Maji i 1968

/Eric Hobsbawm/

Nga të gjitha ngjarjet e papritura të fundit të viteve 1960, periudhë veçanërisht e keqe për profetët, lëvizja e Majit 1968 në Francë ishte më e befasishmja, madje me gjasë më eksituesja për intelektualët e majtë. Dukej se po provohej çka nuk e besonte asnjë radikal mbi njëzet e pesë vjeç, përfshirë këtu Mao Ce Dunin dhe Fidel Castro-n: revolucioni në një vend të përparuar industrial ishte i mundshëm në kushte paqeje, begatie dhe stabiliteti politik. Revolucioni nuk ngadhënjeu dhe, siç do ta shohim, ka plot argumente nëse kishte ndofarë mundësie për t’ia dalë mbanë. Sidoqoftë regjimi më krenar dhe me vetëbesim në Evropë për pak u rrëzua. Pati ditë kur me shumë gjasë shumica e kabinetit të De Gaulle-it, madje edhe vetë gjenerali, prisnin disfatën. Kjo u arrit nga një lëvizje popullore nga poshtë, e pandihmuar nga askush brenda strukturës së pushtetit. Studentët ishin ata që e nisën, e frymëzuan dhe në momente kyçe edhe e përfaqësuan këtë lëvizje.

Me gjasë asnjë lëvizje tjetër revolucionare nuk ka pasur brenda vetes një përqindje më  të lartë njerëzish që lexojnë dhe shkruajnë libra. Për pasojë nuk bën habi fakti që botuesit francezë nxituan të kënaqnin një kërkesë në dukje të pakufizuar. Në fund të vitit 1968 ishin botuar së paku pesëdhjetë e dy libra mbi ngjarjet e Majit; dhe rrjedha vazhdon. Të gjitha këto janë punë të bëra në ngut e sipër, disa nuk janë më shumë sesa artikuj të shkurtër, të zgjatur më kot me ribotime gazetash të vjetra, intervista për shtypin, fjalime të regjistruara etj.

Megjithatë hulumtimet e nxituara mund të jenë të vlefshme kur bëhen nga njerëz inteligjentë, dhe Lagjja Latine e Parisit me gjasë mbart njerëz të tillë për metër katror më shumë se çdo vend tjetër mbi Tokë. Sidoqoftë revolucionet dhe kundërrevolucionet në Francë kanë nxitur në kohën e tyre veprat më të mira e të nxituara të historiografisë, ku mund të veçojmë “Tetëmbëdhjetë brymerin e Lui Bonapartit” të shkruar nga Karl Marksi. Për më tepër, intelektualët francezë nuk janë thjesht më të shumtë e më të artikuluar, por edhe më të mësuar me shkrimin e shpejtë e të bollshëm – aftësi me të cilën janë trajnuar në vite të tëra pune nate me revista e të tjera vepra për botues jo fort bujarë. Shtoni librat, revistat dhe artikujt gazetareskë, të kryesuara nga Le Monde-i i madhërishëm e i domosdoshëm, dhe revolucionari tipik francez me gjasë ka kaluar nëpër duar mijëra faqe rreth eksperiencës së tij/saj; ose së paku flet sikur t’i ketë lexuar ato.

Ç’mund të zbulojmë nga kjo masë literature? Pjesë më e madhe e tyre orvatet të shpjegojë lëvizjen, të analizojë natyrën dhe kontributet e mundshme të saj në ndryshimin shoqëror. Një masë jo e vogël e tyre përpiqet ta shtjerë atë në njërën prej kategorive analitike të simpatizuesve të vet – që përbëjnë shumicën dërrmuese të shkrimtarëve – diku me më shumë e diku me më pak origjinalitet. Kjo është më se e natyrshme. Sidoqoftë nuk kemi një tjetër “Tetëmbëdhjetë brymer…” – domethënë një studim të politikës së Majit 1968. Padyshim ngjarjet aktuale janë të ngulura aq fort në mendjet e shumicës së intelektualëve francezë, saqë atyre u duket sikur tashmë dinë gjithçka për to. Nuk është rastësi që narrativa më së afërmi analitike e koherente e krizës është shkruar nga dy gazetarë britanikë, Seale-i dhe McConville-i. Ndonëse nuk bëhet fjalë për ndonjë vepër të jashtëzakonshme, jemi përpara një analize kompetente, simpatizuese dhe të vlefshme për të gjithë jofrancezët, qoftë dhe vetëm për shkak se shpjegon me kujdes të gjitha inicialet e ngatërruara të grupeve të ndryshme ideologjike të Lagjes Latine.

