Marks në kohë pandemie

/Arlind Qori/

Si pardje 202 vjet më parë në qytetin Trier në skajin perëndimor të Gjermanisë lindi Karl Marksi. Zor se ka teoricien për të cilin është shkruar më shumë dhe me siguri deri më sot nuk ka ndodhur që vepra e një autori t’u japë jetë shkollave të mendimit në disiplina kaq të larmishme si filozofia, ekonomia, politologjia, historiografia, sociologjia, antropologjia, teoria e letërsisë, gjeografia humane etj. Radhët në vijim nuk kanë për synim të përmbledhin a analizojnë në mënyrë shteruese idetë e Marksit, por vetëm të sjellin në vëmendje se si këta muaj pandemie na ftojnë të përdorim një pjesë të bagazhit konceptual marksiste për t’u orientuar intelektualisht dhe praktikisht.

Ta themi troç: Marksi nuk ka qenë kurrë më aktual se sot. Gërshetimi i emergjencës shëndetësore me krizën ekonomike po i përligj tezat kryesore të kritikës së tij të ekonomisë politike edhe në sytë e kundërshtarëve të tij më të ashpër, të cilët kanë vënë re në panik e sipër brishtësinë e një regjimi akumulimi dhe mënyre rregullimi si kapitalizmi.

Qysh herët, kur intelektualët ndaheshin në idhujtarë dhe refuzues dogmatikë të kapitalizmit, Marksi rroku motorin e zhvillimit të tij: akumulimin për hir të akumulimit. Ndryshe nga çdo mënyrë tjetër prodhimi – në të cilën prodhimi i tepricave ka për synim jetën luksoze të anëtarëve të klasës sunduese, kapitalizmi i akumulon tepricat (dhe fiton) për hir të fitimit. Forcat tallazitëse të konkurrencës i shtyjnë kapitalistët drejt riinvestimit të një pjese gjithnjë e më të madhe të fitimeve dhe përmirësimit të vazhdueshëm të teknologjisë së prodhimit. Mungesa e kontrollit të drejtpërdrejtë të shtetit shton pasigurinë dhe rrit nevojën për akumulimin për hir të akumulimit. Luksi i jetesës së kapitalistëve është vetëm efekt anësor i këtij procesi, por jo motori dhe synimi i tij.

Prodhimi për hir të fitimit nuk lë vend për plotësimin e nevojave të gjera shoqërore (si në kuptimin fiziologjik, ashtu edhe historik të tyre). Më saktë, ato mund të plotësohen pjesërisht vetëm nëse përputhen me logjikën e fitimit. Një nga kontradiktat më të forta të mënyrës kapitaliste të prodhimit është fakti se rritja e produktivitetit të punës nuk shoqërohet me rritje të mjaftueshme të fuqisë blerëse të punëtorit. Në raste të caktuara, paga e këtij të fundit është aq e ulët, saqë zor se mund t’i plotësojë të gjitha nevojat. Nevojat shoqërore mund të plotësohen vetëm nga ata që kanë para mjaftueshëm për të blerë mallrat e prodhuar në një ekonomi kapitaliste. Meqë qëllim është oferta aty ku ka kërkesë (aktuale ose potenciale), kapitalizmi nuk sjell plotësimin e nevojave shoqërore, por realizimin e dëshirave të atyre që kanë para mjaftueshëm për të blerë mallrat e prodhuar.

Ky bazament e shtrembëron strukturën produktive duke i dhënë përparësi prodhimit të gjithçkaje për të cilën ka kërkesë efektive – pavarësisht se malli i prodhuar mund të jetë mjet luksi a objekt kapriçoje. Nuk ka rëndësi se sa të nevojshme janë disa produkte dhe sa të shumtë janë njerëzit që kanë nevoja të tilla. Investimet dhe produktet do të orientohen andej nga dikton fuqia blerëse aktuale. Neoliberalët kanë qejf ta konsiderojnë tregun si një demokraci të drejtpërdrejtë permanente të konsumatorëve, të cilët përmes zgjedhjeve të tyre përcaktojnë se çfarë dhe sa do të prodhohet, por në fakt bëhet fjalë për një demokraci kuletash – ku më të thellat bëjnë ligjin në kurriz të të tjerave.

