Ah sikur!

/Arlind Qori/

Jam minator. Çdo mëngjes futem nën tokë duke u lutur që zoti të më kursejë edhe këtë herë; të paktën sa të rriten fëmijët. Për shëndetin nuk pyes. Prej ditës së parë e ndava mendjen që nuk do të jetoj gjatë. Prandaj edhe pi. Jeta e shkurtër e do pak ngushëllim.

Gruan e kam pa punë. Kam tre fëmijë. Më i madhi ka shkuar në Tiranë. Studion për inxhinieri. Shkolla në Tiranë është e shtrenjtë. Librat edhe më keq. Qiratë e shtëpive disa herë më shtrenjtë se në Bulqizë. Po njëri nga ne duhet të dalë nga mjerimi. Kam marrë borxh. Të paktën një vit djali nuk duhet të punojë. Të shtrohet një herë me shkollën, që të mos na shkojë sakrifica kot.

Para pak kohësh u formua sindikata e re. Sa zili i kam çunat e rinj! I kanë fëmijët akoma të vegjël. Janë të guximshëm. Më kërkuan të bëhesha anëtar. Dua shumë, por kam frikë. Po sikur të më heqin nga puna?! Hajt, do të rrezikoj. Mbase shefat nuk e marrin vesh që kam firmosur. Edhe gjatë mitingut të sindikatës po rrija pak larg. Po të më pyeste njeri do të justifikohesha se kisha dalë një xhiro. Ishte ditë e diel.

Sot nisi greva. Pashë shokët te dera e minierës. Thërrisnin për bashkim. Ndërsa hyja brenda, nuk guxova t’i ngre sytë. Njëri më tha: “Tradhtar!” Bëra sikur nuk e dëgjova. Mendoja për djalin. Ende nuk ka mbaruar semestrin e parë. Thotë se po studion shumë. Pastaj borxhin, bankën, sekuestrimin e shtëpisë… E ha babi turpin me bukë! Edhe jetën e jep babi! Mjafton që djali të mos bëhet si unë, gjysmë njeriu si unë, i frikur dhe kokulur si unë.

Shokët janë ende poshtë. Thërrasin, këndojnë, ngrenë grushtet. Presin nga unë, nga ky njeri që ka vdekur së brendshmi që djali të bëhet njeri.

Ah sikur studentët t’ia kishin dalë vjet, sikur shkolla të ishte falas dhe konviktet të jetueshme! Ah sikur shteti t’i siguronte bursë djalit të minatorit! Sikur të mos paguante biletë autobusi, kinemaje, të kishte libra e mjedise studimi!

Po mbase kështu është e shkruar. Nuk është botë për fukarenjtë kjo!

***

Jam student. Babin e kam minator. Kam punuar pak kohë edhe vetë në minierë, por babi nuk më la më. Do marrim borxh dhe do shkosh në shkollë. Të paktën unë kam mësuar gjithmonë. Më pëlqente matematika, si shprehej jeta përmes numrave.

Në Tiranë erdha që në shtator. Më thanë që nuk gjen shtëpi. U bëmë tre shokë dhe nisëm kërkimin. Ca nuk na e jepnin se ishim çuna. Ca m’u dukën racistë. Sikur s’u pëlqente dialekti ynë. Më në fund gjetëm, 30.000 lekë në Astir.

Këtu gjithçka kushton. Do na mbijë gjiza e byrekut në bark – tallemi me njëri-tjetrin. Në shtëpi ngrohemi me batanije. Unë e përballoj të ftohtin më mirë. Jam mësuar në Bulqizë.

Shkolla është e vështirë. Në ca klasa s’ka ngrohje. Kemi dy pedagogë të tmerrshëm. Duan me s’e s’bën të na shesin librin. Thonë që njëri prej tyre do dhuratë edhe për provimin. Derrat!

Po mendoj të filloj punë. Lexova diku se kërkohej kamerier me përvojë. Do gënjej se kam punuar dy vjet te “Çakalli”. Nuk do t’u them gjë prindërve. Babi do të mërzitej shumë, por s’kam ç’bëj. Lekët që më nisin nuk më dalin. S’guxoj të ulem në kafe. Me shkollën do bëj si do bëj; do ta mbart një vit fundja. Në verë mbase punoj në Greqi. Kështu më tregon një shok klase.

Ah sikur babi të ishte në sindikatë! Sikur greva të ketë sukses! Do t’i rritej rroga, borxhin do ta lante më shpejt, edhe unë do të kisha ndonjë lek më shumë.

Imazhi: Organizata Politike

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

One comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.