Sidoqoftë, nëse Maji i 1968 ishte revolucion që për pak ia doli të përmbysë De Gaulle-in, meriton të analizohet situata që e solli disa javë më parë: një sërë grindjesh mes sekteve të kampusit universitar në orvatje për ta realizuar atë. Sikundër duhen analizuar arsyet e dështimit të këtyre sekteve. Kësisoj do të ishte me vlerë t’i linim mënjanë natyrën dhe risinë e forcave revolucionare dhe të përpiqemi të qartësojmë çështjen më pak eksituese të suksesit të tyre fillestar dhe dështimit krahasimisht të shpejtë.

Qartazi ka pasur dy faza të mobilizimit të forcave revolucionare, dhe në të dyja qeveria, opozita zyrtare po edhe opozita jozyrtare e njohur prej intelektualëve të rëndësishëm majtistë të Parisit u kapën tërësisht në befasi. (Inteligjencia zyrtare e majtë nuk luajti ndonjë rol të rëndësishëm në ngjarjet e Majit; Jean-Paul Sartre-i, me takt dhe intuitë të madhe, e kuptoi këtë fakt dhe e fshehu veten pas Daniel Cohn-Bendit-it, me të cilin u soll thjesht si intervistues.) Faza e parë, pak a shumë midis 3 dhe 11 majit, mobilizoi studentët. Falë pavëmendjes, vetëkënaqësisë dhe budallallëkut të qeverisë, një lëvizje aktivistësh në një prej kampuseve periferike u shndërrua në një lëvizje masive të thuajse gjithë studentëve të Parisit, çka korri një mbështetje të gjerë publike – në këtë fazë 61% e parisienëve ishin pro studentëve dhe vetëm 16% syresh ishin tërësisht armiqësorë – dhe më pas në njëfarë kryengritjeje simbolike në Lagjen Latine. Qeveria u zmbraps përpara saj dhe kësisoj mundësoi përhapjen e lëvizjes në provinca dhe, sidomos, mes punëtorëve.

Faza e dytë e mobilizimit, nga 14 deri më 27 maj, kishte të bënte në thelb me shtrirjen e një greve të përgjithshme spontane, më e madhja në historinë e Francës e gjetiu, çka kulmoi me refuzimin nga ana e grevistëve të marrëveshjes së negociuar në emër të tyre nga udhëheqësit sindikalistë dhe qeveria. Përgjatë kësaj periudhe, deri më 29 maj, lëvizja popullore ruajti iniciativën: qeveria, e kapur gafil në fillim, e kishte të pamundur të rikuperonte dhe sa vinte e demoralizohej. E njëjta gjë i ndodhi opinionit publik konservator e të moderuar, të cilët asokohe ishin pasivë ose të demoralizuar. Situata ndryshoi me shpejtësi kur De Gaulle-i më në fund u hodh në veprim më 29 maj.

E para që duhet vënë në dukje është se vetëm faza e dytë krijoi mundësi revolucionare (ose, thënë ndryshe, e shtrëngoi qeverinë të merrte masa kundërrevolucionare). Veç lëvizja studentore nuk ishte më shumë sesa një bezdisje dhe aspak rrezik politik. Autoritetet e nënvlerësuan jashtë mase, por kjo ndodhi për shkak se po mendonin për të tjera gjëra, si për shembull të tjera probleme universitare dhe bërrylat burokratikë midis departamenteve të ndryshme qeveritare, të cilat iu dukeshin më të rëndësishme. Touraine-i, autori i librit më sqarues të botuar fill pas Majit, thotë me të drejtë se problemi i sistemit francez nuk ishte napoleonizmi i tepruar, por fakti se i ngjante shumë regjimit të Louis Philippe-it, qeveria e të cilit u zu gjithashtu gafil nga trazirat e 1848, të cilat u shndërruan në revolucion.