Për shembull mund të nevojiten investime në shkolla e spitale, por kapitali do të shkojë drejt kryqëzorëve turistikë; mund të nevojiten ilaçe për sëmundjet infektive e virale, por kapitali i kompanive farmaceutike do të shkojë drejt kremrave rinues që kërkohen nga të pasurit apo ajka ekonomike e klasës së mesme. Dhe vjen një ditë kur, anembanë botës, ka shumëçka që nuk na duhet dhe na mungojnë të mirat bazike shëndetësore dhe infrastrukturore për t’u përballur me emergjencën shëndetësore.

Madje, duke menduar avant la lettre  për marketingun, ai ishte i idesë se në kapitalizëm prodhimi nuk i përgjigjet thjesht kërkesës aktuale të konsumatorit për një mall, por e ndërton konsumatorin sipas imazhit të domosdoshmërisë produktive. “Jo vetëm sendi i konsumit, por edhe mënyra e të konsumuarit krijohet pra nga prodhimi, jo vetëm objektivisht, por edhe subjektivisht. Kështu, prodhimi krijon konsumatorin.” – shkruan si mesoburrë te Grundrisse-ja, prej të cilës mjerisht në shqip është botuar vetëm hyrja. Sa më sipër shpjegon edhe pse na “zgjohen” dëshira prej reklamave, duke harruar apo sakrifikuar për to nevojat tona. 

Kapitalizmi ngërthen anarkinë e tregut (çdo sipërmarrje vendos vetë se çfarë dhe sa do të prodhojë dhe është në kushte konkurrence me të tjerat) me despotizmin organizativ (brenda sipërmarrjes pronari ka pushtet absolut). Nevoja e karantinimit dhe distancimit fizik jo vetëm ka sjellë pezullimin e mjaft aktiviteteve ekonomike, por edhe ka nxjerrë në pah domosdoshmërinë e një lloj planifikimi ekonomik nga shteti. Anarkia e prodhimit ka bërë që sot në asnjë vend të botës të mos ketë mjaftueshëm ventilatorë, maska e të tjera elementë të infrastrukturës spitalore, për të mos përmendur numrin e pamjaftueshëm të mjekëve dhe infermierëve. Firmat planifikojnë vetëm në afatshkurtër dhe për interesat e veta, çka lë një boshllëk të madh i cili merr përmasa të frikshme në kohë pandemie.

Po anarkia është vetëm njëra anë e medaljes. Pronari është strukturalisht despot, edhe sikur së brendshmi të jetë njeri për së mbari. Në rast se ai nuk e shtrydh punëtorin së paku në nivelin mesatar të konkurrentëve të tij, së shpejti do të nxirret fishek nga tregu. Despotizmin e ndihmon edhe asimetria e fortë midis tij që blen fuqinë punëtore dhe punëtorit që është i detyruar ta shesë atë. Pronari mund të durojë më shumë pa lidhjen e kontratës së punës, ndërkohë që punëtori, i zhveshur nga mjetet e prodhimit dhe çfarëdo burimi ekonomik që do t’i siguronte jetë autonome, nuk mund të presë: ai veç sa mund të zgjedhë se cilit despot t’ia shesë fuqinë e vet punëtore. Edhe këtë të fundit në rastin më të mirë, kur papunësia është mjaft e ulët, ndërkohë që zakonisht punëtori duhet të ndihet fatlum se ka gjetur dikë që mund t’i japë privilegjin e të qenit i shfrytëzuar në punë. Kjo asimetri, e shoqëruar nga institucione publike tejet të varura nga oligarkët – si në rastin e Shqipërisë, i vendos punëtorët në kushte tejet të rrezikshme dhe të nëpërkëmbura pune. Ata duhet të zgjedhin midis dy rreziqeve për jetën: urisë dhe sëmundjes.  

