Leksik gramshian

/Umberto Cerroni/

Krizë

Gramsci ka një përkufizim të mrekullueshëm të krizës: “Kriza qëndron […] në faktin që e vjetra vdes dhe e reja nuk mund të lindë” (Fletoret e burgut, f. 311-312). Një përkufizim i tillë mbart brenda vetes një teori të tërë të kulturës, domethënë një teori të mirartikuluar të raportit strukturë-superstrukturë. Në fakt kjo do të thotë shumë :

  1. Klasa sunduese e ka humbur konsensusin, por ruan autoritetin. Megjithëse nuk është “drejtuese”, ajo është ende “sunduese”.
  2. Klasa e sunduar nuk e ka fituar ende autoritetin, por ka fituar konsensusin: megjithëse nuk është ende “sunduese”, ajo është tashmë “drejtuese”.
  3. Dialektika sunduese/të sunduar nuk kufizohet brenda forcës së pastër, por artikulohet në raportin forcë-konsensus.
  4. Erozioni i forcës i shkaktuar nga rënia e konsensusit mund të çojë në hapjen e vazhdimësisë historike nëpërmjet konsensusit.
  5. Forca shoqërore është një amalgamë ethos-i dhe cratos-i dhe kriza qëndron në faktin që kjo amalgamë zhbëhet dhe ende nuk është formuar.
  6. Nëse e vjetra vdes dhe e reja nuk mund të lindë, sa e vjetra aq dhe e reja qëndrojnë në këmbë pa kulturën ose më mirë qëndrojnë në këmbë duke u bazuar në një kulturë që është gjithnjë e më shumë “skepticizëm ndaj të gjitha teorive dhe formulave të përgjithshme dhe politikës, dhe është aplikim i një fakti të thjeshtë ekonomik (fitimi, etj.)”, domethënë “transformim i superstrukturave më të larta në struktura më të përshtatshme me strukturën” (Fletoret, f. 312)
  7. Megjithëse e reja ende nuk mund të ngadhënjejë, ajo tashmë mund të “drejtojë”: ka në anën e vet të vërtetën e një kulture historikisht “të gatshme” që ngrihet drejt – përkundër të vjetrës – superstrukturave më të larta.
  8. Në kulturën e vjetër vepron kësisoj një reduksionizëm pragmatik që e zhvesh atë nga universaliteti (nga ku kemi dhe humbjen e konsensusit), që përkon më “shkëputjen” e një hapësire të tërë kulturore nga struktura ekzistuese. Përkundër kësaj, kultura e re çlirohet nga reduksionizmi dhe pragmatizmi dhe nis të zërë hapësirat boshe të lëna nga kultura e vjetër, madje duke bërë për vete edhe kuadrot.
  9. Mirëpo nuk kemi “dy kultura”, por një kulturë të vetme, kuadrot dhe përmbajtja e të cilës vijnë nga klasa shoqërore të ndryshme përgjatë procesit historik.
  10. Matja e pjekurisë historike të një klase shoqërore nxirret pikërisht nga aftësia për të ndërtuar një kulturë universale, joreduksioniste, jokorporative.
  11. Pra që një klasë t’i paraqesë interesat e veta si interesa universale nuk ka assesi kuptimin “e gënjeshtërt” që i është dhënë, por përkundrazi ka kuptimin e një aftësie reale dhe historike për të arritur një universalitet historik, duke zhvilluar “idetë mbisunduese” të kohës.

Shkatërrim

Shpeshherë “shkatërrimi konceptohet mekanikisht dhe jo si shkatërrim-rindërtim” (Fletoret, f. 1612). Mirëpo një shkatërrim i konceptuar në këtë mënyrë është në përgjithësi një dështim historik: “Nuk është e vërtetë që ‘shkatërron’ kushdo që do të shkatërrojë” (Fletoret, f. 708). Shpesh ai që kërkon vetëm të shkatërrojë, në politikë, është i marrë fund: “Shumë të vetëquajtur shkatërrues nuk janë tjetër veçse ‘kujdestarë të aborteve të dështuara’, të cilët mund të dënohen nga kodi penal i historisë (po aty). E vetmja mënyrë e sigurt për të shkatërruar vërtetë është të krijosh: “Shkatërron për sa kohë krijon” (po aty). Është tërësisht i rremë miti sorelian i një dhune-qëllim, domethënë i një shkatërrimi që është, si shkatërrim, një rilindje morale. Një mit i tillë mund t’i pëlqejë vetëm nihilistit apo estetit. Nga ana tjetër nevoja për të shkatërruar duke ndërtuar rritet proporcionalisht me thelbin dhe vlerën historike të ndërtimit që synohet të shkatërrohet.

E tashmja si histori

“E tashmja si histori” nuk ka kuptimin vetëm të relativitetit dhe përkohësisë së të tashmes: kritikueshmëria e të tashmes. Një tjetër kuptim është ai që mbart ky mendim i rëndësishëm i Gramsci-t: “Në të tashmen përfshihet e gjithë e shkuara”. Kritikueshmëria e të tashmes, pra, nuk do të thotë vetëm “vënie në dyshim” dhe “shfuqizueshmëri” e të tashmes. Do të thotë edhe nevojë për të përfshirë në kritikën e të tashmes kritikën e të shkuarës, pra që të përthellohet kritika e të tashmes në të gjithë dimensionin historik. Pa këtë dimension kritika e të tashmes është e pjesshme e për rrjedhojë edhe sipërfaqësore, e papërshtatshme, joaktuale. Nëse është e vërtetë që historia është e tashmja, është e vërtetë edhe që e tashmja është histori. Gramsci vëren pikërisht që e tashmja është “një kritikë e të shkuarës, përveçse (dhe sepse) është “tejkalim” i saj.

Revolucion

“Revolucioni nuk është një akt çudibërës, por një proces dialektik i zhvillimit historik.” (Ordine Nuovo, f. 30). Ky me gjasë nuk është përkufizimi analitik më i plotë i revolucionit, por është sigurisht më i zgjuari.

E përktheu Alfred Bushi

Shkëputur nga vepra e autorit “Lessico gramsciano”, Editori Riuniti, 1978

Imazhi: The Blanquist

One comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.