Reportazh nga pallati i (zhgj)ëndrrave
/Klodi Leka/
Sot me mijëra të rinj anekënd Shqipërisë zbarkojnë drejt Tiranës për të studiuar në një nga universitetet e saj. Për shumë prej tyre konvikti është përvoja e parë e jetës studentore. Sidomos për pjesën dërmuese me të ardhura të pakta ekonomike, konvikti do të bëhet shtëpiza e tyre e re për disa vite rresht. Aty do të ndërtojnë miqësitë e bukura rinore dhe solidaritetin e ditëve të vështira. Aty do të përgatiten për t’u hedhur me këmbët e tyre në rrugët e mëdha e të zhurmshme të botës me shpresën e të krijuarit të një jete të re dhe të pavarur nga kushtëzimet familjare. Por sa e gjejnë strehën e tyre të përshtatshme në konviktet publike të rinjtë universitarë? Në çfarë gjendjeje ndodhen këto pallate ëndrrash? Po banorët e tyre?
Zakonisht në kafenetë dhe rrjetet sociale të Tiranës jo rrallë herë na rastis të dëgjojmë rrëfime sa të ekzagjeruara aq dhe reale rreth gjendjes dhe peripecive në të cilat detyrohen të kalojnë çdo ditë me mijëra studentë shqiptarë. Dhe është normale të qeshësh apo të mos i besosh këto ndodhi gjer në çastin kur gjendesh ballë dyerve konviktore. Gjatë eksperiencës time si aktivist i kauzës studentore më është dashur të shpërndaj fletushka sensibilizuese dhe thirrje proteste për çështjen universitare në dyert e shumë konvikteve kryeqytetase, por ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është gjendja tejet e vështirë në konviktet e Inxhinierisë së Ndërtimit. Aty do të takohem me një student dhe aktivist të shkëlqyer A. Z. jo vetëm për të më shoqëruar në inspektimin e mjediseve, por edhe për të më rrëfyer përvojën e tij.
E takoj dhe nisim të inspektojmë një nga dy godinat e konviktit të djemve. Në të gjashta katet e godinës (së rikonstruktuar) numër Një vetëm tri nga katet janë të banueshme, por edhe këtu korridoret zhyten në errësirë. E pyes për sallën e studimit. “Vetëm një të tillë kemi “– më thotë. “Në të gjashta katet?” – vazhdoj ta pyes. ”Hem, jo, në të dy godinat” – më kthehet pakëz ironik. Dy godinat gjashtëkatëshe të konvikteve kanë në brendësi vetëm një dhomë të ngushtë studimi, rreth njëzet metra katrorë dhe vetëm për pesëmbëdhjetë studentë. Gjithsesi, dhoma e studimit ka shërbim jo të rregullt dhe të kufizuar ditor. Aty nuk gjetëm kënd tjetër veç një studenti të rënë në vetmi dhe lexime të thella. E ftohtë dhe e parehatshme. Në godinën tjetër dhomat e studimit janë kthyer në magazina me dyer të hekurta për administratën.
Si dhoma e studimit, ashtu edhe ato të banimit janë të ngushta, të vogla dhe të papërshtatshme për të jetuar normalisht. Sa paguani? – e pyes shoqëruesin tim. Rreth pesëdhjetë mijë lekë të reja – më përgjigjet. Për kushtet ç’më thua? Ç’të të them?! Skandaloze janë! Pa ngrohje, me dyer dhe dritare gjysmë kauçuk e gjysmë kompensatë, me lagështirë dhe copëza të vogla suvaje që bien pak nga pak. Ashtu është me të vërtetë! Dhoma e konviktit i ngjan një qoshke surreale të lyer zbehurazi nga llambushka të dobëta drite, mobilie të pakta (një tryezë, dy karrige dhe tri krevate) pothuajse të dala jashtë përdorimit dhe një furnelë primitive me tullë për t’u ngrohur. Të paktën ky është peizazhi që kam hasur në shumë dhoma të godinës numër dy të konviktit të djemve. Nëpër batanije dhe çaj të mezingrohur nga xhezme të vogla e shtynë edhe këtë dimër të ftohtë së bashku me stinën munduese të provimeve.
“Por përveç kushteve të banesës, një nga peripecitë më të mëdha me të cilat na duhet të përballemi është çështja e funksionimit të banjave” – më thotë kolegu karshi. Banjat në konvikte janë tmerrësisht të parehatshme. Nuk sigurojnë asgjë: as higjienë dhe as një çast aq të domosdoshëm privatësie. Dyer të shkallmuara, mjedise kundërmonjëse, mungesë uji dhe lavamanësh. “Dushet – vazhdon ai – janë problem për shumë studentë. Punojnë vetëm me orare të kufizuara, nga dy në shtatë, dhe shumë studentë që punojnë e kanë të pamundur të zënë radhët e përcaktuara në kohë. Ka vetëm pak dushe për gjashtë kate godinë.” Për lavanderi dhe sanitare që mbajnë pastër rrobat e studentëve as që bëhet fjalë. Ata duhet t’i lajnë vetë teshat në kushte të improvizuara dhe t’i ndejnë në mjediset e brendshme të dhomës. As mjedise për të gatuar nuk ka. As çezma uji. Pakkush guxon të gatuajë diçka në dhomat e vogla të konvikteve dhe kur e bën, sprova e ndërmarrë është një sfidë e vërtetë. Mensa publike nuk ka asnjë, ndaj studentët janë të detyruar të kequshqehen në gjellëtoret dhe fastfood-et që lulëzojnë përreth ambientit të konvikteve.