Afërmendsh, shtetet moderne nuk bazohen te dhuna e lakuriqtë, por ndërtojnë sisteme ligjore për të rregulluar marrëdhëniet shoqërore. Po këtu, djaloshi nga Trieri, na mëson se nuk ka shtet të të gjithëve. Shteti ngrihet përmbi një realitet shoqëror klasor, ku njëra klasë ka monopolin e burimeve ekonomike dhe influencës politike. Shikoni se sa pabarazisht i trajton qeveria shqiptare të varfrit e punëtorët në njërin krah dhe oligarkët e biznesmenët e mëdhenj në tjetrin! Të parët janë grabitur e keqtrajtuar prej dekadash, ndërkohë që sot shumica syresh nuk mund të gëzojë as minimumin e minimumit jetik (pagën e luftës). Ndërkaq, të dytët – të majmur me privatizime, koncesione, PPP, madje edhe trajta fare vulgare korrupsioni – do të kenë privilegjin e të mospaguarit të taksave, marrjen e kredive pa interes, bile pa i kushtëzuar me mosheqjen e punëtorëve nga puna. As sot, kur kriza po na zë për fyti, qeveria shqiptare nuk mendon për shtimin e detyrimeve fiskale të oligarkëve apo shpronësimin e çfarëdo fitimi të paligjshëm.

Ligji, edhe në ekzistoftë, as ka ndërmend të hetojë origjinën shpeshherë kriminale të akumulimit të kapitalit, as karakterin permanent antiligjor të përdorimit të tij, por vetëm të sigurohet që masat e mjeranëve të mbushin burgjet dhe kronikat propagandistike.

Sidoqoftë orekset e atyre që ne i quajmë oligarkë janë të pangopshme. Ata nuk mjaftohen me kaq. Duan të përfitojnë sa më shumë nga kriza. Duan grante të ligjshme nga qeveria, të mos i paguajnë fare taksat, ujin e energjinë elektrike. Janë gati që, për të fituar verbërisht sot, të sharrojnë degën ku qëndrojnë prej kohësh. Ndaj ajo që duket si rezistencë e shtetit ndaj kërkesave të tyre më të pacipa, nuk është gjë tjetër përveç asaj që Marksi nisi të mendojë nga fundi i jetës së tij: shteti nuk është thjesht komitet qendror i mbrojtjes së interesave të klasës sunduese, por një tërësi institucionesh që kanë një farë autonomie nga klasa sunduese dhe përpiqen që, përmes politikave të ndrojtura rishpërndarëse, të krijojnë një minimum konsensusi dhe paqeje shoqërore. Vetëm kështu mund t’u shërbejnë interesave të përgjithshme dhe afatgjata të të verbërve në krye të ekonomisë.

Mendimi i urithit të bibliotekës së Muzeut Britanik na ndihmon edhe në kuptimin e ideologjisë së ditëve të sotme. Ideologji nuk quhet një sistem i çfarëdoshëm idesh politiko-shoqërore, por një tërësi vlerash, besimesh e përfytyrimesh që e fitojnë koherencën për shkak të funksionit që kryejnë: riprodhimit të marrëdhënieve shoqërore sunduese. Karakteristikë e ideologjisë është zhdukja e kontradiktave klasore nga përfytyrimi shoqëror. Në u imagjinofshin, ato konsiderohen produkt i konspiracioneve. Prandaj sidomos në këto ditë na e godasin mendjen me ide e imazhe të të qenit të gjithë në të njëjtën varkë, a thua se virusi i zhduku klasat. Në fakt kriza po i thellon pabarazitë – nga probabiliteti për t’u sëmurë dhe vdekur te falimentimi, papunësia dhe mjerimi që po troket.

Ideologjike është edhe tentativa e universalizimit të interesave të një klase. Interesat e klasës sunduese, pasi mbështillen e përthyhen brenda aparateve ideologjike, i paraqiten shoqërisë si të ishin interesa të përbashkëta e shprehëse të vullnetit të përgjithshëm. Në këtë kuptim interesi shoqëror u përcaktuaka nga interesi i më të pasurve të saj: “Ç’është e mirë për oligarkët, është e mirë edhe për shoqërinë.” – është nënteksti i çdo politike ekonomike.

Në fakt ideologjia nuk është një gënjeshtër e thjeshtë, por një e vërtetë e pjesshme e sforcuar. Oligarkët e kanë të lehtë të përmendin taksat që paguajnë apo numrin e madh të punëtorëve pagat e të cilëve varen nga mbrothësia e bizneseve të tyre. Sidoqoftë kjo është e vërtetë vetëm nëse e ngrijmë historinë dhe e kemi të pamundur të përfytyrojmë një rregullim ekonomiko-shoqëror alternativ. Në një tjetër kontekst, të transformueshëm nga lëvizje shoqërore të forta, vihet re kollaj karakteri parazitar i oligarkëve. Prandaj, për ta pamundësuar këtë transformim, ideologjia sunduese fsheh potencialet që klasat e nënrenditura kanë për të vendosur një rend të ri gjërash.  

