Revolta dhe revolucioni në shekullin XXI

/Matias Maiello/

Që nga shpërthimi i krizës kapitaliste në vitin 2008 ka pasur dy cikle të mëdha ndërkombëtare të luftërave klasore. Në ciklin e parë në “Perëndim” (term ky i trajtuar nga Antonio Gramsci në esetë e tij në “Fletoret e burgut”), ne pamë revolta në thelb paqësore si Lëvizja e të Indinjuarve (spanjisht: Indignados Movimiento) në Spanjë, e njohur edhe si Lëvizja 15-M (për 15 maj 2011). Kjo u pasua nga vala e demonstratave në parkun Gezi të Stambollit, në Turqi, duke filluar në fund të majit 2013, dhe e demonstrimeve masive në disa qytete braziliane në qershor të vitit 2013. Krizat e mëdha si në Greqi në vitin 2010 sollën përshkallëzime më të ashpra të luftës midis klasave. Skenarët më “lindorë” të “Pranverës Arabe” që përballeshin me diktaturat morën një formë shumë më të dhunshme, si në Egjipt në vitin 2011, ku lëvizja e sheshit Tahrir shënoi fillimin e një procesi revolucionar që u shua me gjak dhe zjarr.

Tani jemi duke jetuar në një cikël të dytë. Kambana e fillimit të saj u dëgjua nga shpërthimi i jelekëverdhëve në Francë në fund të vitit 2018. Ndryshe nga të Indinjuarit, revolta e tyre filloi në kontekstin e një niveli më të lartë dhe më të dhunshëm të luftës midis klasave, çka solli shtypje që nuk ishte parë prej shumë kohësh brenda demokracive imperialiste. Kjo u shtoi sektorëve që kishin qenë protagonistët e ciklit të mëparshëm të luftërave klasore, kontingjente të rëndësishme nga shtresat më të ulëta të klasës punëtore dhe prekariatit, veçanërisht nga periferitë.[1] Ata shënjestruan qeverinë e Macron-it, duke kërkuar largimin e saj, madje kishin elementë të vetorganizimit si për shembull “Asambletë e Asambleve” (të cilat, megjithatë, nuk u zhvilluan kurrë plotësisht).

Të tjera konfrontime më të përshkallëzuara shohim gjithashtu në kryengritjen e dytë katalanase, që po vazhdon, dhe në protestat që po zhvillohen në Hong Kong. Ndërkohë, kryengritjet në Algjeri dhe Sudan kanë riaktivizuar “Pranverën Arabe”.  Në Irakun e shkatërruar nga lufta ka pasur protesta masive kundër papunësisë dhe kostos së lartë të jetesës – shtypja e këtyre protestave ka sjellë një varg kufomash. Turmat në Liban po mobilizohen kundër qeverisë. Në Amerikën Latine, ditët revolucionare të Kilit dhe, në një shkallë më të vogël, të Ekuadorit janë pjesë e një cikli të luftës klasore që përfshin Porto Rikon, Hondurasin dhe Haitin, me konfrontime më të skajshme me forcat e armatosura dhe më shumë represion nëpër rrugë.

Shkaku i këtyre proceseve nuk gjendet në ndonjë katastrofë të madhe si lufta apo rënia ekonomike, si në gjysmën e parë të shekullit XX, por në krizën e vazhdueshme që kapitalizmi ka kaluar në momente të ndryshme që nga viti 2008. Sidomos tani, në ciklin e dytë, kjo veçori tregon që dy sektorë të ndryshëm janë bërë protagonistë.

Sektori i parë është ai që mund ta quajmë, në mungesë të një emërtimi më të saktë, “humbësit relativë” të globalizimit – ata që kishin përparuar disi, edhe pse  jo mjaftueshëm për të dalë nga varfëria, dhe më pas kriza iu shkatërroi pritshmërinë për përparime të mëtejshme. Ky grup shkon nga studentët e rinj (“të mirarsimuar” sipas standardeve kapitaliste) te të nënpunësuarit dhe ata me punë të paqëndrueshme, të cilët luajtën një rol vendimtar në ciklin e parë pas vitit 2008 në Evropë për të arritur në atë që është përmendur me eufemizëm në Amerikën Latine si “klasa e re C” (spanjisht: nueva clase C)[2], e përbërë kryesisht nga punëtorë që kanë dalë nga varfëria (falë bumit ekonomik të mallrave) e të cilët janë ndeshur më pas me kalbjen e shërbimeve publike (si në Brazil).