Prapëseprapë, paradoksalisht, pikërisht parëndësia e lëvizjes studentore e bëri këtë të fundit detonatorin më efektiv të mobilizimit punëtor. Duke e nënvlerësuar dhe neglizhuar atë, qeveria u përpoq ta shpërndante me forcë. Kur studentët refuzuan të largoheshin, e vetmja zgjedhje mbetej midis shtënies me armë zjarri dhe tërheqjes publike me bisht ndër shalë. Po si mund të shtinin?! Masakra është një prej mjeteve të fundit që përdor qeveria në shoqëri industriale të stabilizuara pasi (hiq rastet kur përdoret kundër të huajve të çfarëdollojshëm) ajo shkatërron imazhin e pëlqimit popullor mbi të cilin bazohet qeverisja. Kur doreza e kadifenjtë vishet mbi grushtin e hekurt, është tejet e rrezikshme politikisht për ta hequr. Të masakroje studentët, fëmijët e klasës së mesme të respektuar, apo edhe ministrave, është më pak tërheqëse politikisht sesa të vrasësh punëtorë e fshatarë. Pikërisht për shkak se studentët ishin thjesht një tufë fëmijësh të paarmatosur që nuk e vinin në rrezik regjimin, qeveria s’kishte rrugë tjetër përveçse të tërhiqej përpara tyre. Po kësisoj ajo krijoi situatën që donte të shmangte. Ajo u shfaq impotente dhe u lejoi studentëve një fitore të lehtë. Shefi i policisë së Parisit, një burrë inteligjent, i kishte kërkuar pak a shumë ministrit të tij ta shmange blofin pasi kuptohej lehtë. Fakti që studentët nuk besuan se ishte blof nuk e ndryshon realitetin e situatës.

Anasjellas, mobilizimi i punëtorëve e vendosi regjimin në një pozicion të rrezikshëm, çka shpjegon faktin që në fund De Gaulle-i u përgatit të përdorte armën e mbrame, luftën civile, duke i bërë thirrje ushtrisë. E bëri këtë të fundit jo për shkak se kryengritja ishte qëllimi i vetëdijshëm i ndokujt – as i studentëve, të cilët mund ta dëshironin, as i punëtorëve, që me siguri nuk e dëshironin dhe nuk kishin menduar e vepruar në të tilla terma politikisht. Arsyeja gjendet në faktin se rrënimi i vazhdueshëm i autoritetit të qeverisë krijonte një boshllëk dhe e vetmja alternativë praktike qeverisëse ishte një front popullor që do të mbisundohej pashmangshmërisht nga Partia Komuniste. Studentët revolucionarë mund të mos e kenë konsideruar këtë si një ndryshim politik domethënës, ndonëse shumica e francezëve me siguri do ta kishin pranuar pak a shumë vullnetarisht.

Në të vërtetë erdhi një moment kur edhe dy institucionet hobsiane, policia franceze dhe ushtria, të mësuara prej kohësh për të vlerësuar momentin kur regjimet e vjetra duhen braktisur dhe pranuar të rejat, lanë të kuptohej se nuk do ta konsideronin kryengritëse qeverinë legale të Frontit Popullor dhe për pasojë nuk do të ishin të shtrënguara t’i shpallnin luftë asaj. Ajo qeveri nuk do të ishte në vetvete revolucionare – përveç mënyrës së ardhjes në pushtet – dhe nuk do të ishte konsideruar e tillë. Nga ana tjetër, zor se mund të mendohet ndonjë rrugëdalje tjetër politike pozitive nga kriza që do të mund të pranohej edhe nga revolucionarët.

