/Thomas Fazi & William Mitchell/ [1]
Asgjë tjetër nuk e pasqyron vagullinë e mendimit të së majtës evropiane më shumë se pozicionimi i saj ndaj Brexit-it. Çdo javë sjell nga një kapitull të ri në historinë e tmerrshme të Brexit-it: largimi nga BE do të jetë një kataklizmë ekonomike për Mbretërinë e Bashkuar; dhjetëra mijëra vende pune do të mbyllen; të drejtat e njeriut s’do të kenë më kuptim; parimet e gjykimit të drejtë, fjala e lirë dhe standardet e duhura të punës do të kompromentohen tërësisht. Me pak fjalë, Brexit-i do ta shndërrojë Britaninë në një distopi, në një shtet të dështuar — ose më keq akoma, në një pariah [2] ndërkombëtare — të braktisur nga bota e qytetëruar. Në këto kushte është e lehtë të kuptosh pse lideri i Partisë Laburiste Jeremy Corbyn kritikohet shpesh për mosdashjen e tij për të pasur një agjendë pro qëndrimit.
Histeria anti-Brexit e së majtës, megjithatë, bazohet në një përzierje teorish ekonomike të këqija, kuptimi gjysmak të Bashkimit Evropian dhe mungese të imagjinatës politike. Jo vetëm nuk ka arsye për të besuar se Brexit-i do të sjellë një apokalips ekonomik; por, ç’është më e rëndësishmja, braktisja e BE-së i mundëson të majtës britanike — dhe të majtës evropiane në përgjithësi — një shans që vjen një herë në jetë: të tregojë se një thyrje radikale me neoliberalizmin dhe me institucionet që e mbështesin atë është e mundur.
Modelimi i distopisë
Për të kuptuar se pse qëndrimi anti-Brexit-ti i shumicës së progresistëve evropianë është i pabazuar dhe në fakt i dëmshëm, duhet të nisim të shqyrtojmë mitin më të përhapur në lidhje me Brexit-in: idenë se do të na çojë drejt një katastrofe ekonomike. Për shumë kritikë kjo është e afërmendshme dhe vërtetohet thjesht duke cituar raportin e shumë përfolur [3] të Departamentit për Daljen nga Bashkimi Evropian (DExEU) pranë qeverisë britanike. Dokumenti arrin në përfundimin se të gjitha format e mundshme të Brexit-it – qëndrimi në Tregun e Përbashkët, një marrëveshje e tregtisë së lirë ose mungesa e çfarëdo marrëveshjeje – do të kishte një efekt kryesisht negativ në PBB-në e Mbretërisë së Bashkuar. Vlerësimet shkojnë nga një PBB 2% më e ulët dhe 700,000 vende pune më pak gjatë pesëmbëdhjetë viteve të ardhshme në një rënie me 8% e PPB dhe deri në 2.8 milionë vende pune më pak.
Kjo linjë argumentimi gjendet së fundmi edhe në një artikull nga autori anti-Brexit Will Denayer, i cili citon faktin se raporti është hartuar nga qeveria pro-Brexit si provë besueshmërie(!). Gjithsesi, ai nuk arrin të pohojë se këto parashikime vuajnë nga një anshmëri neoliberale që gjendet brenda vetë modeleve të parashikimit. Modelet matematikore të përdorura nga qeveria britanike janë shumë komplekse dhe abstrakte dhe rezultatet e tyre janë të ndjeshme ndaj kalibrimit numerik të marrëdhënieve në modelet dhe supozimet e bëra rreth, për shembull, efekteve të teknologjisë. Modelet nuk janë shumë të besueshme dhe mund të manipulohen lehtësisht e për të arritur çfarëdo rezultati që dëshiron. Qeveria britanike ka refuzuar publikimin e aspekteve teknike të modelimit të tyre, gjë që supozon se ata nuk duan që analistët e pavarur të shqyrtojnë supozimet e tyre të “kutisë së zezë”.
