Shenjtori i zi

/Vitori Çipi/

Patrice Lumumba është një prej udhëheqësve revolucionarë dhe antikolonialistë më të rëndësishëm në Afrikë, pse jo edhe më tej. Ai vinte nga një familje e varfër fermerësh në Kongo që, pavarësisht torturave, shtypjes dhe shfrytëzimit çnjerëzor të përjetuar nga kolonizatorët belgë, guxoi që në moshë shumë të re të përfshihej në politikë dhe të kërkonte pavarësi për popullin e tij kongolez. Lumumba ishte drejtuesi i Lëvizjes Nacional-Çlirimtare Antikolonialiste Kongoleze, një lëvizje me mbështetje të madhe popullore.

Në fund të viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur sistemi global kolonial po tronditej kudo, qëllimi i Belgjikës nuk ishte të tërhiqej nga Kongoja, por që shteti i sapoformuar i Kongos të mbetej nën kontrollin e saj. Lumumba dhe Lëvizja Nacional-Çlirimtare Antikolonialiste Kongoleze e kundërshtuan këtë plan dhe në Kongo shpërthyen demonstratat e 1957. Por këto demonstrata u shtypën me gjak nga autoritetet belge, duke vrarë 30 njerëz, ndërsa Lumumba u dënua me 69 muaj burg. Pas presioneve të shumta, Lumumba u la i lirë pak muaj më vonë për të marrë pjesë  në Konferencën e Brukselit (27 janar 1960) nga e cila u vendos pavarësia e Kongos.

Në maj të 1960 Kongoja mbajti zgjedhjet e para si shtet i pavarur, ku partia e Patrice Lumumba-s triumfoi. Lumumba ishte kryeministri i parë i Kongos së pavarur, ndërsa Joseph Kaza Vubu-ja president.

Po për belgët, depozitat e mineraleve (arit, bakrit, zinkut) nuk mund të kishin një udhëheqës si Lumumba, me dinjitet dhe në kërkim të drejtësisë. Belgët, në bashkëpunim me të eturit për pushtet dhe pasuri, siç ishin Mobutu-ja (kolonel i ushtrisë), Kaza-Vubu-ja, Moise Tshombe-ja[1] etj. nuk lejuan që republika e re të zhvillohej në mënyrë paqësore. Lumumba kërkoi ndihmë nga ndërkombëtarët, por për të dyert ishin të mbyllura. Ndërkohë Belgjika dërgoi një ushtri në Kongo me pretekstin e mbrojtjes së shtetasve të saj atje, por në realitet ishte për të forcuar Tshombe-n dhe ushtrinë e tij, e cila përbëhej kryesisht nga mercenarë të bardhë.

Pas një plani të hartuar deri në detaje nga CIA, të besuarit e Mobutu-s arrestuan Lumumba-n në fillim të dhjetorit 1960 dhe ia dorëzuan shtetit të Katangës, të krijuar nga Tshombe-ja me ndihmën e Belgjikës në zonat më të pasura me minerale. Atje Lumumba iu nënshtrua torturave të tmerrshme dhe u vra më 17 janar 1961. Trupi i tij u dogj dhe u varros në pyll; më pas  u zhvarros për t’u shkrirë në fuçi me acid. Për kolonizatorët edhe varri i Lumumba-s mund të ishte një rrezik.

Në vitin 2002 qeveria belge pranoi se ishte pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e Lumumba-s dhe u kërkoi falje familjarëve. Po ashtu edhe CIA, që kishte luajtur rol vendimtar në vrasjen e Lumumba-s duke ndihmuar kundërshtarët e tij me para, armë dhe trajnime ushtarake. Hipokrizia dhe neveria më e madhe qëndron në faktin se më vonë armiqtë e tij, ata që e vranë, e shpallën Lumumba-n hero kombëtar.

***

I tronditur nga vrasja e Patrice Lumumba-s, Janis Ricosi[2] shkroi poezinë

“Shenjtori i zi”

Ata rrëmbyen arin tuaj dhe ju dhanë

rruaza dhe pasqyrëza…

Mes zjarrit dhe alarmit

në ëndrra të paqarta dhe të ngatërruara

Shpërtheje në këngë dhimbjeje dhe

pa fjalë…

Muzikë, ti na ndihmove.

I.

PATRICE LUMUMBA –  një e qeshur e madhe e bardhë përmes natës së fytyrës tënde

Përmes natës së popullit tënd, përmes natës së vendit tënd

një e qeshur e bardhë –  shkëlqen në dritaret e shtëpive të varfra,

mbi buzët e nënave të zeza, të fëmijëve të zinj,

si agimi prapa pyllit ose prapa maleve të qymyrit,

e bardhë si shtrëngimi i dy duarve të zeza

e bardhë si vendimi i lirisë

e bardhë si fuqia e vëllazërimit.