Sektori tjetër i madh mund të quhet “humbësit absolutë” të globalizimit. Këta janë njerëz të varfëruar dhe ata me punë të pasigurt (prekariati), për të mos thënë të papunët – njerëz të klasës punëtore, si dhe shumë të rinj të përjashtuar katërçipërisht nga “pakti shoqëror” i neoliberalizmit. Në shumë raste ata janë zhvendosur në skajet më të largëta të qyteteve të mëdha. Ata shpesh stigmatizohen nga borgjezia dhe nga mediat e mëdha. Është pikërisht ky sektor ai që po lë shenjën e tij, veçanërisht në këtë cikël të dytë të luftës midis klasave. I pamë të vërshojnë rrugëve në qendër të Parisit dhe nëpër Francë të veshur me jelekë të verdhë. I shohim tani në procesin kilian, më shumë se gjysmë milioni të rinj të ashtuquajtur “Ni / Ni” (As / As) ,të rinj që nuk janë as në shkollë dhe as në punë, të cilët përballen me një shtypje të veçantë dhe janë të kriminalizuar nëpër lagjet e tyre.

Në këtë cikël të dytë, të dy sektorët përbëjnë ngjitësin e protestave. Shpërthimi i “humbësve absolutë” i jep një karakter më të dhunshëm dhe shpërthyes këtij cikli të dytë të luftës klasore. Por të dy ciklet kanë një karakteristikë themelore: ato kanë më shumë dinamikën e një revolte sesa të një revolucioni.

Revoltat dhe “shteti i zgjatur”

Revoltat janë veprime spontane ku çlirohen energjia e masave. Në to mund të shfaqen nivele të konsiderueshme dhune. Sidoqoftë, ndryshe nga revolucionet, ato nuk synojnë të zëvendësojnë rendin ekzistues, por përkundrazi  t’i bëjnë presion këtij të fundit për të bërë disa lëshime. Megjithatë, nuk ekziston asnjë mur ndarës midis revoltës dhe revolucionit. Një revoltë përmban mundësinë e tejkalimit të natyrës së saj të përbërë nga veprime të thjeshta rezistence ose presioni ekstrem. Disa momente në procesin e një revolte mund të jenë të njëjta me ato që hapin shtegun drejt një situate revolucionare. E gjitha varet nga mënyra se si ato zhvillohen dhe veçanërisht nga fakti nëse klasa punëtore dhe lëvizja masive popullore mund të ndërgjegjësohen dhe të avancojnë në organizimin e tyre.

Në këtë cikël të ri kemi parë si potencialin, ashtu edhe caqet e dinamikës së revoltës. Ato kanë treguar se si të ndalohen sulmet kapitaliste në rrugë, siç e kemi parë në revoltat kundër Macron-it në Francë, në Ekuador kundër Moreno-s, dhe tani në Kili kundër Piñera-s.  Ato ia kanë dalë edhe të rrëzojnë qeveri, si për shembull ato të Boutleflika-s në Algjeri, Al Bashir-it në Sudan dhe Rosselló-s në Porto Riko.  Sidoqoftë, reformat që synojnë – si ato të propozuara tashmë në Kili – janë sipërfaqësore dhe mbeten brenda kornizës së një strukture kapitaliste që rrit vazhdimisht pabarazinë dhe goditet nga krizat.  Edhe nëse bie një qeveri, kjo mbetet brenda kornizës së regjimeve që refuzohen nga masat.

Këto kufizime i korrespondojnë një karakteristike dalluese të revoltës, e cila lidhet me faktin se lëvizja masive ndërvepron në mënyrë të çorganizuar.  Në ditët e sotme kjo shprehet kryesisht në karakterin “qytetar” të revoltave.  Rrjetet sociale dhe teknologjitë e reja — të cilat në ndodhitë e fundit kanë qenë shumë të dobishme nga një numër këndvështrimesh, duke mundësuar për shembull denoncimin e represionit nga ana e policisë dhe ushtrisë në Kili – gjithashtu kontribuojnë në këtë atomizim.  Thirrjet për veprim mund të bëhen lehtësisht virale, por pa krijuar hapësira për diskutim dhe organizim.  Kjo çon në një lloj “vertikaliteti” që bëhet pengesë për vetorganizimin, si në rastin e aplikacionit Cunami Demokratik në kryengritjen katalanase.