Anshmëritë neoliberale brenda këtyre modele përfshijnë pohimin se tregjet janë vetërregulluese dhe janë në gjendje të japin rezultate optimale për aq kohë sa nuk pengohen nga ndërhyrja e qeverisë; se “tregtia e lirë” është pa dyshim pozitive; qeveritë janë të kufizuara financiarisht; faktorët e ofertës janë shumë më të rëndësishëm se ato të kërkesës; dhe individët i bazojnë vendimet e tyre mbi “pritshmëritë racionale“ rreth variablave ekonomike etj. Shumë nga supozimet kryesore të përdorura për ndërtimin e këtyre ushtrimeve nuk kanë lidhje me realitetin. Me fjalë të thjeshta, modelet e parashikimit — ashtu si makroekonomia mainstream në përgjithësi — ndërtohen mbi bazën e një sekuence mitesh. Paul Romer-i, i cili e ka marrë gradën doktor shkencash në vitet ’80 në Universitetin e Çikagos, në tempullin e ekonomisë neoliberale, kohët e fundit u ka bërë një sulm të ashpër bindjeve të tij të dikurshme, në një kumetsë me titullin Problemet me Makroekonominë [4]. Romer-i i përshkruan qasjet standarde të modelimit të përdorura nga shumica e ekonomistëve — të cilat ai i quan postreale — si pika përfundimtare e një regresi intelektual prej tri dekadash.
Nuk është për t’u habitur që këto modele dështuan krejtësisht në parashikimin e krizave financiare dhe të depresionit të madh dhe vazhdojnë edhe sot të dështojnë në prodhimin e ndonjë modeli të besueshëm parashikimi. Brexit-i është një shembull i dukshëm. Në muajt pranë referendumit, bota u përmbyt me paralajmërime — nga FMN, OECD dhe bastione të tjera të ekonomisë bashkëkohore — duke pretenduar se vota pro largimit do të sillte pasoja katastrofike të menjëhershme për Mbretërinë e Bashkuar, duke shkaktuar një rrënim financiar dhe zhytjen e vendit në një recesion të thellë. Parashikimi më sikletosës mbi “ndikimin e menjëhershëm ekonomik të një vote për t’u larguar nga BE“ u botua nga qeveria konservatore. Qëllimi i “studimit“ në fjalë, i nxjerrë në maj 2016 nga Ministria e Financave e Mbretërisë së Bashkuar, ishte të maste “ndikimin […] e votës pro largimit në periudhën e afërt prej dy vjetësh“.
Brenda dy viteve të votimit, Ministria parashikonte se PBB do të ishte rreth 3.6% deri në 6% më e ulët dhe numri i të papunëve do të rritej me 820.000. Parashikimet në “studimin“ e majit 2016 dukeshin të tmerrshme dhe synonin qartësisht të kishin ndikim maksimal në votim, të cilat do të mbaheshin një muaj më vonë. Pak javë përpara referendumit, kancelari i asokohshëm George Osborne e përmendi raportin për të paralajmëruar se “vota pro largimit do të përbënte një goditje të menjëhershme dhe të thellë për ekonominë tonë“ dhe se “shoku do ta shtynte ekonominë në recesion dhe do ta rriste papunësinë me rreth 500 mijë vetë“.
Megjithatë, shumica e votuesve zgjodhën Brexit-in. Duke vepruar kështu, ata provuan përsëri se ekonomistët gabuan, meqë asnjë prej skenarëve katastrofikë të parashikuar në prag të referendumit nuk ka ndodhur. Redaktori i ekonomisë pranë gazetës Guardian Larry Elliot shkruante: “Armagedoni i Brexit-it ishte një vizion i tmerrshëm — por thjesht nuk ka ndodhur“. Me gati dy vjet që kanë kaluar që nga referendumi, të dhënat ekonomike të Britanisë së Madhe i përqeshin paralajmërimet e mbushura me dënime të rënda — sidomos të raportit të lartpërmendur të qeverisë. Të dhënat nga Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS) tregojnë se deri në fund të vitit 2017, PBB e Britanisë së Madhe ishte 3.2% më e lartë krahasuar me kohën e votimit të Brexit-it — larg nga një recesioni i thellë sikurse pritej.
