“Revolucioni kulturor” sovjetik

/Fitim Salihu/ Në vitet ’60, si reagim rebelues ndaj burokracisë së Brezhnjevit, në Bashkimin Sovjetik po lëshonte farë një mënyrë alternative e shprehjes së pakënaqësisë. Nuk e pati vetëm Perëndimi revoltën e një brezi të rinjsh më 1968. Nuk e pati vetëm Kina Revolucionin Kulturor në vitet ’60. Një revolucionarizim i brendshëm – kësaj radhë nga masat dhe te masat – po ngjante edhe në Bashkimin Sovjetik. Grupe të rinjsh, një pjesë të prirë kah liberalizimi i jetës në vend dhe një pjesë të deziluzionuar nga burokracia që së brendshmi po e ngulfaste Revolucionin, në vitet ’60 filluan që përmes muzikës rock dhe punk të mblidheshin garazheve, bodrumeve e banesave të tyre për të bërë muzikë të cilën nuk e pëlqente sistemi dhe përmes të cilës shfrynin dufin rinor. Shpresoj që do t’ia dal që sadopak t’ua sjell historinë e rok muzikës sovjetike dhe përmes saj historinë e një rezistence të heshtur të rinisë sovjetike. Përmes leximeve të ndryshme, dokumentarëve dhe artikujve analitikë për këtë kohë e rrymë muzikore, do ta nxjerr një studim sado amator rreth kësaj teme të rëndësishme kulturore. Duke i qëndruar besnik burimeve ku bazohem, mbi to do të ndërtoj pikëvështrimin tim për këtë kohë dhe për këtë lëvizje rebele. Historia e rok-bendeve sovjetike mund të shtjellohet edhe më thellë e në mënyrë më akademike nga tjetërkush, por unë po hedh në letër përciptazi idenë kryesore mbi kohën. Periudhat e ethshme të historisë së Bashkimit Sovjetik, pak a shumë perënduan me rrëzimin e butë të Hrushovit më 1964 dhe zëvendësimin e tij me Leonid Brezhnjevin. Ndonëse e futi vendin në qetësi, përmes doktrinës së tij Brezhnjevi solli një status quo dremitëse dhe ekonominë e futi në stanjacion të dukshëm. Shumë të rinj nuk po shihnin asgjëkund në vepër premtimet e mëdha të Revolucionit Bolshevik, ndonëse nuk duhet mohuar që një pjesë e arritjeve të BRSS-së gjatë 30-40 viteve të para të ndërtimit të socializmit ishin magjepsëse, megjithëse me kosto të lartë njerëzore. Me ardhjen në pushtet të Brezhnjevit nisën edhe performancat e para të rok-bendeve të të rinjve rusë. Nën mbikëqyrjen e përhershme të KGB-së, ata performonin në bodrume, garazhe e apartamente private. Kulmi i muzikës rock underground në BRSS arriti pikun në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80, kur edhe u shquan rok-bendet më të popullarizuara në mesin e të rinjve: AkvariumAgata KristiKinoAriaAlisa,Nautilus PompiliusPiknikZooparkDDT etj. Përmes rrymave punk e post-punk, sinkretizuar edhe me zhanretalternative dhe grunge, grupet e rinisë sovjetike u munduan të gjallërojnë një mënyrë tjetër jetese prej asaj që ia kishte imponuar regjimi sovjetik. Ata sollën Sex Pistols-at në BRSS, siç shprehet një nga rokerët e asaj kohe – sollën shpirtin e rebelimit të 1968-s, sollën kërkesën për revolucionarizim permanent të jetës në shoqërinë socialiste, pak a shumë në shembullin e Revolucionit Kulturor Kinez; këtu jo nën dirigjimin e një Maoje, por të shtyrë nga masat e rinisë, nga poshtë-lart. Fillimisht, rrymat e rokerëve të rinj sovjetikë nisën në qendrat më të largëta të BRSS-së, kryesisht në tri republikat baltike që ishin më afër Perëndimit gjeografikisht dhe në republikat kaukaze, posaçërisht në Gjeorgji dhe Armeni. Moska dhe Leningradi mbaheshin më rreptë nën survejimin e policisë dhe KGB-së- rrjedhimisht në fillim ishte e vështirë që rokerët rebelë të ngjizeshin në dy qendrat e shtetit. Edhepse Melodiya (shtëpia shtetërore diskografike e BRSS-së) refuzonte produksionin e këtyre këngëve dhe mediat e kontrolluara shtetërore nuk i emetonin ato, ato shpejt u bënë hite pikërisht duke u bartur mes të rinjve përmes koncerteve të improvizuara nëpër garazhe ose duke u dëgjuar nga shoku-shoku. Një