Barbari me fytyrë të re?

/Slavoj Žižek/

Këto ditë kam dashur të më kapë virusi – kështu do të merrte fund pasiguria molisëse. Shenjë e qartë e ankthit tim në rritje është mënyra si fle. Deri një javë më parë mezi prisja të vinte fundi i mbrëmjes, kur mund të arratisesha në gjumë dhe të harroja frikët e jetës së përditshme. Tani është pothuajse e kundërta: Druhem të bie të fle pasi më qepen makthet dhe zgjohem në panik. Makthet janë realiteti që më pret.  

Cili realitet? (Mendimet e mëposhtme m’i ka nxitur Alenka Zupančič-i. Këto ditë dëgjojmë shpesh se për t’u përballur me pasojat e epidemisë nevojiten ndryshime shoqërore radikale. Siç e tregon ky libërth, unë jam ndër ata që po e përhapin këtë mantra. Po në fakt ndryshimet radikale po ndodhin. Epidemia e koronavirusit po na vë përballë diçkaje që më parë e mendonim të pamundur: bota, siç e kemi njohur, është ndalur, shtete të tëra kanë marrë masa mbyllëse, shumë prej nesh jemi si të burgosur në shtëpitë tona duke u ballafaquar me një të ardhme të pasigurt në të cilën, edhe nëse shumica prej nesh mbijeton, me gjasë do të pasojë një megakrizë ekonomike. Reagimi ynë ndaj kësaj situate, çka duhet të bëjmë, duhet të jetë po ashtu i pamundur – domethënë çfarë duket e pamundur brenda koordinatave të rendit botëror ekzistues. E pamundura ndodhi, bota jonë u ndal DHE e pamundur është çka duhet të bëjmë për të shmangur më të keqen. Çfarë?

Nuk mendoj se rreziku më i madh është rënia në një barbari të kulluar, në dhunën brutale për mbijetesë, të shoqëruar me trazira publike, linçime në panik etj. (ndonëse me kolapsin e shëndetësisë dhe shërbimeve të tjera publike, edhe kjo është e mundshme). Më shumë sesa kësaj barbarie, unë i frikësohem barbarisë me fytyrë njeriu – masave të pamëshirshme për mbijetesë që zbatohen me keqardhje, madje edhe me simpati, por gjejnë legjitimitet nga opinioni i ekspertëve. Një vëzhgues i kujdesshëm do ta vinte re kollaj ndryshimin e tonit në mënyrën se si na drejtohen pushtetarët: nuk po përpiqen thjesht të tejçojnë qetësi dhe besim, por po murmurijnë parashikime të kobshme: pandemia mund të zgjasë rreth dy vjet dhe virusi do të infektojë 60 deri në 70 për qind të popullsisë së botës, duke sjellë miliona të vdekur. Italia ka deklaruar se, nëse punët përkeqësohen, njerëzit mbi 80 vjeç ose me sëmundje të tjera thjesht do të lihen të vdesin. Nuk ka si të mos vëmë re se pranimi i kësaj logjike të “mbijetesës së më të fortit” dhunon edhe parimet bazike të etikës ushtarake, e cila na thotë se pas një beteje duhet të kujdesemi në fillim për të plagosurit rëndë, edhe nëse mundësia për t’i shpëtuar është minimale. Të mos keqkuptohemi: duhet ta theksoj se këtu jam realist i plotë: duhet të bëjmë gati ilaçe që mundësojnë vdekjen pa dhimbje për të sëmurët terminalë që t’u shmangim dhimbjet e panevojshme. Po parimi ynë i parë nuk duhet të jetë ekonomizimi, por ndihma e pakushtëzuar, pavarësisht kostove, ndaj kujto që ka nevojë për të siguruar mbijetesën e tyre.  

Kësisoj, me gjithë respektin, nuk bie dakord me Giorgio Agamben-in i cili e sheh krizën si shenjë të faktit se

“… shoqëria jonë nuk beson më në asgjë përtej jetës së lakuriqtë. Duket sheshit se italianët janë të gatshëm të sakrifikojnë thuajse gjithçka – kushtet normale të jetës, marrëdhëniet shoqërore, punën, madje edhe miqësitë, ndjenjat dhe bindjet fetare e politike – nga frika se mos sëmuren. Jeta e lakuriqtë – dhe frika se mos e humbim atë – nuk i bashkon njerëzit, por i verbon dhe ndan ata.”

