Shtrëngimet financiare, jo ndryshimet klimatike!

/Yanis Varoufakis/

Një katastrofë biblike pllakosi Atikën të hënën e 23 korrikut. I pashë shenjat e para mëngjesin e vonë në aeroportin e Athinës, kur po nisesha për të parë vajzën time në Australi. Një aromë e rëndë drurësh të djegur më shtyu të vështroja qiellin, ku një diell i zbehur më grishi, i rrethuar nga skëterra si në një eklips ditën, të cilin mund ta shkaktonin vetëm retë e dendura të tymit të ngjitura deri në qiell.

Nga pasditja herët, lajmet filluan të përhapeshin ngado. Shtëpitë e shumë prej miqve dhe farefisit tonë ishin shkatërruar. Zjarret e pyjeve ishin lëshuar furishëm, duke u përhapur drejt bregdetit të populluar me ndërtesa, duke kaluar nga komunat e Matit dhe qyteza e Rafinës në Athinë dhe duke i detyruar banorët vendas t’ia mbathnin për nga deti.

Për viktimat mësova për herë të parë kur u fol për gjendjen e aktivistëve që i përkisnin lëvizjes sonë politike, DiEM25. Flakët shkatërruan shtëpitë e tyre në Mati, së bashku me çdo shtëpi tjetër që u doli rrugës; por të paktën ata shpëtuan. Për pak! Fqinjët e tyre ngjitur u shkrumbuan; kur trupat e tyre u zbuluan mëngjesin tjetër, ata ishin strukur së bashku, me vajzën trevjeçare në mesin e atij pirgu zemërthyes. Teksa shkruaj, numri zyrtar i vdekje ka arritur 81, ndërsa numri i të zhdukurve nuk dihet akoma. Fjalët më ngecin.

Përse ndodhi? Dimri i thatë kishte prodhuar një sasi të madhe pyjesh e shkurresh të thara të cilat, në një ditë kur temperaturat arritën në 39 *C dhe erërat frynin me 130 km/h, ishin ushqim për flakët. Por të hënën tonë të zezë moti u bë bashkëfajtor me dështimet kronike të shtetit dhe shoqërisë greke në shndërrimin e zjarrit të madh në një ferr vdekjeprurës.

Modeli ekonomik i Greqisë së pasluftës është bazuar në një zhvillim anarkik, të paplanifikuar të pasurive të paluajtshme kudo (pa kursyer as përroskat dhe pyjet halorë). Kjo na ka lënë, si çdo vend në zhvillim në dorë të zjarreve vdekjeprurës në verë dhe përmbytjeve në dimër (vetëm dimrin e fundit 20 njerëz vdiqën në shtëpitë e ndërtuara pranë shtratit të një lumi të lashtë).

Ky dështim kolektiv, natyrisht, është ndihmuar dhe mbështetur nga mungesa e përhershme e gatishmërisë së shtetit grek: ai ka dështuar në pastrimin e fushave dhe pyjeve nga gjethet e grumbulluara gjatë dimrit dhe pranverës, ose në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e shtigjeve të emergjencës për banorët. Pastaj ekzistojnë krimet e zakonshme të oligarkisë, të tilla si gardhimi ilegal i bregdetit rreth vilave me qëllim privatizimin e plazhit. Dëshmitarët okularë me të cilët fola thanë se shumë vetë vdiqën ose u plagosën rëndë duke luftuar kundër telit me gjemba që të pasurit kishin vendosur midis tyre dhe detit.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është edhe fajësia kolektive e njerëzve. Kjo katastrofë tregon mënyrën se si ndryshimi i shpejtë i klimës përshpejton ato dukuri natyrore që ndëshkojnë gabimet tona.

Siç ndodh shpesh kur zjarret e pyjeve shkatërrojnë Greqinë, qeveria la të kuptohet për zjarrvënie. Unë nuk jam i bindur. Qeveritë greke tradicionalisht e kanë gjetur të përshtatshme të fajësojnë përfituesit, zjarrvënësit, terroristët, madje edhe agjentët e huaj. Me pretendime të tilla mbi zjarret, që mbizotërojnë në lajme, zyrtarët duan të shmangin pranimin e mungesës së gatishmërisë dhe dështimin e tyre për të miratuar dhe zbatuar ligjet dhe rregulloret e duhura të sigurisë.

Çfarë roli luajtën masat shtrënguese dhe depresioni i madh i vazhdueshëm i Greqisë në mungesën e gatishmërisë? Departamentet e zjarrfikësve, agjencitë e mbrojtjes së qytetarëve, shërbimet e ambulancës dhe spitalet janë tejet të reduktuara në kapacitete njerëzore. Ndonëse zjarret nuk do të ndaleshin edhe po të kishim trefishin e numrit të punonjësve të zjarrfikësve dhe avionëve zjarrfikës, një vend që vuan prej një dekade reduktimin e shërbimeve publike, komuniteteve dhe moralit të tij, zor se mund të jetë i përgatitur siç duhet për të përballuar katastrofat që përkeqësohen prej ndryshimeve klimatike.

Gazetarët më pyesin nëse po na ndihmon Bashkimi Evropian. Ç’është e vërteta, ne kemi pasur zjarre shkatërrimtare para dhe pas hyrjes në BE dhe kalimit nga dhrahmia tek euroja. BE nuk ka bërë asgjë për të na ndihmuar të luftojmë flakët – çka nuk e ka për detyrë – dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi për 70 vite abuzim ndaj mjedisit të shoqërisë greke. Por është e padiskutueshme që dekadat e fundit, trojka zyrtare e kreditorëve të Greqisë – Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar – e ka privuar fuqishëm shtetin grek nga burimet dhe kapacitetet që i duhen në situata të tilla.

Gjatë një dekade ne kemi humbur më shumë njerëz nga tragjedia e shkaktuar nga establishmenti i BE sesa nga ndonjë përmbytje apo zjarr masiv. Më shumë se 20,000 vetë kanë vrarë veten, ndërsa një në dhjetë grekë në moshë për të punuar ka emigruar për shkak të depresionit ekonomik që BE i ka imponuar Greqisë.

Unë pres të derdhen lot krokodili në Bruksel për viktimat e zjarrit, siç pres qëndrime po aq hipokrite nga qeveria greke. Por nuk pres ndonjë ndryshim të mizantropisë së organizuar ndaj Greqinë vetëm se gati njëqind vetë vdiqën në një ditë të vetme. Nëse progresistët nuk organizohen në të gjithë Evropën, nuk marrin përgjegjësi dhe nuk mblidhen së bashku për të bërë presion në nivel BE, asgjë nuk do të ndryshojë, në mos po ndonjë përforcim i mëtejshëm i forcave politikave krenarisht mizantrope si Agimi i Artë i Greqisë, Lega e Italisë, Bashkimi Social Kristian dhe Alternativa për Gjermaninë të Gjermanisë, Sebastian Kurz-i i qeverisë austriake dhe boshti joliberal polako-hungarez. Në këtë kontekst, zjarret e pyjeve në Greqi janë një kujtesë tragjike e përgjegjësive tona kolektive si evropianë.

Përktheu Kristi Çunga
Imazhi: Matt Howard / Unsplash

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.