Patrice Lumumba, kishe parë duart e prera të vëllezërve të tu

të ruajtura në kripë brenda kofinit të  zotëve të tu,

kishe parë shkëlqimin e diamanteve kur ndriçonin bankete të huaj,

kishe parë që ari i vendit tënd mbushte armët e vrasësve të vendit tënd

kishe parë gjakun dhe hekurat, madje dhe yjet pas hekurave.
Kishe parë pasqyrat e vogla që mblidhnin rrezet e diellit

që drejtoheshin fytyrave të vëllezërve të tu për t’i verbuar.

Kishe parë figurën e Jezuit në një pasqyrëz
tek qante me lot të zinj i verbuar prej tregtarëve të fjalës së Tij.
Kishe dëgjuar tam-tamin nën pyje në netët e shurdhëta,
një muzikë pa fjalë – valë-valë, me ritëm të qartë,
vjen e shkon, ngrihet dhe zgjatet

vetëm tingull dhe ritëm në pyjet e popullit tënd
valë-valë, batica misterioze në errësirën magnetike,
pa fjalë, me ritëm – ritëm gjaku
ritëm që ndez gjakun
ritëm që ndez hëna e bardhë mbi valët e errësirës
dhe pemëve
ritëm që ndez një e qeshur bardhë mbi buzët e zeza –
Sepse ritmi i gjakut ecën gjithmonë direkt drejt lirisë.

II.

PATRICE LUMUMBA – nuk kishe asgjë tjetër përveç të qeshurës së bardhë përballë të zezës

që ishte gjithandej
përballë vdekjes së zezë, përballë padrejtësisë sterrë –
një qeshje e bardhë si vullneti i drejtësisë,

e bardhë – e bardhë, e mbledhur farë më farë nga zemra e popullit tënd
ashtu siç mbledhim nga yjet e shpërndarë të një nate të paanë
kujtimin e bardhë, pritjen e bardhë, krenarinë e bardhë,
fuqinë e bardhë në betejën e mirë kundër të gjithë vrasësve të bardhëve
kundër të gjitha fatkeqësive të zeza.
Patrice Lumumba – një e qeshur e bardhë në natën e popullit tënd.
Të gjitha pushkët vunë në shënjestër të qeshurën tënde.
Mbi të qeshurën tënde vunë në shenjë zemrën e Afrikës. Ke qeshur shumë,
Patrice Lumumba.
Ti besove në drejtësinë e të shtypurve. Ju jepje shenjë
Patrice Lumumba.

Të gjitha pushkët shënonin të qeshurën tënde.  Ruhu, Patrice, të thërrisnim!
Ruhu vëllai ynë, ishim duke të thirrur!
Ruaje të qeshurën e popullit tënd. Ruaje për ne!

Ti, besove shumë në liri, qeshje shumë, vëllai ynë i zi.
Dhe ata të vranë.
Patrice Lumumba, ata të vranë sepse doje të qeshnin të gjithë vëllezërit e tu të zinj

një e qeshur e bardhë përballë të gjitha netëve. Dhe të vranë.
Të qeshurën e bardhë, Patrice Lumumba – atë nuk e vranë.
Nuk mundën, Patrice Lumumba.
Nuk e vranë të qeshurën tënde të bardhë, besimin tënd të bardhë,

forcën tënde të bardhë,

besimin në të qeshurat e bardha mbi gjitha gojët e hidhëruara.
Patrice Lumumba, e qeshura jote nuk u vra –

lumenj të mëdhenj drite të bardhë zbresin në natën e të zinjve.

Mirëdita vëllai ynë –
nga e qeshura jote, thika të mëdha e të bardha ngulen
në zemrat e zeza të vrasësve të bardhë.

Mirëdita – Patrice Lumumba,
e qeshura jote e bardhë lind e papërlyer mbi vendin tënd të zi
në mes të të gjitha netëve të rrënuara të skllevërve që janë zgjuar.

Patrice Lumumba, e qeshura jote e bardhë, që godiste në shenjë, niset sonte drejt Venusit.

III.

KËMBË TË ZBATHURA – në marshim – nuk duken fytyra,

si një foto parade ushtarake e prerë nga mesi e poshtë –

këmbë të zhveshura, këmbë të larmishme, duke ngritur re pluhuri,

këmbë sterrë të zeza

duke fermentuar tokën me gjak – retë e zjarrit – shkoni përpara –

grevë urie, kryengritje, grevë deri në vdekje,

paradë, demonstrim – marshimi i martirizimit – asgjë nuk duket.

