buronte demokracia.

 

Baza

Çështja e dytë organizative lidhet me marrëdhënien e partisë me bazën. Këtu kemi ç’mësojmë nga Revolucioni Rus. Në historiografinë e Luftës së Ftohtë, bolshevikët janë përshkruar se e kanë marrë pushtetin me një farë grushti i shtetit. Prapa kësaj qëndron ideja se ata nuk kishin një bazë te masat dhe që ata ishin një grup i vogël fanatikësh e ideologësh të përbetuar që imponuan diktaturën. Por historianët e kohëve të fundit kanë rrëfyer, me hollësi të mëdha, se arsyeja kryesore se përse bolshevikët ishin në gjendje të merrnin dhe mbanin pushtetin ishte se, ndryshe nga partitë e tjera në Rusi, ata kishin lidhjet më të thella, të forta e të qëndrueshme me klasën punëtore në qendrat kryesore industriale të vendit. Ko është arsyeja se përse ndodhte që me çdo ndryshim të humorit politik të klasës punëtore – veçanërisht në Petrograd dhe Moskë – në muajt përpara marrjes së pushtetit, ishin bolshevikët ata që ishin shumë më në dijeni për këto ndryshime, në gjendje për të kuptuar situatën dhe, në këtë mënyrë, në gjendje për të lëshuar slogane e programe që rrokën ndërgjegjen popullore.

Bolshevikët nuk ishin të vetmit që e kishin këtë qasje. Të gjitha partitë socialiste në periudhën mes luftërave e merrnin për të mirëqenë se themel i strategjisë së tyre politike duhej të ishte mbështetja në jetën e përditshme të bazës së tyre. Çka nuk vlente vetëm në botën perëndimore. Kjo ishte sine qua non i socializmit në mbarë botën. Dhe funksionoi. Epoka e madhërishme e zgjerimit të së majtës – prej fillimit të 1900 deri në fillimvitet 1950 – ndodhi sepse partitë ishin parti , prej dhe për të varfrit punëtorë.

Strategjia ishte e suksesshme për një sërë arsyesh. E para dhe më e rëndësishmja, ajo u mundësoi këtyre organizatave të prodhonin programe që përfaqësonin interesat e vërteta të bazës së tyre, qyshse partitë ishin në kontakt të vazhdueshëm me bazën – e qyshse çdo ditë ato luftuan krah për krah me bazën në vendet e punës dhe lagje. Së dyti, kjo u dha kuadrove të partisë legjitimitet të madh në radhët e masave, po për shkak se iu gjendeshin pranë në të gjitha rastet. Ky legjitimitet ishte kusht thelbësor për nxitjen e betejave politike, qyshse kur kuadrot shtynin bazën e tyre për të ndërmarrë veprime të ndryshme, ata kishin besimin dhe mbështetjen e nevojshme për t’ia dalë mbanë. Së treti, kjo lidhje e thellë dhe organike prodhoi po ashtu një kulturë të brendshme energjike – të demokracisë dhe llogaridhënies. Një parti e zhytur në jetën dhe betejat e përditshme të klasës punëtore jo vetëm që mund të prodhonte një kulturë demokratike, por edhe të përfitonte prej saj. Tekefundit, kultura demokratike ishte një prej parakushteve të rëndësishme për të fituar besimin dhe mbështetjen e klasës. Pasja e një baze të qëndrueshme nuk jepte garanci për fitore, por mospasja e saj garantonte dështim dhe margjinalizim.

Kjo është, pa dyshim, ajo që i dallon partitë e hershme socialiste nga grupet e majta sot në botën perëndimore. E majta socialiste është e lidhur shumë dobët, për të mos thënë fare, me komunitetet e klasës punëtore. Në përgjithësi, ajo është e veçuar strukturalisht nga punëtorët dhe vepron në kuadrin e grupeve të vogla brenda hapësirës së klasës së mesme – në kampuse, organizata jofitimprurëse, grupe studimore e kështu me radhë. Çka sjell pasoja të rëndësishme. Para së gjithash, ndryshe nga e majta tradicionale e punëtorëve, ajo realisht nuk mund t’i organizojë dhe udhëheqë betejat e klasës punëtore për shkak se është e veçuar fizikisht prej klasës. Pjesa më e madhe e angazhimit të saj politik është mbështetëse dhe reaguese: shfaqet me formula magjike në gardhin e grevistëve protestues, përhap lajmin dhe përpiqet të ngjallë simpatinë e punëtorëve. Çka do të thotë se është tërësisht e varur prej organizimit të të tjerëve, qyshse nuk është në pozitë për t’i nisur vetë betejat.