mënyrë tjetër e riprodhimit dhe transmetimit të këngëve rok të kësaj kohe ishin edhe të ashtuquajturat magnitizdat, kryesisht studio private klandestine ku incizoheshin e nga ku shpërndaheshin më pas këngët e rok-bendeve. Ndonëse roku hasi në rezistencë të fortë prej shtetit sovjetik, rryma tjera muzikore të ardhura nga Perëndimi kishin depërtuar më me lehtësi në vend. Kështu, muzika xhez ishte mjaft e popullarizuar në BRSS, e ardhur për herë të parë në fillim të viteve ’20. Madje më 1937 qe formuar edhe Orkestra Shtetërore e Xhezit. Por më vonë, teksa po plakej e po bëhej më paranojak, diktatori Stalin urdhëroi më 1949 ndalimin e kësaj orkestre, arrestimin e anëtarëve të saj, ndalimin e muzikës xhez në publik dhe konfiskimin e gjithë saksofonëve dhe instrumenteve të tjera të tyre. Pas vdekjes së tij, në kohën e liberalizimit të Hrushovit muzika xhez u kthye sërish, asokohe e përkrahur nga shteti. Më 1962 në Moskë u zhvillua festivali i parë i muzikës xhez në BRSS, sakaq secila republikë ngriti ansamblin e vet të muzikës xhez. Njashtu edhe muzika pop gjeti përkrahës të shumtë në masa dhe nuk hasi në pengesa nga shteti në vitet ’70. Lev Shevçenko, Edita Pekha, Valeri Leontev e të tjerë u kthyen në yje muzikore aq të dashura nga masat. Muzika rok në BRSS erdhi për herë të parë sidomos pas Festivalit të XVII-të Ndërkombëtar të Rinisë dhe Studentëve që u mbajt në Moskë më 1957. Këngëtarë xhezi e roku, poetë modernistë, artistë antikonformistë dhe shumë të rinj me prirje rebele të ardhur prej anekënd botës, përmes kontaktit me rininë sovjetike, përçuan frymën e re të mospajtimit me sistemin.  Rok-bendi i parë në BRSS u themelua në Riga të Letonisë më 1961 dhe mbante emrin Hakmarrësit si shënjues i mospajtimit me rrjedhën kah po shkonte vendi dhe revolucioni. Festivali i parë i rokut u organizua në Tbilisi të Gjeorgjisë më 1980. “Ritmet e pranverës”, siç u quajt festivali, mblodhën shumë bende roku prej anekënd vendit, posaçërisht prej Republikës Ruse. Duke parë rritjen e popullaritetit të kësaj rryme muzikore, në fund të viteve ’80, Melodiya u detyrua të pranojë incizimin e këngëve të tyre, por tashmë shumë prej këtyre rok-bendeve e refuzuan, duke e parë këtë si instrument kontrolli prej shtetit. Këngët e këtij brezi rokerësh rusë flasin kryesisht për problemet shoqërore të rinisë sovjetike të kohës, nga delikuenca tek alkoolizmi, por që shpeshherë përmbanin edhe mesazhe politike apo edhe porosi solidariteti internacionalist (p.sh. Kapitan Afrika e Akvariumit). Po ashtu në tekstet nihiliste të shumë bendeve gjejmë zërin e një rinie të dëshpëruar, por edhe elemente hipiste. Nga aspekti muzikal, bendet sovjetike nuk ishin puro rok, por kishin karakter idiosinkretik në vete, duke përzier edhe elemente të punk-ut, muzikës folk ruse, etj. Prapëseprapë ishin ajrim në ambientin e rënduar të kontrollit dhe censurës shtetërore. Përgjithësisht secili bend kishte karakteristika që e dallonin nga të tjerët, edhepse ishin shumë të ngjashëm në tingujt e tekstet e tyre. Kështu Akvarium-i i krijuar më 1972 në Moskë nga i famshmi Boris Grebenshchikov ishte nga më të famshmit. Shquhej me eksperimentime të vazhdueshme në ritëm duke futur elemente roku, xhezi,reggae, muzike baroke, etj. dhe duke bërë muzikë kryesisht me tingull akustik. Në vitet ’80 epiqendra e rok bendeve sovjetike u zhvendos në Leningrad. Më 1984 u formua Kino-ja që menjëherë u kthye në kult-bend, me tinguj karakteristikë new wave-i dhe tekste melankolike. Po në Leningrad më 1983 u formua bendi Alisa që bëri emër falë talentit të vokalistit e tekstshkruesit të saj Aleksandër Kinçev, i njohur me projektet e tij ritualistike. Më 1980 u themelua Zoopark-u prej Mike Naumenkos, i cili u bë më pas frymëzim dhe edukator i shumë brezave