Ra ky mort e u pamë

/Redi Muçi/

Virusi Covid-19 rrezikon mbarë botën siç nuk ka ndodhur më parë ndër shumë breza. Por përveç vdekjes, virusi rrezikon të nxjerrë në pah fytyrën e përbindshme të sistemit ekonomik.

Ismail Kadareja e titulloi kështu librin me ese mbi luftën e Kosovës. Tashmë një tjetër luftë ka kapluar mbarë globin, e cila po na detyron përsëri ta vështrojmë njëri-tjetrin në sy. Lufta e Kosovës na përballi me refugjatët kosovarë që kishin nevojë për derën e hapur. Lufta me virusin po na përball me natyrën tonë çnjerëzore.

Në një vend me një sistem shëndetësor të rrënuar si ky i yni, e vetmja masë e mundshme që mund të ndërmerret është vetizolimi. Ata 857 mjekë që janë larguar nga ky vend në pesë vitet e fundit, kontributin që po japin sot në një në vend të huaj, afërmendsh do të dëshironin ta jepnin në këtë vend, për bashkëkombasit, të afërmit dhe familjarët e tyre. Por qeveria e miliarda eurove koncensione në shëndetësi,  të vetmen gjë që mund të bëjë tanimë është të imponojë shtetrrethimin.

Absurdi i situatës është se ndërsa i bëhet thirrje popullit që të strehohet në shtëpi, detyrohen punëtorët të vazhdojnë të shkojnë në punë, pa bërë asnjë analizë të kushteve të punës, mundësive të përhapjes së infeksionit, kapaciteteve mjekësore në një situatë që del nga kontrolli etj. Nga njëra anë karantinimi, nga ana tjetër me qindra punëtorë që hyjnë së bashku në çdo minierë, fasoneri e call center.

Por absurdin më të madh në këtë mesele e përfaqësojnë ata që bërtasin, me në krye kryeministrin, se nuk mund të paralizohet prodhimi, se nuk mund të jetohet pa punuar, se po s’punuan ata s’kemi çfarë të hamë ne që rrimë në shtëpi. S’ka rëndësi nëse punëtorët nuk prodhojnë bukë, por këpucë. S’ka rëndësi nëse nuk nxjerrin gjalp, por krom. Madje nuk ka rëndësi as nëse shesin ajër përmes telefonit nëpër vendet fqinje që ashtu si ne i ka zënë gjëma. Mjafton që ingranazhi të jetë në lëvizje. Mjafton të gjenerohet fitim. Mjafton të justifikohen ato rroga mjerane për të cilat pështyhet gjak.

Punëtorët në Shqipëri e rrezikojnë jetën përditë. Ata rrezikojnë të varrosen për së gjalli në minierat e kromit. Rrezikojnë të rrëzohen nga skelat e larta të ndërtimit. Rrezikojnë të helmohen nga gazrat e fabrikave fasone. Rrezikojnë t’u priten duar e këmbë, të gjymtohen e të sakatohen.

Madje ata rrezikohen nga një gjëmë e përbashkët, më e madhe se gjithë të tjerat: uria. “Si mund ta trembësh një njeri që urinë nuk e mban vetëm në stomakun e tij të rrudhur, por edhe në barqet e zbrazëta të fëmijëve të tij? Nuk mund ta trembësh – ai ka parë një frikë përtej çdo frike tjetër.” – shkruan Xhon Stajnbeku te “Vilet e Zemërimit”.  Aq të rrezikuar janë ata nga uria, saqë pranojnë të punojnë edhe pa pagë, por vetëm me premtimin se një ditë do ta marrin hakun e djersës së tyre. Frika se mund të humbasin vendin e punës i bën të zgjedhin të jetojnë me listat e dyqaneve ushqimore, në vend se të kërkojnë atë që u takon.

Megjithatë ka nga ata që flasin për parazitizëm. Nga ata që boshtin moral ua mban drejt shfrytëzimi kafshëror i të tjerëve në punë, pavarësisht pasojave. Edhe në kohë pandemie. Edhe nga rehatia e kolltuqeve të karantinave të tyre.

Rreziku në këtë rast nuk është thjesht i punëtorëve, por mbarëshoqëror. Në momentin që shkruaj lexoj në ekranin e kompjuterit se 793 vetë kanë vdekur në Itali në 24 orët e fundit. 793 të vdekur në 24 orë është një fakt që mendja e ka të vështirë ta rrokë. E cila nuk bën sens në botën tonë të bollëkut, konsumit dhe civilizimit. E megjithatë, zona e Lombardisë në të cilën po shpërfaqet gjëma nuk e ka mbyllur aktivitetin e fabrikave, me gjithë reagimin e sindikatave. 2857 të tjerë janë në gjendje kritike, çka i lë vend mendimit të kobshëm se në ditët në vijim numri i të vdekurve mund të shkojë në mijëra.

Po bëhet përditë e më e qartë se mjekët të cilët po lëvdohen si heronj, në fakt po mashtrohen mbrapa krahëve.  Në një sistem mjekësor të paralizuar, të përmbytur nga fluksi i të sëmurëve, i cili nxjerr përditë nga sallat e reanimacionit të vdekur në shkallë industriale, a ka kuptim t’u kërkosh mjekëve të sakrifikohen fizikisht dhe mendërisht teksa mbahet ndezur gjeneratori i infeksionit: zinxhiri i prodhimit? Zinxhiri i prodhimit të fitimeve dhe të vdekjes.

Ky është sistem ekonomik i cili nuk mund të shkëputet nga priza – jo vetëm për të ngadalësuar katastrofën natyrore që ka gjeneruar, por as për hir të krijimit të hapësirës për frymëmarrje, metaforikisht dhe literalisht. A nuk ka diçka që nuk shkon me këtë sistem? Diçka thellësisht të gabuar? A bën sens të vrapojmë teksa po pështyjmë gjak? Për ku është nisur ky turavrap? Drejt ç’parajse të së ardhmes po rendim si të harbuar? A ka njeri me dy mend në kokë që mund ta arsyetojë?

Ne jemi kolektivisht të paaftë të imagjinojmë një botë në të cilën mund të ndalet përkohësisht mekanizmi i gjenerimit të fitimeve për oligarkët; për ata që i fshehin pasuritë nëpër parajsa fiskale që të mos paguajnë ato taksa me të cilat do të mund të financohej sistemi shëndetësor.

Jemi kolektivisht të paaftë të imagjinojmë një botë në të cilën gjatë një emergjence të tillë, kur po shfarosen eksponecialisht mijëra njerëz, të gjitha kapacitetet intelektuale dhe fizike t’i orientojë drejt luftimit të virusit.

Liderët e botës së begatë – fizike dhe metafizike – bëjnë thirrje që të ulemi të gjithë së bashku në gjunjë për t’iu lutur hyjnive, por askush nuk bëzan për rritjen e taksimit për miliarderët e këtij globi – të paktë në numër, por të pallogaritshëm në numra – që do bënte të mundur karantinimin e miliona njerëzve që rrezikojnë të infektohen për shkak se nuk e kanë luksin të mungojnë një ditë nga puna.

Ne mund të imagjinojmë edhe zhdukjen e species njerëzore nga planeti Tokë, vetëm rrota e kapitalizmit nuk mundet assesi të ndalet.

Ra ky mort e u pamë. Por pas këtij morti, asgjë s’ka për të qenë si më parë.

Imazhi: Sebastiao Salgado – Workers

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.