Po Fronti Popullor nuk ishte gati të zinte boshllëkun e krijuar nga çintegrimi i golizmit. Brenda aleancës jokomunistët bënin rezistencë pasi kriza kishte treguar se ata nuk përfaqësonin askënd përveç ca politikanëve, ndërsa Partia Komuniste, përmes kontrollit që ushtronte mbi federatat e fuqishme sindikaliste, ishte asokohe e vetmja forcë civile domethënëse dhe për pasojë do të kishte mbisunduar qeverinë e ardhshme. Kriza eliminoi pseudopolitikën e përllogaritjeve elektorale dhe nxori në pah vetëm politikën reale të pushtetit. Po komunistët, nga ana e tyre, nuk kishin mjetet e imponimit ndaj grupeve të tjera opozitare. Pasi vetë ata kishin luajtur lojën elektorale. Nuk i kishin mobilizuar ata masat, veprimi i të cilave i kishte sjellë në buzë të pushtetit, si dhe nuk kishin menduar ta përdornin këtë veprim për t’iu imponuar aleatëve të tyre. Përkundrazi, nëse i besojmë Philippe Alexandre-it, me sa duket ata e konsideruan grevën si pengesë drejt rrugës së përqendrimit mbi çështjen vërtet të rëndësishme të disiplinimit të aleatëve.

I njohur si politikan brilant, De Gaulle-i kuptoi edhe momentin kur kundërshtarët e tij humbën momentumin, edhe shansin për të rimarrë iniciativën. Përpara një Fronti Popullor në ardhje të udhëhequr nga komunistët, një regjim konservator mund të nxirrte më në fund asin nga mënga: frikën nga revolucioni. Taktikisht ishte një lëvizje e bukur. De Gaulle-i nuk kishte nevojë të qëllonte. Në fakt një prej aspekteve më interesante të krejt krizës së Majit ishte karakteri simbolik i ushtrimit të forcës, ashtu si manovrat e gjeneralëve proverbialë kinezë të antikitetit. Askush nuk u orvat seriozisht të vriste ndokënd. Me gjasë të vrarët ishin vetëm pesë, ndonëse të rrahurit ishin mjaft më shumë.

 Sidoqoftë, edhe golistët, edhe revolucionarët u bënë bashkë në fajësimin e Partisë Komuniste Franceze: ose për planifikim të revolucionit, ose për sabotimin e tij. Asnjë linjë argumenti nuk ishte domethënëse përveçse si treguese e rolit vendimtar të PKF gjatë majit. Qartazi ajo ishte e vetmja organizatë civile, me siguri e vetmja pjesë e opozitës politike, që ruajti edhe ndikimin, edhe ekuilibrin. Ky përfundim do të ishte i habitshëm po të supozonim se punëtorët ishin revolucionarë njëlloj si studentët apo se atyre u kishte ardhur në majë të hundës me PKF.

Po ndonëse punëtorët me siguri ishin mjaft më të avancuar se udhëheqësit e tyre, p.sh. në gatishmërinë për të ngritur çështjet e kontrollit shoqëror të vendit të punës, çka Federatës së Përgjithshme të Punës as që i shkonte ndër mend, divergjencat midis udhëheqësve dhe ndjekësve gjatë majit ishin më shumë potenciale se aktuale. Propozimet politike të PKF thuajse me siguri pasqyronin atë që donte shumica e punëtorëve dhe mënyrën tradicionale të të menduarit të të majtës franceze (“mbrojtje e republikës”, “bashkim i krejt të majtës”, “qeveri popullore”, “poshtë sundimi i njëshit” etj.). Sa për grevën e përgjithshme, sindikatat u vunë thuajse menjëherë në krye të saj. Udhëheqësit e tyre po negocionin me qeverinë dhe pronarët, dhe përderisa nuk ktheheshin mbrapsht me rezultate të padëshirueshme, nuk kishte arsye të pritej ndonjë revoltë e madhe kundër tyre. Shkurt, studentët e nisën revoltën në një frymë armiqësie sa ndaj De Gaulle-it, aq edhe ndaj PKF (prej të cilës shumica e udhëheqësve të tyre ishin larguar apo ishin përjashtuar); por jo punëtorët.