Gjërat janë më të dykuptimta: kërcënimi i vdekjes edhe i bashkon – të ruash distancën trupore është të respektosh tjetrin përderisa unë mund të jem bartës i virusit. Djemtë e mi më qëndrojnë larg sepse kanë frikë se mos më infektojnë. Çka për ta do të ishte një sëmundje kalimtare, për mua mund të ishte vdekjeprurëse. Nëse gjatë Luftës së Ftohtë vlente rregulli i mbijetesës MAD (Mutually Assured Destruction – shkatërrimi reciprok i sigurt), sot vlen një tjetër MAD – distanca reciproke e sigurt.

Ditët e fundit dëgjojmë vazhdimisht se secili prej nesh është përgjegjës personalisht dhe duhet të zbatojë rregullat e reja. Media është plot me histori njerëzish që nuk sillen siç duhet dhe rrezikojnë veten e të tjerët, një njeri i infektuar hyn në një dyqan e kollitet pranë të gjithëve etj. Kjo qasje është njëlloj problematike si mënyra se si merret gazetaria me krizën mjedisore: media mbithekson përgjegjësinë tonë personale, duke na kërkuar t’u kushtojmë më shumë vëmendje riciklimit dhe çështjeve të tjera sjellore. Ky fokusim në përgjegjësinë individuale, ndonëse i domosdoshëm në një farë mase, funksionon si ideologji atëherë kur shërben për të errësuar çështjet më të mëdha mbi mënyrën se si ta ndryshojmë krejt sistemin tonë ekonomik e shoqëror. Lufta kundër koronavirusit mund të zhvillohet vetëm bashkë me luftën kundër mistifikimit ideologjik dhe si pjesë e luftës së përgjithshme ekologjike. Sipas Kate Jones-it, transmetimi i sëmundjes nga bota e egër te njeriu është

“…kostoja e fshehtë e zhvillimit ekonomik njerëzor. Sot jemi shumë, duke futur hundët në çdo mjedis. Po futemi në vende kryesisht të pacenuara dhe po ekspozohemi gjithnjë e më shumë. Po krijojmë habitate ku viruset transmetohen më lehtë, pastaj habitemi pse na zuri më i riu syresh.”

Kësisoj nuk mjafton të ndërtojmë ndofarë sistemi shëndetësor global për njerëzit; në të duhet përfshirë krejt natyra. Viruset sulmojnë bimët, të cilat janë burimi kryesor i ushqimit tonë. Duhet të kemi gjithmonë në mendje panoramën globale të botës ku jetojmë, me të gjitha paradokset e saj. Për shembull, të vjen mirë kur mëson se masat mbyllëse në Kinë kanë shpëtuar më shumë jetë se numri i atyre që vdiqën nga virusi (nëse u besojmë statistikave zyrtare):  

Ekonomisti i burimeve mjedisore Marshall Burke thotë se ka një lidhje të vërtetuar midis cilësisë së keqe të ajrit dhe vdekjeve të parakohshme që shkaktohen nga frymëmarrja në të tilla kushte. “Po të kemi parasysh këtë,” – vazhdon ai, “lind një pyetje e natyrshme, ndonëse e çuditshme: a janë shpëtuar më shumë jetë nga ulja e ndotjes të ardhur nga ndalimi ekonomik prej Covid-19 krahasuar me numrin e të vdekurve nga virusi?” “Edhe sipas supozimeve më të përmbajtura, mendoj se përgjigjja është një ‘po’ e qartë.” Në vetëm dy muaj të uljes së niveleve të ndotjes, ai thotë se vetëm në Kinë me gjasë është shpëtuar jeta e 4000 fëmijëve nën pesë vjeç dhe 73000 të rriturve.”

Kemi rënë në një krizë të trefishtë: mjekësore (epidemia), ekonomike (që do të na godasë fort pavarësisht pasojave të epidemisë) dhe psikologjike. Po shpërbëhen koordinatat e jetës së përditshme të miliona vetëve. Ky ndryshim do të prekë gjithçka, nga udhëtimet me avion e pushimet te kontakti i thjeshtë trupor. Ne duhet të mësojmë të mendojmë jashtë koordinatave të tregut të aksioneve dhe fitimit, si dhe të gjejmë një tjetër mënyrë për të prodhuar dhe shpërndarë burimet e domosdoshme. Kur autoritetet shtetërore mësojnë se një kompani po magazinon miliona maska, duke pritur t’i shesë në momentin e duhur, me të nuk duhet të ketë negociata: maskat thjesht duhen rekuizuar.

