Pse nuk kam pemë të Vitit të Ri?

/Jonis Metaj/ Supozohet se është periudha më e bukur e vitit. Kështu trumbetohet. Kështu thuhet se duhet të jetë: “Hej duhet të jesh i gëzuar duke festuar, po vjen Viti i Ri!” Nëpër rrugët e qytetit: ”Gëzuar!” Televizioneve: ”Gëzuar!” Mirë kutia e televizorit që këndon e feston, po kjo kutia-banesë e imja pse bën kontrast? Përse kjo kuti e madhe ka tre njerëz ballëvrenjtur e të heshtur brenda duke parë një univers paralel në televizor, që veçse trumbeton tutoriale buzëqeshjesh? Kohë më parë, si fëmijë, mbaj mend të kemi blerë një pemë të Vitit të  Ri. Ç’kënaqësi ta zbukuroje, t’i vije dritat rreth bredhit! Sfida ime fëminore ishte të vija yllin e kuq majë pemës. Aq i vogël sa nuk e arrija dot majën, i vogël sa nuk mendoja, veçse i  gëzohesha festave. Fundvit mbas fundviti kisha dëshirë ta zbukuroja atë pemë, ta kishim aty në qendër të dhomës, të hutohesha duke parë dritat që zbukuronin ambientin e shtëpi-kutisë sime, si edhe mënyrën se si kombinonte me tryezën e shtruar. I njëjti ritual çdo fundvit, pema e ndriçuar, televizori i eksituar, shoqëruar me darkën karakteristike që na lumturonte të treve, mua dhe prindërit. Pasi kaloi një dekadë, isha me i gjatë se pema, e njëjta pemë. Ndërkohë im atë detyrohej të punonte më shumë që në fundvit atmosfera të ishte po e njëjta, që të mos mungonte në tryezë ushqimi si vjet. E vetmja gjë që rritej ishte eksitimi i njerëzve që dilnin në televizor: “Si të qeshim së bashku për Vit të Ri?” Sa më e bukur bëhej fasada propagandistike, aq më shumë ndihej varfëria në tavolinë derisa ime më u detyrua të punonte… pastruese. Gjatë një viti duhen paguar dritat, uji, telefoni, taksa e gjelbërimit me shoqe, shkolla ime, buka e përditshme… Ç’të paguash më parë?!  Ç’të ngel në fund të vitit? Kjo është dilema e një familjeje normale, e asaj që paguan çdo detyrim ndaj shtetit pa kamatvonesë,  që ndjek e zbaton çdo ligj, të cilës shteti i thotë se është në shërbim të saj. Vjet, gati dy dekada pas blerjes së asaj peme të hareshme për çdo fëmijë, ishte hera e fundit që vendosej në dhomë. Nuk deshi kush ta zbukurojë, por ime më u detyrua ta ndriçonte edhe njëherë shtëpinë-kuti. Ajo pemë, aq e lartë asokohe, sot, e parë me sytë e realitetit, nuk kalon as mesin tim. Aq e vogël paska qenë! Prapëseprapë burim aq i madh lumturie. Po sot pse nuk është? Mos vallë burim lumturie ka qenë tavolina e shtruar?!  Në qoftë se i ul zërin televizorit të eksituar, shoh se lumturia nuk paska qenë vendosja e yllit të kuq në majë pemës, por mbushja e barkut bashkë me prindërit, darka e Vitit të Ri bashkë me ta. Darka me ta që ka munguar këto dy vjet, pasi ime më – ajo pastruesja – duhej të ishte në punë. Ky ishte shpërblimi i fundvitit, darkë pa nënën që pastron. Si do jetë kësaj here? Çfarë të festosh kur nuk ke arsye të festosh, kur nuk ke me kë të festosh? Pema nuk do vendoset më në radhë të parë: jo për shkak të kujtimeve, por për shkak të prishjes nga dekadat që ka kaluar. Të paktën ajo pastruesja do jetë në shtëpi këtë herë sepse tanimë është e papunë. Për tavolinën nuk di ç’të them, por vit mbas viti është rralluar. Si besnikë tradicionalë ndaj shtetit, po shpresonim për shpërblime lëmoshë që të mos shtrohet veç bukë e pak gjë mbi mbulesë! Kështu shpërblehet besnikëria?! Për sa kohë do e shohim lumturinë në televizor para se ta fusim në shtëpitë tona? Për sa kohë do shohim urime presidentësh e KryeM-ësh? Unë dua urim nga njerëzit e mi, dua të mblidhemi e të festojmë së bashku, jo të jemi tre vetë që shohim televizor. Po si të mblidhesh kur nuk ke ç’t’u nxjerrësh?! Këtë radhë nuk duhet të gëzohemi më për ikjen e një viti të vështirë  duke u lutur që i ardhshmi të jetë më i mbarë e i begatë. Kështu jemi lutur gjithmonë, pa ditur se kujt i lutemi. Sivjet duhet të reflektojmë e të bëhemi tok për të përballuar vitin e ardhshëm. Boll pritëm lëmoshë! Boll pamë ç’na ka ndodhur! Le të shohim si të rrëmbejmë vetë të ardhmen tonë, sigurisht pa e harruar atë që na kanë bërë!
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.