Së dyti, mbyllja e saj në këto mjedise nënkupton se për të mbajtur zotimet e saj socialiste, ajo duhet t’i shoqërizojë anëtarët e saj për të simpatizuar interesat dhe shtypjen e një klase tjetër. Kjo është shumë ndryshe nga partitë e majta tradicionale të cilat, të ndërfutura në strukturat e klasës punëtore, ishin të afta të rekrutonin nga brenda asaj klase dhe kështu i stërvitnin anëtarët e tyre të luftonin për interesat e tyre materiale. Lufta shoqërore ishte një domosdoshmëri për këto grupe të para sepse ato luftonin për jetesën dhe mirëqenien e vetë anëtarëve të tyre.

Grupet e sotme duhet në masë të madhe të përfytyrojnë se cilat janë këto interesa, qyshse nuk mund të mësojnë për to prej angazhimit të drejtpërdrejtë. Zakonisht e bëjnë këtë duke lexuar për ngjarje të shkuara dhe më tej përpiqen të heqin paralele me situatën e tashme. Por kjo e bën të vështirë zhvillimin e një strategjie. Është thuajse e pamundur të jesh krijues, qyshse shumica e anëtarëve nuk i përjetojnë direkt këto ndryshime në vendin punës dhe as nuk janë në pozita për të ndërmarrë nisma të reja. Kjo natyrshëm çon në një lloj dogmatizmi për shkak se vetmja gjë që dinë mirë është ajo që ka ndodhur në të shkuarën.

Pasoja afatgjatë e këtij veçimi prej punëtorëve është se këto organizata kthehen në parajsë për politikën si stil jetese për studentë dhe profesionistë të përkushtuar moralisht. Ato u falin anëtarëve të tyre ndjenjën e përfshirjes në ndryshim, por angazhimi është tejet individual dhe shpesh mbetet vetëm në kufijtë e solidaritetit simbolik. Meqenëse organizimi i mirëfilltë nuk është çështje e ditës, energjitë priren të drejtohen nga brenda, kah kulturës dhe karakteristikave të vetë grupit. Çdokush që vjen në Shtetet e Bashkuara nga vende me tradita politike më radikale nuk ka si të mos çuditet prej diskutimeve të mprehta e moralizuese brenda të majtës, por që në fund të fundit janë apolitike. Ato priren të merren me gjuhën, identitetin individual, gjuhën e trupit, zakonet e konsumit e të tjera si këto. Kjo është pasojë e natyrshme e një “të majte” që në fakt përbehet nga grupe të vogla në strukturat e shtresës së mesme të cilat nuk mund të stërviten në mënyrë organike në politikat klasore. Diçka e tillë ka ndodhur për një kohë kaq të gjatë, sa edhe ideja e mbështetjes në klasën punëtore konsiderohet ose e çuditshme, ose e panevojshme.

Nëse e majta dëshiron të shkojë larg, nëse dëshiron të marrë edhe një herë rolin që ka pasur dikur, si motor i drejtësisë shoqërore, duhet të rivendoset në brendësi të botës së punës. Tani për tani, askush nuk ka siguruar prova se ndryshimet e atyre përmasave që kemi nevojë – njeriu përpara fitimeve, mbrojta e mjedisit, zhdukja e shtypjeve sociale – mund të arrihet pa prekur kapitalin.  E si mund t’ia arrish kësaj nëse nuk shfrytëzon energjitë e asaj force shoqërore që mund ta vendosë kapitalin për fund – klasa që siguron fitimin e kapitalit?! – (Lexo më tej materialin e përkthyer në shqip nga i njëjti autor!)

Këtë të vërtetë thelbësore e tregon jo vetëm Revolucioni Rus, por e gjithë tradita socialiste që shtrihet pas një shekull e gjysmë. Një e majtë e izoluar prej klasës punëtore është veç një manekin, jo një forcë politike.

 

Strategjia

Sa i takon strategjisë, Revolucioni i Tetorit ndoshta është më pak udhëzues. Marrja e pushtetit prej bolshevikëve nuk ishte grusht shteti, por përfshiu rrëzimin e regjimit me dhunë e në mënyrë të menjëhershme në rrethanat e rënies së shtetit dhe shpërbërjes së ushtrisë. Dikush mund ta përshkruajë këtë si strategji të përmbysjes së menjëhershme të kapitalizmit.