Brenda kësaj kornize klasa punëtore, që kontrollon “pozicionet strategjike” të funksionimit të shoqërisë (transporti, industritë e mëdha dhe shërbimet), me disa përjashtime, heq dorë nga përdorimi i fuqisë së saj vendimtare.  Përkundrazi, ajo ndërvepron si pjesë e “qytetarisë”, duke u përzier brenda “popullit” në përgjithësi. Dekadat e ofensivës neoliberale nuk kanë qenë të kota. Gjatë kësaj kohe klasa punëtore është zgjeruar si asnjëherë më parë në histori, por gjithashtu është bërë shumë më heterogjene dhe më e fragmentarizuar. Në të njëjtën kohë struktura socio-politike e shtetit sot është dizenjuar për ta konsoliduar këtë fragmentim.  Një “shtet i zgjatur” shkon shumë më larg se “të priturit në mënyrë pasive” për konsensusin, përkundrazi i dedikohet “organizimit” të këtij konsensusi përmes kontrollit shtetëror të organizatave masive dhe fuqizimit të burokracive brenda tyre (duke filluar me sindikatat). Kjo garanton frakturimin e klasës punëtore.

E pamë këtë në Francë, ku jo vetëm burokracitë e verdha si ajo e KDFP (Konfederata Demokratike Franceze e Punës, një nga pesë konfederatat kryesore të sindikatave në Francë), por edhe udhëheqja e ashtuquajtur “luftarake” e KPP (Konfederata e Përgjithshme e Punës) u treguan të gatshme t’i mbanin sektorët e sindikalizuar – të cilët zënë “pozicione strategjike” – larg lëvizjes së jelekëverdhëve. E pamë në Ekuador, ku KKIE (Konfederata e Kombësive Indigjene të Ekuadorit) e largoi lëvizjen indigjene nga rrugët e Kuitos në kulmin e konfrontimeve me qeverinë.  Tani e shohim në Kili, ku burokracitë e sindikatave, studentëve dhe shoqatave të Tryezës së Unitetit Social po përpiqen të hyjnë në dialog me qeverinë, ndërkohë që rrugët ushtojnë prej thirrjeve “Të largohet Piñera!”.

Mungesa e hegjemonisë së punëtorëve do të thotë se lëvizja e shpreh veten me anë të kësaj forme “qytetare”, edhe pse shumë prej protagonistëve të saj janë pjesë e klasës punëtore. Ky fakt bazohet në heterogjenitetin e lëvizjeve, të përbëra, siç përmendëm më herët, prej  “humbësve absolutë” dhe “humbësve relativë” të globalizimit. Ky heterogjenitet përdoret edhe nga borgjezia, shteti dhe media për ta përçarë lëvizjen në demonstruesit “e mirë, “legjitimë” dhe “të dhunshmit”, “të pacivilizuarit”. Me të parët ekziston mundësia që shteti të bëjë disa lëshime minimale për t’i larguar nga rrugët.  Për të thyer grupin e dytë aparatit shtetëror i duhet t’i kriminalizojë.

Pyetja strategjike është se si të mos ezaurohen shpërthimet e urrejtjes dhe luftës klasore të shprehura me anë të revoltës së masave. Ato mund të përfundojnë për shkak të reformave estetike që nuk ndryshojnë asgjë thelbësore, ose duke u kanalizuar në skema të këtij apo atij varianti politik borgjez (qoftë ai i së djathtës apo  i së majtës), ose si rezultat i kundërsulmeve apo zgjidhjeve bonapartiste.  Pyetja është se si në vend të kësaj të nxisim potencialin e tyre dhe të arrijmë disi të hapim rrugën që çon nga revolta drejt revolucionit. Elementi kyç është ndërtimi i hegjemonisë së klasës punëtore që arrin të bashkojë sektorët e ndryshëm në të njëjtin front lufte.

Procesi i Kilit

Një nga proceset më të rëndësishme të ciklit aktual të luftës së klasave po zhvillohet në Kili. Aty shoqëria shënjohet nga pabarazia, ku 26.5% e pasurisë neto të vendit përqendrohet në duart e 1-përqindëshit më të pasur, ndërsa 50% e familjeve më të varfra kanë vetëm 2.1% të pasurisë. Këtu mund të dallojmë “humbësit relativë” të cilët mezi i shpëtuan varfërisë gjatë dekadës së fundit (sipas statistikave zyrtare, shkuan nga 29.1% në 2006 në 8.6% në 2017), por jetojnë në një vend në të cilin gjithçka është privatizuar dhe kostoja e sëmundjes së një personi mund ta falimentojnë krejt familjen. Në Kili 21% e të rinjve midis moshës 18 dhe 29 vjeç janë borxhlinj të këqij (pra nuk mund ta paguajnë kredinë). Gjithashtu kemi edhe “humbësit absolutë” – gjysmë milionëshi i të rinjve siç i quajtëm më lart “As / As”, dhe 1.5 milionë të tjerë të zënë në kurthin e varfërisë, pavarësisht lulëzimit ekonomik.