Kësisoj Partia Komuniste kishte mundësi të vepronte. Udhëheqja e saj takohej ditë për ditë për të vlerësuar situatën. Mendonte se e dinte se çfarë po bënte. Po çfarë konkretisht? Afërmendsh nuk po përpiqej të ruante golizmin për shkak të politikës së jashtme sovjetike a diç tjetër. Me t’u dukur i mundshëm rrëzimi i De Gaulle-it, PK shpalli synimin e saj dhe të Frontit Popullor për pushtet. Nga ana tjetër, ajo refuzoi të mbronte kryengritjen pasi kësisoj do të bënte lojën e De Gaulle-it.

Kishte të drejtë për këtë gjë. Kriza e Majit nuk ishte një situatë revolucionare klasike, ndonëse kushtet për materializmin e kësaj situate mund të zhvilloheshin shumë shpejt si rrjedhojë e një thyerjeje të papritur të regjimit, i cili rezultoi mjaft më i brishtë nga ç’mendohej. Forcat e qeverisë dhe mbështetja e saj e gjerë politike nuk ishin ndarë e shpërbërë, por vetëm sa ishin çorientuar dhe paralizuar përkohësisht. Forcat e revolucionit ishin të dobta, përveçse në marrjen e iniciativës. Përveç studentëve, punëtorëve të organizuar dhe disa prej simpatizantëve të tyre mes shtresës së profesionistëve të arsimuar, mbështetja për këto forca konsistonte jo edhe aq tek aleatët sesa në gatishmërinë e një mase të madhe opinioni publik të paangazhuar ose armiqësor për të mos shpresuar më te golizmi dhe për të pranuar në heshtje të vetmen alternativë të mundshme. Me avancimin e krizës, opinioni publik në Paris u kthyekundër golizmit, duke shfaqur më shumë pëlqim për të majtën e vjetër, por nga vëzhgimet e opinionit publik nuk vihet re ndonjë epërsi e qartë. Sikur Fronti Popullor të bënte përpara, me siguri që do t’i kishte fituar zgjedhjet e ardhshme, ashtu siç i kishte fituar dikur – po fitorja është përcaktuese e rëndësishme e besnikërive.

Shansi më i mirë për ta përmbysur golizmin ishte ta lije të rrëzonte veten. Në një pikë – midis 27 dhe 29 majit – besueshmëria e tij do të kishte rënë aq shumë, saqë edhe zyrtarët dhe ndjekësit e tij mund të ishin dorëzuar. Politika më e keqe do të kishte qenë t’i jepje golizmit mundësinë për të mbledhur forcat e mbështetësve të vet, aparateve shtetërore dhe të pavendosurve kundër një pakice punëtorësh e studentësh lehtësisht të përkufizueshëm dhe joefektivë ushtarakisht. Ndonëse nuk e kishin vullnetin t’i përzinin me forcë punëtorët grevistë nga fabrikat, ushtria dhe policia ishin tërësisht të qëndrueshme kundër një kryengritjeje. Këtë e deklaruan. Dhe, në të vërtetë, De Gaulle-i rikuperoi pikërisht sepse e ktheu situatën në mbrojtje të “rendit” kundër “revolucionit të kuq”. Punë e madhe se PKF nuk i interesonte “revolucioni i kuq”! Strategjia e përgjithshme e saj ishte e përshtatshme për këdo, edhe për revolucionarët, të cilët zbuluan papritmas mundësinë e përmbysjes së regjimit në një situatë praktikisht jorevolucionare. Sigurisht, nëse supozojmë se donin të merrnin pushtetin.