të rinj sovjetikë. Shumë bende dolën edhe nga republikat e tjera sovjetike dhe gjetën simpatizantë anembanë vendit. Të tillë ishin DDT-ja nga Republika Bashkire me tekstet e tyre therëse e kritike ndaj problemeve sociale, Nautilus Pomplius prej qytetit Sverdlovsk buzë Uraleve apo Agata Kristi i themeluar më 1983, po ashtu nga Sverdlovsku, të famshëm anekënd BRSS-së për stilin rock’n’roll të muzikës së tyre dhe që qëndroi më gjatë në skenën muzikore të rokut rus. Tekstet e këtij brezi rokerësh sovjetikë përqasin realitetin e zvetënuar sovjetik të kohës. Për shembull kurAkvarium-i këndon “më jep një copë jete, para se të kem ikur nga ajo” shpërfaq nihilizmin e një brezi të dëshpëruar nga ideale të tradhtuara. Ose kur te kënga “Muzika e argjendit flet” po ky bend thotë “kemi pritur kaq gjatë e çfarë mund të jetë më budallaqe sesa pritja?!” shohim se ky brez i ri sovjetik është lodhur duke pritur ditë më të mira, gjersa utopia socialiste po gërryhej prej vetë asaj që duhej të ishte pararoja e revolucionarizimit të jetës së njerëzve, prej vetë partisë. Agata Kristi te Kak na voyne (Si në luftë) këndojnë dhimbshëm: “Jam te ti sikurse në luftë dhe jam në luftë sikurse te ti…dhimbja është dhimbje sido që e quan, është frikë; dhe aty ku është frika, dashuri s’ka.” Nën hetim, nën dyshime, nën kontroll të një shteti policor, jo vetëm që nuk ishte përmbushur arsyeja e Revolucionin Socialist të Leninit, por edhe ishte kthyer e tëra në një makth. E ku ka makth, dashuri s’ka! Hardrok-bendi Alisa te kënga e tyre Solntse vstaet (Dielli po agon) nisin trishtueshëm përshkrimin e nuancave të jetës me vargjet: “Jemi rritur nga hiri i fitoreve të mëdha; jemi pagëzuar nga ylli, por jemi rritur në regjimin e zeros” – duke dëshmuar kotësinë e proklamimit të fitoreve të mëdha përballë humbjes së betejave të vogla, përballë dështimit në sigurimin e një jete më të mirë siç premtoi Revolucioni. “Rojtari vazhdon të flejë, por ëndrra e tyre ashiqare është thyer.” Kështu mbyllet kënga. Rojtarët vazhdojnë ta ruajnë ëndrrën, por ajo është prishur tashmë. Eta muzyka budet vechnoy (kjo muzikë do të zgjas përjetësisht) – thotë hiti i rok-bendit Nautilus Pompoliusduke na dëshmuar se Ideja politike që bartte ky brez muzikantësh të rinj sovjetik ishte e kamotshme dhe e përhershme: ideja e lirisë dhe e barazisë. Edhepse nomenklatura e kishte tradhtuar duke u zhytur në kolltukët e burokracisë, rinia betohej se përjetësisht do të qëndronte radikale dhe rebele. Vdekja e Brezhnjevit më 1982 nuk solli ndryshime në drejtimin e vendit. Pasardhësit e tij kohëshkurtër – ish-shefi i KGB-së Juri Andropov dhe Konstantin Çernenko – ishin po aq, mos më shumë, paranojakë dhe shtypës të çfarëdo lirie dhe fryme liberalizimi te rinia, duke i etiketuar si “dekadenca perëndimore”. Diçka ndryshoi me ardhjen e Gorbaçovit më 1985 dhe politikat e tij të Perestroika-s e, sidomos, Glasnost-it. Por shumë shpejt edhe këto u dukën si masa shterpe për ndryshimin e vërtetë në vend. Madje, për më keq, e çuan BRSS-në drejt kolapsit dhe zhbërjes totale në fillim të viteve ’90. Kësisoj fillimi i viteve ’80 u përshkrua nga një luftë e vazhdueshme mes KGB-së dhe të rinjve rokerë sovjetikë. Një konflikt që na kujton rastin e rivalitetit të viteve ’30 mes ish-shefit të NKVD-së (KGB-ja e asokohshme) Lavrenti Beria dhe Aleksandër Kosarevit, sekretarit të Komsomolit (organizata partiake e rinisë), të cilin Beria e arrestoi dhe pushkatoi gjoja për tradhti, por në thelb për shkak që Kosarevi kishte krijuar bashkë me Nikolai Starostinin klubin futbollistik Spartak, një klub të të rinjve rusë që përmes futbollit i kundërviheshin hegjemonisë së dy skuadrave të përkrahura nga institucionet shtetërore, CSKA-së së Armatës dhe veçanërisht Dinamos së NKVD-së, të