Sot askush nuk ka dyshim se dekadat nga fillimi i shekullit të njëzetë deri në Luftën Civile në Spanjë mund të përshkruhen si periudhë revolucionare. Ishte një periudhë kur mundësia e përmbysjes së menjëhershme mund të parashikohej seriozisht dhe të ndërtohej strategji për arritjen e saj. Ka pasur mjaft socialistë që mbronin idenë e një qasjeje më graduale, por revolucionarët që i kritikonin ata nuk jetonin në një botë ëndrrash.

Për shumë parti rruga ruse, ashtu siç ishte, ishte e mundshme. Por duke filluar prej viteve 1950 u ngushtuan mundësitë për këtë lloj strategjie. Sot duket tërësisht haluçinante të mendosh për socializmin në një prizëm të tillë. Kjo padyshim që është e vërtetë në botën e përparuar kapitaliste, por po kaq qëndron edhe pjesën më të madhe të Jugut të botës. Sot, shteti ka një legjitimitet jashtëzakonisht të madh në popull krahasuar me shtetet evropiane të një shekulli më parë. Më tej, fuqia e tij shtrënguese, fuqia mbikëqyrëse dhe kohezioni i brendshëm i klasës sunduese i japin rendit shoqëror një qëndrueshmëri ku e ku më të madhe se ajo që kishte më 1917. Ajo që nënkuptohet është se ndonëse mund të mendojmë apo shpresojmë për shfaqjen e kushteve revolucionare ku rënia e shtetit mund të ndodhë realisht, ne nuk mund të ndërtojmë strategji mbi këtë pritshmëri – nuk mund ta marrim si perspektivën themelore strategjike të së majtës. Sot qëndrueshmëria politike e shtetit është një realitet që e majta duhet ta pranojë. Ajo që tashmë ndodhet në krizë është modeli neoliberal i kapitalizmit, jo vetë kapitalizmi.

Nëse e pranojmë këtë, atëherë mësimet që mund të na japë përvoja ruse– si model i tranzicionit socialist – janë të kufizuara. Perspektiva jonë strategjike duhet ta zhvlerësojë qasjen qendrore të përmbysjes revolucionare dhe të lundrojë më tepër në qasjen graduale. Për një të ardhme të parashikueshme, strategjia e të majtës duhet të zhvillohet rreth ndërtimit të një lëvizjeje që i ushtron trysni shtetit, që fiton pushtet brenda tij, ndryshon strukturën institucionale të kapitalizmit dhe gërryen fuqinë strukturore të kapitalit – jo edhe aq rreth tejkalimit të tij. Kjo na detyron të kombinojmë politikën elektorale me atë mobilizuese.

Ndërton një parti që mbështetet te klasa punëtore, forcon kapacitetin organizativ të saj, organizon punëtorët në vendet e punës dhe krijon hallka me pushtet në shoqërinë civile dhe i shfrytëzon këto fuqi shoqërore për të shtyrë përpara reforma duke marrë pjesë në politikën elektorale. Reformat duhet të kenë efekt të dyanshëm si për ta bërë organizimin e ardhshëm më të thjeshtë, ashtu edhe për të kufizuar fuqinë e kapitalit dhe për t’i vënë shkopinj nën rrota në rrugë e sipër. Ka shumë emra për strategji të këtij lloji – reforma joreformiste, reforma revolucionare. Sido që t’i quani, kjo kërkon një qasje më graduale se ajo e kohës së bolshevikëve.

Po kjo do të thotë se na duhet të shqyrtojmë me kujdes përvojën e atyre partive dhe vendeve që nuk e mbërritën socializmin, por që, pavarësisht kësaj, arritën fitore të vërteta në organizim dhe politikë. Ne duhet të analizojmë socialdemokracitë, veçanërisht format më ambicioze të tyre. Para së gjithash, se si arritën të ndërthurin dimensionin elektoral dhe joelektoral në një perspektivë strategjike të përgjithshme. Kjo kërkon gjithashtu të studiohet legjislacioni i tyre, modelet ekonomike që zbatuan, si e përdorën shtetin, si u përballën me fuqinë strukturore të kapitalit dhe armiqësinë e tij kundrejt përparmit të klasës punëtore. Arritjet e socialdemokracive më të përparuara, si në vendet nordike, janë bash të jashtëzakonshme dhe denigrimi i tyre i zakonshëm si thjesht “reformiste” prej të majtës është gjykim kryekëput i gabuar. Ato kanë ardhur mes betejash dhe u kundërshtuan me gjithë forcë nga elitat sunduese.

