Sali Berisha, zoti i pavdekshëm i gjullurdisë

/Arlind Qori/

Sali Berisha nuk vdiska kurrë. Për herë të parë emrin e tij e kam dëgjuar kur isha 9 vjeç, dikur nga janar-shkurti i 1991, kur një fqinj u thoshte prindërve të mi se, pas diçkaje që kishte thënë publikisht, atëbotë Berisha kishte marrë fund. Në fakt ngadhënjeu politikisht më 1992. Pavarësisht se për pesë vite çoi për skrap pjesën më të madhe të ekonomisë shqiptare, udhëhoqi me dorë të hekurt duke mos ua kursyer burgun dhe dajakun kundërshtarëve të vet, bekoi plaçkitjen e qindra mijëra vetëve në firmat piramidale dhe i bashkëvuri zjarrin vendit më 1997, Sali Berisha mbijetoi. Madje u kthye në pushtet më 2005, duke e nisur atje ku e kishte lënë: privatizime, korrupsion, personalizim i shtetit, plojë grabitqare si Gërdeci dhe pushkatim politik më 21 janar. Më 2013 u duk se më në fund perëndoi, duke i lënë vendin në krye të qeverisë një grabitqari edhe më të madh dhe në krye të PD një leshkoje proverbial. E prapëseprapë hija e tij ndihej në korridoret e PD dhe gjallonte botën virtuale. Sot, kur pas shpalljes non grata nga Departamenti i Shtetit i SHBA shumëkush mendoi se më në fund mori tamam fund, ai po tregon se jo vetëm që s’ka vdekur politikisht, por është i gatshëm të përdorë masën e gjerë të mbështetësve brenda PD për ta shndërruar këtë të fundit në njëfarë Stalingradi politik të interesave të veta dhe aspiratave të përkrahësve të tij jo të paktë.

Sali Berisha nuk ka dalë rastësisht në sipërfaqen politike shqiptare. Ai është produkt natyral i historisë kontradiktore të një shoqërie periferike – si në rrjedhat e përgjithshme të modernitetit, ashtu edhe në specifikën kapitaliste të saj. Prapambetja historike e vendit tonë si në forcat produktive, ashtu edhe në marrëdhëniet shoqërore shpjegon edhe brutalitetin e stalinizmit shqiptar, edhe duhmën e lumpenkapitalizmit të këtyre dekadave. Në vende periferike kapitalizmi nuk sjell zhvillim ekonomik së bashku me shfrytëzimin, por një kombinim të nënzhvillimit (bujqësi e prapambetur, papunësi e lartë, produktivitet i ulët i punës, nënshtrimi formal i punës ndaj kapitalit etj.) dhe keqzhvillimit (mbizotërim i tregtisë, spekulimit dhe ekonomisë kriminale). Këta janë faktorët strukturorë të një oligarkie, e cila për burim kryesor të fitimit nuk ka shfrytëzimin e punës, por akumulimin përmes zhvatjes, shpronësimit, trafiqeve dhe ortakërisë korruptive me shtetin. Në të tilla kushte në Shqipëri ka shumë shfrytëzim, por pak proletarë, shumë të papunë, të nënpunësuar, të keqpunësuar, të vetëpunësuar – njerëz që nëpërkëmben, shfrytëzohen e vetëshfrytëzohen në vende pune modeste për nga kapaciteti ekonomik dhe numri i punëtorëve. Me shkatërrimin e strukturave të fundit të industrializimit të dikurshëm (përpunim nafte, miniera etj.), klasa punëtore industriale gjendet e kufizuar në sektorin fason, ndërtim dhe industrinë ushqimore – shumë e vogël në numër e fuqi krahasuar me simotrat e veta në vendet e zhvilluara.

Në këtë kontekst ekonomikisht të prapambetur, në sferën politike e ideologjike bashkëjetojnë forma tejet kontradiktore të vetëdijes dhe angazhimit politik. Një strukturë ekonomike e palidhur organikisht – ku ishujt e modernitetit rrethohen nga deti i marrëdhënieve ekonomike arkaike e gjysmëmoderne – përfton në polin e epërm një lumpenborgjezi (oligarkët) gjithnjë e më të vetëdijshme për forcën e vet, ndërsa poshtë një masë të gjerë të pakënaquarish me pak diferencime klasore. Këta të fundit jetojnë ku më shumë e ku më pak në varfëri dhe ndajnë me njëri-tjetrin mllefin ndaj gjendjes aktuale pa u dakordësuar për pothuajse asgjë për sa i përket alternativës shoqërore dhe rrugës drejt saj. Është kjo njëtrajtësi dhe çarje njëkohësisht që ka prodhuar në këta 30 vjet Sali Berishën.

