Shteti i tyre

/Inxhi Brisku/ Zyrtarët qeveritarë, si vegla në duart e kapitalistëve të fuqishëm, nuk shohin traun në sytë e tyre, por qimen në atë të popullit fukara. Zor se mund të gjejmë akte burokratësh të cilëve mund t’u shkonte më për shat kjo shprehje sesa veprimet e ekzekutivit tonë. Për ta filluar me të famshmin aksion të energjisë elektrike, që synonte të ndërpriste lidhjet e paligjshme të energjisë dhe t’i detyronte fakirët, që nuk kanë të sigurt as bukën, të ishin të rregullt me pagesat. Në një situatë hipotetike, ky do të dukej si një aksion i gjithëpranuar, por, nëse vijmë me këmbë në tokë, shohim se si është realisht situata. Ndërkohë që terrorizoheshin familjet e shtresave më të varfra të shoqërisë, për me qenë të rregullt për pagesën e energjisë, me gjoba e burg, mospagesat e akumuluara të institucioneve shtetërore, që arrinin deri në miliona dollarë, u falën. Kur të fundit e të fundmëve nuk merrnin atë farë asistence sociale nëse nuk kishin shlyer detyrimin, me bizneset e mëdha negociohej, u liheshin afate që nuk dihet kur mbarojnë, u faleshin kamatat sepse nëse do shtrëngoheshin më shumë se duhej, “paralizohej tregu”. Për të mos folur më për këto shifra marramendëse të cilat, të grumbulluara nga shfrytëzimi i tejskajshëm e masës punëtore, kanë përfunduar në xhepat e firmave të huaja shfrytëzuese dhe politikanëve të cilët i kanë mbështetur. Po aq zhurmëmadh sa i sipërpërmenduri është edhe “aksioni kundër informalitetit”. Gropa në tatime e dogana pranohet nga vetë organet qeveritare. Por nga ka ardhur? Sigurisht nga mashtrimi që bën biznesi madh, në bashkëpunim më veglat e tyre politikanë. Më anë të mitës që mbështet jetës superluksoze të burokratëve, financimit të fushatave elektorale e mjeteve të tjera, kompanitë që veprojnë si monopol kanë arritur t’u shmangen edhe atyre pak detyrimeve që u vendos ende ligji. Por luksi duhet rujtuar, për të ekzistuar në treg duhet akumuluar dhe riinvestuar më fuqishëm dhe, pavarësisht shfrytëzimit të tejskajshëm që u bëhet punëtorëve dhe nënpagimit të tyre, kërkohen para edhe nga të quajturat biznese të vogla, të cilat mezi arrijnë të sigurojnë të ardhura për mbijetesën familjare. Ku do të shkojnë këto para të mbledhura dhunshëm? Sigurisht për luks qeveritar, në xhepat e monopolistëve – kështu ato do të kenë mundësi të shfrytëzojnë më gjatë punëtorët – dhe, patjetër, për të subvencionuar diplomoret private, të cilat si duket hapur kanë mbështetjen e gjerë të klasës politike që marrin pjesë në organizimet e tyre, i mbështesin këto biznese që pasi e kanë kthyer dijen në mall, japin edhe leksione se si mund të emancipohen studentët dhe pedagogët e universiteteve publike nga shembulli i privatit.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.