Gabimet e komunistëve qëndronin tjetërkund. Testi i një lëvizjeje revolucionare nuk qëndron në vullnetin e saj për të ngritur barrikada në çdo rast, por në gatishmërinë për të kuptuar se kur reshtin së funksionari kushtet normale të politikës rutinë dhe për të vepruar siç e kërkon situata. PKF dështoi në të dy testet dhe për pasojë dështoi jo vetëm në përmbysjen e kapitalizmit (të cilën as që e synonte), por edhe në marrjen e pushtetit nga Fronti Popullor (çka e kishte për qëllim). Siç vërente me sarkazëm Touraine-i, dështimi i saj i vërtetë nuk ndodhi si parti revolucionare, por si parti reformiste. Ajo vazhdimisht qëndroi prapa masave, duke mos kuptuar seriozitetin e lëvizjes studentore deri në momentin e ngritjes së barrikadave, gatishmërinë e punëtorëve për një grevë të përgjithshme pa afat deri kur bllokimet spontane të punës u futën këmbët në një këpucë udhëheqësve sindikalistë, të kapur sërish në befasi kur punëtorët refuzuan kushtet e marrëveshjes me qeverinë.

Ndryshe nga e majta jokomuniste, PKF nuk u largua nga skena pasi kishte organizim dhe mbështetje masive nga poshtë. Si ata, ajo vazhdoi të luante lojën e politikës rutinë dhe sindikalizmit rutinë. Ajo shfrytëzoi një situatë që nuk e kishte prodhuar vetë, por as e udhëhoqi dhe as e kuptoi atë, përveçse ndoshta si kërcënim për pozitat e saj brenda lëvizjes punëtore nga ultramajtistët thellësisht armiqësorë. Po ta kishte kuptuar PKF ekzistencën dhe shtrirjen e lëvizjes popullore dhe të kishte vepruar siç e kërkonte situata, mund të kishte fituar momentumin e mjaftueshëm për t’iu imponuar aleatëve të vet skeptikë të së majtës së vjetër. S’mund të thuhet diç më shumë se kaq pasi shanset për të rrëzuar golizmin, ndonëse reale për disa ditë, nuk arritën ndonjëherë nivelin e një mundësie të arsyeshme. Kësisoj ajo dënoi veten, gjatë ditëve vendimtare midis 27 dhe 29 majit, duke pritur dhe bërë apele. Po në të tillë kohëra pritja është fatale. Kush humb iniciativën humb lojën.

Shanset për të rrëzuar regjimin u zvogëluan jo vetëm për shkak të dështimit të komunistëve, por edhe prej karakterit të lëvizjes masive. Ajo nuk kishte qëllime politike të vetat, ndonëse përdorte frazeologji politike. Pa pakënaqësi të thella shoqërore e kulturore, që mund të shpërthejnë përmes një shkëndije, nuk mund të ketë revolucione shoqërore madhore. Po pa një përqendrim të caktuar mbi disa objektiva specifikë, sado periferikë në raport me qëllimin kryesor, forca e këtyre energjive revolucionare shpërhapet. Një krizë politike apo ekonomike, një situatë e caktuar, mund të krijojë automatikisht armiqtë dhe shënjestrat e duhura; një luftë të cilës i duhet dhënë fund, një pushtues i huaj i cili duhet përzënë, një e çarë në strukturën politike që krijon opsione specifike e të kufizuara, si për shembull zgjedhja midis mbështetjes ose jo të qeverisë spanjolle më 1936 kundër kryengritjes së gjeneralëve. Situata franceze nuk prodhoi të tilla shënjestra automatike për t’u përqendruar në to.  