Burimi: ONS dhe llogaritjet e autorëve
Ndërkohë, midis qershorit 2016 dhe janarit 2018 shkalla e papunësisë ka rënë nga 4.9% në 4.3% , ndërsa numri i të papunëve me 187.000 — më e ulëtit në dyzet e tre vjet. Numri i njerëzve joaktivë ekonomikisht — ata që nuk punojnë ose nuk kërkojnë punë — ka rënë në masën më të madhe në pothuajse pesë vjet e gjysmë. Çka tregon shumë për punëtorët e panumërt që do të duhej të humbnin punën si rezultat i votës për t’u larguar.
I shenjti Treg i Përbashkët
Marrë parasysh mungesën e provave për kolapsin ekonomik të prodhuar nga Brexit-it, çfarë fshihej pas sigurisë së verbër të opinionistëve? Një pjesë e rëndësishme e ideologjisë që nxit tërë debatin mbi Brexit-in është përfytyrimi se Britania gëzonte përfitime të mëdha ekonomike nga anëtarësimi në BE (ose KE siç njihej në vitin 1973). A qëndron ende ky pretendim? Sipas një studimi [6] të kohëve të fundit nga Qendra për Kërkime në Biznes (CBR) pranë Universitetit të Kembrixhit (shiko grafikun më poshtë!), “nuk ka pasur përmirësime per capita në rritjen ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar pas vitit 1973 krahasuar me dekadat paraardhëse. Në fakt, PBB për frymë u rrit qartësisht më ngadalë pas aderimit sesa në dekadat paraaderuese“.
Burimi: Qëndra për Kërkime në Biznes, Universiteti i Kembrixhit
Studiuesit arrijnë në purfundimin se “nuk ka të dhëna se anëtarësimi në BE e ka përmirësuar shkallën e rritjes ekonomike në Mbretërinë e Bashkuar“. Themelimi i shumëlavdëruar i Tregut të Përbashkët më 1992 nuk solli ndonjë ndryshim — jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por as për BE tërësi. Edhe po të kufizohemi në vlerësimin e suksesit të Tregut të Përbashkët me parametrat e ekonomisë mainstream — produktivitet dhe prodhim i brendshëm bruto për frymë — nuk ka prova që mbështesin premtimet e promotorëve të tij dhe parashikimet zyrtare. Grafiku i mëposhtëm tregon një krahasim afatgjatë mes BE15-ës dhe SHBA-ve në terma të PBB për orë pune (një mesatare e produktivitetit të punës) dhe PBB për frymë.
Burimi: Bordi i Konferencës së ShBA, Databaza e Ekonomisë në Tërësi
Të dhënat tregojnë qartazi se Tregu i Përbashkët (fillon te vija e gjelbër vertikale) jo vetëm që ka dështuar në përmirësimin e ekonomive të BE15 krahasuar me SHBA-në, por duket t’i ketë keqësuar ato. Më interesantja është se krijimi i Tregut të Përbashkët as ka mundur të rrisë nivelin e tregtisë brenda BE. Grafiku i mëposhtëm tregon përqindjen e eksporteve ndërmjet BE dhe Bashkimit Monetar Evropian (EMU) si përqindje e eksporteve totale të BE dhe EMU. Pas një rritjeje të vazhdueshme gjatë viteve 1980, ky raport ka hyrë në stanjacion midis viteve të krijimit të Tregut të Përbashkët në mesin e viteve 1990 dhe mesin e viteve 2000, si dhe ka pasur prirje rënëse që prej asaj kohe (me një rimëkëmbje të lehtë pas 2014). Një shënim i Bruegel-it shtohet se “Eurozona po ndjek pothuajse të njëjtin model si Bashkimi Evropian, duke treguar se monedha e përbashkët mund të mos ketë pasur efektin e pritshëm në tregtinë midis vendeve anëtare të Eurozonës“.
Burimi: Drejtimi i Statistikave të Tregtisë pranë FMN
E njëjta gjë vlen edhe për pjesën e eksporteve të Mbretërisë së Bashkuar në BE dhe FMN-në, e cila ka qëndruar në stanjacion që nga krijimi i tregut të përbashkët dhe ka qenë në rënie që nga fillimi i viteve 2000 (duke u kthyer në nivelin e mesit të viteve 1970) me tregjet e eksportit që rriten shumë më shpejt se ato brenda BE-së dhe Eurozonës.