Këmbë të zeza, sterrë të zeza, të kuqe nga plagët dhe rrugët,

Këmbë të prera, këmbë të deformuara, këmbë të pagjunjëzuara,

këmbët e Rolandit[3] të vogël, këmbët e Pualinës[4],

këmbët e të vdekurve, këmbët e të vdekurve, të të vrarëve,

këmbët e zhveshura për zinë e fisit Ligala

këmbët e zhveshura për zinë shekullore,

duke brumosur tokën heshtazi me gjakun e Patrice-it, duke bërë

një bukë të stërmadhe  e të kuqe për gojën e botës –

Vraponi, arrijini, këmbë të zbathura, këmbët tona vëllazërore,

shtypni gjarpërinjtë boa të maskuar, shtypni kufomat e Diplomatëve!

(Ah, zotërinj diplomatë, shumë ju shkon të përmendeni në një poemë

ju përshtatet shumë mirë –

një buzëqeshje vulgariteti fshehur pas sjelljes suaj plot finesë,

sjellje  e mprehtë nepërke, urrejtje e studiuar me  ftohtësi,

krim metodik, krim, krim)

si mund të heshtni akoma

ju poezi, skllevër të heshtjes, bashkëfajtorë të heshtjes,

fjalë të studiuara për asgjë, gjeste të studiuara për asgjë,

maska qesharake, maska tragjike ku pas syve tuaj bosh

vetëkënaqësia ndez zbrazëtinë – në djall, në djall, në djall.

Këmbë të zeza, këmbë të zeza, të kuqe, të lënduara, rozë,

Thyeni portat, thyeni kangjellat e kolonialistëve, shtypni

kokat e diplomatëve fisnikë, kokat e

Tshombe-ve të zinj, Tshombe-ve të bardhë – lëvizni, lëvizni,

këmbë të zeza, këmbë të kuqe, këmbët tona vëllazërore,

vraponi, vazhdoni para këmbë të zeza, këmbë të gjakosura, vraponi,

duke e brumosur tokën në një copë buke – vazhdoni, vazhdoni,

thyeni dyert e mëdha prej xhami prapa të cilave të paturpshmit pinë djersën tuaj!

Gdhendni me kristale të grimcuara faqet e zeza të

këngës time tani që gërvishtjet zbardhin faqet e Pualinës prej dhimbjes!

Vraponi pra, thyeni xhamat e diellit, thyejini ato

dhe gërmoni sytë e këngës sime me xhamat e thyer

që të mos shohë turpin e shekullit tonë! Vraponi! Vazhdoni

këmbë të zeza, këmbë të kuqe, këmbët tona vëllazërore,

brumoste dheun me gjakun e Patrice-it –

dheu i varreve është i freskët – bën për shtamba, për shtëpi,

për shkolla, këmbë të torturuara, këmbët tona vëllazërore, vazhdoni përpara!

IV.

Tam-tam, tam-tam – brenda pyjeve, shpellave, minierave,

poshtë barkut të kuajve, nën sqetullat e natës – tam-tam, tam-tam –

sytë e kafshëve mbrapa degëve të natës – tam-tam –

fosfori i tmerrit i përqendruar, me një kryq të vogël e të zi në beben e syrit – tam-tam

dhe dajre e hënës – lëkura e verdhë e tendosur mirë – tam-tam – tam-tam –

më i vrullshëm ritmi, më i vrullshëm, më i vrullshëm – vazhdoni përpara,

vazhdoni skllevër nën natën e lëkurës suaj

nën lëkurën e natës – tam-tam-tam!

Dhe Patrice-i lakuriq, i pakufishëm, i padukshëm, i fuqishëm

nata brenda natës

me dajren e hënës të varur në qafë,

me dajren e hënës mbi veshkat e tij,

tam-tam, tam-tam-tam – duke goditur me dy duart e tij gjigande,

udhëheqësi – tam-tam, tam-tam-tam – shënon orën e kryengritjes

mes natës së madhe të skllevërve – tam-tam-tam –

dhe nata me qimet e ngritura përpjetë

si një iriq i stërmadh,

ngjesh pas murit të varrezave vrasësit –

kërmij të zhveshur, dëgjo,

dëgjo – tam-tam, tam-tam, tam-tam – vazhdoni, vazhdoni përpara.

V.

Hesht. Hesht. Bërtit, Bërtit. Asgjë.

Heshtja nuk mjafton. Zëri nuk mjafton. Nuk mjafton, ju them, as thika.

