Reforma në Arsimin e Lartë
/Jani Marka/
Do përpiqem të jap disa mendime rreth draftit të reformës në Arsimin e Lartë, jo vetëm si pedagog (apo aktor i interesuar, siç mund të shprehesha ndryshe), por edhe si një “good citizenship” duke folur me termat e vetë draftit.
“…Unë besoj që më shumë se sa për paratë, më shumë se sa për mjediset, më shumë se sa për shumë reforma të tjera, shumë të rëndësishme, arsimi shqiptar ka nevojë për liri. Shkolla shqiptare ka nevojë për liri. Universiteti ka nevojë për liri. Në Universitetin publik shqiptar, sidomos, mungon liria. Aty ku mungon liria është pastaj e natyrshme që të ndeshesh me deformime dhe me sëmundje nga më të ndryshmet dhe nga më të rëndat.”.
Këto nuk janë fjalët e mia, por pjesa hyrëse e fjalimit të Z. Edi Rama në tryezën për Rilindjen e Arsimit në nëntor të vitit 2012 (http://www.ps.al/te-reja/liri-konkurrence-e-merite-per-rilindjen-e-arsimit-22-11-2012/).
Në këtë këndvështrim, vetë ky proces i reformimit të arsimit të lartë cenon lirinë e pretenduar, autonominë, sepse gjithë procesi është mbështetur në parime të gatshme të hedhura në tryezë nga politika, duke e bërë këtë proces krejt të centralizuar. Komisioni ka punuar mbi parime të gatshme, ndërkohë që një proces i lirë do të ishte që parimet e reformës të dilnin nga vetë universiteti, dhe kryesisht të dy komuniteteve kryesore: trupa pedagogjike dhe studentët.
Drafti i reformës që na është paraqitur mbart në vetvete defekte serioze, si të karakterit akademik, (për shembull mungojnë referencat, shpeshherë duket sikur nuk janë akademikë që bëjnë përgjithësime, por sikur janë përfaqësues me përvojë të Ministrisë së Financave: “Premisa e parë për ndryshimin e sistemit tonë universitar, gjithnjë nën këndvështrimin e mundësive financiare që ka aktualisht ky sistem, është pamundësia e shtetit/buxhetit për të financuar dhe mbështetur arsimin e lartë në nivelet që kërkojnë standardet dhe cilësia bashkëkohore.” drafti faqe 30), në mënyrën e shtruarjes dhe gjuhës së përdorur, duket sikur edhe vetë anëtarët e komisionit nuk e kanë lexuar më kujdes draftin e shtypur, dhe mbi të gjitha në vetë kontradiktat që mbart drafti, si në lidhje me pavarësinë, shëndoshja në tre vite e sistemit, kredia studentore, etj. Në këtë proces reformimi, që duhet të jetë shumë i pjekur dhe i kujdesshëm, me sa duket, ka shumë ngut. Synohet të shëndoshet Arsimi i Lartë në një periudhë 3-5 vjeçare, për një sëmundje që ka të paktën 20 vjet që përparon nga dita në ditë. Nëse nuk është aventurë, është papjekuri, apo edhe më keq akoma, është mashtrim, sepse kurrsesi nuk mund të jetë mrekulli.
Në këtë draft nëse shikojmë analizën e problematikës dhe gjendjes aktuale të IAL-ve duket shumë qartë se nota nuk është kaluese, madje shumë larg saj. Universitetet kanë ngelur në klasë, si në aspektin e mësimdhënies, po ashtu edhe në atë të kërkimit shkencor. Po kush është përgjegjës për këtë? Vetëm universiteti, apo edhe shteti?! Shteti ka financuar universitetin publik vetëm për pagat e punonjësve, ndërsa pjesa tjetër është mbuluar nga tarifat e studentëve, dhe kjo nuk është një vlerë e vogël, për shembull për universitetin e Tiranës është rreth 40%, dhe të gjitha këto kanë shkuar kryesisht për pagesën e pedagogëve të jashtëm dhe orëve mbi ngarkesën mësimore, investime infrastrukture, për t’iu përgjigjur masivizimit të imponuar, dhe pothuajse fare për kërkim shkencor. Universiteti është ngelës, dhe përgjegjës për këtë është padyshim edhe shteti, jo vetëm me mosfinancimin e universitetit publik, por edhe me imponimin e kuotave, që kanë çuar në masivizim të skajshëm në dëm të cilësisë, me cenimin e autonomisë së universitete, me mbështetjen e politikës ndaj burokracisë; dhe shteti në këtë draft reformë synon një braktisje të fundit të universitetit publik, duke e çuar drejt një pavarësie të plotë, por që edhe kjo është një kontradiktë e draftit, sepse shteti me agjencitë financuese të tij do ndikojë fortë në lirinë e universiteteve. Universitetet publike nuk mund të jenë të pavarura, ose nëse do jenë të pavarura, do jenë për të shkatërruar veten e tyre.