Burimi: Drejtimi i Statistikave të Tregtisë pranë FMN dhe llogaritjet e autorëve
Siç vërejnë hulumtuesit e Kembrixhit, ky fakt përbën “një avantazh të papërfillshëm për Mbretërinë e Bashkuar për të qënë anëtare e BE“. Për më tepër, kjo tregon se Britania i ka diversifikuar eksportet e saj për një kohë të gjatë dhe është shumë më pak e varur nga BE sot nga ç’ishte njëzetë ose tridhjetë vjet më parë. Një vrojtim i mëtejshëm i nxjerrë nga të dhënat e FMN për drejtimet e tregtisë vihet re se: ndërsa eksportet globale janë rritur 5 herë që nga viti 1991 dhe eksportet e avancuara të ekonomisë janë rritur 3.91 herë, eksportet e BE dhe EMU janë rritur vetëm 3.7 dhe 3.4 herë.
E majta dhe liberalizimi
BE është strukturalisht neoliberale, jodemokratike dhe neokoloniale. Ajo mbisundohet politikisht nga vendi anëtar më i fuqishëm dhe politikat e saj kanë pasur efekte sociale dhe ekonomike katastrofike .
Një arsye e rëndësishme e përkrahjes së panikut anti-Brexit nga ana e së majtës ka qenë se dalja nga BE ka shërbyer si heqëse vëmendjeje nga probleme më substanciale: fakti që sistemi ekonomik i Perëndimit është në rënie serioze. Një tjetër studim[7] i CBR së lartpërmendur ka zbuluar se ndikimi i Brexit-it ka gjasa të jetë shumë më i butë se parashikimet e qeverisë “edhe nëse Mbretëria e Bashkuar përfundon pa marrëveshje të tregtisë së lirë apo pa fituar akses të privilegjuar në tregun e përbashkët të BE“, — madje edhe në rastin e të ashtuquajturit “Brexit të vrazhdë“. Në përgjithësi, hulumtuesit e Kembrixhit arritën në përfundimin se:
Perspektiva ekonomike është gri më shumë sesa e zezë, por, sipas mendimit tonë, kështu do të ishte si me Brexit-in ashtu edhe pa të. Realiteti në thelb ka të bëjë me vazhdimin e rritjes së ngadaltë të prodhimit dhe të produktivitetit, që kanë karakterizuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe ekonomitë e tjera perëndimore që nga kriza bankare. Rritja e ngadaltë e kredisë bankare në kontekstin e niveleve të larta të borxhit, dhe e përkeqësuar nga masat shtrënguese në sektorin publik, e pengojnë rritjen e përfillshme të kërkesës së agreguar.
[1] T. Fazi dhe W. Mitchell janë bashkautorë të librit “Rivendosja e shtetit: një vizion progresiv i sovranitetit për një botë post-neoliberale (Reclaiming the State: A Progressive Vision of Sovereignty for a Post-Neoliberal World)“.
[2] pariah, anëtar i kastës më të ulët sipas hierarkisë shoqërore të Indinë jugore, gjatë kohës kur kjo e fundit ishte nën sundimin kolonialist të britanikëve (sh. i përkthyesit).
[3] EU Exit Analysis, Cross Whitehall Briefing, House of Commons Exiting the European Union Comittee
[4] The Trouble With Macroeconomics, Paul Romer, Stern School of Bussines, New York University, 2016
[5] run on the pound, dukuri ekonomike që ndodh kur tregtarët e financierët britanikë gjykojnë se nuk është në interesin e tyre të mbajnë paundin, por një valutë tjetër alternative si euro, dollar, ar, etj. Kështu ata përpiqen ta shesin (këmbejnë) paundin me valuta të tjera. Për t’i arritur shpejt këto këmbime, ata do të detyrohen ta ulin çmimin e paundit. Naga ana tjetër, kjo rënie e paundit shkakton domosdoshmërinë për ta këmbyer atë me valuta të tjera, edhe më shpejt akoma, duke e reduktuar vlerën e tij së tepërmi. Pra, nëse çdokush do të rend për ta shitur paundin sa më shpejt, vlera e tij do të bjerë në mënyrë të rrufeshme, në krahasim me valutat e tjera (sh. i përkthyesit).
[8] Busting the Lexit Myths, Labour Campaign for The Single Market, 2017
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).