Pse Xhokeri pëlqehet nga e djathta ekstreme

/Glen Llaçi/

Ne vjeshtë të 2019 doli në kinema filmi “Joker” i Todd Philips-it. Xhiroja totale e filmit në gjithë botën arriti shumën e 1.07 miliardë dollarë, shumë që vetëm Batmani i “The Dark Knight Rises” ia kalon me afro 7 milionë dollarë. Përtej fitimeve dhe aspektit biznes, ai u mor nga njëra anë si simbol i revoltës kundra sistemeve shtypës, ndërsa nga ana tjetër u kritikua për mënyrën se si personazhi i Xhokerit paraqitet në mënyrë simpatike, ndërkohë që ai në film vret krejt gjakftohtësisht disa persona. Gjithsesi nuk mund ta mohojmë faktin që Xhokeri i Joaquin Phoenix-it është marrë si figurë frymëzuese për të djathtën ekstreme, sidomos për atë amerikane dhe britanike. Kjo nuk do të thotë që askush tjetër nuk ka të drejtë ta shohë filmin si simbol të revoltës kundër padrejtësive dhe determinizmit social. Jo më kot maskën e tij e shohim kudo nëpër botë në protesta apo revolta popullore. Në fund të fundit, ai është një film i mirërealizuar dhe s’ka pse t’i mbetet ekskluzivisht publikut të së djathtës ekstreme. Me interes për të majtën në këtë rast është të përpiqet të kuptojë pse një film i tillë pëlqehet nga e djathta ekstreme, cilët janë elementët që e bëjnë atë t’i përqaset atij si një film që u flet atyre në mënyrë të veçantë. Për t’u përgjigjur le ta fillojmë duke vënë ne perspektivë publikun kinemadashës me kërkesat dhe pritshmëritë e tij kulturore. Në fund të fundit Xhokeri kulturalisht nuk vjen nga hiçi. Ai është inspiruar jo pak nga “Njeriu që Qesh: i Viktor Hygoit, libër që e ka ndikuar jo pak Perëndimin si në planin kulturor, por edhe në atë shoqëror.

Pritshmëria e publikut

Prej vitesh publiku priste një film dedikuar krejtësisht Xhokerit. Një ndër arsyet e kësaj pritshmërie vinte nga aktrimi tejet i arrirë që aktori Heath Ledger i dha këtij personazhi në filmin “The Dark Knight”, ku protagonisti ishte Batmani dhe antagonisti Xhokeri. Por kjo nuk është arsyeja e vetme pse publiku priti me padurim një film ku Xhokeri të ishte protagonist. Një arsye tjetër është se nga fundi i 10-vjeçarit të parë të viteve 2000 publiku nisi të shtonte kërkesën për filma me një karakteristikë ndryshe nga pjesa dërrmuese e filmave aksion. Epoka e filmave “i miri” dhe “i keqi” po niste të sfidohej nga filmat atipikë. Filma ku antagonisti preferohej nga protagonisti apo kur i ashtuquajturi personazh negativ ose fitonte në fund të filmit, ose edhe kur nuk fitonte publikut, i përcillej mesazhi që në realitet ekzistenca e një dikotomie e tipit “i miri” dhe “i keqi” nuk është një realitet jetik, por thjesht një projektim i shoqërisë apo i pushtetit sundues dhe për rrjedhojë i vetë Hollivudit. Kemi gjithashtu edhe një numër të konsiderueshëm filmash ku marrëdhënia midis antagonistit dhe protagonistit ka më tepër marrëdhënien e një intrige ku në fund zbulohej se personazhi negativ ishte në realitet pozitiv dhe anasjelltas. Gjithsesi, Xhokeri ka një karakteristikë të veçantë krahasuar edhe me filmat atipikë të sipërpërmendur. Këtë veçori nuk e kam hasur aq sa duhet as në shumë prodhime të tjerë kinematografikë antisistem apo me protagonist “negativ”. Nuk pretendoj se kjo karakteristikë apo tipar mungon në mënyrë absolute. Jo ky tipar mund të ketë qenë i pranishëm edhe gjetkë, por ajo që e bën më të dallueshëm është epoka kur ai shfaqet në skenë. Në çastet kur shfaqet, ai i përgjigjet njëkohësisht kërkesave shoqërore të cilat janë krejt të ndryshme nga ç’kanë qenë para dhjetë apo njëzet vitesh. Prandaj le të reflektojmë më parë mbi disa filma antisistem të një epoke tjetër për të kuptuar më mirë tiparin “e veçantë” të Xhokerit.

