Qëndrim ndaj procesit të reformimit dhe projektligjit të arsimit të lartë

/Lëvizja Për Universitetin/ Ne aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin, të angazhuar prej më se një viti në hulumtimin e kritikën ndaj procesit qeveritar të ristrukturimit të arsimit të lartë si edhe në organizimin e formave të larmishme të rezistencës, gjykojmë se si procesi, ashtu edhe përmbajtja e dy draftreformave dhe tre projektligjeve janë tërësisht ilegjitime dhe me efekte shkatërrimtare për jetën universitare publike. Për më tepër ky proces bart damkën e shëmtuar të ndikimit të lobeve të fuqishme ekonomikisht dhe mediatikisht të universiteteve private.   Historia Reforma në fjalë është përshtatje në kushtet shqiptare e eksperimentit të dështuar të diktaturës së gjeneralit kilian Pinoçet në vitet ’70 të shekullit të kaluar që fuste për herë të parë konkurrencën e universiteteve private dhe publike për fondet shtetërore. Prej vitit të ardhshëm, për shkak të rezistencës masive dhjetëvjeçare të studentëve, sistemi universitar kilian do t’i kthehet publikut duke u garantuar falas nga shteti. Në Shqipëri një reformë e tillë ka një histori tentativash të dështuara nga qeveria e kaluar, përkatësisht draftreformat e vitit 2010 (Green Paper) dhe 2012 (Plani i Veprimit Kuadër). Në këtë kuptim, reforma e qeverisë aktuale, ndryshe nga ç’pretendohet, nuk është hop cilësor krahasuar me të shkuarën, por vazhdim besnik i hapave shkatërrimtare të qeverisë së shkuar.   Parime të përgjithshme Në vend që të reformohet mënyra e qeverisjes dhe modeli i zhvillimit ekonomik nga kontributet e universitarëve, reformohet jeta universitare nga burokracia shtetërore dhe lobizmi privat. Ky reformim shkatërrimtar dëfton tërthorazi edhe katandisjen e jetës universitare publike. Në kushte të tjera, asnjë qeveri nuk do të guxonte të ndërmerrte një reformë të tillë. Ndjekja e të gjitha shkallëve të arsimit duhet të konsiderohet e drejtë shoqërore themelore ku përparësi ka kontributi në emancipimin e shoqërisë. Nëse pretendohet se arsimimi universitar nuk i shërben vetëm shoqërisë, por edhe individit, e njëjta logjikë vlen edhe për arsimin fillor. Të diturit shkrim e këndim nuk prodhon vetëm një qytetar të edukuar, por edhe një inxhinier të ardhshëm. Nëse ngrihet shqetësimi se pse shteti duhet të subvencionojë edhe arsimimin e studentëve nga familjet e pasura, përgjigjja mund të gjendet në idenë se për kompensim shteti duhet të taksonte më shumë prindërit e pasur të këtyre studentëve. Mjafton që shteti të rivendosë tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) për arsimin universitar privat (të hequr në vitin 2009 me propozim të asokohshëm të Partisë Socialiste në opozitë dhe me miratim të qeverisë së Partisë Demokratike) dhe të rrisë tatimet mbi fitimet e pronarët e universiteteve private dhe, kësisoj, do ta justifikonte edhe tarifimin më të ulët të fëmijëve të këtyre pronarëve që zgjedhin të ndjekin arsimin publik.   Procesi i hartimit të reformës Komisioni është ilegjitim nga pikëpamja e universitarëve. Ai është emëruar nga kryeministri dhe i përgjigjet atij dhe jo universitarëve. Komisioni ka punuar mbi parime të paracaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, pra ka bërë punë teknike dhe jo kritike e konceptuale. Liria akademike nuk i pranon parakushtet dhe paravendosjen e parimeve. Komisioni duhet të riformohet nga sekretarë që shkojnë fakultet më fakultet dhe mbledhin e sintetizojnë disa herë rresht pikëpamjet e universitarëve për reformimin e arsimit të lartë.   