Media ka raportuar se Trump-i i ofroi 1 miliard dollarë kompanisë biofarmaceutike CureVac, të bazuar në Tybingen të Gjermanisë, për të siguruar një vaksinë efektive kundër koronavirusit “vetëm për SHBA”. Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn tha se nuk do të lejohej kontrolli i CureVac-ut nga administrata e Trump-it: CureVac-u do ta zhvillonte vaksinën “për mbarë botën, jo vetëm për vende të veçanta”. Ja ku kemi një rast shembullor të luftës midis privatizim/barbarisë dhe kolektivizëm/qytetërimit. Po njëkohësisht Trump-i është shtrënguar të përdorë Ligjin e Prodhimit për Mbrojtjen, që i lejon qeverisë të urdhërojë sektorin privat të intensifikojë prodhimin e pajisjeve mjekësore emergjente:

Trump-i shpalli propozimin për të marrë në kontroll sektorin privat. Presidenti amerikan tha se do të përdorte një instrument federal që do t’i lejonte qeverisë të urdhëronte sektorin privat të shërbente për të luftuar pandeminë – raportonte Associated Press-i. Trump-i tha se ai do të firmoste një ligj që i jepte autoritet të drejtonte prodhimin industrial vendas, ‘në rast nevoje’.  

Kur sugjerova më herët se mënyra për të dalë nga kriza do të ishte një trajtë “komunizmi”, më përqeshën gjerësisht. Po tani lexojmë se “Trump-i shpalli propozimin për të marrë në kontroll sektorin privat”. Kush do ta imagjinonte këtë kryetitull përpara epidemisë?! Dhe jemi vetëm në fillim: nevojiten masa të mëtejshme të kësaj natyre, si dhe vetorganizime lokale të bashkësive nëse sistemi shëndetësor shtetëror bie në kolaps si rezultat i trysnisë së madhe. Për të mbijetuar nuk mjafton të izolohemi – që kjo të jetë e mundur, duhet të funksionojnë shërbimet publike bazike: elektriciteti, uji, ushqimi dhe ilaçet duhet të jenë të qasshme kurdoherë. Së shpejti do të na nevojitet një listë njerëzish që janë shëruar dhe, së paku për një farë kohe, kanë fituar imunitet; kësisoj ata mund të mobilizohen për të kryer punët publike urgjente. Ky nuk është një vizion komunist utopik, por një komunizëm i imponuar nga domosdoshmëritë e mbijetesës. Fatkeqësisht është një version i asaj që në Bashkimin Sovjetik të 1918 quhej “komunizmi i luftës”.  

Ka punë përparimtare që mund t’i bëjë vetëm një konservator me kredenciale të forta patriotike: vetëm de Gaulle-i mund t’ia jepte Algjerisë pavarësinë, vetëm Nixon-i mund të vendoste marrëdhëniet me Kinën. Në të dyja rastet, nëse do t’i kishte provuar një president përparimtar, ai do të akuzohej menjëherë si tradhtar i interesit kombëtar. E njëjta gjë vlen tani për kufizimin që Trump-i po i vendos lirisë së sipërmarrjeve private, duke i detyruar të prodhojnë sendet e nevojshme për luftën kundër koronavirusit: po t’i kishte bërë Obama, me siguri që populistët e djathtë do të shpërthenin duke pretenduar se ai po e përdorte krizën shëndetësore si pretekst për të vendosur komunizmin në SHBA.

Siç thuhet rëndom “në kohë krize jemi të gjithë socialistë.” Edhe Trump-i sot po mendon një formë minimumi jetik – një çek prej 1000 dollarësh për çdo qytetar të rritur. Do të shpenzohen triliona dollarë duke thyer të gjitha rregullat konvencionale të tregut. Po mbetet e paqartë se si dhe ku do të ndodhë kjo, si dhe kush do të përfitojë prej saj. A do të jetë ky socializëm për të pasurit, siç ishte shpëtimi i bankave në vitin 2008, ndërkohë që miliona njerëz të zakonshëm humbën kursimet e tyre të pakta? A do të reduktohet epidemia në një kapitull të ri të historisë së gjatë e të trishtueshme të çka Naomi Klein-i e quan “kapitalizëm shkatërrimtar” apo në vend të tij do të lindë një rend botëror i ri më i drejtpeshuar dhe modest?

Sot kushdo po thotë se duhet të ndryshojmë sistemin shoqëror dhe ekonomik. Po, siç vërejti Thomas Piketty-ja në një koment të kohëve të fundit në gazetën Nouvel Observateur, me rëndësi është se si do ta ndryshojmë, në ç’drejtim dhe cilat janë masat e nevojshme. Një e vërtetë që po qarkullon tani është se, përderisa sot jemi zhytur së bashku në krizë, duhet ta harrojmë politikën dhe thjesht të punojmë bashkërisht për të shpëtuar. Ky nocion është i rremë: tani nevojitet politika e vërtetë – vendimet mbi solidaritetin janë jashtëzakonisht politike.

E përktheu Arlind Qori

Shkëputur nga libri i fundit i autorit “Pandemic! COVID-19 Shakes the World

Imazhi: Mbytja e Batavias, Wikimedia

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.