Në fillim ishin nxënësit e shkollave të mesme që dolën kundër rritjes së tarifave të transportit, duke zgjuar simpatinë e miliona njerëzve dhe duke iniciuar kështu ditët revolucionare. Përgjigja shtypëse e qeverisë së Piñera-s, me nxjerrjen e ushtrisë në rrugë, nxiti zemërimin gjithnjë e më të madh të popullit në Santiago dhe periferitë e saj të varfra, paskëtaj në mbarë vendin, me barrikada, protesta me njerëz që u binin tenxhereve dhe tiganëve, autobusë të djegur, një numër të madh grabitjesh të bizneseve të mëdha tregtare dhe djegien e stacioneve policore dhe ndërtesave publike. Më pas filluan të bashkohen sektorë të lëvizjes së organizuar punëtore, si punëtorët e porteve dhe minatorët. Burokracia qendrore e konfederatës sindikale CUT, duke mos kapur dot ritmin e ngjarjeve, u përpoq të thërriste një “grevë me rrugë bosh” që më vonë u kthye në një grevë rutinë.

Një moment i ri mbërriti me mobilizimin masiv të së premtes së 25 tetorit, ku  vetëm në Santiago mbi 1 milion njerëz mbushën rrugët, edhe pse në një mjedis të qetë dhe festiv, ndryshe nga mobilizimet e momenteve të para. Si përgjigje, Piñera e përshëndeti në mënyrë cinike demonstrimin duke dyfishuar, së bashku me një fushatë masive mediatike, përpjekjet për t’i ndarë demonstruesit “legjitimë” (“familjet”) nga “ të dhunshmit”, d.m.th. të varfrit e periferive dhe të rinjtë që u përballën me shtypjen në rrugë. Burokracia e CUT, duke praktikuar të kundërtën e hegjemonisë së punëtorëve — e cila do të duhej të lidhte sektorët e ndryshëm që regjimi kërkon t’i ndajë dhe të merrte trajtën e përforcimit të grevave bllokuese dhe të vetëmbrojtjes kundër ushtrisë që po vepronte si pushtuese – i dha fund pjesëmarrjes së saj rutinore në grevën e së mërkurës, duke promovuar një marshim në të cilin u kujdes të heqë parullën “Të largohet Piñera!”.

Mobilizimi “qytetar” dhe fuqia e klasës

Në Kili Piñera ka prezantuar të ashtuquajturën “agjendë sociale” që bën disa lëshime për të mbrojtur regjimin e trashëguar nga diktatura e Pinochet-it. Krahas kësaj, për të qëndruar në pushtet ai po kryen një seri manovrash institucionale (riorganizim të kabinetit, negociata parlamentare me opozitën etj.). Përballë këmbënguljes së mobilizimeve, megjithëse me më pak intensitet, sektorët e regjimit kanë filluar të propozojnë një lloj asambleje kushtetuese si një mjet për rikompozimin institucional. Partia Komuniste dhe Frente Amplio (Fronti i gjerë), të cilët tashmë e kanë shndërruar thirrjen “Të largohet Piñera!” në një “akuzë kushtetuese”, kanë prezantuar gjithashtu idenë e një “procesi kushtetues” brenda kornizës të regjimit. Kështu, aktualisht ekziston një mosmarrëveshje si për kërkesën “Të largohet Piñera!”, ashtu edhe për propozimin e një asambleje të ngurtë kushtetuese për të shpëtuar regjimin.

Në kundërshtim me këto manovra, socialistët revolucionarë duhet të propozojnë një asamble kushtetuese të lirë dhe sovrane, e cila është me të vërtetë e aftë të shprehë vullnetin e popullit dhe ka fuqi të plotë. Kjo mund të imponohet nga masat vetëm përmes veprimeve të tyre, në rrënojat e regjimit aktual, duke e bërë realitet thirrjen “Të largohet Piñera!”. Parullat radikale-demokratike, si ato për një “asamble kushtetuese”, mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm jo për shkak se ekziston një fazë demokratike nëpër të cilën lëvizja masive duhet të kalojë medoemos, por sepse, siç ka theksuar Trocki, “proletariati mund ta anashkalojë fazën e demokracisë, por ne nuk mund të anashkalojmë fazat e zhvillimit të proletariatit”.