Karakteristika e Xhokerit

Për të kuptuar më mirë le t’i referohemi disa filmave emblematikë antisistem të viteve 1990-2000, si për shembull “Dead man walking”, “Fightclub”, “American Psycho” apo deri diku “Thelma & Louise” me protagonistë personazhe të errët ose problematikë. Në këto filma dhe shumë të tjerë të njëjtit tip, karakteristika kryesore është denoncimi ndaj padrejtësive shoqërore, i sistemit kapitalist, konsumerizmit apo sistemit patriarkal maskilist etj. Fati i personazheve të këtyre filmave mund të ketë një vlerë emocionale për publikun, po asgjë më shumë. E shumta që ata mund të arrijnë është të jenë martirë të pagjunjëzuar dhe të arrijnë një fitore të izoluar kundra një sistemi të cilit nuk mund t’i bëjnë asgjë më shumë sesa ta denoncojnë, sepse në epokën e tyre kapitalizmi ndihej triumfues si sistem. Epokë ku shprehja e Margaret Thatcher-it “There is no alternative ” – “Nuk ka alternativë tjetër” – ishte në apogjeun e saj.  

Xhokeri i Todd Philips-it vjen në një epokë krejt tjetër. Sigurisht ai është denoncues ndaj sistemit, por fati i tij emocionalisht nuk e prek edhe aq publikun. Në epokën ku jetojmë Xhokeri nuk ka vetëm një fitore ku publiku preket emocionalisht sepse personazhi kryesor nis “fitoren” e tij kundra sistemit shtypës. Fitorja e Xhokerit është mbi të gjitha morale. Madje edhe pse përballë ka një sistem shtypës që imponohet si i pazëvendësueshëm, ai prapëseprapë revoltohet dhe bashkohet nga shumë të tjerë kundra kësaj shtypjeje. Në një lojë bixhozi që luhet mbi kurrizin e më të dobtit dhe ku të fortit i atribuohen vetëm kartat fituese, karta e Xhokerit që përmbys rrjedhën e lojës shikohet si legjitime dhe morale. Dhe ja pikërisht kjo është karakteristika e veçantë e filmit. Fitorja morale e antagonistit legjitimohet nga publiku sepse në epokën ku jetojmë sistemi e ka humbur krejtësisht legjitimitetin e vet dhe pavarësisht nëse publiku e pranon apo jo dhunën e Xhokerit, ai njëkohësisht nuk e pranon as dhunën e institucioneve apo të dominuesve.

Si u përvetësua Xhokeri nga e djathta ekstreme?

Kjo pyetje vjen krejt natyrshëm sepse në fund të fundit problematikat e filmit – si denoncimi i sistemit, rebelimi ndaj padrejtësive, identifikimi i më të pushtetshmit si të dhunshëm – janë çështje që e majta i artikulon prej dekadash dhe logjikisht e djathta ekstreme nuk mund t’i përvetësonte aq lehtë. Në fakt për këtë pyetje ka të paktën dy përgjigje. E para lidhet me faktin se partitë e majta (kryesisht socialdemokrate) evropiane duke filluar nga vitet 1980 nisën dalëngadalë ta braktisin rolin e tyre si bashkëluftëtare me shtresat popullore dhe punëtorët në luftën e tyre kundra shtypjes që u vinte nga të pasurit, duke e përshtatur atë me një rol shoqërues dhe ndihmës ndaj klasës punëtore. Nëse do të bënim një përqasje alegorike, është si në rastin e një lufte ku aleati yt kthehet nga shok armësh në infermier apo këshilltar strategjik. Ky boshllëk i lënë nga partitë socialiste apo socialdemokrate nisi dalëngadalë të zihej nga partitë populiste, ku pjesa më e madhe e tyre ishin të ekstremit të djathtë. Kjo është një arsye pse e djathta ekstreme u përpoq ta asimilonte aq shpejt figurën e Xhokerit. Jo rastësisht figura e tij u përvetësua me lehtë në vende si SHBA dhe Britania e Madhe, ku dekadat e fundit e majta është liberalizuar në planin ekonomik më shumë se në çdo vend tjetër.

