Revolucioni dhe seksi

/Eric Hobsbawm/

I ndjeri Che Guevara do të ishte habitur fort, kushedi edhe irrituar, kur të zbulonte se tashmë fotografia e tij është bërë kopertinë e Evergreen Review-it, personaliteti i tij temë e një artikulli në revistën Vogue dhe emri i tij justifikim shtirak për njëfarë ekzibicionizmi homoseksual në një teatër të Nju Jorkut (shih gazetën Observer të 8 majit 1969!)… Dy nga këto shaka reflektojnë besimin e përhapur se ka njëfarë lidhjeje midis lëvizjeve shoqërore revolucionare dhe shfrenimit në sjelljen seksuale e personale publike. Ka ardhur koha që dikush të shpjegojë pse ky besim është i pabazuar.

Pikësëpari, tanimë duhet të jetë e qartë se zakonet mbi sjelljet e lejueshme seksuale në publik nuk kanë ndonjë lidhje specifike me sistemet e sundimit politik apo të shfrytëzimit shoqëror e ekonomik. (Përjashtim bën sundimi i burrave mbi gratë dhe shfrytëzimi i grave nga burra, të cilët, me sa duket, kërkojnë vendosjen e kufizimeve strikte mbi sjelljen publike të grave.) “Çlirimi” seksual ka veç lidhje indirekte me çlirimet e tjera. Sistemet e sundimit dhe shfrytëzimit klasor mund të imponojnë, por jo medoemos, zakone strikte të sjelljes personale (p.sh. seksuale) në sferën publike ose private. Shoqëria hinduiste nuk ishte aspak më e lirë ose barazimtare se bashkësia jokonfromiste uellsiane duke u bazuar në faktin se e para i përdorte tempujt për të treguar një larmi të gjerë aktivitetesh seksuale në mënyrën më tunduese, kurse e dyta impononte kufizime të forta ndaj anëtarëve të vet, së paku në parim. Çka mund të deduktojmë prej këtij dallimi të veçantë kulturor është se hindutë e devotshëm që donin variacion në rutinën e tyre seksuale mund të vepronin kësisoj mjaft më lehtë se uellsianët e devotshëm.

Në të vërtetë, nëse mund të bëhet një përgjithësim i vrazhdë rreth marrëdhënies midis sundimit klasor dhe lirisë seksuale, do të dilnim në përfundimin se sundimtarëve u volit inkurajimi i shfrenimit apo tolerimit seksual mes nënshtetasve, qoftë dhe vetëm për t’ua hequr mendjen nga nënshtrimi. Askush nuk u ka imponuar ndonjëherë skllevërve puritanizëm seksual; përkundrazi. Shoqëritë ku të varfrit nëpërkëmben i njohin mirë shpërthimet masive të institucionalizuara të seksit të lirë, si p.sh. karnavalet. Në fakt, meqenëse seksi është forma më pak e kushtueshme e kënaqësisë, madje edhe më intensivja (sipas napoletanëve, shtrati është grand opera e të varfrit), është tejet e leverdishme politikisht, nëse rrethanat e tjera nuk ndryshojnë, t’i shtysh ta praktikojnë sa më shumë të jetë e mundur.

Thënë ndryshe, nuk ka lidhje të domosdoshme midis censurës shoqërore a politike dhe censurës morale, ndonëse shpesh herë supozohet e kundërta. Kërkesa e kalimit të disa sjelljeve nga të palejueshme në të lejueshme publikisht përbën akt politik vetëm nëse nënkupton ndryshimin e marrëdhënieve politike. Fitorja e të drejtës që të bardhët dhe zezakët të bëjnë dashuri në Afrikën e Jugut do të ishte akt politik jo për shkak se zgjeron fushën e asaj që lejohet seksualisht, por sepse bie ndesh me nënshtrimin racor. Fitorja e të drejtës për të botuar romanin Lady Chatterly nuk ka të njëjtin kuptim, ndonëse mund të jetë e dëshirueshme për arsye të tjera.

Kjo do të duhej të ishte krejt e qartë nisur nga përvoja jonë. Gjatë viteve të fundit ndalesat zyrtare e zakonore ndaj asaj që mund të thuhet, dëgjohet, kryhet apo dëftohet rreth seksit publikisht – makar edhe privatisht, pothuajse janë zhbërë në disa vende perëndimore. Besimi se moraliteti i ngushtë seksual është ledh mbrojtës thelbësor i sistemit kapitalist, nuk pi më ujë. Madje as besimi se lufta kundër këtij moraliteti është me urgjencë të madhe. Ka ende ca kryqtarë të dalë boje që mund ta mendojnë veten se po sulmojnë fortesën puritane, por në fakt muret e saj kanë rënë thuajse tërësisht.

Padyshim ka ende gjëra që nuk mund të printohen apo botohen, por janë gjithnjë e më të vështira për t’u gjetur apo për t’u indinjuar. Heqja e censurës është një veprimtari njëkahëshe, dhe nëse kjo lëvizje ecën për shumë kohë në të njëjtin drejtim, kënaqësia revolucionare e kryqtarëve zvogëlohet ndjeshëm. E drejta e aktorëve për t’u qirë në skenë është dukshëm më pak e rëndësishme, edhe për sa i përket çlirimit personal, nga ç’ishte e drejta e vajzave viktoriane për të ngarë biçikletën. Sot po bëhet mjaft e vështirë edhe të nxisësh persekutimin e lapërdhive, i cili dikur u jepte botuesve e producentëve mundësinë e publicitetit falas.

Praktikisht beteja për seks në publik është fituar. E ka afruar ndopak kjo fitore revolucionin shoqëror, apo çfarëdo ndryshimi tjetër jashtë shtratit, gazetës dhe zbavitjes publike (çka mund të jetë ose jo e dëshirueshme)? Kam përshtypjen se jo. Afërmendsh ka sjellë mjaft më shumë seks në publik në një rend shoqëror të pandryshuar.