Megjithatë, arsyeja më e rëndësishme për të studiuar historinë  e socialdemokracisë është për të kuptuar kufizimet e saj. Prandaj nuk mund të hidhet poshtë si “thjesht” reformiste. Nëse nuk e kuptojmë se përse dështuan, ne thjesht do të përsëritim dështimet e tyre. Është me rëndësi të theksojmë se, pavarësisht se ç’mund të ndodhë, nëse njerëzit duan që  Jeremy Corbyn-i apo Bernie Sanders-i të vijnë në pushtet në vitet e ardhshme, agjenda e tyre politike do t’i përmbahet gjerësisht modelit të shtruar nga socialdemokracia.

Kjo është madhështore në shumë drejtime, por socialdemokracia ishte forcë e vdekur që në vitet 1980; partitë e saj degjeneruan në trajtën menaxheriale; agjenda e tyre reformiste u ndalua e më tej u përmbys; dhe kanë dëshmuar se janë gjerësisht të painteresuar në rigjallërimin e trashëgimisë së tyre. Fakti që ky fenomen është kaq i përhapur dhe depërtues do të thotë se nuk ardhur si rrjedhojë e dështimeve personale dhe tradhtisë. Ka diçka strukturore nga pas. Çka nënkupton, në anën tjetër, se e majta duhet të kuptojë rrënjët strukturore të këtij dështimi që së paku në një mundësi ballafaqimi të shmangë të njëjtin fat. Në këtë mënyrë, ndonëse duhet të kuptojmë se si diçka aq ambicioze si plani Meidner u zhvillua në Suedi në fund të viteve 1970, po ashtu duhet të kuptojmë se përse ky plan pësoi disfatë dhe përse Partia Social Demokratike u bë tejet konservatore në vitet që pasuan.

 

Dimensioni institucional

Nuk do të zgjatem në idenë e afërmendshme se mësimi i Tetorit është negativ në shumë drejtime – ne duhet ta mohojmë në masë modelin politik të prodhuar nga bolshevikët, atë të diktaturës së një partie të vetme dhe zhdukjen e lirive themelore.

Ishte një gabim katastrofik denigrimi i të drejtave liberale si “borgjeze”, gjë që e bënë shumë marksistë të fillimshekullit të njëzetë, duke lënë të kuptohej se ato të drejta ishin të gënjeshtërta dhe mashtruese në një farë mënyrë. Kjo dredhi retorike e bëri shumë të thjeshtë që këto të drejta të zhdukeshin nga Stalini dhe, përpara tij, nga vetë Lenini. Të drejtat liberale ishin të gjitha të luftuara dhe fituara nga lëvizjet e klasës punëtore e aspak prej kapitalistëve liberalë. Një e majtë që respekton veten e saj nuk duhet t’i lërë mënjanë këto të drejta, por t’i mbrojë dhe thellojë ato.

Sfidë më e vështirë është çështja e planifikimit të ekonomisë. Duhet ta fillojmë me vëzhgimin se pritshmëria që një ekonomi e planifikuar në qendër thjesht mund të zëvendësojë tregun nuk ka bazë empirike. Ne mund të duam që planifikimi të funksionojë, por nuk kemi prova që mundet. Çdo përpjekje për ta vënë në zbatim, përtej periudhave të shkurtra, ka hasur në dështim. Përvoja ruse është shembulli më i njohur i saj. Arsyet e këtij dështimi duhet të njihen e jo të lihen mënjanë. Nuk ka shumë kuptim të thuhet që, siç e bëjnë shumë marksistë, “ai nuk ishte socializëm i vërtetë, prandaj nuk ka vlerë”. Mund të mos ketë qenë socializëm – dhe ndoshta socializmi i vërtetë me demokraci të vërtetë dhe me këshilla reale punëtorësh dhe kompjuterë të vërtetë do ta bëjnë të funksionojë. Po barra e provës së kësaj u takon tërësisht socialistëve që pretendojnë se do të funksionojë. Argumenti nuk mund të fitohet me një të ngritur të dorës dhe mohimin e përvojës së shekullit të shkuar.

Me fjalë të tjera, ne duhet të konsiderojmë seriozisht mundësinë që planifikimi i përfytyruar nga Marksi mund të mos jetë më një mundësi. Çdo diskutim duhet të paraprihet nga një shqyrtim nga afër i përvojës sovjetike, në përpjekje për të vlerësuar nëse dështimi i saj kishte të bënte me mënyrën e veçantë të zbatimit të planifikimit, apo nëse mësimi është se ekonomia moderne industriale thjesht nuk i bindet planifikimit. Është kaq e habitshme se sa pak vëmendje i kushtohet kësaj çështjeje nga e majta sot krahasuar me, le të themi, energjitë e harxhuara për të zbërthyer filmat e Bollywood-it1.