“Po autoritetet – e pyes – i njeh dhe a ju gjenden pranë për ankesa, pyetje apo këshilla?”. “Unë realisht nuk i njoh zyrtarët në fjalë. E kanë një zyrë, por kurrë nuk kam shkelur atje. Ndoshta janë të drejtë dhe mund të ndihmojnë ndaj nuk dua t’i paragjykoj, por duke parë kushtet skandaloze të konviktit mendoj se nuk e kanë bërë punën e tyre siç duhet. Shpesh të thonë se nuk ekzistojnë mundësitë dhe atyre s’ke përse t’u vësh faj. Por a nuk mjaftojnë qindra milionat e marra prej nesh që, dreqi e marrtë, dy llambushka për korridoret të vihen?! Pse jo dhe ngrohja?! Apo disa kushte lehtësuese?! Paratë janë. Por edhe nëse nuk janë, fundja detyra e një zyrtari të çdo rangu është ta përmirësojë mjedisin e tij të punës, të kërkojë me ngulm mundësi të tjera dhe të mos pajtohet me kushtet ekzistuese.”- përfundon jo pak i revoltuar studenti. “Përse nuk shkon të jetosh në apartament? Tri vetë jeni dhe paguani për një dhomë sa për një apartament të zakonshëm në lagjet e Tiranës?” – i them. “Po – më thotë – por gjithsesi shpenzimet bëhen më të mëdha në apartament. Çmimi i energjisë e i ujit është rritur kripshëm, por s’e di, mbase e mendoj për vitin tjetër.”
Rreth 75 mijë apartamente të pashitura gjenden sot në Tiranë dhe akoma vazhdohet të ndërtohet pa kriter, por për studentet dhe të rinjtë e tjerë të margjinalizuar nga politikat qeveritare nuk ka një strehë të ngrohtë për të futur kryet. Në dy draftet për reformimin e arsimit të lartë studentët përmenden vetëm në pak raste dhe këtu jo si subjekte apo kategori shoqërore me të drejta dhe detyra sociale, por vetëm si debitorë me detyrime të vazhdueshme financiare. Askund nuk përmenden kushtet ekonomike dhe sociale në të cilat ndodhen, mundësitë për të investuar në këto mjedise universitare, hapja e ndonjë mense publike apo krijimi i ndoca lehtësirave sociale që do ta ulnin barrën e rëndë ekonomike dhe lartësonin aftësitë e te menduarit kritik e kreativ të studentëve. Përkundrazi, projektligjet e propozuara deri më tani nga qeveritarët tanë jo vetëm që nuk marrin në konsideratë papërballueshmërinë ekonomike të së tashmes, por synojnë rritjen e përshkallëzuar të tarifave të studimit. Ata jo vetëm që nuk e pyesin për situatën studentore, por kyçin çdo kanal demokratik komunikimi duke i zhveshur nga e drejta e votës dhe përfaqësimi në strukturat vendimmarrëse të jetës universitare. Për ta studenti nuk është person, por thjesht statistikë.
Përshëndetem më të bashkëburgosurin tim dhe iki me zjarre të ndezura zemërate nga ky takim i trishtë ku realiteti të përplaset fytyrës me gjithë fuqinë e banalitetit. Por ama nuk ka vend për pesimizëm dhe topitje pavarësisht kushteve të rënda të atyshme. Gjendja aktuale nuk duhet të ndikojë me zymtësinë e saj në logjikën dhe veprimet tona praktike sepse fuqia gjendet te të pafuqishmit e organizuar dhe shpresa ekziston për sa kohë ka të pashpresë. Sot studenti ndoshta nuk po reagon ashtu siç vetëm studentët dinë të reagojnë, por kushtet e rënda në të cilat ndodhet dhe rrëzimi i universitetit publik lajmërojnë jo vetëm rënien e gjithë shoqërisë, por edhe ngritjen e tyre masive në revoltë. Gjithmonë, lëvizjet më të mëdha liridashëse këtyre anëve kanë ardhur. Nga studentët e konvikteve dhe jo vetëm. Ditëve të sotme, kriza ekonomike dhe sociale ka ndërtuar studentë me potenciale edhe më të mëdha revolte si studenti punëtor, studenti i papunë i pasdiplomuar dhe studenti i periferive urbane a rrethinave rurale.
STUDENTË të të gjitha Universiteteve BASHKOHUNI!
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.