Nëse në vendet perëndimore Arsimi i Lartë financohet në masën 1-3% (sipas draftit), vendin tonë kjo vlerë është 0.5%. Në draft jepet si argument që edhe në vendet perëndimore ka vështirësi, por problemi në Shqipëri qëndron në faktin se vështirësia fillon shumë më herët se sa 1-3%. A nuk duhej që fillimisht të arrihej në këtë përqindje të financimit dhe pastaj të shikohej për mundësi të tjera?
Në draft në disa raste shprehet se do të ketë në mënyrë të pashmangshme rritje të tarifave,ndërkohë në draft thuhen edhe të pavërteta (si për shembull: “Pagesat e studentëve. Deri tani këto pagesa kanë qenë minimale dhe si të tilla nuk janë bërë një përqindje e konsiderueshme e të ardhurave të universiteteve publike.” drafti faqe 33). Ndërsa sot, realisht, tarifat e masterave janë në koston reale të shërbimit që ofrohet. Në draft thuhet që shteti do ndihmojë studentët që e kanë të pamundur të ndjekin universitetin për shkak të pamundësisë financiare, por nuk jepen hollësi se cili është pragu i kësaj pamundësie, kujtojmë këtu që ndihma ekonomike për familjet në nevojë sot është vetëm 6000 lekë në muaj. Bëhet fjalë për këto kategori që do ndihmohen nga shteti, apo edhe më gjerë? Nga një përshtypje e përgjithshme edhe sot një masë mjaft e gjerë e popullsisë (edhe shtresa e mesme?!), pavarësisht se formalisht nuk konsiderohet e varfër, është në vështirësi të mëdha për të përballuar koston e jetesës, ushqim, strehim, shëndet, arsim, kulturë dhe argëtim.
Në draft përmendet kredia studentore si model suksesi, por nuk thuhet që ky model është tërësisht i dështuar në vendet ku aplikohet, mbi të gjitha sepse diplomon një borxhli ndaj sistemit, duke e bërë të varur në të ardhmen e tij, duke shkelur rëndë në formimin e njeriut të lirë me përgjegjësi qytetare universale.
Me zbatimin e këtij drafti universiteteve aktualisht të forta u jepet mundësia të forcohen edhe më tej, ndërsa ato të dobëta të dobësohen edhe më tej, sepse financimi do mbështetet tek konkurrenca. Ndërkohë që, shteti në këtë fazë mund të përpiqej më tepër për të financuar këto universitete të dobësuara, përkundrazi i braktis ato, dhe shkon dhe financon universitetet e tipit fondacion që rrjedhin kryesisht nga një e shkuar piramidale në aspektin financiar, nga një e shkuar e errët në cilësinë e diplomave dhe pa asnjë kontribut shkencor.
Nëse vërtet duhet diskutuar për draftin duhet folur për vizionin afatgjatë, sepse në draft është futur një periudhë 3-5 vjet, që më tepër ngjan si karrem, për të gëlltitur reformën si të tërë.
Në reformë thuhet se është marrë parasysh edhe realiteti shqiptar, krahas propozimit të një modeli anglo-sakson. Por pyetja që shtrohet është se cili realitet shqiptar është marrë parasysh? Mos vallë realiteti që diplomoret private me pangopësinë karakteristike të biznesit dhe nuhatjen e thellë për të ardhmen e tyre, e shikojnë vetën të rrezikuar, nëse nuk financohen nga taksat e përbashkëta?
Në draft nuk flitet për studentin në mënyrë të qenësishme, fjala student përmendet shpeshherë pranë fjalës tarifë, financim, përqindje, euro, numër, konkurrencë. Ndërkohë që janë përjashtuar studentët nga këshillat dhe senatet.
Përfundimisht kjo reformë e thellë nuk mund të përparojë, së pari edhe sepse është e thellë, duke përbërë kështu një rrezik shumë të madh për dështim. Ajo që na duhet janë hapa të vegjël për të sjelle lirinë, autonominë në universitet, eliminimin e burokracisë, hapjen e një debati të pandërprerë për idenë e universitetit nga trupa pedagogjike dhe studentët, fillimisht për të realizuar një reformim të brendshëm si rezultat i vendimmarrjeve kolegjiale dhe gjithëpërfshirëse.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.