cilës i printe vetë Beria mizor. Njësoj në fillimvitet ’80, KGB-ja vazhdimisht përcillte, përndiqte dhe arrestonte anëtarët e rok-bendeve dhe adhuruesit e tyre. Koncertet rok ishin ndaluar dhe quheshin mbledhje ilegale. Shumë të rinj mu për këtë arsye u dëbuan nga universitetet. Kështu vazhdoi gjer me ardhjen e Gorbaçovit në pushtet i cili filloi dalëngadalë t’i afronte këto rok-bende, të cilat fituan kontrata te Melodiya dhe zunë të shiheshin më shpesh në televizionet shtetërore. Kështu rokerët sovjetikë u bënë njerëzit e parë të lirë në një botë jo të lirë. Përmes teksteve politike e sociale, ata ia dolën që me ironi ta thumbonin realitetin e jetës së përditshme në BRSS dhe tradhtinë e idealeve të revolucionit prej klasës burokratike. Bile mund të thuhet edhe se rok-bendet sovjetike të viteve ’70 e ’80 ishin trockistët e fundëm të politikës sovjetike, por që politikën e ushtronin përmes këngëve me tekste ironike nëpër garazhet e bodrumet e tyre të fshehta, prej nga dilte kërkesa politike e rinisë dhe qortimi i saj ndaj stanjimit politik të vendit. Madje ato ishin shfryrje të vetë klasës në emër të të cilës po “ndërtohej” socializmi në BRSS. Shumica e atyre bendeve vinin nga klasa punëtore. P.sh. anëtarët rok-bendit të famshëm Akvarium vinin nga radhët e Fabrikës Metalurgjike të Moskës dhe fillimisht performonin në shtëpinë e kulturës së këtij kombinati, këngë të cilat pëlqeheshin nga punëtorët sepse, me gjasë, paraqisnin vetë idetë e mendimet e tyre për kohën. Rënia e Bashkimit Sovjetik më 1991 shënon edhe datën e kalimit prej ilegalitetit në skenën muzikore të këtyre rok-bendeve të njohura ruse, me të cilat u rrit një brez i tërë sovjetik prej viteve ’60  e tëhu. Edhe sot e asaj dite, këta klasikë të rok muzikës ruse vazhdojnë të kenë një audiencë të gjerë ruse dhe të huaj. Kësisoj te historia e rok bendeve sovjetike të viteve ’80 mund të shohim pasqyrimin e dështimit të një utopie. Përmes teksteve të këngëve rok sovjetike të kësaj epoke dallojmë zërin e pakënaqur të rinisë sovjetike. Këto grupe ishin reaksion ndaj mospërmbushjes së idesë së revolucionit dhe përvetësuan idealet e tij: lirinë, drejtësinë, barazinë. Ato u kthyen kundër asaj që pretendonte se ishte mishërim i Idesë, kundër Partisë Komuniste. Idetë socialiste të partisë, të vyshkura nga partia e burokratizuar po merreshin mbrapsht prej masave. Ky është mësim për iniciativat e përpjekjet e reja revolucionare: kur udhëheqja dështon së përmbushuri idealin fillestar, ai rrëmbehet prej rinisë. Kur Partia Komuniste shndërrohet në burokraci, Sekretari i partisë në diktator dhe shteti socialist në polici sekrete, Ideja shkëputet nga ta, del nga zyrat bojëhiri të tyre dhe kthehet aty ku e ka vendin: te konviktet e studentëve, fabrikat e punëtorëve, fermat e bujqve, lagjet e varfra të periferisë dhe riaktualizon vetveten përmes formave të reja. Në BRSS reagimi ndaj mykjes së sistemit u shpreh përmes teksteve therëse të këngëve rok të një gjenerate të rinisë sovjetike e cila asnjëherë nuk e mohoi Idenë, por kundërshtoi ata që pretendonin se e bartnin akoma atë. Një i majtë i vërtetë duhet ta kuptojë këtë: në vitet ’80 revolucionarët e vërtetë nuk ishin shteti sovjetik dhe Partia Bolshevike, por rinia që kërkonte një jetë më të mirë, liri dhe barazi. Njëjtë ishte edhe në Shqipëri e Jugosllavi. Një ushtar teksa kthehej në shtëpi takon disa të rinj që i pyet se kush ishte nëna e tyre dhe ata i përgjigjen: “Nëna jonë është anarkia e babai ynë një gotë vere.” Kjo është historia e hitit Mama Anarkhiya (Nëna Anarki) të bendit të famshëm Kino. Brezi i ri sovjetik, i tradhtuar nga babaxhanët burokratë, po rishpikte vetë idetë socialiste të anarkizmit dhe jetës së lirë.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.