Në këtë kuptim, është e rëndësishme të sqarohet që ndonëse një asamble kushtetuese si kjo që sapo përshkruam mund të shprehë vullnetin e popullit, kjo nuk do të thotë se ajo do të ketë fuqinë, në vetvete, për të imponuar kërkesat e lëvizjes së masave. Kjo e fundit nënkupton medoemos mposhtjen e rezistencës së kapitalistëve. Siç e ka theksuar Ferdinand Lassalle-i në fjalimin e tij klasik të 1862 “Mbi thelbin e kushtetutave”:

Instrumenti politik i pushtetit të mbretit (sot i pushtetit të ekzekutivit, qeverisë), ushtria, është e organizuar, e mobilizuar vazhdimisht, e disiplinuar dhe gjithnjë e gatshme për të vepruar; fuqia e kombit, përkundrazi, edhe kur është shumë më e madhe, është e paorganizuar.”

Asambleja Kushtetuese, sipas Trockit, është “forma më demokratike e përfaqësimit parlamentar”, por shteti kapitalist bazohet në ushtri, në forcat shtypëse që kanë karakter klasor borgjez. Askush nuk duhet të presë që ata ta pranojnë paqësisht çdo vendim që prek interesat dhe shkon kundër kapitalistëve. Për ta vërtetuar mjafton të kujtojmë grushtin e shtetit të Pinochet-it më 1973. Shteti borgjez duhet të kundërshtohet me një alternativë të vërtetë të pushtetit të klasës punëtore.

Në këtë kuptim, parulla e asamblesë kushtetuese mund të luajë një rol të rëndësishëm edukues. Në luftën për të imponuar këto masa kundër rezistencës së rendit borgjez me forcat e saj të armatosura (dhe organizatat paramilitare), sektorë gjithnjë e më të gjerë të klasës punëtore duhet ta çojnë deri në fund përvojën e tyre me demokracinë përfaqësuese, të kuptojnë nevojën për t’u larguar përfundimisht nga koncepti i “qytetarëve” të atomizuar dhe, në vend të kësaj, të organizohen në vendet e punës, fabrikat, sektorët e transportit, shkollat, universitetet etj. për të zhvilluar organet e tyre demokratike të pushtetit dhe organizatat e vetëmbrojtjes. Kjo është mënyra e duhur se si ngrihen këshillat e punëtorëve dhe sovjetët. 

Në fakt, zinxhirët industrialë në vitet 1970 (organet e pushtetit të punëtorëve gjatë qeverisë Allende) u zhvilluan në mënyrë të ngjashme përballë reaksionit. Në tetor 1972, me më shumë se 500 fabrika të zaptuara, ata formuan linjën më të rëndësishme të rezistencës kundër përpjekjes së parë të borgjezisë për grusht shteti. Megjithatë, ata nuk arritën të shndërrohen në një alternativë të vërtetë pushteti (të armatosur) ndaj shtetit borgjez dhe forcave të tij ushtarake. Kjo ndodhi kryesisht për shkak të politikave të Partisë Komuniste dhe Partisë Socialiste, të cilat vazhdimisht kërkonin t’i frenonin ato, dhe mungesës së një partie revolucionare që do të luftonte për zhvillimin e tyre në këtë drejtim.

Objektivi i parullës së asamblesë kushtetuese mund të arrihet nëse është e mundur – përreth asamblesë ose, në rast se ajo mblidhet, në mbrojtje të rezolutave të saj – duke mposhtur shtetin (borgjez) me forcat e tij të armatosura dhe duke zhvilluar organet e pushtetit të klasës punëtore (sovjetët dhe milicitë) të afta ta zëvendësojnë atë. Siç theksoi Trocki në lidhje me Rusinë, “shtrohej çështja nëse ishte e mundur të shndërrohej Asambleja Kushtetuese dhe sovjetët në organe të së njëjtës klasë, dhe aspak të ‘kombinimit’ të një asambleje kushtetuese borgjeze me sovjetët proletarë”.