Organizimi Jeta universitare publike vendoset në kontroll shtetëror, ku spikasin jo vetëm agjencitë burokratike qeveritare që do të përcaktojnë edhe kriteret e kërkimit shkencor dhe të cilësisë akademike, por edhe Bordi i Administrimit si organi më i lartë administrativ i universiteteve publike. Bordi Administrativ ka fuqi vetoje për krejt financimin dhe një pjesë të konsiderueshme të administrimit të jetës universitare publike. Në pothuajse të gjitha universitetet publike, shumicën e këtij bordi do ta përbëjnë përfaqësuesit e qeverisë  (raporti 4 me 3 për qeverinë). Që ky raport të përmbyset, universiteteve publike u kërkohet të nxjerrin vetë shumicën e fondeve, çka do të kërkonte tregtarizim të jetës universitare dhe rritje edhe më të papërballueshme tarifash për studentët. Autonomia e propozuar nga qeveria është ajo e një ndërmarrjeje tregtare që duhet t’i gjejë vetë fondet, çka do të vinte në rrezik lirinë akademike që nuk kërcënohet vetëm nga burokratizimi shtetëror, por edhe nga kolonizimi i kapriçove të tregut dhe i përfaqësuesve të tij.   Financimi Financohen universitetet private drejtpërdrejt në kërkimin shkencor dhe me bursat e ekselencës. Këto të fundit mund t’i nxisin universitetet që në kushte konkurrence, për të përfituar fonde, të premtojnë nota të larta. Risia ligjore e universiteteve publike të pavarura, hallkë e ndërmjetme midis universiteteve publike dhe private, u jep mundësi universiteteve private që. në kushte mungese të theksuar kontrolli ligjshmërie. të kamuflohen si të tilla dhe të kenë të njëjtat të drejta për të konkurruar për të gjitha fondet shtetërore që u shkojnë universiteteve publike. Vetë qeveria mendon se sistemi i drejtësisë është i pabesueshëm ngase i korruptuar. Qeveria është e dyshuar ngaherë si e kapur prej ndikimeve lobiste. Këtë ligj e kanë lobuar publikisht prej vitesh një pjesë e pronarëve dhe stafeve pedagogjike të universiteteve private. Logjikisht qeveria do të financojë tërthorazi sipërmarrjet universitare private. Këtë ne e quajmë socializëm për të pasurit. Konkurrimi midis universiteteve publike dhe këtyre të fundit dhe universiteteve publikeve të pavarura (privatët e kamufluar) do të prodhojë një situatë ku universitetet më të dobëta do të financohen më pak dhe, për pasojë, do të kenë tarifa më të larta studimi. Këtu gjendet paradoksi i një universiteti të keq dhe të shtrenjtë që sipas logjikës ekonomike konkurrenciale do të çojë në mbylljen e tyre si të ishin ndërmarrje të falimentuara. Kësisoj qeveria në vend që t’u kërkojë llogari drejtuesve universitarë për cilësinë e studimeve, do t’i shtyjë universitetet publike, bazuar më shumë në kritere jashtakademike, drejt falimentimit ekonomik dhe mbylljes. Kushtëzimi i financimit të universiteteve publike nga matja e cilësisë (jo vetëm të kërkimit shkencor, por edhe të mësimdhënies), mund t’i shtyjë studentët si vlerësues të mësimdhënies të gënjejnë në pyetësorë duke pasur parasysh faktin se sa më mirë të dalë universiteti i tyre në renditje, aq më shumë fonde shtetërore do të përfitojë e, rrjedhimisht, aq më e ulët do të jetë tarifa e tyre. Kësisoj e ardhmja e universiteteve publike do të jetë e tashmja e universiteteve private: Mburrje dhe reklamim agresiv në vend të vetëkritikës. Ulja e pritshme e financimit shtetëror për universitetet publike (nga konkurrenca e publikeve të pavarura) do të kërkojë rritjen e tarifave të studimit, çka jo vetëm do ta reduktojë edhe më dimensionin publik të arsimit, por njëkohësisht do të ngushtojë hendekun e tarifave midis tyre dhe privatëve duke u shërbyer konkurrueshëm këtyre të fundit. Kësisoj jeta universitare do të kthehet përfundimisht në kalcifikuese të hendekut klasor, të cilën do të mund ta përballojnë vetëm shtresat e privilegjuara dhe të paprivilegjuarit mjaftueshëm aventurierë për të hyrë në borxhe. Rritjes edhe më të madhe të tarifave, qeveria premton se do t’i përgjigjet duke dhënë bursa për studentët e varfër dhe të merituar. Mirëpo pa përkufizuar pragun e varfërisë, një premtim i tillë është spekulativ. Nëse do të financoheshin të gjithë studentët që janë relativisht në nevojë, shkollimi universitar do të duhej të ishte falas për pjesën dërrmuese të tyre. Nëse bursat u premtohen vetëm atyre në varfëri të skajshme, atëherë