Përkundrazi thellësia e kritikës së shoqërisë që nënkuptohej ose formulohej nga lëvizja popullore e le këtë të fundit pa shënjestra specifike. Armiku i saj ishte “sistemi”. Citoj Touraine-in: “Armiku nuk është më një person i një kategorie shoqërore, mbreti apo borgjezia. Është tërësia e mënyrave të shpersonalizuara, ‘racionalizuara’ dhe burokratizuara të veprimit të pushtetit socio-ekonomik…” Për përkufizim, armiku është pa fytyrë, madje as diçka apo institucion, por një program marrëdhëniesh shoqërore, një proces shpersonalizimi; jo shfrytëzimi që nënkupton shfrytëzuesit, por tëhuajësimi. Në mënyrë tipike shumica e studentëve (ndryshe nga punëtorët më pak revolucionarë) nuk shqetësohej nga De Gaulle-i, përveçse për aq sa objektivi real, shoqëria, errësohej nga fenomeni tërësisht politik i golizmit. Kësisoj lëvizja popullore ishte ose nënpolitike, ose antipolitike. Në afatgjatë diçka e tillë nuk e mpak rëndësinë apo ndikimin e saj historik. Në afatshkurtër kjo ishte fatale. Sipas Touraine-it, Maji i 1968 është më pak i rëndësishëm edhe në historinë e revolucioneve sesa Komuna e Parisit. Ai nuk vërtetoi faktin se revolucionet mund t’ia dalin mbanë në vendet e sotme perëndimore, por vetëm se mund të shpërthejnë.

Disa nga librat për ngjarjet e Majit mund të shpërfillen kollaj. Mirëpo libri i Alain Touraine-it ha bukë veç. Autori është një sociolog industrial me prejardhje marksiste, mësues i Daniel Cohn-Bendit-it në Nanterre, bastioni i revoltës studentore; ai ka qenë thellësisht i përfshirë në fazat e hershme të saj. Analiza e tij reflekton gjithë sa më lart në njëfarë mase. Vlera e saj nuk gjendet tek origjinaliteti – kur shkruhet shumë për një çështje, shumë ide janë sugjeruar ose hedhur poshtë gjetiu – por te mendjemprehtësia dhe sensi historik i autorit, te mungesa e iluzioneve, te njohja e lëvizjeve punëtore, si dhe te fati i të pasurit përvojë të drejtpërdrejtë në këtë ngjarje. Për shembull, ai ka shkruar analizën më të mirë mbi grevën e përgjithshme, një fenomen i raportuar dhe i analizuar pak krahasuar me sasinë e literaturës mbi Lagjen Latine. (Nuk dimë thuajse asgjë mbi çka ndodhi në gjithë ato fabrika e zyra, të cilat në fund të fundit prodhuan dhjetë milionë grevistë, shumica e të cilëve nuk kishin kontakte me studentët e gazetarët.) Për lexuesit e huaj, ai ka përparësinë shtesë të njohjes së drejtpërdrejtë të pjesëve të tjera të botës, sidomos të SHBA dhe Amerikës Latine, çka ndihmon në korrektimin e provincializmit të ngulitur francez.

Argumenti i Touraine-it është i përpunuar e kompleks, por këtu mund të veçohen disa pika. Çka po ndodh sot është “transformimi i madh” nga një shoqëri e vjetër borgjeze drejt një shoqërie të re teknokratike. Kjo, siç dëfton lëvizja e Majit, krijon konflikt dhe disidencë jo vetëm në margjinat e saj, por edhe në qendër. Vija ndarëse e “luftës së klasave” kalon mespërmes “klasave të mesme”, midis “tekno-burokratëve” nga njëra anë dhe “profesionistëve” nga ana tjetër. Këta të fundit, ndonëse nuk janë viktima të dukshme të shtypjes, përfaqësojnë në ekonominë teknologjike moderne diçka të ngjashme me elitën e punëtorëve të kualifikuar në epokën më të hershme industriale, dhe për arsye analoge kristalizon fazën e re të ndërgjegjes klasore:

“Aktori kryesor i lëvizjes së Majit nuk ishte klasa punëtore, por tërësia e atyre që mund të quhen profesionistë… dhe mes tyre më aktivët ishin të pavarurit nga organizatat e mëdha për të cilat punojnë, direkt ose indirekt: studentët, punonjësit e radio-televizionit, teknikët e zyrave planifikuese, punonjësit kërkimorë në sektorin privat e publik, mësuesit etj.”