Hegjemonia dhe partia

Cikli aktual i luftës klasore shtron të njëjtën detyrë: jo të asimilojë në mënyrë aspak kritike format “qytetare” që merr sot revolta, por përkundrazi të luftojë që klasa punëtore të ndërhyjë në emrin e vet dhe të përfaqësojë sektorët e ndryshëm në konflikt. Prandaj ka rëndësi ngritja e komiteteve koordinuese dhe organeve të vetorganizimit, të cilat mund të jenë filizat e këshillave të ardhshëm të punëtorëve (sovjetëve) si një pushtet alternativ i klasës punëtore dhe të shtypurve. Kështu ndodh edhe në rastin e luftës kundër burokracisë së sindikatave, e cila – siç e pamë në Francë me jelekëverdhët ose siç e shohim sot në Kili – kërkon ta kufizojë lëvizjen e organizuar të punëtorëve nga njëra anë në betejat e sindikatës dhe nga ana tjetër në politikën “qytetare”, duke e ndarë atë kësisoj nga pjesa tjetër e klasës punëtore dhe kufizuar potencialin për të përmbushur rolin e saj hegjemonik.

Do të ishte e gabuar të mendohej që hegjemonia e punëtorëve dhe organizatat e tipit sovjetëve do të zhvillohen në mënyrë spontane, ndërkohë që lufta e klasave ashpërsohet. Duhet të ketë një organizatë revolucionare politike me peshë të mjaftueshme që të jetë në gjendje të organizojë pararojën me këtë perspektivë për formim këshillash të punëtorëve dhe me një program që përballet jo vetëm me këtë apo atë qeveri, por me tërë regjimin borgjez. Siç shkroi Trocki në “Historinë e Revolucionit Rus”, “punëtorët e Leninit” – d.m.th. punëtorët e edukuar me një program tranzicioni revolucionar përmes agjitacionit politik të bolshevikëve – luajtën një rol themelor në mposhtjen e carizmit gjatë Revolucionit Rus të shkurtit 1917. Punëtorë të tillë duhet të edukohen sot nga një parti revolucionare.

Në Kili vërehet mungesa e një partie revolucionare me këto karakteristika dhe që ka një shtrirje kombëtare. Partia Revolucionare e Punëtorëve (PRR) po lufton për të ndërtuar një organizëm të tillë. Kohët e fundit në Argjentinë, fushata zgjedhore e Frontit të Majtë të Bashkuar të Punëtorëve (FMBP), duke i bërë thirrje masave më të gjera me një program tranzicioni për t’u konfrontuar me të gjithë regjimin, ka kontribuar në vendosjen e së majtës revolucionare në një pozitë më të mirë, ndërkohë që lufta midis klasave zhvillohet më tej – në anën tjetër të Andeve, në Kili apo kudo tjetër.

Shënime:

1. Në pjesën më të madhe të botës, por rrallëherë në SHBA, në periferitë që rrethojnë qytetet e mëdha jetojnë njerëzit më të varfër dhe të margjinalizuar të shoqërisë.

2. Shtypi borgjez shpesh i referohet kësaj si “klasa e re e mesme digjitale”. 

3. Leon Trotsky, “Problemet e Amerikës Latine: Transkript”, 4 nëntor 1938.

4.Ferdinand Lassalle, “Mbi thelbin e kushtetutave”, fjalim i mbajtur në Berlin, 16 Prill 1862.

5. Leon Trotsky, “Çështja kineze pas Kongresit të Gjashtë”, 4 tetor 1928.

6. Ka propozime që duket se e anashkalojnë çështjen thelbësore të karakterit klasor të shtetit, siç është ai i Jorge Altamira-s, i cili pohon se ne duhet të luftojmë për “një asamble kushtetuese sovrane që merr përsipër udhëheqjen politike shtetërore”, por kush e di se për shtetin e cilës klasë e ka fjalën. (Altamira ka qenë për një kohë të gjatë udhëheqës i Partido Obrero argjentinase [Partia e Punëtorëve] dhe pesë herë kandidat presidencial.)

7. Leon Trotsky, “Një letër për revolucionin italian”, 14 maj 1930.

8. Leon Trotsky, “Historia e Revolucionit Rus”, kapitulli 8, në të cilin ai u referohet “punëtorëve të vetëdijshëm dhe të shkathët të arsimuar në pjesën më të madhe nga ana e Leninit.”

E përktheu Klejda Rrapaj

Marrë nga revista Left Voice

Imazhi: The Independent

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.