Meqë jemi tek ideologjia, ndalemi pak edhe te një prej farkëtimeve më të forta të saj: individit të atomizuar. Ndonëse një prej meritave të pamohueshme të qytetërimit kapitalist ka qenë përfytyrimi i njeriut si individualitet – me krijimtarinë dhe përgjegjësinë që e ndjek këtë koncept, shumë shpejt ky individualitet u tentua ta shkërmoqë socialen e cila e ushqen dhe përkufizon, duke u kthyer në atomizim. Njeriu i tjetërsuar nga ndarja klasore – na thoshte djaloshi 26-vjeçar në “Dorëshkrimet ekonomiko-filozofike”, i detyruar të konkurrojë për një vend pune e pagë, harron shoqërueshmërinë e tij si qenie dhe sendëzohet dalëngadalë si një kafshë vetmitare, e atrofizuar dhe e pakënaqur. Sot, ende në karantinë, ia njohim edhe më fort vlerën përfytyrimit të njeriut si qenie shoqërore. Qenka në natyrën tonë të kemi nevojë për tjetrin jo thjesht si instrument i realizimit të qëllimeve vetjake, por si qëllim në vetvete, si i barabarti me të barabartin që bashkëjeton, bashkëndërton, kuvendon e rri shkujdesur, pa asnjë qëllim përtej vetë marrëdhënies që do t’i shpëtojë me çdo kusht izolimit dhe vetmisë.

Marksi nuk është vetëm diagnostikues kritik i të tashmes, por edhe nxjerrës në dritë i potencialeve të transformimit shoqëror dhe projektues i një shoqërie vërtet të lirë. Ai qe ndër të parët që kuptoi se punëtori ishte faktori më i rëndësishëm i prodhimit dhe puna i vetmi burim i vlerës (së këmbimit). Po nuk u ndal me kaq. Ai e nxori punëtorin si subjektin më të rëndësishëm historik. Jo se ashtu ia donte qejfi, por se kuptoi që punëtorët plotësonin dy kushtet më të rëndësishme të transformimit historik: 1. nevojën për ndryshim; 2. fuqinë për ta sjellë këtë ndryshim. Nevoja gjendet te shtypja në punë dhe mjerimi i kohës së lirë, kurse fuqia vjen nga masiviteti dhe përqendrimi i kësaj klase në zemër të mekanizmit produktiv të shoqërisë. Jo më kot asnjë klasë nuk e kërcënuar kapitalin dhe nuk i ka ardhur më afër mundësisë së një shoqërie të re sa punëtorët. Dekadat e fundit, kur lëvizja punëtore ka bërë prapakthim anembanë botës, historia është ngurosur – duke sjellë intensifikim të shfrytëzimit e tëhuajësimit, së bashku me rritjen e pabarazive dhe shpërbërjen e asaj pak demokracie që gjendet nëpër botë.

Po punëtorët nuk veprojnë asnjëherë vetëm. Si çdo klasë në ngjitje, ata mund t’i sjellin ndryshimet vetëm nëse vendosen në pozicion strategjik brenda një lëvizjeje shoqërore ku përfshihen të gjitha klasat dhe grupet e nënrenditura – studentë, gra, të papunë, pensionistë, profesionistë të shtresës së mesme, pakica identitare etj.

Dhe ajo që duan, mund dhe duhet të ndërtojnë është një demokraci e gjithanshme, që nuk nis te kutia e votimit, por nga fabrika, lagjja, shkolla e grupi shoqëror për të vazhduar në kutinë e votimit, vetëm për t’iu kthyer sërish pjesëmarrjes nga poshtë në të gjitha përmasat e jetës njerëzore. Kështu, demokratikisht, mund të planifikohet plotësimi i nevojave të të gjithëve, duke i lënë dëshirat në rendin e dytë, ku vërtet konsumatori dhe tregu ta thonë fjalën e tyre – pa shkretuar njeriun e mjedisin.

Imazhi: Sean Gallup/Getty Images

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.