Greva e përgjithshme e mori karakterin e vet specifik nga ata, jo nga kolektivët e vjetër të klasës punëtore si minatorët, dokerët apo punëtorët e hekurudhave. Jo më kot bërthama e saj gjendej në industritë e reja: kompleksi Kimik Automotivo-Elektronik.

Sipas Touraine-it, lëvizja e re shoqërore i shkon për shtat ekonomisë së re që po lind, pavarësisht kontradiktave. Në një kuptim ajo përbën një rebelim primitiv të njerëzve që mbështeten në përvojat e vjetra për të përballuar situatën e re. Kjo mund të prodhojë ringjalljen e modeleve të militantizmit apo, midis rekrutëve të rinj të lëvizjes shoqërore që nuk kanë përvojë militante, diçka të ngjashme me lëvizjet populiste në vendet e nënzhvilluara, apo me lëvizjen punëtore të fillimshekullit të nëntëmbëdhjetë. Kjo lëvizje është e rëndësishme jo për betejën që po zhvillon tani përgjatë linjave të vjetra politike, por për atë që pritet në të ardhmen: për vizionin e saj dhe jo për arritjet medoemos të pamjaftueshme. Fuqia e vizionit, “utopizmi komunist” që krijoi më 1968 ashtu siç e krijoi proletariati i ri më parë më 1848, varet nga impotenca e tij praktike. Nga ana tjetër, kjo lëvizje shoqërore përfshin ose nënkupton edhe njëfarë reformizmi të përditësuar, një forcë e cila mund të shërbejë për të modifikuar strukturat e ngurta dhe të vjetruara të shoqërisë: sistemin arsimor, marrëdhëniet industriale, menaxhimin, qeverinë. Këto janë dilemat e ardhshme të revolucionarëve.  

Ishte revolucionare kjo lëvizje e re shoqërore në maj – pavarësisht formulimeve “revolucionare” të një “kundërutopie” të komunizmit libertarian për t’iu kundërvënë “utopisë mbisunduese” të sociologëve akademikë dhe shkencëtarëve politikë? Touraine-i argumenton se në Francë lëvizja e re prodhoi një krizë të vërtetë revolucionare, ndonëse pa gjasë për të arritur te revolucioni për shkak se, për arsye historike, u kombinuan lufta shoqërore, politika dhe një “revolucion kulturor” kundër të gjitha formave të manipulimit dhe integrimit të sjelljes individuale. Sot nuk mund të ketë lëvizje shoqërore që nuk i kombinon këta tre elementë për shkak të “zhdukjes në rritje të ndarjes midis shtetit dhe shoqërisë civile”. Po njëkohësisht kjo e bën gjithnjë e më të vështirë përqendrimin e luftës dhe zhvillimin e mekanizmave efektivë për veprim, si p.sh. partitë e llojit bolshevik.

Nga ana tjetër, në SHBA – ndoshta për shkak të mungesës së centralizimit shtetëror apo një tradite të revolucionit proletar – nuk ekziston një kombinim i tillë forcash. Fenomenet e revoltës kulturore, që janë më shumë simptomatike se operacionale, janë më të dukshme. Sipas Touraine-it, “ndërsa në Francë lufta shoqërore është në qendër të lëvizjes dhe revolta kulturore është, si të thuash, nënprodukt i një krize të ndryshimit shoqëror, në SHBA revolta kulturore ka karakter qendror”. Kjo është simptomë dobësie.

Qëllimi i Touraine-it nuk është të japë verdikte apo të bëjë profeci – nëse bën kështu, do të kritikohet – por të dalë në përfundimin se lëvizja e Majit nuk ishte as episod dhe as vazhdim i thjeshtë i lëvizjeve shoqërore më të vjetra. Ajo provoi se po fillon ose ka filluar “një periudhë e re në historinë shoqërore”, por edhe se analiza e karakterit të saj nuk mund të rrjedhë nga fjalët e revolucionarëve të Majit. Me gjasë ka të drejtë për të dyja.

(I969)

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga libri i autorit “Uncommon People: Resistance, Rebellion and Jazz”

Imazhi: AFP Contributor/AFP/Getty Images

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.