Po ndonëse nuk ka lidhje të fortë midis shfrenimit seksual dhe organizimit shoqëror, më duhet të pranoj me keqardhje se ka një afërsi të vazhdueshme midis revolucionit dhe puritanizmit. Nuk më shkon mendja tek asnjë lëvizje a regjim të mirorganizuar revolucionar që të mos ketë dëftuar prirje të dukshme puritane. Këtu përfshihen edhe lëvizjet e regjimet marksiste, pavarësisht se doktrina e themeluesve të tyre ishte mjaft jopuritane (apo në rastin e Engelsit aktivisht antipuritane). Këtu përfshihen edhe vende si Kuba, tradita e të cilës është e kundërta e puritanes. Por edhe lëvizjet më anarkiste e libertariane. Kush beson se moraliteti i militantëve anarkistë ishte qejf-o-qejf, nuk ia ka idenë fare. Dashuria e lirë (në të cilën besonin me pasion) donte të thoshte jo alkool, jo drogë dhe monogami pa martesë formale.

Komponenti libertarian, ose më sakti antinomian, i lëvizjeve revolucionare, ndonëse nganjëherë i fortë e mbisundues në momentin e çlirimit, nuk ia ka dalë asnjëherë përballë prirjes puritane. Robespierët fitojnë gjithnjë ndaj Dantonëve. Revolucionarët për të cilët libertarianizmi seksual, makar edhe kulturor, përbën çështjen qendrore të revolucionit, herët a vonë mënjanohen prej tij. E majta e re na kujton me të drejtë se Wilhelm Reich-i, apostulli i orgazmës, e nisi karrierën si revolucionar marksisto-frojdian, i zoti madje, nëse e gjykojmë nga vepra e tij “Psikologjia e masave e fashizmit” (nëntitulli i të cilës ishte ‘Ekonomia seksuale e reaksionit politik dhe politika seksuale proletare’). Po a mund të habitemi që ky njeri në fund preferoi të merrej me orgazmën në vend të organizimit?! As stalinistët, as trockistët nuk ishin entuziastë për surrealistët revolucionarë, të cilët hidhnin shkelma në dyert e tyre për t’u pranuar brenda. Kush mbijetoi në politikë, nuk e arriti për hir të surrealizmit të vet.

Se pse ndodh kështu përbën një çështje sa të rëndësishme, aq edhe të errët, të cilës nuk mund t’i japim përgjigje këtu. Nëse kjo është e domosdoshme është një çështje edhe më e rëndësishme – sidomos për revolucionarët që mendojnë se puritanizmi zyrtar i regjimeve revolucionare është i tepruar dhe shpesh herë irracional. Po nuk mund të mohohet fakti se revolucionet e mëdha të shekullit tonë nuk i janë dhënë me mish e me shpirt shfrenimit seksual. Ato i kanë zgjeruar liritë seksuale jo duke hequr ndalesat seksuale, por nëpërmjet një akti madhor të emancipimit shoqëror: çlirimit të grave nga shtypja. Po ashtu nuk ka dyshim se lëvizjet revolucionare janë bezdisur nga libertinizmi personal. Mes të rinjve rebelë, kush ka qenë më pranë frymës dhe ambicieve të revolucioneve shoqërore klasike, prirej të ishte më armiqësor ndaj pirjes së drograve, seksit të shfrenuar në publik apo të tjera stileve e simboleve të disidencës personale: maoistët, trockistët dhe komunistët. Arsyet e dhëna zakonisht supozojnë se “punëtorët” nuk i kuptojnë apo simpatizojnë të tilla sjellje. Pavarësisht sa e vërtetë është kjo, nuk mund të mohohet se këto sjellje konsumojnë shumë kohë e energji dhe zor se përputhen me organizimin dhe eficiencën.

Sa më sipër është pjesë e një çështjeje mjaft më të gjerë: Cili është roli i rebelimit kulturor – që sot është pjesë fort e dukshme e ‘të majtës së re’, madje në SHBA përbën aspektin mbisundues të saj – në revolucion apo në çfarëdo ndryshimi shoqëror? Nuk ka revolucion të madh shoqëror që të mos jetë kombinuar, së paku në mënyrë periferike, me të tillë disidencë kulturore. Mbase sot në Perëndim, ku ‘tëhuajësimi’, jo varfëria, përbën forcën motivuese vendimtare të rebelimit, nuk mund të jetë revolucionare asnjë lëvizje që nuk sulmon edhe sistemin e marrëdhënieve personale apo të kënaqësive private. Po, në vetvete, revolta kulturore dhe disidenca kulturore janë simptoma, jo forca revolucionare. Ato nuk janë shumë të rëndësishme politikisht.

Revolucioni Rus i 1917 i uli avangardistët dhe rebelët kulturorë, shumë prej të cilëve e kishin simpatizuar, në vendin shoqëror e politik që u takonte. Kur francezët u hodhën në grevë të përgjithshme në maj të 1968, ndodhitë në teatrin Odeon dhe grafitet e shkëlqyera (“Është e ndaluar të ndalosh”, “Kur bëj revolucion ndihem sikur po bëj dashuri” etj.) mund të konsiderohen forma letërsie e teatri minor, margjinale në raport me ngjarjet e mëdha. Sa më të rëndësishme të bëhen këto fenomene, aq më të sigurt mund të jemi se nuk do të ndodhin gjëra të mëdha. Për dreq, më kollaj e trondit sesa e përmbys borgjezin.

(1969)

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga libri i autorit “Revolutionaries: Contemporary Essays”

Imazhi: Getty Images

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.