Por në fund të fundit kjo përgjigje nuk mjafton për të shpjeguar fenomenin e përvetësimit të figurës së Xhokerit nga e djathta ekstreme. Arsyeja e dytë lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me personazhin në fjalë dhe çfarë përfaqëson ai si individ. Xhokeri thellë-thellë është një individ i vetëm, i cili del gati nga hiçi dhe shfaqet si një anti-Mesi, por që shkel në të njëjtat hapat ku një Mesi e mundshme do të ecte. Ashtu si një Mesi vetëshpallet si alternativë e institucioneve dhe si frymëzues i shpëtimit nga sistemi shtypës, edhe Xhokeri paraqitet si një alternativë e institucioneve të dështuara dhe si frymëzues i rebelimit kundër shtypjes. Ndoshta Xhokeri zgjedh dhunën si instrument, por kjo nuk e zhvesh atë nga tiparet mesianike. Pikërisht këtu qëndron problemi: kur flasim për një Mesi, lider suprem apo superindivid, të jemi të sigurt që i jemi larguar ideologjisë të së majtës. Sepse e majta vërtet është kundër padrejtësive dhe shtypjes së tiranëve, por njëkohësisht forca e saj motorike nuk gjendet te lideri suprem apo individi që ndriçon popullin. E majta e shikon zgjidhjen te bashkëpunimi dhe solidariteti i të shtypurve, lëvizjet popullore ku populli e merr vetë në dorë fatin e tij. Ndërsa historia ka treguar gjithmonë të kundërtën në lëvizjet e djathta sidomos në rastet e ekstremit të djathtë. Sa e sa raste kemi pasur ku e djathta ekstreme na ka shërbyer individë anti-elitarë apo anti-sistem të cilët e sillnin shpëtimin nëpërmjet personit të tyre dhe ku populli duhet t’i drejtonte sytë nga ata për zgjidhje dhe jo nga vetja. Pra dimensioni individual i Xhokerit dashur pa dashur i përgjigjet deri diku aspiratave dhe vizionit të pushtetit të ekstremit të djathtë dhe kjo është një arsye më e kuptimtë pse ata e përvetësuan figurën e tij.

Realiteti shqiptar

Nëse do të hiqja një paralel me realitetin shqiptar, në fillim do të doja të isha i qartë për diçka. Para se të shpalos kritikat e mia për protestën e korrikut të PD, do të doja të sqaroja që në bindjen time qeveria e tanishme nuk e meriton të qëndrojë në pushtet as edhe një ditë apo orë më tepër. Madje do të ishte e shëndetshme për shoqërinë shqiptare që protestat popullore të bënin të mundshëm fundin e këtij pushteti abuzues. Përtej këtij urimi, nuk mund të injoroj fenomenin e Xhokerit si figurë emblematike e të djathtës ekstreme apo në rastin shqiptar të djathtës gjysmë konspirative dhe flirtuese me ekstremet. Nuk dua të humbas kohë nëse protestat ishin të fryra apo të rikuperuara me oportunizëm nga opozita dhe nga ish-ish lideri apo lideri aktual i saj. Dua të ndalem më tepër në faktin se si Berisha me dashje apo pa dashje i veshi personit të tij maskën e margjinalit që pësoi një padrejtësi dhe u poshtërua nga sistemi ku jetojmë. Ne pamë se si një gjysmë patericë e sistemit si Basha mundi t’i mbyllte derën e partisë ku ai kishte sunduar me vite. Pak rëndësi ka nëse populli nuk i besonte krejtësisht maskës së Xhokerit që ia veshën me zor apo diti ta rikuperonte vetë. E rëndësishme është se maska e Xhokerit të Berishës i flet më tepër njerëzve të zakonshëm sesa figura e qëruar e Bashës. Nën këtë optikë mund ta shohim disi më qartë pse protesta e 7 korrikut pati një pjesëmarrje të konsiderueshme: Berisha ia arriti qëllimit të mishërojë personazhin e dikujt që pëson një padrejtësi dhe që mund të luftojë sistemin shtypës. Sa për aspektin e dytë të Xhokerit ku shpëtimi gjendet te “njëshi”, “lideri”, dhe jo te solidariteti midis të shtypurve, besoj që në rastin e Berishës kjo është një konstante e pandryshueshme.