prej tyre do të përfitojë pakkush ose askush meqenëse të tillë të varfër shtrëngohen ta lënë shkollën shumë herët. Rritjes edhe më të madhe të tarifave, qeveria do t’i përgjigjet duke u mundësuar studentëve të pamundur kredi bankare. Me këtë rast, përveçse do t’i zhysë studentët në borxhe të pashlyeshme në kushtet e papunësisë së madhe apo keqpunësimit rinor, qeveria do të financojë indirekt edhe bankat private duke dalë garante e pagesës së interesave të borxhit. Sikur interesat që do t’u paguante këtyre bankave t’i hidhte drejtpërdrejt në arsimin publik, cilësia e këtij të fundit do të rritej. Ulja e pritshme e financimit shtetëror për universitetet publike (nga konkurrenca e publikeve të pavarura) do të kërkojë ristrukturimin e tyre në ndërmarrje me karakter gjithnjë e më të madh tregtar. Për të mbijetuar dhe rritur të ardhurat e tyre, universitetet publike do të shtrëngohen jo vetëm të komercializojnë kërkimin shkencor dhe kurrikulat, por edhe të kryejnë veprimtari fitimprurëse jashtakademike si reklamat, dhënia me qira e mjediseve etj.   Të drejtat studentore Pjesëmarrja studentore në vendimmarrjen universitare reduktohet. Praktikisht studentët s’do të kenë më ndikim vendimmarrës. Megjithëse ndryshe nga projektet e mëparshme ku studentët përjashtoheshin tërësisht nga vendimmarrja universitare, në projektligjin e fundit është rikthyer e drejta studentore në zgjedhjet për dekanët dhe rektorët, përqindja e lejuar (10% e votave në zgjedhjen e dekanëve dhe rektorëve) është jo vetëm e papeshë në raport me të tërën dhe numrin e studentëve, por edhe më e ulët se niveli aktual i të drejtave të tyre zgjedhëse (20%). Studentët duhet të kenë 50% të të drejtave si bashkëthemelues të trupit të universitarëve. Sa më e gjerë trupa zgjedhëse, aq më e pakompromentueshme nga ndikimi abuziv i qeverisë apo i burokratëve në fuqi.   Universiteti që duam Proces demokratiko-universitar reformimi: Reformimi i jetës dhe strukturës universitare është domosdoshmëri. Prandaj ne propozojmë që reforma të kthehet aty ku i takon, tek universitarët. Qeveria duhet të ketë të drejtën e emërimit të një komisioni sekretarësh me kompetenca vetëm teknike që duhet të mbledhë sugjerimet e studentëve dhe pedagogëve si individualisht, ashtu edhe të organizuar në bazë fakultetesh dhe universitetesh. Përfaqësuesit e universiteteve private duhet të përjashtohen nga çdo diskutim në lidhje me mënyrën e financimit. Ulje progresive e tarifave deri në arsimim publik falas pas disa viteve. Mbështetje në rritje buxhetore për përballimin e kushteve të jetesës dhe të studimit të studentëve, shumica e të cilëve përballen me vështirësi të mezikapërcyeshme. Diçka e tillë do ta bënte universitetin përfundimisht jopërjashtues në terma ekonomikë. Përfshirje intensive e studentëve dhe organizimeve të tyre në mbarëvajtjen e jetës universitare. Demokratizim i jetës universitare. Drejtuesit të kenë detyrimin të raportojnë dhe të mbajnë shënim kritikat e asambleve të pedagogëve dhe studentëve disa herë në vit. Këta të fundit duhet të kenë të drejtën që t’ua revokojnë drejtuesve të zgjedhur mandatin përpara afatit. Rritje të llogaridhënies së universitarëve ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj shoqërisë. Regjistrim dhe publikim i një pjese të leksioneve të pedagogëve për publikun e gjerë. Regjistrim dhe publikim i të gjitha aktiviteteve shkencore në universitete. Llogaridhënie financiare ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe transparencë financiare. Pavarësi nga qeveria dhe lobistët privatë, ndërvarësi nga shoqëria (grupet e organizuara të saj). Diskutimi intensiv me grupet shoqërore do ta rriste ndikimin e universitarëve në ristrukturimin e marrëdhënieve dhe institucioneve shoqërore dhe politike dhe, nga ana tjetër, do të fuste brenda jetës universitare kontributet më të mira të shoqërisë.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.