E në rast se ndodh që të dhënat për funksionimin e planifikimit qendror nuk janë bindëse, atëherë duhet të marrim seriozisht në konsideratë që një ekonomi paskapitalistë duhet të marrë trajtën e një lloj tregu socialist. Brenda të majtës ka shumë modele të kësaj ekonomie, secila me tiparet e veta. E rëndësishme është që, cilado qoftë struktura institucionale e tregut socialist, parimet që përcaktojnë formën e saj t’u mbeten besnike vlerave socialiste – vendosja e njerëzve përpara fitimeve. E shtjelluar pak më shumë, cilido qoftë modeli, ai do të ndryshojë nga kapitalizmi si më poshtë:

  • Tregu do të kufizohet e kështu nuk ka për të qenë përcaktuesi i mirëqenies bazike të njerëzve;
  • Vendimmarrësit ekonomikë do të vendosen përpara përgjegjësisë në mënyrë demokratike;
  • Pabarazitë në pasuri nuk do të lejohet të shndërrohen në pabarazi politike.

Do të ketë, afërmendsh, edhe parime të tjera që mbajnë në kontroll konstruksionin institucional. Por është e vështirë të përfytyrohet një model i pranueshëm socializmi – i mbështetur në treg apo i planifikuar – që shmang një prej pikave të mësipërme. Një ekonomi që shkel një prej këtyre parimeve me gjasë nuk mund të cilësohet si socialiste, të paktën jo në kuptimin se si të majtët e kanë kuptuar konceptin.

Nëse e kemi të qartë se çfarë presim prej ekonomisë, atëherë mund të kuptojmë se çfarë rrezikohet. Planifikimi nuk është i dëshiruar për hir të vetë planifikimit. Ai gjithmonë është përqafuar si një mjet që justifikon qëllimin dhe qëllimi themelor i socialistëve është një rend shoqëror i drejtë dhe njerëzor. Mund të rezultojë që një planifikim i plotë të jetë jo vetëm jorealist, por edhe i panevojshëm – ndoshta qëllimet bazike të socialistëve tekefundit mund të jenë të arritshme përmes tregut socialist. Mund të ndodhë që planifikimi qendror të jetë në fërkim me dimensione të caktuara të drejtësisë shoqërore.

Trashëgimia më e keqe që na la epoka e Internacionales së Dytë ishte identifikimi i socializmit me planifikimin qendror. Ky ekuacion nuk duhet të përsëritet më. Modelet ekonomike nuk janë qëllime në vetvete, por mjete për të arritur atë që kërkojmë në të vërtetë– një shoqëri në të cilën njerëzit t’i trajtojnë të tjerët si qëllim e jo si mjet.

 

Të shikojmë përpara

Prej përpjekjeve socialiste të shekullit të kaluar kemi mësuar se shtegu për një rend më të barabartë kalon përmes konfrontimit me kapitalin, jo duke i ardhur rrotull atij. Dhe të vetmet parti që kanë pasur sukses të vërtetë në këtë përpjekje kanë qenë partitë e kuadrove të bazuara te masat dhe me rrënjë të thella në klasën punëtore. Tashmë sfida më e madhe e së majtës është të presë kordonin mbytës që e mban lidhur me universitetin dhe organizatat jofitimprurëse dhe të zhytet sërish në botën e punës. Një e majtë që do të arrijë sukses duhet gjithashtu të përqafojë politikën elektorale si skaji tjetër i strategjisë me dy degë, në të cilën fuqia në bazë ndërthuret me krahun parlamentar, duke ushqyer njëra-tjetrën. Në këtë moment, spiralja parlamentare duket se po hapet më shpejt se ajo e bazës – e majta duhet të zhytet në të, të fitojë prej saj dhe më tej të përdorë përfitimet prej saj për të ndërtuar bazën. Njëherazi, ne duhet të thellojmë diskutimet se për çfarë luftojmë.

Është e qartë se një socializëm i suksesshëm do të jetë plural, me rend shumëpartiak me rrudhje domethënëse të tregut. Sa larg do shtyjmë drejt tij varet në masë të madhe nga çështjet praktike se çfarë është e arritshme e çfarë jo. Po pikërisht për shkak se strategjia e përmbysjes së menjëhershme nuk është në rend të ditës, duhet të marrim fillimisht rrugën e socialdemokracisë për të kaluar më pas në atë të socializmit demokratik. Kemi mjaft përvojë se si të arrijmë të parën, por jo aq shumë të dytën.

  1. Shën. përkth.: Bollywood, me këtë emër referohet shpesh kinemaja indiane.

E përktheu Jani Marka

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: phys.org

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.