Puna nga shtëpia

/Mirela Ruko/

Dikur të punuarit në shtëpi ishte  mundësi vetëm për një pjesë të vogël të punëtorëve, në varësi të sektorit, procesit apo pozicionit të punës. Sot të punuarit prej shtëpisë është në qendër të vëmendjes pasi është alternativa e propozuar ndaj rrezikut të të punuarit në ambiente të përbashkëta. Kufizimi i këtij propozimi qëndron në faktin se mund të realizohet në vetëm ata sektorë ku është e mundur zhvendosja fizike e mjeteve të punës prej zyrave në hapësirat private të punëtorëve.

Kjo mund të cilësohet si një nga masat që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së COVID-19, por rreth kësaj mund të ngrihen disa pyetje: Si po kryhet ky proces? Si do të ndikojë një masë e tillë në jetën e punëtorëve në terma afatgjatë?’

Duhet pranuar fillimisht se jo të gjitha kompanitë e kanë pasur infrastrukturën për të mundësuar transferimin e punës. Gjithashtu, të gjendura tërësisht të papërgatitura për shkak të hapësirave të vogla apo pamundësive të tjera, që lidhen kryesisht me higjienën në vendin e punës (mungesa e tualeteve, lavamanëve, kufjeve personale etj.), atyre u është dashur të mbyllin aktivitetin dhe të lënë shumë punëtorë pa punë dhe pa pagë. Kjo nuk vjen për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, por prej moszbatimit të rregullave bazë të higjienës dhe hapësirës që më herët, të cilat përcaktohen në Kodin e Punës. Mënyrën se si kanë arritur këto biznese të marrin licencë për ushtrim aktiviteti apo të kalojnë me sukses inspektimet e Inspektoratit të Punës mund të imagjinohet kollaj.

Në pamundësi të përdorimit të transportit publik dhe mjeteve private të transportit, apo rrezikut të infektimit brenda vendit të punës duke e kaluar atë te pjesëtarët e tjerë të familjes, punëtorët sektorit të qendrave të kontaktit – call center (sektor ku aktualisht një pjesë e konsiderueshme e punës po bëhet nga shtëpia) shprehen se kjo ishte një masë e nevojshme.

Ndërkohë kur flet me punëtorët e ngelur nëpër zyra po në këtë sektor, ata kanë paqartësi se pse atyre nuk u është dhënë mundësia e transferimit të punës nëpër shtëpi. Rastet tregojnë që ka kompani që kanë mbajtur në zyrë pikërisht ata punëtorë që janë treguar “rebelë”. Këtu nënkuptojmë ata që janë organizuar sindikalisht ose kanë kundërshtuar vendimet e padrejta në gjykimin e tyre të marra në vendin e punës. Për të reduktuar numrin e punëtorëve, kompanitë e qendrave të kontaktit u kanë kërkuar këtyre të fundit të japin dorëheqjen, me premtimin se do t’i marrin sërish në punë nëse do t’u jepet mundësia. Punëtorët që kanë kundërshtuar këtë vendim janë detyruar të punojnë nga zyra. Pra të punosh nga zyra është një mënyrë ndëshkimi!

Nga ana tjetër, tashmë shpenzimet operative të këtyre kompanive janë ulur. Për to pandemi do të thotë më pak shpenzime për: energji elektrike, ujë, internet, transport, qira etj; gjë e cila mund të ndikojë në të ardhmen te politikat e tyre të brendshme për organizimin e punës.

Të punosh nga shtëpia ndryshon ndjeshëm përditshmërinë. Fillimisht lind nevoja e përshtatjes së hapësirës së shtëpisë në një mjedis pune. Kjo nuk është e mundur për të gjithë punëtorët sepse në pjesën më të madhe shtëpitë e tyre janë tepër të vogla dhe modeste. Ndërkohë nevoja për internet me shpejtësi të lartë dhe mosmbulimi i këtij shërbimi në zona të caktuara ka ndikuar që punëtorët të humbasin punën. Ndërsa punëtorët që kanë arritur të përmbushin kriteret e sipërpërmendura po përballen me:

  1. Turnet, jo në të gjitha rastet janë si turnet normale të kryera brenda zyrave të punës. Ndonjëherë punëtorët futen në punë gjatë fluksit të lartë të telefonatave dhe për rrjedhojë nuk ka më një ndarje mes kohës së punës dhe kohës së lirë.
  2. Shkurtimet nga puna të një pjese të punëtorëve nga ana e kompanive për të ulur shpenzimet kanë ndikuar në rritjen e intensitetit të punës te pjesa e ngelur e punëtorëve. Kjo lidhet edhe me shërbimin e klientit që ofron masivisht sektori i qendrave të kontaktit në Shqipëri, kërkesa për të cilin është rritur.
  3. Në varësi të kompanive, orët shtesë nuk vlerësohen njëlloj. Diku orët shtesë trajtohen si të tilla dhe diku tjetër paguhen si orë normale pune.
  4. Puna në këtë sektor paguhet në varësi të orëve të punës që një punëtor kryen në një muaj. Nisur nga nevoja për më shumë të ardhura, mesatarja e orëve javore po shkon në rritje duke thyer edhe rregullat e Kodit të Punës.

Përtej këtyre problemeve, mos ndoshta, në një mënyrë të heshtur kemi hyrë në një proces të transferimit të përhershëm të punës në shtëpi? A mos ndoshta punëtorët, pa e kuptuar, po rrezikojnë të bien në grackë dhe po humbasin një nga elementët e tyre më dallues: kolektivitetin?

Për ta reduktuar disi kritikën, mund të përmendet që ky proces nuk po ndodh në vetvete si i tillë, por i shtyrë dhe i justifikuar nga faktorë të jashtëm. Puna nga shtëpia shkakton që punëtorët të humbasin kontaktet me njëri-tjetrin dhe të tërhiqen në individualitet. Marrëdhëniet e vjetra rrezikojnë të shuhen, ndërsa të rejat të mos krijohen. Po të imagjinojmë një punëtor të ri që fillon punë në një qendër kontakti, do të imagjinonim një njeri që nuk njeh askënd nga kolegët e tij, nuk i ka parë kurrë ata, nuk e di sa janë dhe kush janë dhe nuk ka asnjë lloj ndërveprimi. Po përse nevojitet që punëtorët ta njohin njeri-tjetrin? Jo vetëm sepse njeriu është qenie sociale, i cili zhvillohet nëpërmjet ndërveprimit me të tjerët, por edhe sepse rëndësinë e tij mund ta shohim te gjuha. Ne kurrë nuk do të kishim mësuar këtë botëkuptim vlerash dhe simbolesh nëse nuk do të kishim vullnetin për ndërveprim. Kontradiktës mes punëtorëve dhe pronarëve mund t’i jepet zgjidhje vetëm kolektivisht. Kjo do të thotë se punëtorët duhet të organizohen dhe mosnjohja midis tyre, mosperceptimi i problemit si i përbashkët, vetëm sa e vështirëson këtë proces. Historia e organizimit të punëtorëve na ka treguar se edhe në rrethana të tilla ata janë organizuar.

Deri më sot mund të thuhet se ambientet e përbashkëta të punës kanë shërbyer për ndërgjegjësimin e punëtorëve mbi fuqinë e tyre. Por kjo është një sfidë e re përmes së cilës punëtorët, sidomos ata të sektorit të qendrave të kontaktit, do duhet të kalojnë në të ardhmen.

Imazhi: Mit Sloan

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.