Sali Berisha është simptoma më e njëmendtë e kësaj gjendjeje, udhëheqës dhe elektrizues i pashoq turmash, farkëtues i identitetesh politike fluide dhe iluzionist që arrin të pajtojë kontradikta në dukje të pakapërcyeshme. Ai ka arritur të jetë udhëheqësi dhe modeli i njeriut të nëpërkëmbur të turmës, tek i cili mungesa e një alternative politike emancipuese në raport me burokracinë e djeshme staliniste dhe oligarkinë e sotme ka përftuar një kombinim të mllefit e mesianizmit. Te Sali Berisha e gjejnë veten edhe plebeu permanent që s’gjen punë ose punon me copa, dyqanxhiu i mbytur nga taksat e shtetit dhe konkurrenca shfarosëse e qendrave tregtare, i përçmuari për shkak të origjinës e arsimit të pamjaftueshëm, por edhe delinkuenti, oportunisti që ka humbur luftën me të tjerët si vetja, biznesmeni i madh, oligarku e aspirant-oligarku që shpresojnë të mposhtin njëri-tjetrin. Më paradoksalisht, ai është emri që pajton pronarin e vjetër dhe pronarin e ri të të njëjtit truall, tironsin që ankohet për të ardhurit “zaptues” dhe banorin e periferisë që reagon plot mllef ndaj damkosjes shoqërore, dyqanxhiun dhe grosistin, ish-komunistin e rënë nga fiku gjatë viteve të socializmit dhe kolaboracionistin e viteve të Luftës, mjekun që udhëzon vaksinimin masiv dhe të fandaksurit antivaksinë, skilen dhe fanatikun, katoliko-centrikun dhe islamistin. Ideologjikisht ai mban fjalime si Fidel Kastroja duke folur në emër të Amerikës së vërtetë, antiimperialist dhe shërbëtor kokulur i imperializmit në të njëjtin fjalim, iu bie kambanave të “rrezikut” LGBT-ist dhe të ketë qenë propozuesi i parë i ligjërimit të martesave të njerëzve të të njëjtit seks. Gjithçka në emër të mllefit të grupeve shoqërore nga më të larmishmet dhe kontradiktoret, por që i bashkon një iluzion masiv: një kapitalizëm popullor ku të gjithë jemi pronarë të vegjël ose vjedhim nga pak shtetin (njëri-tjetrin?!), ndërkohë që pak të tjerë marrin pjesën e luanit. Me një fjalë, një Lui Bonapart i cili fut në thesin e unitetit patate shoqërore nga më të ndryshmet.  

Në këtë suazë duhet kuptuar edhe suksesi i Foltores së muajve të fundit. Kush e kundërshton atë nga pozitat e institucionalizimit, koherencës logjike apo arsyes së kulluar është diletant intelektualisht. Fuqia e Sali Berishës nuk ka qenë ndonjëherë e vërteta, por aftësia për të bërë bashkë të pabashkueshmen, për të qenë zëri i çjerrë i atyre që nuk dëgjohen, për t’u krijuar të tradhtuarve iluzionin e përfaqësimit, për t’u viktimizuar dhe qenë agresiv në të njëjtën kohë. Sot më shumë se kurrë ai është fund e krye burimi i të vërtetës së mbështetësve të tij të shumtë. Ata fyhen kur ai sulmohet, ata vuajnë kur ai mposhtet, ata preken kur ai përçmohet – sepse në imagjinatën e tyre ai mbetet djali me valixhe druri nga një fshat i largët malor (siç e përqeshin snobat e kryeqytetit) që ia doli të triumfojë për vete (e vërteta) dhe që do të mundësojë edhe fitoren e tyre (iluzioni). Prandaj pavarësisht se ashiqare fushata e tij e fundit është fund e krye për interesa personale e familjare, kjo nuk ka kurrfarë rëndësie për mbështetësit e tij që tashmë çdo sulm e fyerje ndaj tij e konsiderojnë zhytje të gishtit në plagët e vërteta që kanë në trupat e tyre.

Sidoqoftë fuqia e mirëfilltë e Sali Berishës bazohet në kërcënimin e vazhdueshëm me gjullurdi. Jo revolucion a kryengritje – d.m.th. jo përmbysje e strukturës ekonomiko-shoqërore, as ndryshim i superstrukturës politike – por thjesht gjullurdi që kërkon ndryshimin e personelit politik përmes kërcënimit të rrëmujës. Edhe gjatë këtyre muajve, në fillim i pashpresë e me shpatulla pas murit, i etur për vëmendje publike, kur ka sulmuar mbarë e prapë kundërshtarët e tij të vërtetë dhe imagjinarë, Sali Berisha nuk ka thënë gjysmë fjale për oligarkët. Më shumë janë përmendur personazhe thuajse të panjohura të gjyqësorit sesa Samir Manja, Aleksandër Frangaj, Shefqet Kastrati, Bashkim Ulaj, Ramë Geci etj. Edhe më herët, batareja e thirrjeve dhe pushkëve të tij është drejtuar te godinat qeveritare, por asnjëherë te strukturat rrënjëthella ekonomike. Më shumë radikalitet kanë pasur protestat rinore pas vrasjes së Klodian Rashës, ku s’u kursyen as xhamat e bankave, se të gjitha gjullurditë e Sali Berishës në këta 30 vjet. Ai ka krijuar tension, entuziazëm, ndjenjë revanshi, besim në ngadhënjim, pritshmëri apokaliptike e shumëçka tjetër – pa thënë praktikisht asgjë të re a të rëndësishme, lere më radikale, për ekonominë apo ristrukturimin politik të vendit. E prapëseprapë mjeshtërisht ka arritur të krijojë idenë se do të bëjë namin.