Por a do të funksionojë në të vërtetë kjo lëvizje? Ka shumë mundësi që jo. Arsyet mund të jenë të ndryshme, nisur nga fakti që Rama ka zaptuar të gjitha pushtetet deri te fakti që sado e dëshpëruar të jetë shoqëria, ajo nuk e sheh zgjidhjen te kjo opozitë, paçka se lideri apo ish-ish lideri i saj ka hedhur vellon e të shtypurit nga më të pushtetshmit. Për rrjedhojë, a e favorizon gjendja e tanishme lindjen e një të djathte ekstreme? Sado i largët të duket ky rast, nuk mund ta përjashtojmë aq lehtë. Në fund të fundit një ndër tiparet e të djathtës ekstreme është afrimi tinëz drejt pushtetit, duke përdorur pakënaqësitë popullore si kalë beteje dhe teoritë e konspiracionit si energji lufte, dy elemente që i hasim kudo sot, si në Shqipëri, por edhe në botë. E vetmja zgjidhje më e dëshiruara është që lëvizjet e majta të arrijnë të mishërojnë «Xhokerin» si figurë të shtypur dhe poshtëruar nga pushteti, por njëkohësisht që edhe e djathta ekstreme të mos ia arrijë qëllimit të joshjes me figura mesianike apo individualiste. Kjo përbën një sfidë të dyfishtë për të majtën e vërtetë, por në fund të fundit edhe ne si shoqëri kemi një farë përgjegjësie dhe kjo përgjegjësi është që të ndërgjegjësohemi gjithmonë e më tepër që zgjidhja nuk vjen nga «njëshi» apo te ndonjë «i zgjedhur» hyjnor. Hyjni që në fund të fundit na paskan mallkuar prej shekujsh. E pra ky «mallkim» i famshëm hipotetik mbase lidhet pikërisht me mungesën e aftësisë për të luftuar në bashkësi dhe solidaritet kundër padrejtësive që shoqëria bart mbi shpinë.

Konkluzion

Si përfundim, paçka veçantive që kemi si shoqëri, në fund të fundit ne nuk përbëjmë ndonjë përjashtim absolut nga shoqëritë e vendeve të tjera . Dhe pak a shumë kudo në botë dy gjëra mbeten pothuajse të njëjta. Tundimi i përqafimit të çfarëdo të çmenduri për të përmbysur apo goditur sistemin aktual dhe figura e një “outsider”-i që godet sistemin, mishëruar nga një Xhoker i cili absorbon në personin e tij solidaritetin e masave. Pak rëndësi nëse Xhokerat tanë janë “kripto-outsider” apo “ish-insider”; e rëndësishme është të kuptojmë që me gjithë ilegjitimitetin dhe amoralitetin e tyre, ata janë fatkeqësisht të ndërgjegjshëm për krijimin e raportit të forcave në betejën e tyre. E vetmja mënyrë për t’i mundur është krijimi i një raporti force në disfavor të tyre dhe sistemit dominues. Siç e thash më lart, i vetmi raport force që i kundërpërgjigjet çfarëdolloj Xhokeri mesianik është solidariteti ndaj grupit dhe jo ndaj njëshit, sado “outsider” apo i oprimuar të duket ai.

Burimet:

https://www.opendemocracy.net/en/countering-radical-right/joker-far-right-and-popular-culture/

https://www.revolutionpermanente.fr/Le-Joker-entre-le-desespoir-du-capitalisme-et-l-espoir-de-l-emeute

https://www.lesoir.be/260418/article/2019-11-14/comment-lextreme-droite-sest-emparee-du-joker

Imazhi: EPW

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.