A ke një shkrepëse? Digji poezitë! Vërja flakën trupit tënd,

të digjesh në këmbë, të nuhasësh erën e dhjamit tënd që shkrin, të nuhasësh qiriun

që shkrin – qiriu i mbledhur nga të gjitha hojet

e shekujve,

Qiriu që është zbrazur nga i gjithë mjalti i shekujve –

qiri lakuriq – një qiri me njëmijë fitila,

Qiri që rri më këmbë para syve të vrasësve, duke i djegur  qerpikët vrasësve,

duke djegur kokërdhokët e syve të vrasësve,

Qiri që qëndron në këmbë duke ndezur fitilin e pafund

të degëzuar poshtë të gjitha kufomave të skllevërve

poshtë të gjitha varreve

poshtë gjithë dinamitit të shtrënguar të tërbimit

poshtë gjithë maleve të padrejtësisë.

Një shkrepëse? Qiri. Fitil. Dinamit. Zjarr!

Tam-Tam, Tam-Tam-Tam, Tam-Tam, Tam-Tam-Tam –

Vazhdoni përpara, Vazhdoni përpara!

VI.

PATRICE ISHTE i  bukur si agimi i sigurt

pas shtëpive të djegura

Patrice ishte i bukur si dashuria e pallogaritshme

Patrice ishte i bukur si borxhi i pamëshirshëm

Patrice ishte i bukur si akti i kryer

Patrice ishte i bukur si drejtësia e pandryshueshme

Patrice ishte i bukur si burrë që rri më këmbë krejt lakuriq para aktit erotik

Patrice ishte i bukur si statujë prej bronzi,

i bukur – asgjë tjetër – një statujë e njeriut përpara se njeriu

të vdesë,

një statujë ku njeriu nuk vdes.

Lajeni trupin e tij të dorëzuar tanimë jetës dhe vdekjes – i tërë –

kini  kujdes

kur fshini gojën e tij mos ia hiqni puthjen, heshtjen, buzëqeshjen.

Brenda natës

së kohës dhe trupit të tij, ndizni cigaret tuaja

dhe duke thithur thellë, si në momentin e dhimbjes,

si në momentin e pritjes, si në momentin

e zemërimit masiv dhe të vendimit kolektiv,

ndriçojeni të gjithin me cigaret tuaja, ashtu si rrufetë e pranverës ndriçojnë

pyjet e mëdhenj dhe vargmalet e gurtë. Ndriçojeni atë.

Patrice ishte i bukur si një vargmal i errët ku strehohen

luftëtarët e lirisë në prag të sulmit të madh.

Patrice ishte i bukur si betimi që iu dha përgjithmonë popullit – aq i bukur .

Shenjtori i Zi me buzëqeshjen e bardhë.

VII.

Sonte Shenjtori i Zi në të djathtë të Krishtit të Bardhë

përballë një tryeze të zhveshur të bërë prej bambuje afrikane,

ku prehen të paktat poezi të tij të përgjakura, ai i mëson Zotit:

“Gjaku që u derdh nga plagët e ne të dyve

nën të njëjtat gozhdë, nën të njëjtën shtizë, nën të njëjtët

gjemba

ka të njëjtën ngjyrë, Zot, – as i zi, as i bardhë – ngjyrë të kuqe,

Zot, si flamuri i drejtësisë”.

Krishti dëgjon,

kupton dhe hesht. Vërtet, i kuq.

Dhe skuqet fytyra e tij e zbehtë prej turpit dhe zemërimit.

Skuqet.

Ai sjell dy pëllëmbët e tij dhe i vendos mbi pëllëmbët e

Shenjtorit të Zi, përballë njëri-tjetrit, sikurse bën betimin;

të njëjtat shenja në të katër pëllëmbët

dhe nga vrima e të katër duarve të bashkuara

një tufë rrezesh bie në këtë tryezë të zhveshur

ku vazhdojnë këngët e Tij të kuqe dhe e qeshura e Tij e bardhë.

Sonte, Shenjtori i Zi, në të djathtë të Popujve, dikton:

Gjaku nuk është as i zi, as i bardhë – është i kuq

siç është ngjyra e vëllazërimit. Nuk duhet të derdhet gjaku.

Athinë, 13-17 shkurt 1961


[1] Bashkëpunëtor i ngushtë i Belgjikës, themelues i Shtetit të Katangës.

[2] Poet grek dhe revolucionar.

[3] Djali i Patric Lumumba-s.

[4] Gruaja e Patric Lumumba-s.

Përkthimi i poezisë së Ricosit është bërë nga Vitori Çipi, me bashkëpunimin e Genti Gurit.

Imazhi: Mustapha Boutadjine

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.