Si zot i gjullurdisë, ai është mishërim besnik i asaj që në traditën angleze personifikohej nga Lord of Misrule (Abbot of Unreason për skocezët), një personazh grotesk që udhëhiqte karnavalet duke përmbysur simbolikisht krejt rendin politiko-shoqëror. Për Mikhail Bakhtin-in, karnavalet ishin shprehje e mllefit popullor që një ditë lejohej të shpërthente publikisht në formën e talljes dhe sfidës ndaj autoriteteve, ku të parët degdiseshin në fund dhe në krye dilnin ata që në përditshmëri ishin të fundit. “Karnavali kremton çlirimin e përkohshëm nga e vërteta mbizotëruese dhe nga rendi i vendosur: ai shënon pezullimin e çdo renditjeje hierarkike, festën e bërjes, ndryshimit dhe përtëritjes.”[1] Po karnavalet nuk ishin vërtet të frikshme përderisa e gjithë gjullurdia e tyre dhe e zotit në krye të saj ishin të përkohshëm, me leje nga lart dhe shërbenin më tepër si valvul shkarkimi – për të rivendosur të nesërmen rendin shtypës. Megjithatë ato e kishin një funksion pasi tregonin të vërtetën e pushtetit si kaos që në ditë normale krijon iluzionin e rendit.[2] Në këtë kuptim kaotiku Sali Berisha nuk është e kundërta e disiplinuesit Edi Rama, por e vërteta groteske e një sistemi që rreket të krijojë përshtypjen se dikush është në kontroll të gjithçkaje; dhe ja vjen një ditë ku e gjithë lapërdhia dhe kaosi i vet del në shesh përmes një karnavali politik.

Në këtë valle kontradiktash, fuqia e Sali Berishës është njëkohësisht edhe dobësia e tij. Ai mund të jetë sot në prag të transformimit përfundimtar në udhëheqësin e një lëvizjeje reaksionare (që në rastin e thellimit të krizës mund ta detyrojë borgjezinë dhe faktorin ndërkombëtar të bien në ujdi me të), duke keqdrejtuar mllefin e përligjur të mbështetësve të vet. Por pas shpërthimit momental vjen pashmangshëm steriliteti politik i frikës për t’u përballur me shkaqet dhe shkaktarët e mjerimit të një populli. Sido që të ndodhë, ai ka çimentuar tanimë pozitën e figurës më të rëndësishme historike të së djathtës shqiptare, ndonëse për ironi të fatit dhe karagjozllëk të konservatorëve të një vendi periferik, mbetet një ish-sekretar i devotshëm i partisë së Enver Hoxhës.

Kësisoj për të shpëtuar nga berishizmi – të cilin edhe pas vdekjes së tij biologjike do të vazhdojnë ta ushqejnë arkaizmi dhe kontradiktat e një shoqërie periferike – dhe nga strukturimi oligarkik i pushtetit ekonomik, që përfaqësues politik ka Edi Ramën dhe shpurën e vet, ka vetëm një rrugë, në të cilën nuk na ndihmon dot asnjë ambasadë, reformë në drejtësi apo dëngël mediatike: të organizohemi vetë rreth ideve dhe aspiratave që do të na ngrenë në këmbë dhe emancipojnë si shoqëri. Vetëm përmes angazhimit, përpjekjeve, solidaritetit, punës, studimit dhe krijimtarisë sonë do të mund ta nxjerrim Shqipërinë nga balta e nënzhvillimit dhe obskurantizmit, oligarkisë dhe gjulludisë.


[1] Morris, Pam. (Ed). (2003). The Bakhtin Reader: Selected Writings of Bakhtin, Medvedev and Voloshinov. London: Arnold, f. 199.

[2] Në analizën e Mao Ce Dunit si zot i gjullurdisë, Slavoj Žižek-u vë në dukje dikotominë e rrejshme midis anarkisë dhe pushtetit: “Shpërthimet anarkike nuk janë shkelje e ligjit dhe rregullit; në shoqëritë tona anarkia tashmë ËSHTË në pushtet duke vënë maskën e ligjit dhe rendit – drejtësia jonë është parodi e drejtësisë, spektakli i ligjit dhe rendit është një karnaval i pacipë.” – Slavoj Žižek presents Mao On Practice and Contradiction, Verso, 2007, f. 19.

Imazhi: “Laughing Fool” (c.1500) Jacob Cornelisz van Oostsanen, Wikimedia Commons

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.